Instrumentet Muzikore dhe Adhurimi i Reformuar

Adhurimi

Instrumentet Muzikore dhe Adhurimi i Reformuar

Nga Zhan Kalvin, Komentar mbi Librin e Psalmeve,
përkth. Rev. James Anderson (Edinburg, Skoci: Calvin Translation Society, 1846), Vëll. I,
537–539, theksimet të shtuara, anglishtja e përditësuar.

Përkthyer nga Wabashbible

Zhan Kalvini e konsideronte përdorimin e muzikës instrumentale në adhurimin publik si të papërputhshëm me natyrën e dispensacionit të krishterë dhe e vlerësonte kremtimin e lavdeve të Perëndisë me melodinë e zërit njerëzor si një institucion me solemnitet dhe dobi të madhe. Ai e dinte se këndimi i psalmeve është i urdhëruar nga apostujt dhe se këndimi i tyre ka efekt të fuqishëm për të ndezur mendjen në zjarrin e përkushtimit. Atij i takon merita që, me këshillën e Martin Luterit, si një degë kryesore e adhurimit publik në Kishat e Reformuara, hartoi planin e vendosjes të këndimit të psalmeve të përkthyera në gjuhën e zakonshme dhe të përshtatura me rima të thjeshta e të lehta, që gjithë populli mund t’i mësonte dhe në të cilat të gjithë mund të bashkoheshin.¹

___

Psalmi 33:1–4:

“1. Ngazëlloni, o njerëz të drejtë, tek Zoti; Sepse lëvdimi nga njerëzit e ndershëm është i bukur. 

2. Kremtojeni Zotin me qeste; këndojini atij me harpën me dhjetë tela. 

3. Këndojini një kantik të ri, bjerini me mjeshtëri veglës dhe brohoritni. 

4. Sepse fjala e Zotit është e drejtë dhe të gjithë veprat e tij janë bërë me saktësi.”

1. Ngazëlloni, o njerëz të drejtë, tek Zoti;

Këtu shkruesi i frymëzuar u drejtohet besimtarëve, ose të drejtëve me emër, sepse vetëm ata janë të aftë të shpallin lavdinë e Perëndisë. Jobesimtarët, të cilët nuk e kanë shijuar kurrë mirësinë e Tij, nuk mund ta lavdërojnë Atë nga zemra, dhe Perëndia nuk ka kënaqësi që emri i Tij të shqiptohet nga gjuhët e tyre të ndotura. Por konteksti tregon më qartë se pse kjo thirrje është e bukur vetëm për besimtarët. Shumë e interpretojnë pjesën e dytë, lëvdimi nga njerëzit e ndershëm është i bukur, të nënkuptojë që nëse të pabesët ose hipokritët përpiqen ta ushtrojnë këtë, ai do të kthehet në turp dhe në çnderim të Perëndisë, në vend që t’i sjellë Atij lavdi; madje, ata vetëm sa përdhosin emrin e Tij të shenjtë. Pa dyshim që, siç e kam vërejtur tashmë, është shumë e vërtetë që Perëndia krijon për Veten e Tij një kishë në botë me anë të birësimit të Tij të hirshëm, për qëllimin e shprehur që, emri i Tij të lavdërohet siç duhet nga dëshmitarë të një vepre të tillë. Por kuptimi i vërtetë i frazës lëvdimi nga njerëzit e ndershëm është i bukur është se nuk ka ushtrim më të mirë për ta sesa ky. Dhe sigurisht, meqë Perëndia, me të mirat e Tij të përditshme, u jep kaq shumë arsye për të kremtuar lavdinë e Tij, dhe meqë mirësia e Tij e pakufishme është ruajtur si një thesar i veçantë për ta, do të ishte e turpshme dhe krejtësisht e paarsyeshme që ata të heshtnin në lavdërimin e Perëndisë.

“Përmbledhja e çështjes është kjo: ushtrimi kryesor me të cilin u takon të merren të drejtët është shpallja ndër njerëz e drejtësisë, mirësisë dhe fuqisë së Perëndisë, njohja e të cilave është mbjellë në mendjet e tyre. Duke ndjekur përkthyes të tjerë, unë e kam përkthyer frazën ‘Lavdërimi është i bukur’, por fjala e përkthyer ‘i bukur’ mund të përkthehet gjithashtu ‘e dëshirueshme’, nëse e shohim nga fjala hebraike që nënkupton të dëshirosh apo të kërkosh. Dhe me siguri, kur Perëndia i tërheq besimtarët kaq ëmbël, është e drejtë që ata të merren me kremtimin e lavdive të Tij me gjithë zemër. Duhet vënë re gjithashtu se, kur profeti, pasi ka përdorur në klauzolën e parë shprehjen ‘të drejtët’, menjëherë shton fjalët ‘të ndershmit’, që përfshijnë pastërtinë e brendshme të zemrës, ai përkufizon se ç’është drejtësia e vërtetë, ose në ç’përbëhet ajo.”

Instrumentet muzikore u përdorën në adhurimin në besëlidhjen e vjetër.

2. Kremtojeni Zotin me qeste.

Është e qartë që psalmisti këtu shpreh zjarrin e madh dhe dëshirën e flaktë që besimtarët duhet të kenë në lavdërimin e Perëndisë, kur ai urdhëron përdorimin e instrumenteve muzikore për këtë qëllim. Ai nuk do që të lihet mangët asgjë që mund t’i nxisë mendjet dhe ndjenjat e njerëzve në këndimin e lavdeve të Perëndisë. Pa dyshim, Emri i Perëndisë, mund të lavdërohet siç duhet vetëm nga zëri i artikuluar; por nuk është pa arsye që Davidi i shton këtij zëri ato ndihmesa me të cilat besimtarët ishin mësuar të nxiteshin edhe më shumë në këtë ushtrim, veçanërisht duke pasur parasysh se ai po u drejtohej popullit të lashtë të Perëndisë.

Të krishterët e besëlidhjes së re nuk duhet të përdorin instrumente muzikore në adhurim.

Megjithatë, ka një dallim që duhet vënë re këtu, që të mos i konsiderojmë pa dallim të zbatueshme për veten tonë të gjitha gjërat që më parë u ishin urdhëruar Judenjve. Nuk kam asnjë dyshim se tingëllimi i cimbaleve, prekja e harpës dhe violinës, dhe gjithë ajo lloj muzike që përmendet shpesh në Psalme, ishte pjesë e edukimit; domethënë, mësimi fillestar fëmijëror i ligjit—po flas për shërbimin e rregullt të tempullit.

Krahasoni Psalmin 71:22: “Dhe unë do të lëvdoj me harpe për besnikërinë tënde, o Perëndia im, dhe do të këndoj lavdet e tua me qeste, o i Shenjti i Izraelit.”

Të këndosh lavdërimet e Perëndisë me harpë dhe psalter ishte, pa dyshim, pjesë e trajnimit të ligjit dhe e shërbesës së Perëndisë nën atë dispensacion hijesh dhe figurash; por tani ato nuk duhet të përdoren në falënderimin publik. Në të vërtetë, ne nuk jemi të ndaluar t’i përdorim në jetën private instrumentet muzikore, por ato janë dëbuar nga kishat me urdhër të qartë të Frymës së Shenjtë, kur Pali, te 1 Kor. 14:13, e vendos si rregull të pandryshueshëm se ne duhet ta lavdërojmë Perëndinë dhe t’i lutemi Atij vetëm në një gjuhë të njohur.²

Krahasoni Psalm 81:2: “Lartoni një këngë dhe i bini dajres, harpës melodioze bashkë me lirën.”

Përsa i përket dajres, harpës dhe veglës me tela, ne kemi vërejtur më parë, dhe do të jetë e nevojshme ta përsërisim edhe më pas, se Levitët, nën ligj, ishin të justifikuar të përdornin muzikë instrumentale në adhurimin e Perëndisë; sepse ishte vullneti i Tij që t’i trajnonte njerëzit e Tij, teksa ishin ende të njomë dhe si fëmijë, me këto elemente të thjeshta, deri në ardhjen e Krishtit. Por tani që drita e qartë e ungjillit ka shpërndarë hijet e ligjit dhe na ka mësuar se Perëndia duhet shërbyer në një formë më të thjeshtë, do të ishte marrëzi dhe gabim ta imitonim atë që profeti e kishte urdhëruar vetëm për njerëzit e kohës së tij. Nga kjo është e dukshme se Papistët (katolikët e Romës) janë treguar vërtet majmunë duke e transferuar këtë praktikë tek vetja.³

Krahasoni Psalmin 92:1–3:
“Eshtë bukur të kremtosh Zotin, dhe të këndosh lavdet në emrin tënd, o Shumë i Larti; të shpallësh në mëngjes mirësinë tënde dhe çdo natë besnikërinë tënde, me një harp me dhjetë tela, me lirën dhe me melodinë e qestes.”

… [Psalmisti] u drejtohet më drejtpërdrejt Levitëve, të cilët ishin caktuar për detyrën e këngëtarëve, dhe i thërret të përdorin instrumentet e tyre muzikore, jo sepse kjo ishte vetvetiu e nevojshme, por sepse ishte e dobishme si një ndihmesë fillestare për popullin e Perëndisë në ato kohë të lashta. Ne nuk duhet të mendojmë se Perëndia urdhëroi harpën sepse gjen kënaqësi, si ne, në thjesht melodinë e tingujve; por sepse Judenjtë, të cilët ishin ende nën moshë, ishin të detyruar në përdorimin e këtyre elemente fëmijërore. Qëllimi i tyre ishte të zgjonin adhuruesit dhe t’i nxisnin ata më me zell në kremtimin e lavdërimit të Perëndisë me zemër.

Ne duhet të kujtojmë se adhurimi i Perëndisë kurrë nuk ka qenë i kuptuar që të konsistonte në këto shërbesa të tilla të jashtme, të cilat ishin të nevojshme vetëm për të ndihmuar një popull ende të dobët dhe të paditur në adhurimin shpirtëror të Perëndisë. Një dallim duhet vërejtur në këtë pikë midis popullit të Tij nën Besëlidhjen e Vjetër dhe nën Besëlidhjen e Re; sepse tani që Krishti është shfaqur dhe Kisha ka arritur pjekurinë, do të ishte sikur të varrosnim dritën e Ungjillit nëse do të sillnim përsëri hijet e një dispensacioni të zhdukur.

Prej kësaj kuptohet se Papistët, siç do të kem rast ta tregoj gjetkë, duke përdorur muzikë instrumentale, nuk mund të thuhet se po imitojnë praktikën e popullit të lashtë të Perëndisë, por ta imitojë (si majmun) atë në një mënyrë pa mend dhe absurde, duke treguar një kënaqësi qesharake në atë adhurim të Besëlidhjes së Vjetër që ishte figurativ dhe përfundoi me Ungjillin.⁴

Të krishterët kanë liri të shijojnë instrumente muzikore në raste të tjera, por edhe atëherë duhet të kërkojnë muzikë që e lavdëron Perëndinë.

Sepse edhe sot, nëse besimtarët dëshirojnë të shijojnë veten me instrumente muzikore, duhet, mendoj unë, ta kenë qëllim që të mos ndahen nga lavdërimi i Perëndisë.

Instrumentet muzikore, djegia e temjanit, ndezja e qirinjve dhe shfaqje të tjera të jashtme të adhurimit të besëlidhjes së vjetër nuk janë të përshtatshme për adhurimin e krishterë. Krishti i ka shfuqizuar këto hije të ligjit; sot besimtarët duhet të adhurojnë në frymë dhe në të vërtetë, me thjeshtësi. Perëndia na ka thënë në Besëlidhjen e Re se si duhet të adhurojmë drejt si besimtarë të besëlidhjes së re.

Por kur ata marrin pjesë në asambletë e tyre të shenjta, instrumentet muzikore në kremtimin e lavdërimit të Perëndisë nuk do të ishin më të përshtatshme sesa djegia e temjanit, ndezja e qirinjve, apo rikthimi i hijeve të tjera të ligjit.

Perëndia kënaqet kur ne e adhurojmë në thjeshtësi duke ndjekur vetëm atë që Ai urdhëron.

Prandaj Papistët e kanë marrë këtë praktikë, si edhe shumë të tjera, në mënyrë të marrë dhe të pamend, nga Judenjtë. Njerëzit që janë të dhënë pas pompozitetit të jashtëm mund të kënaqen në atë zhurmë; por thjeshtësia që Perëndia na tregon përmes apostullit është shumë më e këndshme për Të. Pali na lejon të bekojmë Perëndinë në mbledhjen publike të shenjtorëve vetëm në një gjuhë të njohur (1 Korintasve 14:16). Zëri i njeriut, megjithëse jo i kuptueshëm nga të gjithë, është padyshim më i lartë se të gjitha instrumentet e pajetë të muzikës; e megjithatë ne shohim çfarë vendos Pali lidhur me të folurit në një gjuhë të panjohur.

Çfarë do të themi atëherë për këndimin ritual, i cili mbush veshët vecëse me tingull bosh? A kundërshton dikush se muzika është shumë e dobishme për të zgjuar mendjet e njerëzve dhe për të lëvizur zemrat e tyre? E pranoj; por duhet të kujdesemi gjithmonë që të mos hyjë asnjë prishje që mund të ndotë adhurimin e pastër të Perëndisë ose t’i përfshijë njerëzit në besëtytni.

Për më tepër, meqënëse Fryma e Shenjtë na paralajmëron shprehimisht për këtë rrezik përmes gojës së Palit, të shkojmë përtej asaj që ai na lejon është jo vetëm, duhet ta them, një zell i pakujdesshëm, por një kokëfortësi e ligë dhe e shtrembër.

___

¹ Menjëherë pas botimit të versionit të Clement Marot të Psalmeve të Davidit në vargje të rimuara në Paris, Kalvini e futi atë në kongregacionin e tij në Gjenevë…; dhe shpejt, u bë përdorimi universal në shumë kongregacione të Kishës së Reformuar të Francës. Në fund, Psalmet e Marot u bënë një shtojcë e Katekizmit në Gjenevë dhe u shndërruan në një shenjë karakteristike ose emblemë të adhurimit dhe rrëfimit kalvinist. Përkthimi i Marot, i cili nuk synonte asnjë inovacion në adhurimin publik, dhe që ai ia kushtoi mjeshtrit të tij, Francis I, dhe zonjave të Francës, mori fillimisht miratimin e Sorbonës [universiteti katolik romak në Paris], pasi nuk përmbante asgjë kundër doktrinës së shëndoshë. Por Kalvini njihte më mirë karakterin e librit sesa doktorët e Sorbonës, dhe duke përdorur influencën e tij për ta futur atë në adhurimin e Kishës Protestante të Francës, kontribuoi kaq shumë, për shkak të popullaritetit të jashtëzakonshëm, në përparimin e kauzës së Reformuar në atë vend, sa që ai u ndalua me dënime shumë të rënda; dhe, në gjuhën e Kishës Romane, këndimi i psalmeve dhe herezia u bënë sinonime. — Warton, Historia e Poesisë Angleze, Vëllimi 3, fq. 164–165.

2 Vëll. 3, fq. 98. 1 Korintasve 14:13: ‘Prandaj le të lutet ai që flet në një gjuhë, që të mund ta shpjegojë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes