G. I. Williamson shkruan:
“Ajo që Jezusi dëshiron prej nesh, nuk është zbatimi i gjërave që Ai nuk i ka urdhëruar, por i atyre që Ai i ka urdhëruar. ‘Shkoni pra dhe bëni dishepuj nga të gjitha kombet, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të Frymës së Shenjtë; duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar’ (Mateu 28:19-20). Kjo është ajo që bënë Apostujt. Ata mësuan gjithë këshillën e Perëndisë (Veprat 20:27). Ajo nuk përfshinte Krishtlindjen, të Premten e Madhe, apo Pashkët, sepse ato nuk ishin pjesë e gjërave të urdhëruara nga Krishti. Prandaj, ai që e kupton ‘kuptimin e vërtetë të Krishtlindjes’ (ose të Premtes së Madhe, apo të Pashkëve) është pikërisht ai që e kupton se ato janë shpikje njerëzore. Dhe, për të nderuar Krishtin si Mbretin dhe Kreun e vetëm të kishës, një person i tillë nuk do t’i mbajë këto shtesa njerëzore mbi ato që Zoti ynë ka urdhëruar. Një person i tillë mund të mos jetë në hap me një zakon shumë të përhapur. Por gjëja e rëndësishme është se ai do të jetë në hap me Krishtin dhe Apostujt.”
“Krishtlindja, e Premtja e Madhe dhe Pashkët janë ditë të shenjta romanike. Me këtë ne duam të themi se ato e kanë burimin e tyre në traditën e Kishës Katolike Romane, dhe jo në Shkrime. … Ka pasur periudha në historinë e kishave të reformuara kur e vërteta mbi këtë temë është trajtuar me nderim. Që përpara se Zhan Kalvini të vinte në Gjenevë në kohën e Reformimit të Madh, zbatimi i ditëve të shenjta romanike ishte ndërprerë atje. Kjo ishte bërë nën udhëheqjen e Guillaume Farel-it dhe Peter Viret-it. Por Kalvini ishte plotësisht dakord. Dihet mirë se kur këto ditë tradicionale vinin në kalendar, Kalvini nuk u kushtonte as vëmendjen më të vogël. Ai thjesht vazhdonte përpara me ekspozimin e cilido libër të Biblës në të cilin ndodhej. Reformatorët Knox dhe Zwingli ranë dakord me Kalvinin. Po ashtu edhe e gjithë kisha e reformuar e Skocisë dhe e Hollandës. Në Sinodin e Dortit në vitin 1574 u ra dakord që vetëm Shabati javor të mbahej, dhe që mbajtja e çdo dite tjetër të dekurajohej. Kjo praktikë besnike biblike më vonë u komprometua. Por kjo nuk e ndryshon faktin se kishat e reformuara që në fillim qëndruan mbi parimin biblik. Qëndrimi fillestar i kishave të reformuara ishte në përputhje me Shkrimin. Kjo është gjëja e rëndësishme.”
~~Mbi Mbajtjen e Ditëve të Shenjta
Puritani John Flavel shkroi:
“Pyetje: A ka ndonjë ditë tjetër të shenjtë përveç kësaj dite [d.m.th., ditës së Zotit]? Përgjigje: Asnjë ditë tjetër përveç kësaj nuk është e shenjtë me urdhërim të Zotit; megjithatë, ditë përuljeje dhe falënderimi mund të caktohen me ligj nga njerëzit në raste të veçanta të providencës; por festat papnore nuk janë të lejueshme, dhe as që duhen mbajtur; Gal. 4:10. ‘Ju mbani ditë, muaj, kohëra dhe vite.’”
(Predikues jo-konformist, Dartmouth, Angli), Një Ekspozim i Katekizmit të Shkurtër të Asamblesë (1692).
John Brown nga Haddington shkroi:
“Pyetje: A mund të caktojë kisha ditë të shenjta për të kujtuar lindjen, vdekjen, tundimin, ngjitjen, etj. të Krishtit?
Përgjigje: Jo; ashtu siç Perëndia ka shfuqizuar ditët e shenjta të hebrenjve që ishin caktuar prej Tij vetë, po ashtu Ai nuk i ka dhënë ndonjë urdhër ose mandat kishës për të caktuar të tjera. Ai na ka urdhëruar të punojmë gjashtë ditë, përveç kur Providenca na thërret për përulje apo falënderim; dhe në mënyrë të qartë na ndalon të mbajmë ditë të shenjta të caktuara nga njerëzit, Kol. 2:16; Gal. 4:10-11.
Pyetje: Cili është dallimi midis një dite agjërimi dhe një dite të shenjtë?
Përgjigje: Dita e agjërimit është e ndryshueshme, dhe në vetvete nuk konsiderohet më e mirë se një ditë tjetër; por një ditë e shenjtë është e fiksuar në një kohë të caktuar të javës, vitit, apo muajit, dhe në vetvete vlerësohet më e mirë.”
~(Predikues dhe profesor, Sinodi i Bashkuar [Presbiterian] Burgher), Një Ese Drejt një Shpjegimi të Thjeshtë, Praktik dhe të Gjerë të Katekizmit të Shkurtër të Asamblesë (1758).
Katekizmi i Zgjeruar mbi Urdhërimin e Tretë:
Pyetje 112. Çfarë kërkohet në urdhërimin e tretë?
Përgjigje: Urdhërimi i tretë kërkon që emri i Perëndisë, titujt e Tij, atributet, urdhërimet, Fjala, sakramentet, lutja, betimet, zotimet, shortet, veprat e Tij, dhe gjithçka tjetër me anë të së cilës Ai e bën Veten të njohur, të përdoren në mënyrë të shenjtë e me reverencë në mendim, meditim, fjalë dhe shkrim; përmes një rrëfimi të shenjtë dhe një sjelljeje përputhëse, për lavdinë e Perëndisë dhe për të mirën tonë dhe të të tjerëve.
Pyetje 113. Cilat janë mëkatet e ndaluara në urdhërimin e tretë?
Përgjigje: Mëkatet e ndaluara në urdhërimin e tretë janë: mos përdorimi i emrit të Perëndisë siç kërkohet; dhe abuzimi i tij në mënyrë injorante, të kotë, pa respekt, profane, supersticioze apo të ligë, përmendja ose përdorimi ndryshe i titujve, atributeve, urdhërimeve apo veprave të Tij, me anë të blasfemisë, betimeve të rreme; mallkimeve, betime, zotime dhe shorte mëkatare; shkelja e betimeve dhe zotimeve të ligjshme, ose përmbushja e atyre të paligjshme; ankimet dhe grindjet kundër, kureshtja për të hetuar, dhe keqpërdorimi i dekreteve dhe providencave të Perëndisë; keqinterpretimi, keqpërdorimi, ose çdo shtrembërim i Fjalës apo i ndonjë pjese të saj; përdorimi i saj për shaka të ndyra, pyetje të kota, grindje të padobishme, ose për mbajtjen e doktrinave të rreme; abuzimi i saj, i krijesave, ose i çdo gjëje që përfshihet nën emrin e Perëndisë, për hajmali apo dëshira e praktika mëkatare; përqeshja, përbuzja, fyerja ose kundërshtimi në çdo mënyrë i së vërtetës, hirit dhe rrugëve të Perëndisë; rrëfimi i fesë me hipokrizi apo për qëllime të fshehta; turpi për të, ose sjellja që e bën atë për turp, përmes një jete të papërputhshme, të paurtë, të pafrytshme, fyese, ose përmes largimit prej saj.”
George Gillespie shkruan:
“Përsa i përket gjykimit të teologëve, ne themi:
Shumë teologë nuk miratojnë ditët festive, dhe me kishën, ishin të lirë prej tyre. Kishat belge, në sinodin e tyre të vitit 1578, dëshironin që të punohej gjashtë ditë, dhe që vetëm dita e Zotit të festohej. Dhe Luteri, në librin e tij De Bonis Operibus [Për Veprat e Mira], dëshironte që të mos kishte ditë festive ndër të krishterët përveç ditës së Zotit. Kjo dëshirë e tyre tregon qartë se ata nuk miratonin asnjë ditë festive përveç ditës së Zotit; megjithatë Peshkopi Lindsey duhet të përpiqet të japë një përgjigje. Këtë dëshirë (thotë ai) Luteri dhe kishat belge e patën për shkak të pakënaqësisë së tyre me numrin, prishjet dhe supersticionet e ditëve festive, përveç ditës së Zotit, siç bëni ju.
Përgjigje: (1) Dëshira e tyre nënkupton një mospëlqim të thjeshtë dhe absolut ndaj të gjitha ditëve festive përveç ditës së Zotit, dhe jo vetëm ndaj numrit apo korrupsionit të tyre. (2) Është e mirë që ai pranon se si ata, ashtu edhe ne, kemi arsye për pakënaqësi ndaj ditëve festive për shkak të korrupsioneve dhe supersticioneve të tyre. Edhe Valdeasit e vjetër, doktrina e të cilëve u ringjall dhe u përhap nga Gjoni Huss dhe Jeronimi i Pragës, pas Wycliffe-it, dhe me bekimin e kishës së Kostandinopojës, mbanin se nuk duhej të pushohej nga puna në asnjë ditë tjetër përveç ditës së Zotit, nga çka shihet se, ditët festive kanë pasur kundërshtarë që përpara nesh.”
~Cituar nga G. Gillespie, http://www.naphtali.com/articles/george-gillespie/holy-days/answers-to-objections/
Nga “Udhëzuesi për Adhurimin Publik të Perëndisë” SHTESË
Për Ditët dhe Vendet e Adhurimit Publik
Nuk ka asnjë ditë të urdhëruar në Shkrim që të mbahet e shenjtë nën Ungjillin përveç ditës së Zotit, që është Shabati i Krishterë.
Ditët festive, që në mënyrë popullore quhen Ditë të Shenjta, pa asnjë mandat në Fjalën e Perëndisë, nuk duhen vazhduar.
Megjithatë, është e ligjshme dhe e nevojshme, në raste të veçanta të dalura, të ndahet një ditë apo disa ditë për agjërim publik apo falënderim, sipas rrethanave të veçanta të Providencës së Perëndisë që japin arsye dhe mundësi për këtë për popullin e Tij.
Asnjë vend nuk është i aftë për ndonjë shenjtëri, nën pretekstin e ndonjë përkushtimi apo shenjtërimi të mëparshëm; po ashtu, nuk mund të ndotet prej ndonjë supersticioni të mëparshëm që tani është hequr, aq sa ta bëjë të paligjshëm apo të papërshtatshëm për të krishterët që të mblidhen aty për adhurim publik të Perëndisë. Prandaj, ne e konsiderojmë të nevojshme që vendet e mbledhjes publike për adhurim ndër ne të vazhdojnë dhe të përdoren për këtë qëllim.”