Ditët e Shenjta të Njerëzve dhe Ditët e Shenjta të Perëndisë!

Ditet e Shenjta

Ditët e Shenjta të Njerëzve dhe Ditët e Shenjta të Perëndisë

G. I. Williamson

(Ribotuar nga Blue Banner Faith and Life, Korrik–Shtator 1962)

Përkthyer nga WabashBible

Në Ungjillin sipas Lukës, ne lexojmë këto fjalë: “Sepse ç’është e lartë ndër njerëzit, është e neveritshme para Perëndisë” (Luka 16:15). Këto janë fjalët e Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë. Dhe ju lutem vini re fuqinë e tyre: atë që njerëzit e vendosin në kategorinë më të lartë, Perëndia e vendos në kategorinë më të ulët të mundshme.

Po cilat janë këto gjëra që njerëzit i çmojnë shumë, por që Perëndia i neverit plotësisht? Ato janë gjërat e fesë. Pikërisht për këto gjëra po fliste Jezusi. Farisenjve Ai u tha: “Ju jeni ata që e nxirrni veten të drejtë përpra njerëzve; por Perëndia i njeh zemrat tuaja, sepse ç’është e lartë ndër njerëzit, është e neveritshme para Perëndisë.” Ishin pikërisht ato gjëra që ata bënin në fushën e fesë, ato gjëra që ata i çmonin shumë dhe që i bënin të dukeshin “të drejtë” përpara njerëzve, që i bënin të neveritshëm përpara Perëndisë.

Kur Jezusi vazhdoi duke shtuar këtë koment, kuptimi i Tij u bë edhe më i qartë: “Është më e lehtë të mbarojnë qielli dhe toka, sesa të bjerë poshtë qoftë edhe një pikë nga ligji.” Problemi i tyre ishte se ata nuk i kushtonin vëmendje ligjit të Perëndisë. Siç tha Ai: “Duke lënë pas dore, pra, urdhërimin e Perëndisë, ju i përmbaheni traditës së njerëzve… sa mirë e hidhni poshtë urdhërimin e Perëndisë, për të zbatuar traditën tuaj” (Marku 7:8,9). A është çudi që vendimi ishte ky: “Por më kot më nderojnë (kjo është, për asgjë), duke mësuar doktrina, të cilat janë urdhërime njerëzsh” (Marku 7:7)?

Traditat e Njerëzve të Tjerë

Është e lehtë për ne që të shohim gabimin e farisenjve. Ata i shtuan Fjalës së Perëndisë shumë tradita të shpikura nga njerëzit. Gradualisht, me kalimin e kohës, këto tradita u çmuan aq shumë prej tyre, sa ato zunë vend përkrah urdhërimeve të Perëndisë. Dhe në kohën e Jezusit, këto tradita ishin bërë (në praktikë, në mos në teori) më të rëndësishme se urdhërimet e Perëndisë. Kështu, Fjala e Perëndisë u bë e pavlefshme nga traditat e tyre. Po; dhe pika e veçantë që duhet vënë re është se pikërisht po këto tradita, të nderuara nga koha dhe të shenjta në sytë e farisenjve, ishin të neveritshme në sytë e Perëndisë. Jezusi tha se ata e adhuronin Perëndinë më kot. Domethënë, do ishte më mirë sikur ata të mos kishin fare adhurim fetar; adhurimi i tyre ishte krejtësisht i pavlerë.

Kur ne të risjellim ndërmend rastet e shumta në historinë biblike kur ndodh po kjo e keqe e njëjtë, ne do të kuptojmë më mirë ashpërsinë e Jezusit. A nuk na tregon Bibla se kjo ndodhte që nga fillimi? “Por nuk çmoi Kainin dhe ofertën e tij.” (Zanafilla 4:5) Adhurimi që Kaini shpiku për veten e tij ishte i neveritshëm për Perëndinë, pavarësisht se sa i çmuar ishte ai për Kainin. Dhe ne kujtojmë bijtë e Aaronit, Nadabin dhe Abihun, të cilët morën zjarr dhe temjan dhe i ofruan para Zotit “gjë që Ai nuk ua kishte urdhëruar.” Dhe “doli zjarr nga prania e Zotit dhe i përpiu ata, dhe ata vdiqën përpara Zotit.” (Levitiku 10:1–2) Ajo që ata e çmonin shumë ishte, qartazi, “e neveritshme përpara Perëndisë.”

Pa përmendur shumë raste të tjera, ne mund të kujtojmë pyetjen që i bënë profetit Zakaria disa nga mbetja që ishte kthyer nga mërgimi. Ata pyetën për një traditë që ishte “rritur” gjatë ditëve të robërisë dhe pyetën nëse duhej që ta vazhdonin. Profeti tha: “Kur keni agjëruar dhe jeni pikëlluar në muajin e pestë dhe në të shtatin, gjatë këtyre shtatëdhjetë viteve, a keni agjëruar në të vërtetë për mua, pikërisht për mua?” (Zakaria 7:5). Pastaj ai i informoi se, meqenëse ata e kishin zhvilluar atë traditë pa një urdhër të veçantë nga Perëndia, ajo nuk ishte më e pranueshme për Perëndinë si një akt i adhurimit fetar më shumë sesa të ngrënët dhe të pirët e tyre. “A nuk duhet t’i dëgjoni fjalët që Zoti ka shpallur?” profeti përfundoi.

Do të ishte e vështirë të gjendej një mësim më qartë i mësuar në Shkrim sesa ky: “ç’është e lartë ndër njerëzit, është e neveritshme para Perëndisë.” Dhe ne nuk duhet të mendojmë se kjo është vetëm një doktrinë e “Dhiatës së Vjetër”. Asnjë parim i Fjalës së Perëndisë nuk mësohet vetëm në një Dhjatë. Dhe ky parim nuk është përjashtim. Prirja mëkatare e njeriut që kemi parë në historinë e Dhiatës së Vjetër shfaqet gjithashtu edhe në Dhiatën e Re. Brenda ditëve të Apostujve dhe në Kishën Apostolike, ne shohim të njëjtën prirje te njerëzit mëkatarë, dhe gjithashtu gjejmë të njëjtin parim të zbulesës hyjnore.

Kisha e Galatisë është një shembull i qartë. Nga letra e Palit drejtuar Galatasve kuptohet se kjo kishë, që kishte filluar kaq në mënyrë premtuese, shumë shpejt kishte dalë nga rruga e drejtë. Pali thotë se ai cuditej që ata po largoheshin kaq shpejt nga hiri i Krishtit. Dhe të paktën, një pjesë e problemeve të tyre ishte pikërisht kjo prirje e keqe që ne po shqyrtojmë. Galatasit kishin vendosur se feja e pastër që u ishte dhënë nga apostujt nuk ishte e mjaftueshme. Ata donin diçka “më të mirë” (edhe pse nuk ka asgjë më të mirë). Kështu që ata filluan t’i shtonin asaj disa ditë dhe stinë “të shenjta” të shpikura prej vetë tyre.

Ne nuk e dimë saktësisht cilat ishin ato ditë dhe stinë të veçanta, por e dimë shumë mirë çfarë tha Apostulli i frymëzuar i Perëndisë për to. Fjalët e tij gjenden te Galatasve 4:9–11: “… kurse tani, mbasi njohët Perëndinë, më mirë të them se u njohët prej Perëndisë, vallë si ktheheni përsëri te elementet e dobët dhe të varfër, të cilëve doni prapë si përpara t’u shërbeni? Sepse ju i mbani me kujdes ditë, muaj, stinë dhe vite. Kam frikë se mos jam munduar më kot për ju.”

Vëreni sa serioze ishte kjo çështje në sytë e Apostullit. Çfarë do të thotë “prapë si përpara t’u shërbeni”, nëse jo të jesh i skllavëruar ndaj fesë së rreme? Si mund të thoshte Pali se kishte frikë se mos puna e tij kishte qenë e kotë, nëse feja në të cilën ata po binin nuk do të ishte e pavlefshme përpara Perëndisë? Është qartazi një rast tjetër kur njerëzit çmojnë shumë pikërisht atë që është e neveritshme në sytë e Perëndisë, dhe e gjitha kjo sepse ata po mbanin ditë dhe stinë pa u urdhëruar për këtë nga Perëndia i Plotfuqishëm. Mëkati i tyre ishte saktësisht i njëjtë me atë të Kainit, Nadabit dhe Abihut, të të mërguarve nga Babilonia dhe farisenjve që e bënë Fjalën e Perëndisë të pavlefshme me traditat e tyre.

Traditat Tona

Është një gjë që të dënojmë mëkatet e njerëzve të tjerë, por është një gjë tjetër që të ndreqim tonat. Galatasit ndoshta nuk do ta kishin pasur të vështirë që të dënonin farisenjtë e ligj, por nuk është aq e sigurt nëse ata ishin të gatshëm të dëgjonin dënimin e tyre. Pali u tha atyre: “A u bëra armiku juaj, duke ju thënë të vërtetën?” (Galatasve 4:16). Autori i këtij shkrimi do të bënte të njëjtën pyetje. Supozoni se them disa gjëra që “lëndojnë” pak. Supozoni se flas kundër diçkaje që për ju është e shenjtë. A bëhem unë armiku juaj sepse po ju them të vërtetën?

E vërteta është se Krishtlindja (dhe E Premtja e Mirë, dhe Pashkët, dhe Dita e Babait, dhe Dita e Nënës, dhe Dita e Fëmijëve, dhe çdo “ditë tjetër e veçantë e shenjtë”, përveç Shabatit javor) është një neveri përpara Perëndisë. Ju lutem vini re me kujdes: ne nuk themi se gjithçka që lidhet me këto ditë është e neveritshme. Ajo që ne themi është se çdo ditë (ose stinë) e veçantë “e shenjtë” është e neveritshme për Perëndinë.

Burimi Pagan

Kjo është e vërtetë, së pari, për shkak të burimit të tyre. Le ta marrim Krishtlindjen si shembull. Pranohet si nga katolikët romanë ashtu edhe nga protestantët se Krishtlindja nuk është zbuluar në Fjalën e Perëndisë. Bibla nuk na jep datën e lindjes së Krishtit. Ajo as nuk na tregon muajin e saktë, as stinën. Gjithashtu pranohet përgjithësisht se nuk ka asnjë gjurmë të festimit të Krishtlindjes në Kishën apostolike dhe pas-apostolike.

Vetëm në shekullin e tretë fillon të shfaqet kremtimi i Krishtlindjes në rrethet e krishtera, dhe edhe atëherë nuk kishte unitet. U caktuan data të ndryshme për këtë “ditë të shenjtë”: Janar, mars, prill dhe maj. Deri sot Kisha Ortodokse Greke mban 6 janarin dhe jo 25 dhjetorin. Kur, nën autoritetin në rritje të Peshkopit të Romës, 25 dhjetori u miratua në Perëndim, kjo ishte kryesisht një përpjekje për të konkuruar një festë pagane të quajtur Saturnalia. Ajo ishte një kohë gëzimi, ahengu dhe dhuratash. Ishte një festë pagane në nder të diellit. Ata besonin se dielli ishte një perëndi dhe se në këtë pikë ai fillonte të fitonte mbi errësirën e dimrit. Gradualisht “dita e shenjtë” e krishterë dhe “festa” pagane u shkrinë në një, dhe tradita e Krishtlindjes u ngulit fort. Për këto gjëra ka një pajtim mjaft të gjerë.

Por ka pasur një kohë kur protestantët dhe katolikët romanë kundërshtonin ashpër njëri-tjetrin, jo për burimin e Krishtlindjes (dhe ditëve të tjera të tilla), por nëse ai burim ishte i vlefshëm apo jo. Atëherë, si edhe tani, Kisha Katolike Romane i mbronte plotësisht këto tradita njerëzore, sepse, sipas fjalëve të saj: “Kisha Katolike ka marrë nga Jezu Krishti fuqinë për të bërë ligje për anëtarët e saj” (Katekizmi i Baltimores). Ndër këto ligje gjejmë caktimin zyrtar të ditëve “të shenjta” si Krishtlindja dhe Pashkët, dhe sipas dogmës katolike këto ditë janë saktësisht të njëjta me ditët e shenjta të caktuara nga vetë Perëndia.

Ne e përsërisim: ka pasur një kohë kur protestantët nuk ishin dakord me këtë. Ka pasur një kohë kur protestantët thoshin: “E gjithë këshilla e Perëndisë, lidhur me gjithçka që është e nevojshme për vetë lavdinë e Perëndisë, shpëtimin e njeriut, besimin dhe jetën, është, ose shprehimisht i vendosur në Shkrim, ose si pasojë e mirë dhe e domosdoshme e nxjerrë prej Shkrimit; dhe ndaj kësaj nuk duhet t’i shtohet asgjë, qoftë me zbulime të reja të Frymës apo me tradita njerëzish.” (Rrëfimi i Besimit të Uestminsterit 1:6). Dhe lidhur me këtë cështje të ditëve të shenjta, ata thoshin se populli i Perëndisë duhet të mbajë të shenjtë “kohë të caktuara që Ai i ka caktuar në Fjalën e Tij, shprehimisht një ditë të plotë në shtatë” (Katekizmi i Madh, Pyetja 116). Domethënë, vetëm Shabati konsiderohej prej tyre si “i shenjtë”.

Supozoni se ju shkon ndërmend të mendoni se do të ishte bukur të mbanit 3 shkurtin si një ditë të veçantë të shenjtë në kujtim të vizitës së Jezusit në Tempull në moshën dymbëdhjetëvjeçare. Çfarë të drejte do të kishit ta bënit një përcaktim të tillë? Çfarë justifikimi do të kishin të tjerët ta pranonin idenë tuaj? Dhe po sikur kisha juaj të thoshte: “Jo, ne nuk do të dëgjojmë këto marrëzira! Vetëm Jezu Krishti është Mbret dhe Kreu i Kishës, dhe vetëm Ai ka të drejtë të caktojë ditë të shenjta, dhe Ai na ka dhënë të mbajmë vetëm të shenjtë Shabatin!” Sigurisht që ti do të thoshe se një kishë e tillë thjesht po ruan pastërtinë e saj. E megjithatë e vërteta është se Krishtlindja (dhe Pashkët, etj.) nuk ka më shumë autorizim nga Krishti sesa do të kishte një ditë e zgjedhur nga ti vetë. I vetmi ndryshim është se tradita, me kalimin e kohës, e ngre diçka me origjinë thjesht njerëzore në një vend ku çmohet shumë nga njerëzit. Por ajo është ende një neveri përpara Perëndisë për shkak të burimit të saj.

Shtrembëron Ungjillin

Arsyeja e dytë pse këto ditë të shenjta janë të neveritshme përpara Perëndisë është se për t’i çmuar ato, ne duhet të sanksionojmë gabimin. Le ta marrim përsëri Krishtlindjen si shembull. Nëse do të kishte ndonjë mundësi që data e lindjes së Krishtit të ishte ruajtur përmes traditës, atëherë 6 janari do të kishte përparësi dhe jo 25 dhjetori. Kisha Greke është më e vjetër se ajo Latine. Dhe nëse tradita ka ndonjë vlefshmëri, ajo vlefshmëri varet nga lashtësia.

Edhe nëse do t’i drejtoheshim këtij kriteri të rremë të traditës, ne do të dënoheshim! Por, meqenëse tradita dënohet nga Shkrimi, ne as nuk mund të ndërtojmë mbi të, dhe as të gjykohemi prej saj.

Edhe më e rëndësishme është fakti se kremtimi i Krishtlindjes (dhe ditëve të tjera të tilla të shpikura nga njerëzit) shtrembëron Ungjillin e vërtetë të Jezu Krishtit. Me mbajtjen e veçantë fetar të disa ditëve, disa aspekte të Ungjillit marrin një theks që vetë Fjala e Perëndisë nuk ua jep. Krishtlindja dhe Pashkët janë dy “ditët e shenjta” që marrin vëmendje të tepruar çdo vit, dhe kështu lindja dhe ringjallja e Krishtit marrin një masë vëmendjeje që aspekte të tjera të së vërtetës nuk e marrin.

Ky theksim nuk gjendet në shkrimet apostolike. Në të gjitha letrat e Dhiatës së Re nuk gjejmë asnjë referencë të qartë për të ashtuquajturën histori të Krishtlindjes. Ringjallja e Krishtit merr vërtet shumë theks, por në shkrimet apostolike ka gjithashtu shumë theks mbi ngjarje që ndodhën në ditë të tjera, të cilat njerëzit nuk i kanë përkujtuar me ditë të veçanta. Kjo është një shtrembërim i së vërtetës së Ungjillit, dhe një shtrembërim i së vërtetës nuk është i njëjtë me vetë të vërtetën. Prandaj, për t’i miratuar këto ditë të shenjta, ne duhet të miratojmë atë që duhet quajtur gabim.

Ngatërron Ditët e Vërteta të Shenjta

Së fundi, Krishtlindja (dhe ditët e tjera të tilla) është një neveri sepse i largon mendimet e të krishterit nga ajo që Perëndia kërkon, dhe i drejton drejt asaj që Ai as nuk e ka sanksionuar. Fjala e Perëndisë nuk thotë asgjë për mbajtjen e një dite të quajtur Krishtlindje. Por ajo thotë se Perëndia i Plotfuqishëm do që ne ta mbajmë të shenjtë Shabatin. Për më tepër, Perëndia urdhëron që gjashtë ditët e tjera ne t’i përdorim për veprat që i përkasin njeriut. Kjo vetë i ndalon njerëzit nga bërja e asaj që kanë bërë duke caktuar ditë të tjera si “të shenjta”. Është një skandal kur njerëzit marrin Shabatin dhe e bëjnë atë “ditën e njeriut” (si Dita e Babait, Dita e Nënës, Dita e Fëmijëve, e të ngjashme). Askush nuk ka të drejtë të marrë ditën që tashmë ka Emrin e Zotit mbi të dhe t’ia japë nderin e saj dikujt tjetër. Po nga ana tjetër, Perëndia i ka dhënë njeriut gjashtë ditë të çdo jave, dhe askush nuk ka të drejtë t’ia marrë këto ditë njeriut nën pretekstin e bërjes së tyre “ditë të shenjta të Perëndisë”.

Kur autoriteti njerëzor thotë: “Kjo ditë nuk të përket më ty, për punët dhe argëtimet e tua, por është një ditë e shenjtë për Perëndinë,” kjo është po aq e neveritshme sa t’ia japësh Shabatin e shenjtë të Perëndisë njerëzve. Njeriu nuk ka më shumë fuqi të bëjë një nga gjashtë ditët “të shenjtë”, sesa ka të drejtë ta bëjë Shabatin një ditë të zakonshme, ose “të veçantë” sipas ndonjë mënyre të shpikur nga njerëzit.

Ne theksojmë faktin se ditë të tilla si Krishtlindja janë një neveri përpara Perëndisë, kjo jo për shumë nga gjërat për të cilat ajo dënohet zakonisht (si dhuratat, rritja e tregtisë, buzëqeshja e ngrohtë dhe përshëndetja miqësore — pse duhet të dënohen këto?), por pikërisht për gjërat që lavdërohen zakonisht! Janë zbukurimet fetare, e ashtuquajtura “tradita e shenjtë” e Krishtlindjes, pikërisht ato që njerëzit i çmojnë shumë, që janë neveri përpara Perëndisë. Dhe gjëja më tragjike është se bijtë e Reformacionit janë në rreshin e parë të njerëzve që përpiqen që ta bëjnë atë “ditë të shenjtë”.

Rezultati i pashmangshëm i kësaj prirjeje sot është i njëjtë si gjithmonë. Sa herë që njerëzit çmojnë shumë traditën, ata e bëjnë Fjalën e Perëndisë të pavlefshme. Jo vetëm farisenjtë e dikurshëm, por edhe sot, njerëzit e bëjnë Fjalën e Perëndisë të pavlefshme përmes traditave të tyre. Dhe kudo që theksi mbi ditë të tilla si Krishtlindja, Pashkët, etj., është rritur, ka pasur edhe një rënie korresponduese në mbajtjen e Shabateve të Perëndisë. (Dhe anasjelltas: atje ku ka pasur përpjekje serioze për të mbajtur Shabatet e Perëndisë, ka pasur refuzim të atyre ditëve “të shenjta” që nuk kanë asnjë bazë në Shkrim.) Prandaj ne themi përsëri se këto ditë janë një neveri e plotë përpara Perëndisë, edhe pse ato janë shumë të çmuara ndër njerëzit. Dhe ato janë neveri sepse Perëndia ka thënë: “Do të kujdeseni të zbatoni tërë gjërat që ju urdhëroj; nuk do t’u shtoni as do t’u hiqni asgjë.”(LiP. 12:32). Jo, as edhe me anë të traditës së nderuar nga koha dhe të shenjtëruar nga zakoni. Sepse fakti është se çdo adhurim fetar, nderim, ndjenjë dhe ndërgjegje që buron nga ndonjë burim tjetër përveç Fjalës së pagabueshme të Perëndisë, është pikërisht kjo — neveri përpara Tij.

Më lejoni ta mbyll me fjalët: “A jam bërë armiku juaj, sepse ju kam thënë të vërtetën?” Dhe nëse nuk ju kam thënë të vërtetën, dëshmoni gabimin. Nëse ju kam thënë të vërtetën, atëherë ejani, të arsyetojmë së bashku. A nuk është feja e Perëndisë e mjaftueshme për ju? A nuk janë Shabatet që Zoti ynë i ka quajtur të Tij, të mjaftueshme për shpirtin tuaj? A nuk jeni të gatshëm të kënaqeni me atë që Mjeshtri ju ka dhënë? Është koha që ne protestantët, që dënojmë Kishën e Romës për bestytnitë e saj, të heqim dorë nga disa bestytni tonat.

__

Rev. G. I. Williamson, ishte predikues në Kishën Presbiteriane Ortodokse.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes