Psalmodia – Pse Ne Këndojmë Psalmet e Dhiatës së Vjetër

Psalmodia

Psalmodia – Pse Ne Këndojmë Psalmet e Dhiatës së Vjetër

Daniel R. Hyde

Hyrje

“150 Psalmet do të kenë vendin kryesor në këndimin e kishave.” Kështu fillon neni mbi atë që duhet të këndohet në kishat e Reformuara të Bashkuara në Amerikën e Veriut (neni 39). Edhe pse ne nuk këndojmë vetëm psalmet në mënyrë ekskluzive, si një kishë anëtare e kësaj federate kishash, “Kisha e Reformuar e Bashkuar e Oceanside” është e përkushtuar ndaj parimit se ne jemi një popull që këndon Psalmet. Por, pyetja është pse? Vecanërisht në kulturën e sotme të kishave ku mbizotëron muzika e krishterë bashkëkohore, këndimi i Psalmeve (i njohur edhe si Psalteri) është një praktikë e huaj. Më lejoni të shpjegoj se pse ne i këndojmë Psalmet.

Një Vështrim i Përgjithshëm mbi Këndimin e Psalmeve

Këngët e Izraelit

Ne i këndojmë Psalmet sepse populli i Perëndisë i ka kënduar që nga koha e Moisiut (Psa. 90), e veçanërisht gjatë ditëve të Davidit, kur Psalteri u bë “libri i këngëve” i Izraelit. Kur ne i këndojmë ato, ne bashkohemi me etërit tanë të lashtë dhe japim lavdërim hyjnor, të vlefshmëm në çdo kohë dhe vend.

Këngët e Jezusit

Ne i këndojmë Psalmet sepse Jezusi i këndoi ato. Si hebre, Jezusi “lindi nën ligj” (Gal. 4:4), që do të thotë se Ai ishte i detyruar të jetonte sipas të gjitha urdhërimeve të Perëndisë. Një prej këtyre urdhërimeve ishte që çdo mashkull izraelit të mblidhej tri herë në vit në shenjtëroren e shenjtë për adhurim publik (Lev. 23; Num. 28–29; Ligj. Ripërt. 16:1–17). Në tempull, Jezusi do të kishte dëgjuar këndimin e Psalmeve (1 Kron. 16). Ai gjithashtu do të kishte mësuar t’i këndonte psalmet në shërbesat javore të sinagogës, të cilat i frekuentonte edhe si i rritur (Luka 4:16–21). Gjithashtu, gjatë Darkës së Fundit, Jezusi dhe dishepujt e tij “kënduan një himn” (Mat. 26:30; Marku 14:26). Kjo mbledhje ishte për kremtimin e Pashkës (Eks. 12:1–28, 43–51; 13:3–16). Edhe pse nuk është urdhëruar në Shkrim, tradita hebraike përdorte një pjesë të Psalterit të njohur si Psalmet “Hallel” (“Lavdërim”) gjatë asaj feste: Psalmet 113–118. Ka shumë gjasa që këto të kenë qenë “himnet” që Jezusi dhe dishepujt e tij kënduan.

Këngët e Apostujve

Ne i këndojmë Psalmet sepse edhe apostujt i kënduan ato. Edhe pse kjo shpesh anashkalohet nga kisha moderne, është fakt biblik dhe historik që Psalteri vazhdoi të shërbente si “libri i këngëve” i kishës së krishterë.

Pas ngjitjes së Tij në qiell, kisha e Jezusit vazhdoi praktikën e përdorimit të Psalmeve në lutjet dhe lavdërimet drejtuar Perëndisë. Kur kisha e hershme, e përndjekur, “ngriti zërin me një mendje drejt Perëndisë” në lutje, Luka shkruan se ata recituan Psalmin 146:6 dhe Psalmin 2:1–2 (Veprat 4:24–26). Pali e lavdëroi këndimin e “psalmeve, himneve dhe këngëve shpirtërore” si një mënyrë për t’i dhënë lavdi Perëndisë dhe për të ndërtuar njëri-tjetrin si vëllezër e motra në Krishtin (Efes. 5:19; Kol. 3:16). Jakobi urdhëron që ata që janë të trishtuar të luten, dhe ata që janë të gëzuar të “këndojnë lavdërime/psalme” (psalletō; Jak. 5:13).

Këngët e Kishës Historike

Ne i këndojmë Psalmet sepse Kisha Historike gjithmonë i ka kënduar ato. Në fjalët e historianit të lashtë, Eusebiut (vitet 263–339), “Urdhërimi për të kënduar Psalme në emrin e Zotit u zbatua nga të gjithë dhe në çdo vend. Kjo sepse urdhërimi për të kënduar është në fuqi në të gjitha kishat që ekzistojnë midis kombeve, jo vetëm te grekët, por në gjithë botën, në qytete, fshatra dhe në fusha.” Një nga gjërat krijuese dhe domethënëse që të krishterët e hershëm bënin gjatë këndimit të Psalmeve, për të treguar se këngët e Dhiatës së Vjetër ishin tashmë këngët e kishës së re të besëlidhjes, ishte që pas çdo Psalmi, ata këndonin Gloria Patri: “Lavdi qoftë Atit, dhe Birit, dhe Frymës së Shenjtë. Si në fillim, ashtu edhe tani e përgjithmonë, në shekuj të shekujve. Amen.” Kjo ishte një deklaratë që Perëndia i Psalterit është Perëndia Triun.

Edhe pse kisha e lashtë kishte një trashëgimi të pasur të këndimit të Psalmeve, me kalimin e kohës ajo praktikë mbeti pothuajse vetëm brenda manastireve, deri në kohën e Reformacionit Protestant. Ajo që ishte revolucionare në Reformacion ishte rikthimi i këndimit të Psalmeve në adhurimin publik të Perëndisë. Kjo ishte aq e rëndësishme saqë Louis Benson, një studiues i historisë së këndimit të krishterë, tha: “Këndimi i Psalmeve u bë adhurimi i Reformuar, nota karakteristike që e dallonte adhurimin e tij nga ai i Kishës Katolike Romane.” Ai gjithashtu shtoi: “Familjet në shtëpi, burrat dhe gratë në punët e tyre të përditshme, njiheshin si Hugenotë [të Krishterë të Reformuar në Francë] sepse ata dëgjoheshin duke kënduar Psalme.” Për të treguar se po ringjallnin këtë praktikë të lashtë, Reformatorët anglezë përfshinë Gloria Patri në fund të çdo Psalmi të lexuar dhe të kënduar gjatë shërbesave të mëngjesit dhe të mbrëmjes në Librin e Lutjeve të Përbashkëta.

Pse t’i Këndojmë Psalmet?

Dashuria për Fjalën e Perëndisë

Së pari dhe mbi të gjitha, ne i këndojmë Psalmet sepse ne e duam Fjalën e Perëndisë. Ne besojmë se Perëndia na urdhëron t’i këndojmë Psalmet dhe shembujt e njerëzve të Tij që e kanë bërë këtë gjenden kudo në Fjalën e Tij. Kështu, Ai na ka dhënë këtë përmbledhje meditimesh, lutjesh dhe këngësh për ta përdorur në lavdërimin tonë ndaj Tij. Siç tha Jezusi: “Nëse më doni, mbani urdhërimet e mia” (Gjoni 14:15).

Kjo është një pikë shumë e rëndësishme, sepse nëse ne si të krishterë me të vërtetë pretendojmë se besojmë që Bibla është Fjala e Perëndisë, fjala e Tij drejtuar nesh (2 Tim. 3:16), atëherë ne duhet ta zbatojmë këtë parim në praktikë. Si kishë dhe si besimtarë, ne po përpiqemi ta zbatojmë doktrinën tonë të Shkrimit në një mënyrë praktike. Në adhurimin publik, leximi dhe predikimi i Fjalës janë qendrore. Në adhurimin personal dhe familjar, ne lexojmë, meditojmë dhe mësojmë përmendësh Shkrimin. Dhe së bashku, ne e bëjmë këtë edhe përmes këngëve që këndojmë publikisht dhe privatisht.

Shenjtërimi nga Fryma e Shenjtë

Një arsye tjetër për këndimin e Psalmeve është sepse kjo është një mënyrë që Fryma e Shenjtë përdor për të na shenjtëruar, domethënë, për të na bërë gjithnjë e më shumë si Jezusi (Rom. 8:29). Në Shkrim ne mësojmë se ekziston një lidhje e ngushtë midis Frymës së Shenjtë dhe Fjalës, veçanërisht në Psalme. Te Hebrenjve 3:7, autori apostolik citon Psalmin 95, duke thënë: “Siç thotë Fryma e Shenjtë.” Dhe Pali na nxit të jetojmë me mençuri në mes të ditëve të këqija (Efes. 5:15–16), duke na paralajmëruar: “Mos u dehni me verë… por mbushuni me Frymën” (Efes. 5:18). Po si duket një jetë e mbushur me Frymën, në kontrast me frymën e botës? Pali vazhdon: “Duke i folur njëri-tjetrit me psalme, himne dhe këngë shpirtërore, duke kënduar dhe lavdëruar Zotin me gjithë zemrën tuaj” (Efes. 5:19).

Kjo do të thotë se puna shenjtëruese e Frymës në zemrat tona lidhet drejtpërdrejt me këndimin e psalmeve me zemër. Në pasazhin paralel te Kolosianët, Pali mëson se këndimi i këtyre këngëve është mënyra me anë të cilave “fjala e Krishtit të banojë me begatinë e vet” (Kol. 3:16). Pra, kur ne i këndojmë Psalmet, ne bashkëveprojmë me Frymën dhe Fjalën, për të cilat Jezusi tha që janë mënyra përmes së cilave ne shenjtërohemi (Gjoni 17:17). Kjo jetë e mbushur me Frymë dhe me Fjalë u shpreh bukur nga Gjon Krisostomi (347–407), i njohur si predikuesi i madh i kishës së lashtë, i cili tha:

“Dëshiron të jesh i lumtur? Dëshiron të dish si ta kalosh ditën me bekim të vërtetë? Unë të ofroj një pije shpirtërore. Kjo nuk është një pije që deh, që të prish të folurën e arsyeshme. Nuk të bën të belbëzosh. Nuk të turbullon shikimin. Ja ku është: Mëso të këndosh Psalmet! Atëherë do të njohësh gëzimin e vërtetë. Ata që kanë mësuar të këndojnë me Psalmet, mbushen lehtësisht me Frymën e Shenjtë.”

Një Natyrë Njerëzore e Plotë

Një arsye e tretë se pse ne këndojmë Psalmet është sepse përmes tyre ushtrojmë të gjitha ndjenjat, emocionet dhe pasionet tona në marrëdhënien me Perëndinë përmes të kënduarit. Psalmet janë një udhëzues i plotë për jetën shpirtërore. Dhe meqë në Krishtin ne po ripërtërihemi në shëmbëlltyrën origjinale të Perëndisë në të cilin u krijuam (Efes. 4:24; Kol. 3:10), Psalmet na ndihmojnë të gjejmë dhe të shprehim natyrën tonë të plotë njerëzore.

Kjo është shumë e rëndësishme në ditët tona, kur shumë pjesë të krishterimit modern fokusohen vetëm në një aspekt të natyrës sonë: lumturinë. Por, në thellësi të shpirtit, ne e dimë se natyra jonë njerëzore është më gjithëpërfshirëse. Në Psalter, Perëndia na mëson si t’i shprehim të gjitha emocionet dhe përvojat tona. Ashtu sic teologu i lashtë, Athanasi (vitet 296–373), tha:

“Në pjesë të tjera të Biblës ti lexon vetëm që Ligji urdhëron këtë apo atë gjë, ti dëgjon profetët për të mësuar mbi ardhjen e Shpëtimtarit, ose shikon te librat historikë për të mësuar veprat e mbretërve dhe njerëzve të shenjtë. Por në Psalter, përveç këtyre gjërave, ti mëson për veten tënde. Aty ti gjen të përshkruara të gjitha lëvizjet e shpirtit tënd, të gjitha ndryshimet e tij, ngritjet dhe rëniet, dështimet dhe ringritjet. Për më tepër, cilado qoftë nevoja apo vuajtja jote, në këtë libër mund të gjesh fjalët e duhura për ta shprehur, që të mos kalosh thjesht mbi to, por të mësosh mënyrën se si të shërohesh.”

Psalmet paraqesin një natyrë njerëzore të vërtetë, madje të “zhveshur”, përpara fytyrës së Perëndisë së Plotfuqishëm. Ato shprehin: Gëzimin e lavdërimit: “Beko, shpirti im, Zotin, dhe të gjitha ato që janë tek unë të bekojnë emrin e tij të shenjtë.” (Psa. 103:1) Ato shrehin dhimbjen e përndjekjes: “Madje edhe miku im i ngushtë, tek i cili kisha besim dhe që hante bukën time, ka ngritur kundër meje thembrën e tij.” (Psa. 41:9) Ato shprehin shpresën e qiellit: “Sa për mua, për hir të drejtësisë do të shoh fytyrën tënde; do të ngopem nga prania jote kur të zgjohem.” (Psa. 17:15) Ato shprehin thirrjen për drejtësi: “Deri kur do të gjykoni padrejtësisht dhe do të mbani anët e të pabesëve? (Sela) Mbroni të dobëtin dhe jetimin, sigurojini drejtësi të vuajturit dhe të varfërit.” (Psa. 82:2–3)

Zhan Kalvini (1509–1564) e përmblodhi këtë bukur kur shkroi:

“Unë jam mësuar ta quaj këtë libër, mendoj jo pa arsye, “Një anatomi e të gjitha pjesëve të shpirtit”; sepse nuk ka asnjë ndjenjë që njeriu mund të ndiejë, që të mos jetë pasqyruar këtu si në një pasqyrë. Ose më mirë, Fryma e Shenjtë ka paraqitur këtu me gjallëri të gjitha hidhërimet, trishtimet, frikërat, dyshimet, shpresat, kujdeset, pështjellimet, me pak fjalë, të gjitha ndjenjat shpërqendruese me të cilat priren të trazohen mendjet e njerëzve. Pjesët e tjera të Shkrimit përmbajnë urdhërimet që Perëndia u ka dhënë shërbëtorëve të tij për të na i shpallur neve. Por këtu profetët vetë, duke qenë të paraqitur përpara nesh si ata që flasin me Perëndinë dhe që i hapin atij të gjitha mendimet dhe ndjenjat e tyre më të brendshme, na thërrasin, ose më mirë na tërheqin, secilin prej nesh drejt një shqyrtimi të vetvetes në çdo hollësi, në mënyrë që asnjë nga shumë dobësitë me të cilat jemi të prekur, dhe asnjë nga shumë veset me të cilat jemi të mbushur, të mos mbetet e fshehur.”

Si Mund t’i Këndojmë Psalmet?

Një çështje e fundit është kjo: meqënëse Psalmet janë shkruar përpara ardhjes së Jezu Krishtit, si mund t’i këndojmë ne ato si të krishterë? Përgjigjja gjendet në fjalët e vetë Jezusit, kur u tha farisenjve: “Ju hetoni Shkrimet sepse mendoni të keni nëpërmjet tyre jetë të përjetshme; dhe ato janë këto që dëshmojnë për mua.” (Gjoni 5:39) Shkrimet e Dhiatës së Vjetër dëshmojnë për ardhjen e Jezu Krishtit, Mesia i Izraelit dhe “shpresa e të gjitha skajeve të tokës” (Psa. 65:5). Siç shkruan Luka, pas ringjalljes së Tij, Jezusi u mësoi dy dishepujve në rrugë, “Dhe, duke zënë fill nga Moisiu dhe nga gjithë profetët, ai u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat që i takonin atij.” (Luka 24:27, 44).

Pra, kur ne këndojmë Psalmet, ne këndojmë për Jezu Krishtin, i cili është qendra e Psalterit. Ne këndojmë për:

  • Hyjninë e Tij të përjetshme (Ps. 45:6–7)

  • Veprën e krijimit (Ps. 33:6; 102:25–27)

  • Lindjen e Tij (Ps. 40:6)

  • Jetën e Tij të bindjes ndaj ligjit të Perëndisë (Ps. 40:7; 45:7)

  • Përballjen me kundërshtimin e botës (Ps. 2:1–3)

  • Hyrjen në Jeruzalem (Ps. 118:19–26)

  • Kryqëzimin (Ps. 22:1–21; 118:27)

  • Varrimin (Ps. 16:10)

  • Ringjalljen (Ps. 2:7; 16:10; 22:21–31)

  • Ngjitjen në qiell (Ps. 24:7–10; 47:5–7; 68:18)

  • Sundimin e Tij të tanishëm nga qielli (Ps. 47:8; 110:1)

  • Adhurimin prej të gjitha kombeve (Ps. 22:27–31; 47:1; 66:1; 67; 72:5–11)

  • Ardhjen e Tij për të gjykuar (Ps. 96:13; 98:9)

Kur ne këndojmë Psalmet, ne këndojmë vetë fjalët e Krishtit, në agoni (Ps. 22:1–21; 69:1–29; 88) dhe në gëzim (Ps. 16:11; 17:15; 22:21–31). T’i vendosim fjalët e Tij në buzët tona do të thotë të bashkohemi me Të nëpërmjet besimit dhe të identifikohemi me vuajtjet dhe lavdinë e Tij. Agustini (354–430), duke komentuar Psalmin 139, tha: “Zoti ynë Jezu Krisht flet në profetët, ndonjëherë në emrin e Tij, ndonjëherë në tonin, sepse Ai e bën Veten një me ne.”

Ndërsa ne këndojmë fjalët e Krishtit me besim, Psalmet bëhen këngët e kishës luftëtare, pothuajse çdo psalm flet për luftën shpirtërore midis kishës dhe botës, të drejtëve dhe të pabesëve, dhe për vuajtjet që kisha përjeton në këtë jetë.

Ndërsa ne këndojmë fjalët e Krishtit me besim, Psalmet janë gjithashtu këngët e kishës fitimtare, sepse nëpër “luginën e lotëve” (Katekezmi i Hajdelbergut, P. & P. 27) të kësaj jete, ato rreze drite të përjetshme na frymëzojnë të besojmë në fitoren përfundimtare të kauzës së Perëndisë.

Një Shënim Baritor

Përpara se të përfundoj, e kuptoj që ti mund të mendosh: “Kjo tingëllon bukur, por këndimi i psalmeve është shumë më i vështirë se muzika e bandës së adhurimit që jam mësuar të dëgjoj e të këndoj.” Unë të inkurajoj që, ashtu si rritja dhe pjekuria në besim nuk ndodhin brenda natës, po kështu edhe të mësuarit për të adhuruar në mënyrën që përputhet me praktikën historike kërkon kohë dhe këmbëngulje. Shpërblimi për këtë besim të qëndrueshëm është pjekuria në Besim.

Përfundim

Atëhere, pse ne i këndojmë Psalmet e Dhiatës së Vjetër është sepse kjo bazohet në mësimin e Fjalës së Perëndië dhe në praktikën e popullit të Tij ndër shekuj. Në një Parathënie të shkurtër të një prej librave të këngëve të hershme të Reformacionit, Zhan Kalvini e përmblodhi kështu:

“…ne nuk do të gjejmë këngë më të mira, as më të përshtatshme për këtë qëllim, sesa Psalmet e Davidit, të cilat Fryma e Shenjtë i foli dhe i krijoi përmes tij…
Kur ne i këndojmë ato, ne jemi të sigurt se Perëndia vetë i vendos këto fjalë në gojët tona, sikur Ai vetë të ishte duke kënduar në ne për të madhëruar lavdinë e Tij.”

___

Daniel R. Hyde
Pastor i Kishës së Reformuar të Bashkuar të Oceanside,
Carlsbad/Oceanside, Kaliforni.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes