PROFETI AMOS MBI ADHURIMIN E VËRTETË DHE TË RREMË
Nga Zhan Kalvin, Komentarë mbi Dymbëdhjetë Profetët e Vegjël, Vëll. II, përkth. Rev. John Owen
(Grand Rapids: Baker, 2003), fq. 173–179, 229–232.
Përkthyer nga WabashBible
Amosi 2:4–5 (KJV)
“Kështu thotë ZOTI: “Për tre krime të Judës, madje për katër, unë nuk do ta revokoj ndëshkimin e tij, sepse kanë përçmuar ligjin e ZOTIT dhe nuk kanë mbajtur urdhërimet e Tij. Kështu idhujt, dhe gënjeshtrat e tyre i kanë bërë të devijojnë, në të cilat kanë ecur etërit e tyre. Prandaj do të dërgoj zjarr në Judë, që do të gllabërojë pallatet e Jeruzalemit”.
Dënimi i Judës
Amosi këtu e drejton fjalimin e tij nga fisi i Judës, nga ajo mbretëri që ende vazhdonte në familjen e Davidit (Mbretëria Jugore). Deri tani ai kishte folur për kombe pagane dhe të parrethprera, dhe ajo që tha për ta ishte një paralajmërim i shkatërrimit që po afrohej edhe për popullin e zgjedhur. Kjo sepse, nëse Perëndia nuk i kurseu të tjerët që kishin mëkatuar nga padija, çfarë do të bëhej me popullin e Izraelit, i cili ishte mësuar në ligj? Sepse një shërbëtor që e njeh vullnetin e zotërisë së tij dhe nuk e zbaton atë, meriton shumë goditje (Luka 12:47). Prandaj, Perëndia nuk mund t’i falte bijtë e Abrahamit, të cilët Ai i kishte zgjedhur si popullin e Tij të veçantë, kur Ai kishte ndëshkuar tepër rëndë kombet pagane (megjithëse nga të menduarit të zakonshëm të njerëzve, padija e tyre konsiderohej e justifikueshme). Është e vërtetë, siç Pali thotë te Romakëve 2, se të gjithë ata që mëkatojnë pa ligj do të humbasin me të drejtë; por kur bëhet një krahasim midis bijve të Izraelit dhe paganëve të mjerë, që ishin të zhytur në gabime, këta të fundit (paganët) pa dyshim që ishin më të denjë për falje, krahasuar me atë popull (Izraeli) që kishte shfaqur ligësi të qëllimshme dhe, si të thuash, kishte vendosur me vetëdije të sillte mbi veten hakmarrjen e Perëndisë.
Gjykimi i Perëndisë mbi Kishën (mbretëria jugore e Judës që ishte më fetare dhe më “besuese”) – Amosi tani shpall qortime të rënda kundër popullit të tij, Judenjve (në Jug), ashtu siç kishte predikuar kundër Izraelitëve (në Veri). Ai thotë se Judenjtë kishin hedhur poshtë ligjin e ZOTIT. [Izraelitët (e veriut) ishin më shumë si bota, më paganë, më të korruptuar dhe më sektarë, pasi kishin braktisur më shumë të vërtetën biblike. Në kontrast me ta, judenjtë (në jug), ende ruanin më shumë të vërteta biblike dhe adhurimi i tyre ishte më pak i korruptuar.]
Profeti deri tani kishte folur për paganët, por tani ia drejton fjalën popullit të zgjedhur, bijve të Abrahamit. Ai flet për fisin e Judës, prej të cilit kishte edhe origjinën e tij (siç e thashë në fillim) dhe këtë e bën që askush të mos e akuzojë për favorizim ndaj bashkëatdhetarëve të tij. Ai kishte emigruar në mbretërinë e Izraelit, por atje ishte i huaj. Tani ne do të shohim se sa ashpër ai i qortoi ata. Po të kishte heshtur për fisin e Judës, ai do të kishte qenë i ekspozuar ndaj shpifjeve; sepse shumëkush mund të thoshte se kishte një marrëveshje të fshehtë mes tij dhe bashkëatdhetarëve të tij, se ai po i mbulonte veset e tyre dhe po sulmonte ashpër fqinjët, nga një rivalitet i lig, në mënyrë që ta kthente mbretërinë (veriore) përsëri në familjen e Davidit. Prandaj, që asnjë dyshim i tillë të mos njolloste mësimin e tij, Profeti këtu thërret në gjykim fisin e Judës dhe flet për Judenjtë jo me gjuhë më të butë se për kombet e tjera. Kjo sepse ai thotë se ata, për shkak të kokëfortësisë së tyre, e kishin provokuar aq shumë zemërimin e Perëndisë, sa nuk kishte më shpresë për falje; sepse masa e mëkateve të tyre ishte kaq e tillë, sa Perëndia me drejtësi tani do të ushtronte hakmarrje ekstreme, dhe sepse një ndëshkim i moderuar nuk do të mjaftonte. Tani kështu ne kuptojmë qëllimin e Profetit.
Tani vijmë te fjalët e vargut: “sepse kanë përçmuar ligjin e ZOTIT.” Këtu ai i akuzon Judenjtë për apostazi; sepse ata kishin lënë mënjanë adhurimin e Perëndisë dhe doktrinën e pastër të fesë. Ky ishte një krim jashtëzakonisht i rëndë.
Për këtë arsye, ne shohim këtu që Profeti dënon lirisht dhe me ndershmëri, siç i takonte, veset e popullit të tij, në mënyrë që të mos kishte vend për shpifje, kur më pas ai u bë një kritik dhe qortues i ashpër i Izraelitëve (të veriut). Ai nuk prek lehtë ndonjë gabim të vogël te fisi i Judës, por thotë se ata ishin apostatë dhe të pabesë, duke e hedhur poshtë ligjin e Perëndisë. Mund të shtrohet pyetja: pse Profeti i akuzon Judenjtë për një krim kaq të rëndë, kur siç edhe e kemi parë te profecitë e Oseas, feja ende ekzistonte mes tyre? Për këtë ka një përgjigje të gatshme: adhurimi i Perëndisë ishte bërë i korruptuar midis tyre, edhe pse ata nuk ishin larguar prej tij aq hapur sa Izraelitët (në veri). Në të vërtetë, rrethprerja ende ekzistonte midis Izraelitëve (veriorë), por flijimet e tyre ishin ndotje dhe tempujt e tyre ishin shtëpi prostitucioni. Ata mendonin se po adhuronin Perëndinë; por meqënëse një tempull ishte ndërtuar në Bethel kundër urdhrit të Perëndisë, i gjithë adhurimi atje ishte një përdhosje. Judenjtë (në jug) ishin disi më të pastër; por ne e dimë se edhe këta kishin degjeneruar nga adhurimi i vërtetë i Perëndisë. Prandaj, Profeti këtu nuk flet padrejtësisht që ata e kishin përcmuar ligjin e Zotit.
Si mbretëria veriore e Izraelit, ashtu edhe mbretëria jugore e Judës kishin adhurim të rremë, por Izraeli (mbretëria veriore) ishte i degjeneruar më tërësisht.
“…Duhet të vërejmë shpjegimin që pason menjëherë te vargu: se “ata nuk kanë mbajtur urdhërimet e Tij”. Pra, mënyra me të cilën Amosi provon se Judenjtë ishin shkelës të besëlidhjes dhe se, duke e hedhur poshtë ligjin e Perëndisë, kishin rënë në besëtytni të liga, është duke thënë se ata nuk i mbajtën urdhërimet e Perëndisë. Gjithësesi, mund të duket se ai i trajton ata këtu me një ashpërsi të madhe; sepse dikush mund të mos i mbajë plotësisht urdhërimet e Perëndisë nga padija, ose nga pakujdesia, ose për ndonjë faj tjetër, e megjithatë të mos jetë shkelës i besëlidhjes apo apostat.”
Sa serioze është adhurimi i rremë dhe shpikja e formave të reja “kreative” të adhurimit?
Unë përgjigjem, — se në këto fjalë të Profetit nuk qortohet thjesht pakujdesia e Judenjve; por ata dënohen sepse, me qëllim, domethënë me dije dhe me vullnet të plotë, janë larguar nga urdhërimet e Perëndisë dhe kanë shpikur për veten e tyre mënyra të ndryshme adhurimi. Atëhere, nuk është mbajtje e urdhërimeve të Perëndisë, kur njerëzit nuk qëndrojnë nën ligjin e Tij, por që me guxim, shpikin për veten e tyre forma të reja adhurimi. Ata nuk marrin parasysh atë që Perëndia urdhëron, por kapen pas çdo gjëje që i duket e pëlqyeshme mendjes së tyre. Këtë krim Profeti tani e dënon te Judenjtë; dhe për këtë arsye thuhet që ata e kanë përcmuar ligjin e Zotit. Kjo sepse njerëzit kurrë nuk duhet të marrin përsipër të ndryshojnë ndonjë gjë në adhurimin e Perëndisë; por frika dhe nderimi i duhur ndaj Perëndisë duhet t’i drejtojë. Po të ishin ata të bindur për këtë, se nuk ka mençuri tjetër përveç asaj që vjen nga Perëndia, ata me siguri do ta përmbanin vetveten brenda urdhërimeve të Tij. Sa herë, pra, që ata shpikin forma të reja dhe të rreme adhurimi, ata tregojnë mjaftueshëm se nuk e marrin parasysh atë që Zoti dëshiron, atë që Ai urdhëron dhe atë që Ai ndalon. Kështu, ata e përcmojnë ligjin e Tij dhe madje e hedhin poshtë.
Mëkati më i rëndë i futjes së risive në fenë e Perëndisë dhe i mosqëndrimit brenda kufijve të vendosur nga ligji i Tij
Ky është një pasazh i jashtëzakonshëm; sepse ne shohim, së pari, se Profeti dënon një mëkat tepër të rëndë, dhe ky mëkat është se Judenjtë nuk e mbajtën veten e tyre në ligjin e Perëndisë, por patën lirinë për të shpikur risi; kjo është një gjë. Së dyti, ne mësojmë se sa shumë e vlerëson Perëndia bindjen, e cila, siç thuhet në një vend tjetër, është më e mirë se të gjitha flijimet (1 Samueli 15:22). Dhe që të mos mendojmë se ky është një mëkat i lehtë apo i parëndësishëm, le të vërejmë shprehjen — se ata e përcmuan ligjin e ZOTIT. Çdo njeri duhet ta ketë frikë këtë si gjënë më monstruoze; sepse ne nuk mund ta përbuzim ligjin e Perëndisë, pa fyer madhështinë e Tij. E megjithatë, Fryma e Shenjtë shpall këtu, se ne e mohojmë dhe e hedhim poshtë ligjin e Perëndisë, përveç kur ne ndjekim plotësisht atë që Ai urdhëron dhe qëndrojmë brenda kufijve të përcaktuar prej Tij. Tani ne kuptojmë se çfarë nënkupton Profeti.
Adhurimi i rremë është një gënjeshtër. Mbrojtja e Judenjve ishte se adhurimi i tyre buronte nga një zemër me “qëllime të mira”. Megjithatë, Shkrimi i Shenjtë, dhe vetëm Shkrimi, është standardi i vërtetë me të cilin të gjithë njerëzit do të gjykohen nga Perëndia.
Por Profeti shton gjithashtu te vargu se “gënjeshtrat e tyre i kanë bërë të devijojnë”. Me këtë ai përforcon mësimin e tij të mëparshëm; kjo sepse Judenjtë kishin gjithmonë gati një mbrojtje: se ajo gjë për të cilin Profeti i qortonte, ata e bënin me qëllim të mirë. Ata e adhuronin me zell Perëndinë, por megjithatë ata përzienin majanë e tyre, prej së cilës flijimet e tyre korruptoheshin. Ata nuk do ta kishin shpenzuar pasurinë e tyre kot, nuk do të kishin bërë shpenzime të mëdha për flijime dhe nuk do të kishin patur kaq shumë mundim, po të mos mendonin se kjo ishte një shërbesë e pranueshme për Perëndinë. Pra, meqenëse justifikimi i “qëllimit të mirë”, siç thonë ata, gjithmonë i mashtron jobesimtarët, Profeti e dënon këtë justifikim dhe tregon se është krejtësisht i rremë dhe pa asnjë vlerë. “Nuk vlen fare,” thotë ai, “që ata pretendojnë përpara Perëndisë ndonjë qëllim të mirë; vetë gënjeshtrat e tyre i mashtrojnë ata.” Dhe pa dyshim, Amosi, i përmend këtu këto gënjeshtra që janë në kundërshtim me urdhërimet e Perëndisë. Pra, sapo njerëzit largohen nga Fjala e Perëndisë, ata e përfshijnë veten në shumë mashtrime, dhe nuk mund të ndodhë vecëse të humbasin rrugën; dhe kjo meriton vëmendje të veçantë.
Ne vërtetë ne shohim se sa shumë mençuri bota i atribuon vetes. Sepse sapo ne shpikim ndonjë gjë, ne kënaqemi jashtëzakonisht me të. Sipas asaj proverbe të vjetër që thotë, majmuni gjithmonë kënaqet me pjellën e vet. Por ky ves mbizotëron veçanërisht kur, me shpikjet tona, ne e korruptojmë dhe e pëziejmë adhurimin e Perëndisë. Prandaj, Profeti këtu deklaron se cdo gjë që i shtohet Fjalës së Perëndisë dhe cdo gjë që njerëzit shpikin në mendjet e tyre është një gënjeshtër: “E gjithë kjo,” thotë ai, “nuk është gjë tjetër veçse mashtrim.” Ne tani shohim se çfarë vlere ka “qëllimi i mirë”. Me të vërtetë, me këtë njerëzit e ngurtësojnë veten e tyre. Por ata nuk mund ta bëjnë Zotin të tërheqë atë që Ai ka shpallur një herë përmes gojës së Profetit të Tij. Prandaj le të kemi kujdes të qëndrojmë brenda kufijve të Fjalës së Perëndisë dhe të mos hidhemi as nga kjo anë, as nga ana tjetër; sepse sapo ne largohemi qoftë edhe pak nga Fjala e pastër e Perëndisë, ne menjëherë përfshihemi në shumë mashtrime.
Pastaj vargu vijon: “në të cilat kanë ecur etërit e tyre”. Profeti këtu e thekson më tej mëkatin e tyre, zemërimin e pangopur të popullit. Kjo sepse tani fëmijët ndiqnin etërit e tyre. Siç e dimë, ky ves, ka mbizotëruar në të gjitha epokat midis Judenjve: Duke lënë Fjalën e Perëndisë, ata gjithmonë ndoqën ëndrrat e tyre dhe mashtrimet e Satanit. Meqenëse Perëndia ishte përpjekur tashmë shumë herë ta korrigjonte këtë ves me anë të Profetëve të Tij, dhe kjo nuk kishte pasur asnjë fryt, Profeti i akuzon këtu për ngurtësi dhe, përmes kësaj rrethane, e rëndon edhe më shumë mëkatin e Judenjve: “Nuk është diçka e re,” thotë ai, “që fëmijët të imitojnë etërit e tyre dhe të bëhen plotësisht si ata; ata janë, pra, vezët e këqija të sorrave të këqija.” Po kështu foli edhe Stefani: “Ju jeni kokëfortë dhe të parrethprerë në zemër, dhe i rezistoni Frymës së Shenjtë, ashtu siç bënë edhe etërit tuaj më parë” (Veprat 7:51). Ne tani kuptojmë synimin e Profetit.
Papistët bëjnë shkelje duke ndjekur mëkatet e “etërve” dhe të lashtësisë
Nga kjo ne mësojmë se çfarë vlerë ka justifikimi tek i cili strehohen papistët (katolikët romanë), kur ata mburren me lashtësinë. Sepse ata vendosin kundër Ligjit, Profetëve dhe Ungjillit këtë mburojë: “se feja e tyre është feja e vjetër, se ata nuk janë themeluesit e parë, por se ndjekin atë që u është transmetuar që nga kohët e hershme dhe që është praktikuar për shumë shekuj”. Kur papistët i shpallin me mburrje të gjitha këto, ata mendojnë se kanë thënë mjaftueshëm për ta bërë Perëndinë të heshtë dhe për ta hedhur poshtë plotësisht Fjalën e Tij. Por ne shohim sa i zbrazët dhe i pavlerë është ky lloj arsyetimi përpara Perëndisë. Kjo sepse Profeti nuk ua pranon Judenjve shembullin e etërve si një justifikim, por e paraqet mëkatin e tyre si edhe më të madh, pikërisht sepse ndoqën etërit e tyre të pabesë, të cilët e kishin braktisur ligjin e ZOTIT. E njëjta gjë thuhet edhe nga Ezekieli: “Mos ecni sipas statuteve të etërve tuaj” (Ezekieli 20:18). Ne tani shohim se për çfarë lloj krimi flet Profeti. Së fundi vjen kërcënimi: “ZOTI thotë: Prandaj do të dërgoj zjarr në Judë, që do të gllabërojë pallatet e Jeruzalemit.” Por këto i kemi shpjeguar tashmë. Tani le të vazhdojmë —
Amosi 4:4–6
“Shkoni në Bethel dhe kryeni mëkate; në Gilgal kryeni edhe më shumë mëkate. Sillni çdo mëngjes flijimet tuaja dhe çdo tri ditë të dhjetat tuaja. Ofroni një flijim falënderimi me maja. Shpallni ofertat me dëshirë dhe i propagandoni, sepse kështu ju pëlqen të veproni, o bij të Izraelit”, thotë Zoti, Zoti. “Ju kam lënë gojë thatë në të gjitha qytetet tuaja dhe pa bukë në të gjitha banesat tuaja, por nuk jeni kthyer tek unë”, thotë Zoti.” — thotë ZOTI.”
Adhuruesit e rremë lodhen më kot
Profeti këtu përsëri derdh përbuzje mbi konfidencën e coroditur, në të cilën Izraelitët (ata në mbretërinë e veriut tani) ishin ngurtësuar. Ata mendonin se adhurimi i tyre ishte plotësisht i miratuar nga Perëndia kur ata ofronin flijime në Bethel dhe Gilgal. Por Profeti këtu tregon se sa më me zell të madh ata punonin për të kryer gjëra të shenjta, aq më rëndë ata e fyenin Perëndinë dhe aq gjykim më të rëndë sillnin mbi veten e tyre. “Çfarë fitoni duke u rraskapitur,” thotë ai, “kur ofroni me kaq përpikmëri flijime dhe nuk lini pas dore asgjë nga ajo që është e përshkruar në ligjin e Perëndisë? – Vetëm këtë, sa provokoni gjithnjë e më shumë zemërimin e Perëndisë.”
Ai nuk i dënon Izraelitët sepse ata mendonin se po i jepnin Perëndisë një kompensim, ashtu siç hipokritët mendonin zakonisht dhe për këtë arsye, shpesh qortoheshin nga Profetët. Ai i shpall mënyrat e tyre të adhurimit si të mbrapshta, të rreme dhe të neveritshme përpara Perëndisë. Profetët i refuzonin flijimet për dy arsye: së pari, sepse hipokritët i sillnin ato përpara Perëndisë si një kompensim, që të shmangnin ndëshkimin që meritonin, sikur po i paguanin Perëndisë atë që i detyroheshin. Kështu, në Jerusalem, në vetë tempullin, ata përdhosnin emrin e Perëndisë. Ata ofronin flijime sipas asaj që ligji kërkonte, por shpërfillnin qëllimin e vërtetë dhe legjitim, sepse ata mendonin se Perëndia qetësohej nga gjaku i kafshëve, nga temjani dhe nga rite të tjera të jashtme. Prandaj ky ishte një keqpërdorim i çoroditur. Për këtë arsye Profetët shpesh i qortonin, sepse ata ia impononin Perëndisë flijimet e tyre si kompensim, sikur të ishin shlyerje të vërteta për pastrimin e mëkateve. Por siç shpallnin Profetët, kjo gjë ishte jashtëzakonisht fëminore dhe e marrë.
Por, së dyti, Amosi shkon këtu shumë më tej; sepse ai nuk i qorton Izraelitët vetëm sepse mendonin se po e përmbushnin detyrën ndaj Perëndisë me rite të jashtme, por e shpall gjithë adhurimin e tyre si të degjeneruar dhe të shtrembëruar, sepse ata i luteshin Perëndisë në vende ku Ai nuk kishte urdhëruar. Perëndia kishte caktuar vetëm një altar për popullin e Tij dhe Ai aty donte që t’i ofroheshin flijimet; por Izraelitët (në veri), sipas vullnetit të tyre, kishin ndërtuar altarë në Bethel dhe Gilgal. Prandaj Profeti shpall se të gjitha mënyrat e tyre profane dhe përdhosëse të adhurimit nuk ishin gjë tjetër veçse neveri, sado që Izraelitët mbështeteshin tek ato si siguria e tyre.
Kjo është arsyeja pse ai tani thotë: “Shkoni në Bethel.” Kjo është gjuhë indinjate; Perëndia flet këtu në mënyrë ironike dhe njëkohësisht shfaq pakënaqësinë e Tij të madhe, sikur të thoshte se ata ishin plotësisht të pandreqshëm dhe nuk mund të frenoheshin nga asnjë ndreqje. Ashtu siç thuhet në frëngjisht: Fais du pis que tu pourras (“Bëj më të keqen që mundesh”). Perëndia flet po kështu edhe te Ezekieli 20:39: “Shkoni, shërbejuni idhujve tuaj.” Kur Ai pa popullin duke vrapuar me kaq këmbëngulje drejt idhujtarisë dhe besëtytnive, Ai tha: “Shkoni,” sikur të donte t’i linte të lirë në çmendurinë e tyre. Sigurisht që Perëndia nuk i nxit mëkatarët. Ai në këtë mënyrë shfaq indinjatën e Tij të skajshme. Pasi është përpjekur t’i frenojë njerëzit dhe ka parë çmendurinë e tyre të pakontrollueshme, Ai atëherë thotë: “Shkoni”; sikur të thoshte: “Jeni krejtësisht të pandreqshëm; këshilla Ime e mirë nuk bën asgjë; dëgjoni, pra, djallin, i cili do t’ju çojë atje ku jeni të prirur të shkoni. Shkoni, pra, në Bethel dhe mëkatoni atje; shkoni në Gilgal dhe mëkatoni përsëri; grumbulloni mëkat mbi mëkat.”
Por si mëkatonin ata në Bethel? Madje edhe kur adhuronin Perëndinë. Këtu ne shohim sa pak vlerë ka përpara Perëndisë justifikimi i “qëllimit të mirë”, të cilin hipokritët gjithmonë e nxjerrin përpara. Ata imagjinojnë se, mjafton që qëllimi i tyre të jetë të adhurojnë Perëndinë, dhe ajo që bëjnë nuk mund të mos miratohet. Kështu ata shfrenohen në shpikjet e tyre dhe mendojnë se Perëndia ka marrë pjesën e Tij, prandaj Ai nuk ka për çfarë të ankohet. Por Profeti e shpall gjithë adhurimin e tyre si asgjë tjetër veçse neveri dhe ligësi të mallkuar, edhe pse Izraelitët, duke u mbështetur në të, mendonin se ishin të sigurt. “Vazhdoni, pra, të mëkatoni në Gilgal; dhe sillni flijimet tuaja çdo mëngjes; jini kaq të zellshëm, sa të mos mund t’ju bëhet asnjë vërejtje për formën e jashtme.”
“Pas tre vjetësh,” domethënë në vitin e tretë, “sillni edhe të dhjetat tuaja”; sepse kështu ishte urdhëruar, siç lexojmë te Ligji i Ripërtërirë 14. Edhe pse Izraelitët, me sa dukej, e adhuronin Perëndinë në mënyrën më të rreptë, Amosi shpall se e gjithë kjo ishte e kotë dhe pa asnjë vlerë, madje e neveritshme përpara Perëndisë, dhe se sa më shumë që lodheshin, aq më shumë ndiznin zemërimin e Perëndisë kundër vetes së tyre.