Adhurimi i Vërtetë Kundrejt Atij të Rremë

Adhurimi

Adhurimi i Vërtetë Kundrejt Atij të Rremë

Xhon Noks dhe Zhan Kalvin

Përkthyer ng Wabashbible

Në këtë studim, ne shqyrtojmë disa reflektime nga Xhon Noks dhe Zhan Kalvin, dy nga udhëheqësit më të mëdhenj të Reformacionit Protestant dhe themeluesit e kishave Presbiteriane dhe të Reformuara. Çfarë është adhurimi i vërtetë? Dhe çfarë do të thotë të besosh vetëm te Shkrimi?

Xhon Noks, themeluesi i presbiterianizmit skocez, jep këto mësime:

    Këtu qëndron testi midis një feje të vërtetë dhe një feje të shpikur nga njerëzit. Noksi tha: “njeriu nuk mund të bëjë apo të shpikë një fe që është e pranueshme për Perëndinë. Por njeriu është i detyruar të zbatojë dhe të mbajë fenë që është marrë nga Perëndia, pa e krasitur apo ndryshuar atë.”[2]

Ne nuk duhet të shtojmë apo të heqim asgjë nga ajo që Perëndia ka urdhëruar në Fjalën e Tij. Noksi tha:

    A mund të hedhim poshtë çfarë të duam dhe të mbajmë çfarë të duam? Nëse e kujtojmë mirë, Moisiu, në emër të Perëndisë (duke folur fjalën e Perëndisë), i thotë popullit të Izraelit: “Gjithcka që Zoti, Perëndia juaj ju urdhëron që të bëni, atë i bëni Zotit, Perëndisë suaj. Mos u shtoni asgjë, as nuk do t’u hiqni asgjë.” (krah. Ligji Për. 4:2; 12:8, 30-32). Sipas këtij rregulli kisha e Krishtit do të masë fenë e Perëndisë, dhe jo sipas asaj që u duket e drejtë në sytë e tyre.[3]

 

Çfarë mendon Perëndia për ceremonitë dhe traditat njerëzore që nuk gjenden në Fjalën e Tij? Noksi shpalli me guxim:

    Fjala e Perëndisë i dënon ceremonitë tuaja… Se fjala e Perëndisë i mallkon ceremonitë tuaja është e qartë, sepse urdhërimi i drejtë dhe i qartë i Perëndisë është: “Jo ajo gjë që duket e mirë në sytë tuaj, do t’i bëni Zotit, Perëndisë tuaj, por atë që Zoti, Perëndia juaj, ju ka urdhëruar; atë bëni; mos shtoni asgjë; mos hiqni asgjë prej tij” (krah. Ligji i Për. 4:2; 12:8, 30-32). Tani, përderisa ju nuk jeni në gjendje të provoni se Perëndia i ka urdhëruar ceremonitë tuaja, ky urdhërim i mëparshëm i Tij do t’ju dënojë ju edhe ata.[4]

 

Sipas Xhon Noksit, çdo adhurim njerëzor apo i shpikur nga mendja e njeriut, çdo “adhurim i bërë prej vetes” (Kol. 2:23) është idhujtari:

“Çdo adhurim, nderim apo shërbesë e shpikur nga truri i njeriut në fenë e Perëndisë, pa urdhërimin e Tij të shprehur, është idhujtari.”[5]

 

Noksi besonte me vendosmëri se adhurimi Katolik Roman, me të gjitha traditat e tij njerëzore, ishte idhujtari:

“Të gjitha ceremonitë vezulluese të Papistëve janë pleh i pastër dhe neveri përpara Perëndisë.”[6]

Adhurimi i vërtetë, adhurimi që është i pranueshëm për Perëndinë, duhet të mbështetet në atë që Perëndia ka urdhëruar në Fjalën e Tij:

    Feja, nëse është e kënaqshme dhe e pranueshme për Perëndinë, duhet të ketë urdhërimin dhe aprovimin e Tij zyrtar si mandat. Përndryshe, ajo s’mundet veçse të jetë e urryer në praninë e Tij, si diçka e neveritshme ndaj urdhërimit të Tij të shprehur që thotë: “Jo ajo gjë që duket e mirë në vetë sytë tuaj do të bëni ndaj Zotit, Perëndisë tuaj, por ajo që Zoti, Perëndia juaj, ju ka urdhëruar; atë bëni: mos i shtoni asgjë asaj, mos hiqni asgjë prej saj.” (krah. Ligji Për. 4:2; 12:8, 30-32).

Me këtë urdhërim të atij Perëndie të përjetshëm, i cili është i pandryshueshëm dhe nuk mund të urdhërojë asgjë përveç asaj që është e drejtë, janë të gjithë njerëzit, mbretëritë dhe kombet (që pretendojnë se janë trashëgimia e Zotit) të lidhur dhe të detyruar të masin fenë e tyre; jo sipas shembullit të njerëzve të tjerë, as sipas qëllimit të tyre të mirë (Kol. 2:23), as sipas vendimeve të njerëzve, por vetëm sipas fjalës së shprehur të Perëndisë. Në mënyrë që, ajo që është urdhëruar në Fjalën e Perëndisë duhet të kryhet nga populli i Perëndisë… Dhe, për këtë arsye, ne kemi hedhur me të drejtë poshtë grumbullin e ceremonive që Papistët mbanin si ushtrimin kryesor të fesë së tyre, si gjëra që nuk kanë themel tjetër veç shpikjes dhe pëlqimit të njerëzve.[7]

 

Për Xhon Noksin, çështja e adhurimit të vërtetë duhet të jetë shqetësimi kryesor i çdo të krishteri të vërtetë:

    Çështja nuk është aq e vogël sa mendojnë disa. Pyetja është nëse duhet që t’i bindemi Perëndisë apo njeriut në çështjet e fesë. Me gojë, të gjithë [të krishterët që e rrëfejnë] pranojnë se vetëm Perëndia është i denjë për sovranitet. Por, pasi shumë veta, nga nxitja e djallit dhe nga arroganca e mençurisë mishore dhe metodat e botës, kanë shtrëmbëruar urdhërimin e shenjtë të Perëndisë, njerëzit nuk ngurrojnë të ndjekin ato që ligjet dhe pëlqimi i përbashkët (nëna e çdo ligësie dhe dadoja më e pëlqyeshme e besëtytnisë) kanë vendosur dhe rekomanduar. Por unë mund të bëj vetëm këtë: të pohoj vazhdimisht se çdo gjë është e ndotur, madje e mallkuar dhe e neveritshme, të cilën Perëndia, me anë të Fjalës së Tij, nuk e ka shenjtëruar [të ndarë si të shenjtë] në fenë e Tij. Perëndia ju dhëntë Frymën e Tij të Shenjtë që të gjykoni drejt.[8]

 

Çfarë mësonte Zhan Kalvin, themeluesi i kishave të Reformuara në Evropë, për adhurimin e vërtetë?

Në traktin e tij “Nevoja për Reformimin e Kishës,”[9] Kalvini argumenton se adhurimi i vërtetë dhe doktrina e vërtetë e shpëtimit janë dy elementet kryesore të fesë së krishterë.

Kalvini thotë se, me të drejtë dhe “për të shfaqur plotësisht të drejtën e Tij të sundimit,” Zoti në mënyrë të rreptë bën bashkë “atë që Ai dëshiron që ne të bëjmë dhe menjëherë refuzon të gjitha shpikjet njerëzore që janë në kundërshtim me urdhërimin e Tij. Me të drejtë, dhe në terma të shprehur, Ai përcakton kufijtë tanë, që ne, me anë të shpikjeve të mënyrave të shtrembëruara të adhurimit, të mos provokojmë zemërimin e tij kundër nesh.”

Ai vazhdon:

E di sa e vështirë është që t’i bindësh njerëzit që Perëndia nuk pranon asnjë mënyrë adhurimi që nuk është shprehimisht e sanksionuar nga Fjala e Tij. Bindja e kundërt që përvetësohet prej tyre, si të ishte e ulur në vetë kockat dhe palcën e tyre, është se gjithçka që ata bëjnë ka mjaftueshëm autoritet në vetvete, mjafton që të paraqesë një lloj zelli për nderin e Perëndisë. Por, meqenëse Perëndia jo vetëm që e sheh si të pafrytshme, por edhe e neverit hapur çfarëdo gjëje që ne ndërmarrim nga zelli për ta adhuruar Atë, kur ajo nuk përputhet me urdhërimin e Tij, çfarë fitojmë duke ndjekur një rrugë të kundërt? Fjalët e Perëndisë janë të qarta dhe të dallueshme: “Bindja është më e mirë se flijimi.” “Më kot më nderojnë, duke i mësuar doktrina që janë urdhërime nga njerëzit.” (1 Samueli 15:22; Mateu 15:9). Çdo shtesë ndaj Fjalës së Tij, veçanërisht në këtë çështje, është një gënjeshtër. Adhurimi “i vullnetit të vetes” (adhurimi i trilluar nga vetja, Kolosianëve 2:23) është kotësi. Ky është vendimi, dhe pasi gjyqtari ka vendosur, nuk është më koha për të debatuar. (theksuar)

 

Kalvini besonte se ceremonitë e shpikura nga njerëzit, të mbajtura gjerësisht nëpër kisha, ishin “thjesht një tallje e Perëndisë. Një Judaizëm i ri, si një zevëndësues të asaj që Perëndia e kishte shfuqizuar qartë, ngrihet sërish përmes shumë ekstravagancave fëminore, të mbledhura nga anë të ndryshme; dhe me to janë përzier disa rite të pafe, pjesërisht të huazuara nga paganët, dhe më tepër të përshtatura për ndonjë shfaqje teatrale sesa për dinjitetin e fesë sonë.”

Si mund ta dallojmë nëse adhurimi është i vërtetë apo i rremë? Kalvini thotë: “…Fjala e Zotit është testi që dallon adhurimin e Tij të vërtetë nga ai që është i rremë dhe i korruptuar.”

Çfarë mendon Perëndia për traditat e sajuara nga njerëzit dhe për adhurimin e krijuar nga vetja?

Kalvini shkruan:

“Perëndia i hedh poshtë, i dënon, i neverit të gjitha format e adhurimit të trilluar, dhe përdor Fjalën e Tij si një kapistër për të na mbajtur në bindje të pakushtëzuar. Kur ne, duke e hedhur poshtë këtë zgjedhë, endemi pas trillimeve tona dhe i ofrojmë Atij një adhurim që është vepër e pamaturisë njerëzore; sado që mund të na pëlqejë neve, në sytë e Tij është një lojë e kotë, madje poshtërsi dhe ndotje. Përkrahësit e traditave njerëzore i lyejnë ato me ngjyra të bukura dhe të shndritshme; dhe Pali sigurisht pranon se ato mbajnë me vete një farë dukjeje urtësie; por, meqenëse Perëndia e vlerëson bindjen më shumë se të gjitha flijimet, duhet të jetë e mjaftueshme për të hedhur poshtë çdo mënyrë adhurimi që nuk është e sanksionuar nga urdhërimi i Perëndisë. (e theksuar)

 

Sipas Kalvinit, kishat e Reformuara janë të qëndërzuara tek Perëndia, jo te njeriu.
Asnjë besëtytni nuk lejohet:

“Prandaj, meqënëse në kishat tona të Reformuara, vetëm Perëndia adhurohet në mënyrë të përshpirtshme e pa besëtytni; meqënëse mirësia, urtësia, fuqia, e vërteta dhe përsosmëritë e tjera të Tij predikohen atje më plotësisht se kudo tjetër; meqënëse Ai thirret me besim të vërtetë në emër të Krishtit, mëshirat e Tij kremtohen me zemër e me gjuhë, dhe njerëzit nxiten vazhdimisht drejt bindjes së thjeshtë e të sinqertë; meqënëse, më në fund, nuk dëgjohet asgjë tjetër veç asaj që synon shenjtërimin e emrit të Tij, çfarë arsye kanë ata që e quajnë veten të krishterë të jenë kaq të ashpër kundër nesh?”

 

Megjithatë, Kalvini paralajmëron se hipokritët fetarë nuk mund ta durojnë një reformim të tillë të adhurimit:

“. . . duke dashur më shumë errësirën se dritën, ata nuk mund të durojnë ashpërsinë me të cilën ne, si detyrë, qortojmë idhujtarinë e rëndë që shihet kudo në botë. Kur Perëndia adhurohet nëpër imazhe, kur adhurim i rremë futet në emrin e Tij, kur bëhen lutje te imazhet e shenjtorëve dhe u jepen nderime hyjnore eshtrave të njerëzve të vdekur—kundër këtyre dhe neverive të ngjashme ne protestojmë, duke i përshkruar siç ato janë në të vërtetë. Për këtë arsye, ata që e urrejnë doktrinën tonë ngrihen kundër nesh, dhe na paraqesin si heretikë që kanë guxuar të heqin dorë nga adhurimi i Perëndisë, dikur i miratuar nga kisha.”

“. . . ne, të cilët kemi kthyer adhurimin e Perëndisë së vetëm te rregulli i Fjalës së Tij, ne, që jemi të paqortueshëm në këtë çështje, dhe që i kemi pastruar kishat tona jo vetëm nga idhujtaria por edhe nga besëtytnia, akuzohemi se kemi shkelur adhurimin e Perëndisë . . .”

 

Kalvini vazhdon të flasë rreth adhurimit të vërtetë:

“. . . meqënëse, siç edhe kam vërejtur, Perëndia në shumë pasazhe ndalon çdo adhurim të ri që nuk është i sanksionuar nga fjala e Tij; meqënëse Ai deklaron se është i ofenduar rëndë nga guximi që shpik një adhurim të tillë, dhe e kërcënon me ndëshkim të rëndë; është e qartë se reformimi që kemi ndërmarrë u kërkua nga një nevojë e madhe . . . .”

“Unë nuk jam i pavetëdijshëm se sa e vështirë është që t’i bindësh njerëzit se Perëndia e refuzon dhe madje e neverit gjithçka që lidhet me adhurimin e Tij e që sajohet nga arsyeja njerëzore. Mashtrimi në këtë pikë buron nga disa shkaqe: ‘Çdo njeri mendon lart për atë që është e vetja,’ siç thotë edhe proverbi i vjetër. Kështu, frytet e mendjes sonë ne na pëlqejnë; dhe për më tepër, siç pranon Pali, ky adhurim i trilluar shpesh ka një pamje urtësie [Kolosianëve 2:23]. Pastaj, duke qenë se për shumicën ka një shkëlqim të jashtëm që i pëlqen syrit, ai është më i pranueshëm për natyrën tonë mishore sesa ai që kërkon dhe miraton vetëm Perëndia, por që ka më pak dukje të jashtme në pamje. Por nuk ka asgjë që të verbojnë aq shumë mendjet e njerëzve, dhe i çojnë në gjykim të gabuar në këtë çështje, sa hipokrizia. Sepse, ndërkohë që u takon adhuruesve të vërtetë t’ia japin zemrën dhe mendjen Perëndisë, njerëzit gjithmonë dëshirojnë të shpikin një mënyrë shërbimi krejt të ndryshme, duke pasur për qëllim që t’i ofrojnë Atij disa veprime trupore, por mendjen ta mbajnë për vete. Për më tepër, ata imagjinojnë se kur i paraqesin Atij një pompozitet të jashtëm, me anë të kësaj dredhie, ata e shmangin nevojën për t’i dhënë vetveten. Dhe kjo është arsyeja pse ata i nënshtrohen një numri të panumërt rregullash që i lodhin mjerisht pa masë dhe pa fund, dhe pse zgjedhin të enden në një labirint të përhershëm, sesa ta adhurojnë Perëndinë thjesht në frymë dhe në të vërtetë . . . .” (e theksuar)

 

Vepra reformatore e Kalvinit u akuzua për shkaktim të përçarjes në kishë. Ai shkruan: “Akuza e fundit dhe kryesorja që ngrihet kundër nesh është se kemi shkaktuar një skizmë në kishë. Dhe këtu ata mbajnë me guxim kundër nesh se në asnjë rast nuk është e ligjshme që të thyhet uniteti i kishës.” Megjithatë, ai vëren se: “herezitë dhe përçarjet . . . lindin kur nuk bëhet kthim te origjina e së vërtetës, kur nuk merret parasysh Kreu, dhe as nuk ruhet doktrina e Mësuesit qiellor.”

__

[2] Xhon Noks, Historia e Reformacionit në Skoci, në Veprat e Xhon Noksit (red. David Laing; Edinburgh: James Thin, 1895), 1:194.
[3] I njëjti, 1:196-197. Krahaso me: Zhan Kalvini, Metoda e Vërtetë për T’i Dhënë Paqe Krishterimit dhe për Reformimin e Kishës, në Veprat e Zhan Kalvinit: Trakte dhe Letra (red. Henry Beveridge dhe Jules Bonnet; Grand Rapids, MI: Baker, 1983), 3:262-263.
[4] I njëjti, 1:199. Krahaso me: Kalvini, Nevoja për Reformimin e Kishës, në Trakte, 1:128-129.
[5] I njëjti, 3:34.
[6] Xhon Noks, Shënim marginal për edicionin e dytë të A Godly Letter of Warning or Admonition to the Faithful in London, Newcastle, and Berwick (1554), në Veprat, 3:183, shënim 3.
[7] Xhon Noks, Përgjigje ndaj një Letrë të Shkruar nga James Tyrie, një Jezuit Skocez (1572), në Veprat, 6:488; krahaso 6:498.
[8] Xhon Noks, “Letër për Znj. Anna Locke” (1559), në Veprat, 6:14.
[9] Zhan Kalvini, Nevoja për Reformimin e Kishës (1543), përkth. Henry Beveridge (1844). Ripublikim, Dallas, TX: Protestant Heritage Press (1995). E marrë elektronikisht më 30 janar 2009 në: http://www.swrb.com/newslett/actualNLs/NRC_ch00.htm dhe http://www.lgmarshall.org/Calvin/calvin_necessityreform.html.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes