ADHURIMI I VËRTETË DHE ADHURIMI I RREMË
Bazuar në komentarin e Zhan Kalvin
Përkthyer nga WabashBible
Megjithëse njerëzve u pëlqen çdo lloj feje, ka vetëm një fe që miratohet nga Perëndia. Ajo që Ai Vetë ka urdhëruar dhe e ka shpallur në Fjalën e Tij. Prandaj ne mund të dalim në përfundimin se Perëndia nuk mund të durojë gjatë që adhurimi i Tij të përqeshet (Jer. 51:11).[1]
Vetëm Fjala e Perëndisë na tregon si duhet të adhurohet Perëndia në mënyrë të drejtë.
Askund tjetër përveçse në Librin e Ligjit nuk mund të gjejmë rregullin sipas të cilit duhet të adhurohet Perëndia; as nuk mund të merret njohuria e drejtë nga ndonjë burim tjetër.[2]
Fjala e Perëndisë është e mjaftueshme për adhurimin tonë ndaj Perëndisë! Sepse Perëndia nuk lë asnjë pjesë të adhurimit të vërtetë pa e përmendur. Kështu, ne nuk do të shmangemi kurrë nga feja e vërtetë, nëse vetëm i dorëzohemi mësimit të Tij.[3]
Çfarë është adhurimi i vërtetë? Parimi Rregullues Biblik “i Reformuar” i Adhurimit shpjegon se çfarë është adhurimi i vërtetë.
Perëndia ka përshkruar[4] se si duhet të thirret dhe të adhurohet në Fjalën e Tij. Rregulli i Perëndisë për adhurimin e vërtetë është ai që e veçon popullin e Tij nga idhujtarët paganë (Jer. 31:14).[5] Mënyra e drejtë për të adhuruar Perëndinë e vetëm dhe të vërtetë është bindja ndaj urdhëresave të Tij.[6]
Perëndia e quan gjithçka që Ai nuk e ka urdhëruar të neveritshme. Prandaj nuk ka nevojë për argumente të gjata kur çështja ka të bëjë me shpikjet e njerëzve, sepse asgjë nuk mund të pranohet në adhurimin e Perëndisë përveç asaj që Ai Vetë ka urdhëruar. Prandaj, cdo gjë që buron nga mendimet e njerëzve nuk është vetëm e kotë dhe e padobishme, por edhe e neveritshme, sepse Perëndia kështu e paraqet në Fjalën e Tij (Jer. 32:35).[7]
Perëndia, që të mos merret pafund me bestytnitë, jep si parim këtë: gjithçka që ata përpiqen të bëjnë përtej Ligjit (Fjalës së Perëndisë) është e rreme, dhe për këtë arsye shpikjet e njerëzve nuk mund të mbrohen me asnjë maskim apo pretekst (Jer. 32:35).[8]
Nuk ka nevojë për një kundërshtim të gjatë për të demaskuar mënyrat e rreme të adhurimit, të cilat njerëzit i shpikin sipas mendimeve të tyre, sepse në fund, pas të gjitha gjërave që ata thonë, Perëndia jep këtë përgjigje me një fjalë: gjithçka që Ai nuk e ka urdhëruar në Ligjin e Tij është e kotë dhe e dëmshme (Jer. 32:35).[9]
Ne duhet të mbajmë gjithmonë parasysh kontrastin midis urdhërimeve të Perëndisë dhe veprave të duarve tona; sepse çdo gjë që ne ia imponojmë Perëndisë si shtesë Ligjit të Tij është vepër e duarve tona. Por bindja është më e mirë se flijimi. Perëndia i dënon shprehimisht të gjitha shpikjet e njerëzve. Sado që njerëzit të kënaqen me bestytnitë e tyre, ato janë idhujtari dhe të neveritshme, sepse nuk është e ligjshme të shpiket asgjë. Meqë Perëndia na ka dhënë Ligjin e Tij, Ai nuk ka lënë asgjë tjetër për ne përveçse të ndjekim atë që Ai ka urdhëruar. Kur ne devijojmë dhe shtojmë diçka nga vetja jonë, ne nuk bëjmë gjë tjetër veçse sakrilegj (Jer. 32:30).[10]
Hebrenjtë e kohës së Jeremias e hodhën poshtë Parimin Rregullues Biblik.
Hebrenjtë kërkuan ta lidhin Perëndinë me anë të ligjeve të tyre. Perëndia tregon se në këtë mënyrë, Ai u vu në mënyrë të pafe nën kufizim. Prandaj Ai vendos këtë kusht, sikur të thoshte: “Më takon Mua t’ju përshkruaj se çfarë është e drejtë. Prandaj, hiqni tutje ceremonitë tuaja, me të cilat mendoni të shlyeni mëkatet tuaja; sepse unë nuk i marr parasysh ato dhe i vlerësoj si asgjë” (Jer. 7:5–7).[11]
Hebrenjtë apostatë adoptuan forma adhurimi të rreme, të bëra nga njerëzit, dhe kështu u larguan nga ajo që ishte përshkruar për ta.[12]
Kur dikush ofronte një viç ose një qengj në ndonjë vend tjetër përveç Jeruzalemit, kjo ishte një flijim i rremë. Hebrenjtë duhej të kishin ndjekur atë që Perëndia kishte përshkruar dhe të mos vepronin me guxim të paturpshëm, sepse bindja është gjithmonë më e mirë se çdo flijim. Por këtu kishte një krim të dyfishtë: ata e lanë Tempullin dhe u përpoqën t’i impononin Perëndisë flijime kundër vullnetit të Tij të shprehur; dhe pastaj kishte edhe një krim tjetër akoma më të tmerrshëm, sepse ata ua kushtonin fëmijët e tyre Balamit ose Baalit dhe jo Perëndisë së vetëm dhe të vërtetë (Jer. 19:1–3).[13]
Hebrenjtë e asaj kohe e shfaqën adhurimin e rremë si në adhurimin familjar, ashtu edhe në adhurimin e përbashkët (të kishës).
Ishte një fyerje e rëndë kur secili kishte shërbesa private në shtëpi, ku ata digjnin temjan mbi çatitë e tyre dhe derdhnin libacione për perëndi të huaja. Por kur idhujtaria arriti deri aty sa edhe vetë Tempulli u ndot me idhuj, çfarë shprese kishte për pendesë? (Jer. 32:34).[14]
Hebrenjtë e kohës së Jeremias e adhuronin Perëndinë sipas vetë shpikjeve dhe bestytnive të tyre. Ata ishin bërë idhujtarë.
Duke hedhur tej çdo turp, hebrenjtë shfaqën hapur një përbuzje të rëndë ndaj Perëndisë duke ndjekur shpikjet dhe bestytnitë e tyre (Jer. 2:26).[15] Adhurimi i hebrenjve nuk ishte gjë tjetër veçse besëtytni. Megjithëse ata i shumëzonin flijimet, ata nuk bënin gjë tjetër veçse të provokonin zemërimin e Perëndisë, sepse nuk është e ligjshme për ne që të shpikim asgjë përtej asaj që është përshkruar në Ligj (Jer. 31:7).[16]
Hebrenjtë ishin mësuar më shumë se mjaftueshëm nga Ligji se si duhej të adhurohej Perëndia; dhe u ishte dhënë një rregull për të adhuruar vetëm Perëndinë. Por ata adhuronin shumë perëndi, dhe sipas vetë besëtytnive të tyre të rreme (Jer. 32:30).[17]
Ata i përqendruan të tëra mendjet e tyre për ta provokuar Perëndinë dhe u treguan të zotë në shpikjen e besëtytnive, me anë të cilave, ata e ndotën adhurimin e Perëndisë.[18]
Në ditët e Jeremias, vendi ishte i përmbytur me besëtytni të panumërta. Ai thotë se sipas numrit të qyteteve, ashtu ishin edhe perënditë në mbretërinë e Judës, dhe se në çdo qytet, sipas numrit të rrugëve, ishin ndërtuar altarë për t’i djegur temjan Baalit (Jer. 11:13).[19]
Hebrenjtë parapëlqyen vetë shpikjet e tyre ndaj Perëndisë së vërtetë, i Cili me kaq shumë shenja dhe dëshmi kishte shfaqur lavdinë e Tij dhe kishte bërë të njohur fuqinë e Tij midis tyre. Paganët mburreshin më kot me idhujt e tyre dhe shpërndanin shumë përralla për të joshur njerëzit e gjorë drejt adhurimit të rremë e të prishur; por hebrenjtë e dinin se kush ishte Perëndia i vërtetë. Të besonin përrallat e paganëve më shumë se Ligjin dhe vetë përvojën e tyre – a nuk ishte kjo idhujtaria më e ulët? (Jer. 16:10–13).[20]
Hebrenjtë e ditëve të Jeremias po ndiqnin shembullin e izraelitëve apostatë (në veri), të cilët Zoti i kishte shkatërruar më parë nga asirianët në vitet 722–721 p.K.
Siç e dimë, dhjetë fiset e adhuronin Perëndinë sipas mënyrës së tyre, pasi ishin larguar nga mësimi i pastër dhe i thjeshtë i Ligjit.[21]
Hebrenjtë treguan paturpësinë dhe kurorëshkeljen e tyre shpirtërore përmes adhurimit sinkretist dhe të vetëshpikur.
Ata mburreshin në mënyrë supersticioze kundër Perëndisë pa asnjë turp. Kështu ishte gjendja e popullit në ditët e Jeremias. Sepse Perëndia, nëpërmjet profetëve të Tij, i dënoi veçanërisht për këtë: që ata kishin korruptuar adhurimin e pastër të Ligjit; por ata, si një grua kurorëshkelëse e paturpshme, guxuan t’i vinin përballë Perëndisë vetë devocionet dhe “qëllimet e mira” të tyre, siç ato quhen zakonisht (Jer. 3:5).[22]
Izraelitët nuk ishin të kënaqur me një lloj besëtytnie ose me një idhull të vetëm, por përzien sa më shumë besëtytni që mundën dhe huazuan nocione të rreme nga të gjitha anët. Ata ishin si një prostitutë endacake, që ia jep veten pa dallim kujtdo.[23]
Hebrenjtë e ditëve të Jeremias praktikonin adhurim të rremë.
Festat që hebrenjtë kremtonin ishin profane, edhe pse ata përdornin emrin e Perëndisë dhe donin që të konsideroheshin të shenjta (Jer. 7:21–24).[24]
Mësuesit dhe predikuesit e rremë promovonin adhurimin e rremë.
Mësuesit e rremë të ditëve të Jeremias, të cilët joshnin popullin larg adhurimit të vërtetë dhe të thjeshtë të Perëndisë, e korruptuan doktrinën e shëndoshë me trillimet e tyre të shumta.[25]
Hebrenjtë e ditëve të Jeremias bënin të pavlefshme Fjalën e Perëndisë me traditat e tyre që ata vetë kishin vendosur.
Jezusi mësoi për adhurimin e farisenjve, hipokritëve fetarë të kohës së Tij: “Dhe më kot më nderojnë, duke i mësuar doktrina që janë urdhërime nga njerëzit” (Mat. 15:9). “Duke lënë pas dore, pra, urdhërimin e Perëndisë, ju i përmbaheni traditës së njerëzve… Ju jeni të shkathët për të anuluar urdhërimin e Perëndisë, për të zbatuar traditën tuaj… duke e anuluar kështu fjalën e Perëndisë me traditën tuaj, që ju e keni trashëguar…” (Marku 7:8, 9, 13).
Hebrenjtë e ditëve të Jeremias e kthyen plotësisht përmbys atë që Perëndia kishte vendosur (Jer. 7:8).[26]
Perëndia shkatërroi Jeruzalemin dhe tokën dikur të shenjtë të hebrenjve për shkak të adhurimit të tyre të rremë, gjë që solli shkatërrimin e Judës dhe mërgimin e hebrenjve në Babiloni dhe në Egjipt.
Perëndia i braktisi ata sepse kishin shkelur adhurimin e vërtetë dhe të pastër dhe kishin ndjekur neveritë e shumta të paganëve. Perëndia tregon se ata e meritonin një trajtim të tillë, sepse në çdo mënyrë, ata e kishin ndotur veten dhe ishin zhytur në thellësinë e çdo gjëje të neveritshme.[27]
Pasi kemi parë largimin e hebrenjve nga adhurimi i vërtetë, le të shohim më nga afër kontrastin midis adhurimit të vërtetë dhe atij të rremë.
Në adhurimin e rremë, Satani është “drejtuesi i adhurimit”
Arsyeja pse profetët dhe njerëzit e tjerë besnikë e quajtën atë vend ferr (Tofet), ishte kjo: sepse djalli sundonte në atë vend kur adhurimi i Perëndisë u bë i korruptuar dhe e gjithë feja e vërtetë u përmbys; dhe veçanërisht sepse besëtytnia u rrënjos aq thellë në zemrat e popullit, saqë ajo nuk mund të çrrënjosej veçse me një forcë dhe pushtet të jashtëzakonshëm (Jer. 19:6).[28]
Adhuruesit e rremë shikojnë jashtë Shkrimit për ide se si të adhurojnë Perëndinë
Është vërtet diçka shumë e zakonshme që ata që braktisin adhurimin e vërtetë të Perëndisë të kërkojnë për veten e tyre gabime të ndryshme nga çdo anë dhe t’i dorëzohen pa rezervë çdo lloj besëtytnie.[29]
Adhuruesit e rremë i apelohen lashtësisë ose zakonit për të mbrojtur praktikat e tyre
Hebrenjtë mund të kishin ngritur të njëjtin kundërshtim sic bëjnë papistët (ndjekësit e Papës) sot — se mënyrat e tyre të adhurimit nuk ishin shpikur në kohën e tyre, por i kishin trashëguar nga paraardhësit e tyre. Por Perëndia i quajti të pavlefshëm ata mbretër dhe etërit që shumë kohë më parë kishin degjeneruar nga feja e vërtetë.[30]
Adhurimi i rremë është një provë e një zemre rebele dhe mosbindëse
Si ndodhi që ata u ndotën me kaq shumë besëtytni? Kjo nuk mund t’i atribuohej padijes. Ajo ishte një rebelim i hapur kundër Perëndisë. Profeti tregon se ata ishin të pabindur dhe kokëfortë dhe se ranë përsëri në idhujtari e gabime shkatërruese, sepse kishin hedhur tej zgjedhën e Perëndisë dhe nuk e lejuan veten të qeveriseshin e të udhëhiqeshin nga Fjala e Tij.[31]
Nuk ishte nga gabimi që hebrenjtë ndoqën besëtytnitë e tyre idhujtare, por sepse ata hodhën poshtë adhurimin e vërtetë të Perëndisë dhe nuk i dëgjuan profetët; secili ndoqi këshillën e vet (Jer. 11:6–8).[32]
Sapo njerëzit fillojnë të largohen nga adhurimi i pastër dhe i vërtetë i Perëndisë, ata zhyten në thellësitë më të ulëta (Jer. 19:13).[33]
Adhurimi i rremë bazohet në përfytyrimet e njerëzve dhe në “qëllimet e mira” të tyre. Adhurimi i sajuar nga vetë njeriu është adhurim i rremë. Adhurimi i rremë dëshmon paligjshmëri, sepse secili bën atë që i duket e drejtë në sytë e vet (krh. Ligji i Ripërtërirë 12:8; Gjyqtarët 17:6; 21:25).
Njohuria e vërtetë është e lidhur me të vërtetën. Ata që për herë të parë sajuan forma të reja adhurimi, pa dyshim që ndoqën përfytyrimet e tyre të marra; ashtu si edhe sot, kur dikush i pyet papistët se pse ata lodhen kaq shumë me besëtytnitë e tyre, “qëllimi i mirë” është gjithmonë mburoja e tyre — “Oh, ne mendojmë se kjo i pëlqen Perëndisë.” Prandaj me të drejtë Perëndia këtu i hedh poshtë shpikjet e tyre si krejtësisht të kota, sepse ato nuk kanë asgjë të qëndrueshme dhe asgjë të fortë në vetvete.[34]
Hipokritët janë zakonisht të fryrë nga ky mendim, sepse ata parapëlqejnë atë që u pëlqen atyre mbi atë që i pëlqen Perëndisë. Ata nuk i kushtojnë vëmendje asaj që urdhëron Ligji ose asaj që miraton Perëndia. Ata adhurojnë vetë shpikjet e tyre. Meqënëse pothuajse të gjithë besëtytnorët janë të mbushur me një mendjemadhësi të tillë, Perëndia me të drejtë shpall se Ai do t’i bëjë të pavlefshme planet e tyre. (Jer. 19:7)[35]
Ne duhet të vërejmë atë që thotë apostulli Pal te Kolosianëve 2:23 — se të gjitha trillimet që njerëzit i sajojnë për veten e tyre kanë në vetvete njëfarë dukjeje urtësie; sepse ne e dimë se kudo që na çon imagjinata jonë, ne e mendojmë veten të mençur, ndërsa gjithçka që Perëndia urdhëron na duket e mërzitshme dhe e zbehtë.
Përvoja na mëson mjaftueshëm se njerëzit gjithmonë gjejnë kënaqësi të madhe në besëtytnitë e tyre, sepse ata duan ta nënshtrojnë Perëndinë ndaj vullnetit të tyre.[37]
Njerëzit largohen nga Perëndia dhe e tjetërsojnë veten nga adhurimi i vërtetë i Tij sa herë që ata përziejnë me të diçka nga vetja e tyre. Prandaj, sapo njerëzit shpikin për veten e tyre mënyra të reja adhurimi, kjo është njësoj sikur ata të ktheheshin së prapthi ose të endeshin me qëllim, sepse ata nuk qëndrojnë në udhën e drejtë dhe legjitime (Jer. 44:1–7).[38]
Në ditët e sotme, po t’i pyesë dikush papistët [ndjekësit e Papës] se me çfarë të drejte kanë shpikur për veten e tyre kaq shumë dhe kaq të ndryshme mënyra adhurimi, ata thonë se mjafton devotshmëria ose një qëllim i mirë. Le ta dimë, pra, se feja, e ndarë nga njohuria, nuk është gjë tjetër veçse lojë dhe mashtrim i Satanit. Prandaj është e domosdoshme që njerëzit të dinë me siguri se cilin Perëndi adhurojnë. Dhe Krishti e dallon kështu adhurimin e vërtetë të Perëndisë nga ai i idhujve të kotë: “Ne e dimë,” thotë Ai, duke folur për Judenjtë, “kë adhurojmë” (Gjoni 4:22). Pastaj Ai thotë se Judenjtë e dinin — madje edhe ata që e adhuronin Perëndinë sipas asaj që përshkruan Ligji — Ai thotë se ata e dinin kë adhuronin. Kështu Krishti dënon të gjitha qëllimet e mira në të cilat kënaqen supersticiozët, sepse ata nuk e dinë kë adhurojnë. Dhe unë kam thënë se feja nuk duhet të ndahet nga njohuria; por me “njohuri” unë nuk quaj atë që është e lindur në njeriun, as atë që fitohet me përpjekje, por atë që na është dorëzuar nga Ligji dhe Profetët (Jer. 44:1–7).[39]
Çfarëdo që njerëzit shpikin vetë me qëllimin e adhurimit të Perëndisë quhet “vepra e duarve të tyre”; sepse ata i trillojnë vetë këto gjëra dhe ndjekin vetëm dëshirat e tyre. Ata nuk i kushtojnë vëmendje asaj që i pëlqen Perëndisë, por i japin liri imagjinatës së tyre, kështu që, sipas vullnetit të tyre, përziejnë çfarëdo lloj adhurimi që u pëlqen. Kjo, pra, është arsyeja dhe në këtë kuptim Profeti thotë se Judenjtë e provokuan Perëndinë me anë të veprave të duarve të tyre: ata e korruptuan adhurimin e Tij të ligjshëm dhe u larguan nga feja e vërtetë, kur iu bashkangjitën trillimeve dhe korruptimeve pagane (Jer. 44:8).[40]
Adhurimi i rremë është idhujtari. Të gjithë adhuruesit e rremë janë idhujtarë. Besëtytnia është dëshmi e një zemre idhujtare; besëtytnorët janë rebelë dhe duan të shpikin një perëndi të përshtatshëm sipas shijes së tyre.
Të gjitha besëtytnitë në mbarë popullin kishin të njëjtën rrënjë; sepse, ndonëse ato ndryshonin në hollësi, të gjitha ato buronin nga i njëjti parim; sepse secili dëshironte të kishte Perëndinë e vet. Kështu ndodhi që çdo qytet kishte mbrojtësin e vet dhe çdo familje gjithashtu shpikte një perëndi për veten; sepse askush nuk ishte i kënaqur me adhurimin e përbashkët.[41]
Çfarëdo që njerëzit guxojnë të shpikin për veten e tyre në lidhje me adhurimin hyjnor nuk është gjë tjetër veçse krijimi i një perëndie. Prandaj, sapo i lejojmë vetes lirinë të adhurojmë Perëndinë në këtë apo në atë mënyrë, ose ta përfytyrojmë Perëndinë si një qenie të tillë apo të atillë, ne krijojmë perëndi për veten tonë.[42]
Të krishterët e vërtetë nuk mund të jenë idhujtarë apo të adhurojnë perëndi të tjera: këto dy gjëra nuk mund të lidhen kurrë — të adhurosh Perëndinë e vërtetë dhe të kërkosh për veten perëndi të ndryshme të tjera, dhe të formosh shpresa të kota, ashtu siç bëjnë ata që nuk janë të kënaqur me të Vetmin Perëndi të vërtetë.[43]
Adhurimi i rremë i lidh ndërgjegjet e njerëzve me mësime të rreme fetare.
Ligjet që bëhen me qëllimin për të ngritur mënyra fiktive adhurimi janë krejtësisht të paudhë, sepse ato futin idhujtarinë. Perëndia ka përcaktuar se si Ai dëshiron që ne ta adhurojmë; prandaj, çfarëdo që njerëzit sjellin nga vetja e tyre është plotësisht e paudhë, sepse ajo e shthur adhurimin e pastër të Perëndisë; dhe për më tepër, kur mbi ndërgjegje vihet domosdoshmëri, ajo është, siç kemi thënë, një robëri tiranike (Jer. 35:18–19).[44]
Adhuruesit e rremë kërkojnë t’i pëlqejnë Perëndisë përmes ceremonive dhe riteve të jashtme, ndërsa zemrat e tyre janë plot ligësi dhe paperëndishmëri, duke u vetëdëshmuar kështu si hipokritë fetarë.
Perëndia e qorton hipokrizinë e izraelitëve, sepse ata kërkonin ta përmbushnin detyrën e tyre ndaj Perëndisë vetëm me ceremoni të jashtme, ndërsa zemrat e tyre ishin plot mashtrime dhe çdo lloj paperëndishmërie dhe ligësie (Jer. 4:3).[45]
Këtu hidhen poshtë ritet e jashtme — domethënë, kur njerëzit kërkojnë në mënyrë të rreme të fitojnë hir përpara Perëndisë dhe të shlyejnë mëkatet e tyre me kompensime të rreme, ndërsa zemrat e tyre vazhdojnë të jenë të shtrembëra. Ndërsa Judenjtë ishin të kënaqur me Tempullin, ceremonitë dhe flijimet, ata e mashtronin veten, sepse mburrja e tyre ishte e rreme (Jer. 7:1–4).[46]
Pa dyshim që, Judenjtë ende ofronin flijime shumë rregullisht; por Perëndia nuk i pranonte flijimet e tyre, sepse ata e kishin korruptuar adhurimin e Tij të vërtetë. Tempulli ishte bërë një shpellë kusarësh; ishte si një grumbull plehrash; me pak fjalë, ishte bërë një bordello (shtëpi prostitucioni) (Jer. 11:15).[47] I njëjti mëkat ndodh edhe në ditët tona, kur të krishterët amerikanë/shqiptarë ofrojnë këngë — që janë “flijimi i lavdërimit” (Heb. 13:15) — idhujve dhe një Jezusi të shpikur prej tyre, në vend që të këndojnë lavdërim të sinqertë, në frymë dhe në të vërtetë, ndaj të Vetmit Perëndi të vërtetë, ashtu siç Ai vetë na ka zbuluar në Shkrim.
Judenjtë besonin në ritet e tyre ceremoniale, kështu që kur ata qortoheshin nga Profetët ata kishin gjithmonë gati këtë përgjigje: “Ne jemi adhuruesit e Perëndisë, sepse ne shkojmë vazhdimisht në Tempull dhe Ai ka premtuar se temjani që ne ofrojmë do të jetë për Të një aromë e këndshme” (Jer. 18:14–15).[48]
Flijimet e popullit të Judës nuk mund të miratoheshin nga Perëndia, sepse e gjithë feja ishte e korruptuar. Dhe krimi që Profeti përmend ishte se populli ishte larguar nga rruga e drejtë, domethënë nga Ligji, i cili është i vetmi rregull i devotshmërisë dhe drejtësisë.[49]
Perëndia na mëson se Ai vlerëson bindjen më shumë se çdo flijim.
Hipokritët, sapo largohen nga adhurimi i vërtetë i Perëndisë, nuk bëjnë asgjë që t’u sjellë dobi, edhe pse ata përpiqen shumë dhe lodhen duke “adhuruar” Perëndinë, sepse gjithçka që ata ofrojnë është e neveritshme. Prandaj, nëse ne duam që t’i ofrojmë Perëndisë shërbime që Ai do t’i pranojë dhe miratojë, le të mbajmë këtë të vërtetë: se bindja vlerësohet prej Tij më shumë se të gjitha flijimet (1 Sam. 15:22; Jer. 11:15).[50]
Hebrenjtë jo vetëm që e kishin korruptuar fenë e vërtetë, por ata gjithashtu ishin krenarë për besëtytnitë e tyre. Ata e përçmonin Perëndinë dhe vendosën vetë shpikjet e tyre kundër Ligjit të Tij. Kur hipokritët e ngrenë veten kundër Perëndisë dhe përbuzin me krenari mësimin e Tij, duke parapëlqyer shpikjet e tyre dhe duke guxuar t’i vendosin ato përballë autoritetit të Tij, kjo është pa dyshim një arrogancë djallëzore që ndot edhe atë që përndryshe do të ishte më e shenjta.[51]
Perëndia thotë në thelb: “Më kot i paraqesin ritet e tyre ceremoniale, duke thënë se janë shumë të rregullt në flijimet e tyre dhe se nuk lënë asgjë mangët në adhurimin e jashtëm të Perëndisë; gjithçka është e kotë.”[52]
Adhuruesit e vërtetë duhet të kenë zemra të sinqerta dhe të vërteta, gjë që provohet nga reformimi i vërtetë i jetëve të tyre. Adhuruesit e vërtetë dëshmojnë pendesë dhe besim të vërtetë. Adhurimi i vërtetë është shpirtëror dhe jo kryesisht i jashtëm.
Jezusi mësoi: “Adhuruesit e vërtetë ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetën; sepse të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati. Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën.” (Gjoni 4:23–24). Perëndia nuk adhurohet drejt, përveçse kur zemra është e lirë nga çdo mashtrim dhe hile. Nuk ka adhurim të Perëndisë pa sinqeritet zemre.[53]
Edhe nëse në adhurimin tonë të jashtëm nuk mungon asgjë, gjithçka që përpiqemi të bëjmë është e neveritshme për Perëndinë, nëse nuk shoqërohet me sinqeritet zemre.[54]
Kjo e vërtetë përmendet shpesh nga Profetët dhe duhet të jetë e njohur mirë për njerëzit e perëndishëm. Megjithatë ne shohim se sa e vështirë është që ta bëjmë botën ta besojë. Hipokrizia gjithmonë mbizotëron, dhe njerëzit mendojnë se kryejnë gjithcka që kërkohet prej tyre, kur midis tyre shfaqet njëfarë feje. Por Perëndia shikon vetë zemrën dhe integritetin; dhe këtë bota nuk e kupton.[55]
Asgjë nuk e heq mëkatin e njeriut përveç gjakut të Krishtit. Qëllimi i predikimit të Jeremias ishte t’i nxitë hebrenjtë që të pendoheshin seriozisht, nëse donin që Perëndia të pajtohej me ta. Kështu profeti tregon se Perëndia nuk i vlerësonte flijimet dhe ritet e tyre të jashtme dhe se kjo nuk ishte mënyra për ta pajtuar Atë, siç mendonin ata. Pasi ata kishin kremtuar festat, secili kthehej në shtëpi sikur gjithçka ishte shlyer dhe Perëndia ishte bërë i favorshëm ndaj tyre. Por Profeti tregon se mënyra e vërtetë e adhurimit të Perëndisë ishte shumë ndryshe; ajo ishte reformimi i jetës së tyre.[56]
Hebrenjtë ishin të zellshëm në flijime, por lanë pas dore gjërat kryesore – besimin dhe pendesën. Prandaj Profeti i hedh poshtë flijimet, sepse këta adhurues të rremë i kishin korruptuar ato; ata ishin të përqendruar vetëm në ritet e jashtme dhe e kishin humbur e madje përbuzur qëllimin e tyre (Jer. 7:21–24).[57]
Ne e dimë se që nga fillimi ishte vullneti i Perëndisë që Ai të adhurohej në mënyrë frymore; dhe Ai nuk e ka ndryshuar natyrën e Tij në ditët tona. Prandaj, ashtu si edhe sot Ai nuk miraton asnjë adhurim tjetër përveç atij frymor, sepse Ai është Frymë (Gjoni 4:24), po ashtu edhe nën Ligj Ai duhej të adhurohej me një zemër të sinqertë.[58]
Perëndia nuk i vlerëson flijimet në vetvete. Prandaj Ai bën dallim midis shenjave të jashtme dhe adhurimit frymor; sepse Judenjtë, me prishjet e tyre, e kishin përmbysur aq shumë atë që Perëndia kishte themeluar, saqë Ai nuk e njihte më atë që ata bënin si diçka të urdhëruar prej Tij.[59]
Adhurimi i rremë shoqërohet me mënyra jetese të pamoralshme dhe me praktika të pamoralshme.
Flijimi i fëmijëve: Hebrenjtë jo vetëm që e përçmuan Perëndinë dhe Ligjin e Tij, por edhe shkatërruan mizorisht foshnjat e pafajshme; kështu Jeremia i shpalli ata fajtorë jo vetëm për idhujtari në prishjen dhe korruptimin e adhurimit të Perëndisë, por edhe për egërsi barbare duke mos kursyer gjakun e pafajshëm.[60]
Padrejtësia: Adhurimi dhe frika e Perëndisë janë drejtuesit e barazisë dhe drejtësisë (Jer. 7:9–11).[61]
Adhuruesit e rremë tërhiqen te agjërimet e rreme
Agjërimi në vetvete nuk e pakënaq Perëndinë, por agjërimi bëhet i neveritshëm për Perëndinë kur për të mendohet se është një vepër merituese ose kur me të lidhet ndonjë shenjtëri.[62]
Kur agjërimi bashkohet me lutjen, atëherë lutja bëhet më e zjarrtë; ashtu siç ndodh zakonisht kur ka ndonjë rrezik, ose kur shfaqen shenja të zemërimit të Perëndisë, ose kur jemi nën ndonjë pikëllim të rëndë; sepse atëherë jo vetëm që lutemi, por edhe agjërojmë që të jemi më të lirë dhe më të çliruar për t’u lutur. Përveç kësaj, agjërimi është gjithashtu një dëshmi se ne kërkojmë ta zbusim zemërimin e Perëndisë, ndërsa rrëfejmë se jemi fajtorë përpara Tij; dhe kështu edhe ata që luten e nxisin veten më shumë drejt pikëllimit dhe ndjenjave të tjera penduese (Jer. 14:11–12).[63]
Agjërimet e rreme e provokojnë zemërimin e Perëndisë ashtu siç bëjnë të gjitha besëtytnitë, sepse adhurimi i Tij ndotet. Por nën Papizëm [Katolicizmin Roman] arsyeja e dhënë për agjërimet është se ato e meritojnë hirin e Perëndisë. Papistët kërkojnë ta qetësojnë Perëndinë me anë të agjërimit si me një lloj shlyerjeje; ata duan që agjërimi të jetë një vepër merite. Nuk do të flas tani për pafundësinë e vogëlsirave që gjithashtu i ndotin agjërimet e tyre; por le të supozojmë se ata nuk janë besëtytnorë në zgjedhjen e ushqimeve, në oraret dhe në marrëzira të tjera fëminore, të cilat janë thjesht gjëra pa vlerë, madje edhe tallje ndaj Perëndisë — le të supozojmë se ata janë të lirë nga të gjitha këto vese; prapësëprapë qëllimi, siç e quajnë ata, nuk është gjë tjetër veçse një gabim djallëzor, sepse ata vendosin që agjërimi është një vepër merite dhe shlyerjeje, një lloj shpagimi. Por Perëndia shikon zemrën, dhe vetëm sinqeriteti e kënaq Atë.[64]
Adhurimi i papistëve (katolikëve romanë) është shembull i përsosur i asaj që Bibla quan adhurim të rremë.
Shumica e njerëzve në ditët tona ngrenë trillimet e tyre kundër Fjalës së Perëndisë. Papistët [ndjekësit e Papës] vërtet pretendojnë lashtësinë; ata thonë se janë mësuar nga etërit e tyre; dhe njëkohësisht i apelohen këshillave dhe urdhëresave të etërve të kishës. Por nuk ka asnjë prej tyre që të mos jetë i dhënë pas trillimeve të veta dhe që të mos marrë lirinë — madje një liri të shfrenuar — për të hedhur poshtë çfarëdo që i pëlqen. Për më tepër, po të merret në shqyrtim origjina e gjithë adhurimit papnor, do të jetë e qartë se ata që së pari shpikën kaq shumë besëtytni të çuditshme u shtynë vetëm nga guximi dhe mendjemadhësia, që të shkelin nën këmbë Fjalën e Perëndisë. Prandaj gjithçka është bërë e korruptuar, sepse ata sollën të gjitha trillimet e çuditshme të trurit të tyre. E njëjta gjë ndodh edhe me të gjithë heretikët. Çfarë duhet bërë, pra? Bindja, siç kam thënë, duhet të mbahet si themeli i gjithë fesë së vërtetë. Nëse, pra, nga ana tjetër, dëshirojmë që adhurimi ynë të miratohet nga Perëndia, le të mësojmë të heqim mënjanë gjithçka që është e jona, që autoriteti i Tij të mbizotërojë mbi të gjitha arsyet tona.[65]
Në ditët tona, kur Papistët mburren me atë që e quajnë devotshmëritë e tyre, ne me të drejtë mund të themi se ka po aq porta përmes të cilave ata hidhen me kokë në ferr, sa ka mënyra (stile) adhurimi të shpikura prej tyre me qëllimin për të pajtuar Perëndinë.[66]
Feja e Papistëve karakterizohet nga adhurimi i bërë nga njeriu; është një fe e shpikur nga njeriu. Cilat janë origjinat e adhurimit katolik-roman? Së pari, Satani, me pretekste të rreme, i largoi njerëzit nga adhurimi i thjeshtë i Perëndisë dhe nga doktrina e Tij e pastër; dhe meqë te të gjithë ka një kureshtje të lindur, secili kishte dëshirë të shtonte diçka nga vetja e tij. Kështu ndodhi që një masë kaq e madhe gabimesh dhe besëtytnish u përhap.[67]
Të krishterët e vërtetë duhet të ndiejnë indinjatë (zemërim të drejtë) ndaj praktikave të adhurimit të rremë, ashtu siç bën edhe Perëndia.
Prandaj, në ditët tona nuk mjafton vetëm të refuzojmë dhe të përçmojmë mënyrat fiktive të adhurimit, për të cilat Papistët kaq shumë mburren; por nëse duam të provojmë se kemi një zell të vërtetë për adhurimin e Perëndisë, ne duhet t’i urrejmë dhe t’i neverisim të gjitha këto gjëra fiktive; sepse Perëndia i ka shpallur njëherë e përgjithmonë si të neveritshme (Jer. 32:35).[68]
Adhuruesit e vërtetë duhet ta adhurojnë Perëndinë me frikë e dridhje, por edhe me gëzim e besim.
Është një gjë e zakonshme që adhurimi dhe frika ndaj Perëndisë të përshkruhen me fjalët frikë, tmerr dhe dridhje. Sepse, edhe pse të besimtarët nuk tremben nga pranija e Perëndisë, por paraqiten me gëzim përpara Tij sa herë që Ai i fton dhe ata, me plot besim i thërrasin Atij, prapësëprapë nuk ka arsye që ata të mos dridhen kur mendojnë për madhështinë e Tij. Sepse këto dy gjëra janë të lidhura së bashku, madje frika dhe dridhja që na përulin përpara Perëndisë dhe besimi që na ngre, në mënyrë që të guxojmë të afrohemi ndaj Tij (Jer. 33:9).[69]
—————————————————————–
Flijimi i Fëmijëve: Një Studim Rasti mbi Adhurimin e Vërtetë dhe Adhurimin e Rremë
Flijimi i fëmijëve është një shembull i adhurimit të rremë.
Jeremia 7:31 thotë: “Kanë ndërtuar vende të larta të Tofetit, që është në luginën e birit të Hinomit, për të djegur në zjarr bijtë e tyre dhe bijat e tyre, gjë që nuk e kisha urdhëruar dhe që nuk më kishte shkuar kurrë në mendje.” (theksimi i shtuar).
Ishte një zell që në dukje dukej i lavdërueshëm që ata të vinin Perëndinë përpara fëmijëve të tyre; por këtu shihet qartë se çfarë janë të gatshëm të bëjnë njerëzit kur drejtohen nga një zell i pamenduar. Që nga fillimi i botës, burimi i të gjitha besëtytnive ka qenë ky: që njerëzit kanë shpikur mënyra adhurimi për veten e tyre dhe i kanë dhënë vetes lirinë të gjejnë një rrugë sipas mendjes së tyre për ta pajtuar Perëndinë (Jer. 7:31).[70]
Praktika e flijimit të fëmijëve tek Judenjtë dëshmonte një guxim dhe një arrogancë ekstreme që karakterizon të gjithë adhuruesit e rremë. Me fjalë të tjera, adhuruesit e rremë hamendësojnë se Perëndia do të kënaqet me shërbimin që ata vetë e kanë shpikur “me qëllime të mira” për të kënaqur Perëndinë. Adhuruesit e rremë shpesh pretendojnë se kanë “përulësi”, por në të vërtetë ajo është një përulësi e rreme, që është krenari (Kol. 2:18, 23).
Nga shembulli i flijimit të fëmijëve, ata ishin aq të verbër sa nuk bënin dallim mes vetes dhe Abrahamit: sepse atij iu urdhërua të ofronte birin e tij (Zan. 22:2), por ata, pa asnjë urdhër, u përpoqën të bënin të njëjtën gjë. Ky ishte një guxim ekstrem.[71]
Adhurimi i Vërtetë Bazohet Vetëm mbi Shkrimin. Nuk ka fund në mëkat kur njerëzit u dorëzohen vetë shpikjeve të tyre. Perëndia miraton vetëm atë që Ai ka urdhëruar në Fjalën e Tij.
Ne shohim se nuk ka fund në mëkat kur njerëzit u dorëzohen vetë shpikjeve të tyre, sepse Perëndia i dorëzon ata te Satani që ata të drejtohen nga fryma e marrisë, e çmendurisë dhe e verbërisë. Prandaj, le të mësojmë të shqyrtojmë gjithmonë atë që Perëndia miraton: dhe kjo le të jetë fillimi i çdo shqyrtimi tonë, për cdo veprim tonin—nëse Perëndia e ka urdhëruar apo jo; sidomos në çështjet e adhurimit, sepse feja bazohet në besim dhe besimi bazohet në Fjalën e Perëndisë.[72]
Judenjtë nuk ishin vetëm profanë ndaj Perëndisë, por edhe mizorë ndaj shpirtërave të pafajshëm. Tani, që të mos gënjejnë duke nxjerrë ndonjë justifikim, Ai shtoi gjithashtu se një gjë e tillë kurrë nuk i kishte shkuar në mendje Perëndisë; dhe kjo duhet të vihet re mirë, sepse Perëndia me këtë shprehje dënon të gjitha ato shpikje me të cilat njerëzit kënaqen. Prandaj, duke mos pasur asnjë urdhërim, rrjedh se çfarëdo që përpiqet në këtë mënyrë është e kotë dhe pa vlerë (Jer. 19:6).[73]
Perëndia dënon të gjitha shpikjet njerëzore dhe të gjitha besëtytnitë, sepse të gjitha ato korruptojnë fenë e Tij të vërtetë.
Perëndia i qorton dhe i dënon të gjitha besëtytnitë, sepse ato janë kotësi përpara Tij (Jer. 14:22).[74]
Perëndia thotë për praktikat adhuruesve të judenjve: “Nuk ua kisha urdhëruar dhe që nuk më kishte shkuar kurrë në mendje.” – Kjo shprehje duhet të vihet re me shumë kujdes sepse Perëndia iu heq njerëzve cdo rast për të bërë shmangie, meqënëse Ai dënon me këtë shprehje: “nuk ua kisha urdhëruar”, cfarëdo gjëje që judenjtë kishin shpikur. Atëhere, nuk ka asnjë argument tjetër të nevojshëm për të dënuar besëtytnitë, se argumenti që ato nuk janë të urdhëruar nga Perëndia; sepse kur njerëzit ia lejojnë vetes të adhurojnë Perëndinë sipas fantazive të tyre, dhe nuk u përmbahen urdhërimeve të tyre, ata korruptojnë fenë e vërtetë. (Jer. 7:31).[75]
Ata që shpikin vetë adhurimin e tyre lartësojnë veten dhe “urtësinë” e tyre mbi Perëndinë, gjë që është kulmi i arrogancës, krenarisë dhe marrëzisë.
Atëhere, fjalët e Profetit janë shumë të rëndësishme, kur ai thotë se Perëndia nuk kishte urdhëruar një gjë të tillë dhe se kjo kurrë nuk i kishte shkuar në mendje; sikur të kishte thënë se njerëzit i japin vetes shumë mençuri kur shpikin atë që Ai kurrë nuk e kërkoi, madje jo, atë që Ai kurrë nuk e ka njohur.[76]
Perëndia qorton hamendësimin e njerëzve, që guxojnë të fusin këtë ose atë gjë, dhe mendojnë se ajo që me hamendësim kanë shpikur është një adhurim i pranueshëm i Perëndisë. Në këtë mënyrë ata kërkojnë të lartësojnë vetë urtësinë e tyre mbi atë të vetë Perëndisë (Jer. 32:35).[77]
Papistëve [ndjekësit e Papës], kur u tregojmë se asgjë nuk ka dalë nga goja e Perëndisë për gjithë atë masë rregullash në të cilat ata e bëjnë fenë të qëndrojë, gjithmonë pretendojnë se nuk i bëjnë pa arsye atë që kanë urdhëruar etërit, sikur disa gjëra të kishin hyrë në mendjet e njerëzve, që i kishin shpëtuar vetë Perëndisë! Atëherë ne shohim se Perëndia ekspozon për tallje marrëzinë e atyre që, duke u mbështetur në mendjet e tyre shpikëse, shpikin për veten lloje të ndryshme adhurimi; sepse, siç kemi thënë, ata kërkojnë që të jenë më të mençur se vetë Perëndia. Pra, ne tani kuptojmë forcën e shprehjes, kur Perëndia thotë se kjo kurrë nuk i ka shkuar në mendje; sepse njerëzit mburren se nuk është shpikur pa arsye dhe lavdërohen për zgjuarsinë e tyre, sikur ata të ishin në gjendje të caktonin diçka më të mirë se vetë Perëndia (Jer. 32:35).[78]
Kjo gatishmëri është, me të vërtetë, ajo që njerëzit e përulur do të dënojnë nëse do të këshilloheshin vetëm me arsyen e zakonshme; por është një e keqe e lindur te të gjithë, që të kërkojnë ta adhurojnë Perëndinë ashtu si u duket mirë atyre. Por Jeremia këtu na pikturon, sikur mbi një pllakatë, fillimin e të gjitha besëtytnive: njerëzit vendosin vullnetin dhe dëshirat e tyre kundër urdhërave të Perëndisë (Jer. 44:17).[79]
—————————————————————–
Adhurimi i Rremë është Mëkat Tepër i Rëndë
Sinkretizmi, përzierja e adhurimit të vërtetë me adhurimin e rremë dhe e fesë së vërtetë me fenë e rreme, çon domosdoshmërisht në apostazi të plotë nga Perëndia.
Sepse nuk ka fund kur njerëzit, largohen qoftë edhe pak nga adhurimi i pastër i Perëndisë së vetëm dhe të vërtetë. Sapo diçka përzihet me të, një gabim prodhon menjëherë një tjetër; dhe kështu gabimet grumbullohen njëri pas tjetrit, derisa njerëzit bien në një labirint nga i cili nuk ka dalje.[80]
Adhurimi i rremë dhe besëtytnia fetare janë më të keqe se kurorëshkelja dhe vjedhja
Edhe pse Judenjtë në mënyra të panumërta, ndezën zemërimin e Perëndisë, megjithatë, me bestytnitë e tyre ata siguruan për veten një gjykim edhe më të rëndë. Ata e shfaqën përbuzjen ndaj Perëndisë me kurorëshkelje, vjedhje dhe plaçkitje, por në mënyrë jo kaq të drejtpërdrejtë; sepse kur ata iu dorëzuan besëtytnive të paganëve, ata hodhën tutje zgjedhën e Perëndisë, sikur të dëshmonin hapur se Ai nuk ishte më Perëndia i tyre. Dhe ne e dimë se asgjë më shumë nuk vlerësohet dhe nuk miratohet nga Perëndia më shumë sesa një vëmendje e sinqertë ndaj përshpirtshmërisë së vërtetë; prandaj Kisha mësohet në tabelën e parë të Ligjit (katër urdhërimet e para) se si duhet adhuruar Ai (Jer. 25:6).[81]
Adhurimi i Rremë, adhurimi i bërë nga vetja, është një mohim i Perëndisë dhe e fesë së vërtetë.
Të përvetësosh forma të rreme dhe të korruptuara adhurimi është mohim i Perëndisë dhe i fesë së vërtetë.[82]
Judenjtë e mbrojtën veten duke thënë në thelb: “Ne nuk e kemi braktisur Perëndinë, sepse jemi bijtë e Abrahamit; por ajo që duam të bëjmë është që t’i shtojmë adhurimit të Tij. Pse duhet të qortohemi nëse nuk jemi të kënaqur me adhurimin tonë të thjeshtë dhe i shtojmë forma të tjera? Ne e adhurojmë Perëndinë jo vetëm në Tempull, por edhe në këtë vend; madje nuk kursejmë as fëmijët tanë.” Le ta dimë që Perëndia braktiset sapo njerëzit largohen nga Fjala e Tij e pastër, dhe apostatë janë të gjithë ata që enden këtej e andej dhe nuk ndjekin atë që Perëndia miraton (Jer. 19:4–5).[83]
Adhurimi i Rremë Provokon Gjykimin dhe Zemërimin e Perëndisë
Profeti tregon se sa thellësisht të mashtruar janë ata që e adhurojnë Perëndinë në mënyrë supersticioze, pa autoritetin e Fjalës së Tij; sepse Perëndia i kërcënon ata me gjykimin më të rëndë. Kështu, ne shohim se çfarë bëjnë supersticiozët kur ata ndjekin shpikjet e tyre: ata nxisin zemërimin e Perëndisë. Nga ashpërsia e ndëshkimit mund të gjykojmë se sa shumë Perëndia i urren të gjitha mënyrat e rreme të adhurimit që njerëzit i shpikin pa urdhërimin e Ligjit të Tij; sepse ne duhet të kujtojmë gjithmonë këtë parim: “Unë nuk ua kam urdhëruar dhe as nuk më ka shkuar ndonjëherë në mendje” (Jer. 7:32).[84]
Idhujtaria dhe çdo përdhosje e adhurimit hyjnor nuk mund t’i shpëtojë përfundimisht ndëshkimit. Perëndia mund ta tolerojë për një kohë, por në fund Ai patjetër do të shfaqet si Mbrojtësi i lavdisë së Tij duke ndëshkuar besëtytnitë. Prandaj, le ta mbajmë mend: besëtytnitë nuk mund të durohen, sepse çdo besëtytni nuk është asgjë tjetër vecëse përdhosje e lavdisë së Perëndisë, e cila u transferohet idhujve dhe shpikjeve të kota (Jer. 48:35).[85]
Perëndia i thërret të gjithë të krishterët të adhurojnë dhe t’i shërbejnë Atij në frymë dhe në të vërtetën (Gjoni 4:23-24).
Kur Pjetri flet për një shpengim më të mirë, ai thotë se ata që janë çliruar nga mbretëria e errësirës duhet të shpallin lavditë e pashprehshme të Perëndisë (1 Pjet. 2:9). Pra, Perëndia na është shfaqur si Shpengimtar në lavdërimin e Birit të Tij të vetëmlindur, që ne të kremtojmë mëshirën e Tij që e kemi përjetuar, ashtu siç thuhet në këngën e Zakarisë: “Ai na çliroi nga dora e armiqve tanë, që gjatë gjithë jetës sonë ta adhurojmë Atë në shenjtëri” (Luka 1:74–75; Jer. 51:10).[86]
Në një kohë kur feja e rreme dhe adhurimi i rremë janë të shumta, le të jemi besnikë ndaj Perëndisë. Siç tha Pali: “Qoftë Perëndia i vërtetë dhe çdo njeri gënjeshtar.” (Rom. 3:4). Le t’i bindemi Perëndisë më shumë se njerëzve (Vep. 5:29). Le të jemi adhuruesit e vërtetë të Jezu Krishtit (Gjoni 4:23)!
___
[1] Zhan Kalvin, Komentarët mbi Profetin Jeremia dhe Vajtimet, Vëll. V, përkthim nga Rev. John Owen (Grand Rapids: Baker, 2003), 214.
[2] Vëll. I, 31.
[3] Vëll. I, 396.
[4] “Të përshkruash” do të thotë të vendosësh ose të përcaktosh si rregull, si një doktor që përshkruan një ilaç.
[5] Vëll. IV, 87.
[6] Vëll. II, 77.
[7] Vëll. IV, 202–203, theks i shtuar.
[8] Vëll. IV, 201.
[9] Vëll. IV, 202.
[10] Vëll. IV, 191–192.
[11] Vëll. I, 366.
[12] Vëll. II, 100.
[13] Vëll. II, 434.
[14] Vëll. IV, 198.
[15] Vëll. I, 126.
[16] Vëll. IV, 64.
[17] Vëll. IV, 189.
[18] Vëll. IV, 191.
[19] Vëll. II, 93.
[20] Vëll. II, 317.
[21] Vëll. I, 184.
[22] Vëll. I, 163.
[23] Vëll. I, 176.
[24] Vëll. I, 391.
[25] Vëll. II, 410.
[26] Vëll. I, 369.
[27] Vëll. II, 319.
[28] Vëll. II, 442.
[29] Vëll. I, 176.
[30] Vëll. II, 439.
[31] Vëll. I, 176.
[32] Vëll. II, 83.
[33] Vëll. II, 451.
[34] Vëll. II, 439.
[35] Vëll. II, 443.
[36] Vëll. II, 443.
[37] Vëll. II, 443.
[38] Vëll. IV, 524.
[39] Vëll. IV, 526.
[40] Vëll. IV, 532.
[41] Vëll. II, 94.
[42] Vëll. II, 336.
[43] Vëll. I, 194.
[44] Vëll. IV, 323.
[45] Vëll. I, 202.
[46] Vëll. I, 363.
[47] Vëll. II, 101.
[48] Vëll. II, 409.
[49] Vëll. II, 410.
[50] Vëll. II, 102.
[51] Vëll. II, 102.
[52] Vëll. II, 409–410.
[53] Vëll. I, 201.
[54] Vëll. II, 221.
[55] Vëll. II, 410.
[56] Vëll. I, 362.
[57] Vëll. I, 392.
[58] Vëll. I, 392.
[59] Vëll. I, 393.
[60] Vëll. II, 440.
[61] Vëll. I, 375.
[62] Vëll. I, 348.
[63] Vëll. II, 219.
[64] Vëll. II, 220.
[65] Vëll. I, 398.
[66] Vëll. I, 414.
[67] Vëll. II, 94.
[68] Vëll. IV, 203.
[69] Vëll. IV, 240–241.
[70] Vëll. I, 413, theks i shtuar.
[71] Vëll. I, 413.
[72] Vëll. I, 413.
[73] Vëll. II, 441.
[74] Vëll. II, 245.
[75] Vëll. I, 414.
[76] Vëll. I, 414.
[77] Vëll. IV, 202.
[78] Vëll. IV, 202, theks i shtuar.
[79] Vëll. IV, 543.
[80] Vëll. II, 94.
[81] Vëll. III, 248, theks i shtuar.
[82] Vëll. II, 319.
[83] Vëll. II, 438.
[84] Vëll. I, 415.
[85] Vëll. V, 40.
[86] Vëll. V, 212.