Shënimi i Faqes: Qëllimi i përkthimit dhe publikimit të këtij artikulli është që së pari, t’u vijë në ndihmë personave që dëgjojnë zëra dhe janë diagnostikuar me skizofreni, të cilat, mund të vijnë nga shkaqe natyrore ose nga aktivitete demonike. Shpresoj që ky artikull do i drejtojë këta persona te Krishti, Zoti i ardhur në mish, Shpëtimtari për cdo person që vjen tek Ai. Gjithashtu, që të na ndihmojë edhe neve që ta kuptojmë më mirë këtë gjendje dhe ti ndihmojmë këta persona.
Travis Fentiman
LPN, MDiv
2021
Përkthyer nga ReformedBooksOnline
Derisa u bëra infermier, unë nuk kisha pasur kurrë ndonjë përvojë të drejtpërdrejtë me pushtimin demonik. Për masën e këtyre ndodhive, unë besoja se ajo i përkiste vendeve të botës së tretë, ku kufiri i ndikimit të Ungjillit prek paganizmin. Duke jetuar në Amerikën e klasës së mesme, unë nuk e kisha hasur asnjëherë, megjithëse ndoshta, fenomeni qarkullonte në skajet e shoqërisë, jashtë shikimit të shumicës së njerëzve..
Përballjet
Pastaj unë fillova një punë në një institucion shtetëror psikiatrik si infermier. Shumë nga personat aty kishin skizofreni, një term që fjalëpërfjalë do të thotë “mendje e ndarë”. Karakteristika kryesore e shumicës së personave të diagnostikuar me këtë etiketë është se ata dëgjojnë “zëra”.
Kur një banore aty më kërkoi një ilaç për ta ndihmuar me “zërat” e saj, u bëra kureshtar dhe e pyeta se si ishin zërat. Ajo tha se ishin rreth gjashtë prej tyre. Ajo u kishte vënë emra. “Çfarë të thonë?” “Të vjedh gjëra, të pengoj njerëzit, që jam e shëndoshë, e shëmtuar, të gënjej.” Ajo tha se ishin engjëj që i flisnin. Në shumë raste, duke qenë e paqëndrueshme në këmbë, ajo binte. Ajo thoshte se zërat po i bërtisnin dhe e kishin penguar. Sipas nevojës dhe me kërkesën e saj, i jepja një ilaç antipsikotik të përshkruar nga mjeku, i cili e qetësonte disi dhe e zvogëlonte zhurmën e zërave, por nuk i ndalte kurrë dhe nuk i largonte.
Një tjetër banore, e mbledhur në vetvete, mbante kufje pothuajse gjithë ditën, duke dëgjuar muzikë heavy-metal me zë shumë të lartë. Një infermiere me përvojë më tha se ajo e bënte këtë për të mbytur zërat; është një mekanizëm përballimi disi i zakonshëm. Këta banorë shpesh shfaqnin sjellje të bllokimit të mendimeve: mbroheshin me gjuhën e trupit dhe dridheshin, ashtu si dikush që përpiqet të bllokojë mendime ose zëra, edhe kur askush nuk po u flet. Një banor i kishte quajtur dy zërat e tij Frick dhe Frack. Papritur, gjatë bisedës, ai kthente kokën nga ana tjetër dhe bërtiste: “HESHT FRICK!!” Një tjetër banor zakonisht e godet fort kokën me grushtat e tij të mëdhenj, përsëri e përsëri, për të ndaluar zërat.
Një grua, herë pas here, ka ndaluar së ngrëni. Kur pyetet pse, ajo përgjigjet: “Ata më thanë të mos ha.” Pavarësisht përpjekjeve tona për ta inkurajuar ndryshe, në më shumë se një rast kjo zgjati për 4 muaj, duke humbur shumë peshë dhe duke mbijetuar vetëm me lëngje. Pyeta një tjetër banor për zërat e tij. Ai tha se ishin njëzet; tingëllonin si burra. “A kanë personalitete të ndryshme?” “Po.” Duke u përpjekur të jem neutral, pyeta: “A janë të mirë me ty, apo të këqij?” “Të mirë?! TË MIRË?!?! Mendon se kjo është E MIRË?!?!”, tha ai i dëshpëruar, duke u tkurrur me një shprehje dëshpërimi. “Çfarë të thonë?” “Që duan të jetoj përgjithmonë… Kjo nuk është gjë e mirë… apo jo?” Në këtë kontekst belbëzova: “Um… Jo.” “Sa shpesh të flasin?” “Gjithë ditën, çdo ditë!” tha ai me zemërim në fytyrë. Ndonjëherë komentojnë për çfarëdo që ai bën; ndonjëherë zihen me njëri-tjetrin. Banori u largua duke u endur nëpër korridor, jashtë mendjes së tij.
Shumica e këtyre banorëve kanë një histori të gjatë largimi nga familjet e tyre, abuzimi me droga, imoraliteti seksual (ose prostitucion), hyrje-dalje nga burgu dhe/ose tentativa vetëvrasjeje. Zërat i kanë paaftësuar: ata nuk mund të kujdesen për veten, shumica janë inkontinentë dhe, nëse nuk do të ishin në një institucion të subvencionuar nga shteti, shumica do të ishin në rrugë ose të vdekur.
Persona të tjerë që dëgjojnë zëra kanë prejardhje më pak të rënda dhe janë në gjendje të ruajnë një nivel më të lartë funksionimi në shoqëri. Megjithatë, ajo që zërat priren të thonë është përgjithësisht në përputhje me takimet e mësipërme. Një rrëfim që mori vëmendje në median më të gjerë në vitin 2017, ai i Rachel Waddingham nga Londra, dha këtë përshkrim:
“Zërat vinin shpesh: tre burra, duke e tallur. Duke i thënë se ishte budallaqe. Duke e nxitur të vriste veten. Psikiatrët e diagnostikuan me skizofreni.”
Bibla dhe ajo që është në rrezik
A janë këta persona të pushtuar nga demonë? Kushdo që lexon dhe beson atë që thonë Ungjijtë mund të mendojë kështu. Megjithatë, establishmenti mjekësor, pothuajse në mënyrë universale, e interpreton fenomenin e mësipërm si produkt të një procesi natyror sëmundjeje mendore, ose ia atribuon shkaqeve të tjera natyrore. Ky këndvështrim natyralist nuk është i ri: megjithëse kishte precedentë më të hershëm, ai u bë popullor gjatë Iluminizmit të viteve 1700 dhe ka sunduar shoqërinë dhe institucionet post-kristiane që prej asaj kohe.
Ajo që është e qartë është se këndvështrimi natyralist, sipas të cilit të gjitha rastet e pushtimit demonik në Bibël ishin thjesht persona që kishin sëmundje mendore natyrore, është i papajtueshëm me Fjalën e Perëndisë. Kjo u vërtetua gjerësisht dhe në detaje, vazhdimisht, në çdo pikë, nga studiues besnikë të Biblës gjatë viteve 1700, si përgjigje ndaj sfidave të figurave (kryesisht jo-ortodokse) që mbronin këto ide gjatë Iluminizmit. Këto mbrojtje besnike, të pakomprometuara, ortodokse dhe përfundimtare të Fjalës së Perëndisë janë të lidhura më poshtë në këtë faqe interneti për shqyrtimin tuaj.
Teorikisht, është e mundur që, siç edhe kanë mbajtur disa persona historikisht, rrëfimet e Ungjijve përshkruajnë pushtim demonik të vërtetë, por që tashmë këto nuk ndodhin më, dhe se ajo që sot quhet kështu janë thjesht dhe vetëm forma të sëmundjeve mendore natyrore. Ky këndvështrim, jo vetëm që është një këndvështrim minoritar në Krishterim, por mbështetet në interpretime ekstreme preteriste të pasazheve përkatëse biblike, të cilat bien ndesh me eskatologjinë që mbështet rrëfimet post-reformuese (përkatësisht Historicizmin). Për një kundërshtim të mjaftueshëm të këtij këndvështrimi, shihni burimet më poshtë.
Pjesa tjetër e këtij artikulli hyrës do t’i kushtohet hetimit të mëtejshëm se çfarë mund t’i bëjë njerëzit të dëgjojnë zëra, si mund të dallohet pushtimi demonik nga sëmundja mendore natyrore dhe, së fundi, artikulli do t’u përgjigjet argumenteve në mbështetje të këndvështrimit natyralist, duke treguar se pushtimi demonik mbinatyror, në rastin e shumë personave, është i pajtueshëm me të dhënat aktuale rreth skizofrenisë.
Nëse këndvështrimi natyralist ka të drejtë, atëherë ka pak shpresë për këta njerëz të shtypur, të cilët janë të dënuar pafundësisht të vuajnë nën zërat e tyre torturues dhe ndikimin qetësues të barnave që do të marrin për pjesën tjetër të jetës së tyre.
Nëse këndvështrimi natyralist është i gabuar, atëherë pushtimi demonik është shumë më i zakonshëm sesa kemi menduar. Të krishterët dhe pastorët duhet të jenë të vetëdijshëm. Çfarë do të bëni kur të hasni dikë që dëgjon zëra keqdashës dhe, në lot, dëshiron ndihmë? Fundi i këtij artikulli do të tregojë se ku mund të gjendet udhëzim i mëtejshëm.
Të gjitha deklaratat mjekësore në këtë artikull pasqyrojnë njohuri gjerësisht të disponueshme, të cilat mund të verifikohen përmes burimeve lehtësisht të arritshme në internet.
Çfarë mund ta shkaktojë dëgjimin e zërave?
Si mund të dihet nëse një rast është pushtim demonik? Dëgjimi i zërave në kokën e dikujt, në vetvete, potencialisht mund të ketë shumë shkaqe. Kur shoqërohet me halucinacione vizuale, dëgjimi i zërave të ndërprerë mund të shkaktohet nga:
– ethe që përfshijnë inflamacion të konsiderueshëm
– lodhje ekstreme
– humbja (zija) e një personi të dashur
– ëndrra dhe ëndërrimi në gjendje zgjuar
– Çrregullimi i Stresit Post-Traumatik (raste të rralla)
– tumore të trurit
– deliriumi tek të moshuarit
– disa droga të rrugës dhe alkoolizmi
– skizofrenia
Shumica e gjendjeve të mësipërme dhe shumica e rasteve që i përfshijnë ato, mund të njihen dhe të dallohen lehtësisht nga rastet e pushtimit demonik. Nëse një person dëgjon zëra por nuk ka halucinacione vizuale, lista e diagnozave të mundshme, të njohura nga establishmenti mjekësor, bëhet shumë më e shkurtër:
– zija (humbja e një të dashuri)
– tumore të trurit
– skizofrenia a)
a) Ndonjëherë në këtë listë përfshihen edhe çrregullimi skizoafektiv dhe çrregullimi bipolar, por meqenëse këto janë diagnoza shumë të ndërlidhura dhe zërat duken të jenë të një natyre të ngjashme në secilën prej tyre, për qëllimet tona ato mund të grupohen përgjithësisht me skizofreninë.
Zija dhe tumoret e trurit zbulohen lehtësisht (këto të fundit përmes një skanimi CAT ose MRI). Kjo na lë me termin ombrellë: “skizofrenia”.
.
Si përkufizohet skizofrenia?
“Bibla” e psikiatrisë, Manuali Diagnostik dhe Statistikor i Çrregullimeve Mendore (DSM-5), thotë se, që një person të diagnostikohet si skizofren:
– Dy kritere diagnostike duhet të jenë të pranishme gjatë një periudhe prej një muaji, dhe simptomat duhet të kenë një ndikim të rëndësishëm në funksionimin social ose profesional të personit për një minimum prej gjashtë muajsh.
– Një nga simptomat duhet të jetë ose deluzione (mendime pa bazë), halucinacione (perceptime pa bazë, përfshirë perceptime dëgjimore dhe/ose pamore), ose të folur i çorganizuar.
– Një simptomë e dytë mund të jetë një deficit emocional ose mendor, ose sjellje rëndë të çorganizuara ose katatonike.
Duke pasur parasysh gjerësinë e këtyre kritereve, mjekët diagnostikojnë në mënyrë rutinore, si skizofrenë, shumë njerëz, që nuk janë të pushtuar nga demonë, por që, mund të kenë sëmundje ose gjendje reale fizike apo mendore.
Dallimi midis një sëmundjeje ose gjendjeje mendore natyrore
dhe pushtimit demonik
Mund të shtrohet pyetja se si mund të bëhet dallimi i një sëmundje ose gjendje mendore që përfshin deluzione, halucinacione, të folur të çorganizuar dhe ndoshta edhe dëgjimin e gjërave, nga rasti i të qënit i pushtuar nga një demon?
Ndërkohë që, një sëmundje mendore natyrore, ose një sulm demonik, mund të jetë shkak i të parës, pushtimi demonik (për ta thënë në mënyrë tautologjike, por të vërtetë) mund të njihet kur:
Modeli i simptomave pasqyron një personalitet (ose personalitete) të dallueshme, të ligë, shpirtërore, që banojnë në person.
Truri njerëzor, i dëmtuar ose i “djegur” nga drogërat, mund të rezultojë në të menduar të çorganizuar, halucinacione, dhe madje edhe fenomene të rreme dëgjimore, por rastësia e thjeshtë, ose defekte sistemike në denatyrimin, fragmentimin apo keq-lidhjen e trurit, nuk prodhon karakteristikat e një personaliteti të bashkuar, të lig dhe të huaj, që jeton brenda personit dhe e torturon atë sipas dëshirës dhe kontrollit të vet të dukshëm – sidomos atëhere kur, personaliteti normal i personit, dhe ai i një personaliteti të dallueshëm, të lig, shpirtëror, mund të dallohen duke vepruar në kundërshtim me njëri-tjetrin në të njëjtën kohë. a)
a) Kjo duhet dalluar, për shembull, nga rasti i një personi që goditet në kokë dhe më pas, përgjithmonë, ka episode neurotike, të shqetësuara dhe të zemëruara, ku duket sikur “shndërrohet në një person tjetër”. Në këtë rast, përveç shkakut të dukshëm natyror, personalitetet e ndryshme janë përjashtuese ndaj njëra-tjetrës në kohë; ato nuk po ndodhin njëkohësisht.
Përvoja dhe dëshmia e vetë personit janë të rëndësishme. Në rastin e një vajze me emrin Lilith, ajo tregoi se:
“Gjërat që zëri i thoshte ishin shumë private dhe disi të turpshme; ato nuk ishin kurrë fjalë që unë do t’i përdorja ose do të mendoja se do t’i thosha, dhe nuk doja të merrja përgjegjësi për to, apo madje—le të themi—t’i them me zërin tim. Kjo më çoi në kryerjen e zjarrvënies…” – ‘Identiteti Gjinor dhe Dëgjimi i Zërave: Historia e Lilith’, 1:35
Shkaqet natyrore duhet të jenë gjithmonë të parat që të përjashtohen,a) por nëse diçka tingëllon si pushtim demonik, duket si pushtim demonik, ndihet si pushtim demonik, shijon si pushtim demonik dhe mban erë si pushtim demonik, si mund të quhet ndryshe veçse pushtim demonik?
a) Megjithatë, vini re se veprimtaria demonike dhe/ose pushtimi demonik mund të ndodhin edhe së bashku me shkaqe natyrore.
Provojeni vetë një rast: shikoni këtë video ndriçuese 4-minutëshe të një burri që përshkruan historinë e tij me zërat. Ai u diagnostikua si skizofren. A duhej të ishte diagnostikuar si i pushtuar nga demonë?
Zëra “pozitivë”?
Disa burime thonë se personat me skizofreni ndonjëherë kanë zëra pozitivë ose dashamirës. Autori i këtij artikulli nuk ka hasur në ndonjë rast ku zërat të kenë qenë gjithmonë pozitivë ose dashamirës. Si duhet quajtur një qenie mbinatyrore që flet gjëra pozitive, por edhe disa gjëra të liga? Jo një engjëll i drejtë. Këta zëra “pozitivë”, megjithatë, vazhdojnë të prishin rëndë jetën dhe ta paaftësojnë funksionalisht personin skizofren që i dëgjon.
Shumë nga burimet që pretendojnë se disa zëra janë pozitivë janë faqe interneti të dizajnuara për të ndihmuar dikë që sapo ka filluar të dëgjojë zëra. Këto faqe shpesh përpiqen t’i japin një ngjyrim pozitiv pothuajse çdo gjëje që lidhet me skizofreninë, për të mos e dekurajuar personin. Por a janë vërtet “pozitivë” këta zëra? Gjykojeni vetë:
“Unë fillova të dëgjoja zëra për herë të parë kur po zhvilloja anoreksinë time. Zërat e mi ishin shoqja ime më e mirë. Unë mendoja se ajo donte vetëm më të mirën për mua… ajo ishte jashtëzakonisht manipuluese dhe çfarëdo që ajo thoshte, unë e bëja.” – Mind.org, ‘Hearing Voices’
Shihni rrëfime të tjera të zërave “pozitivë” në historitë e Katie dhe Lucy te Mind.org. Si mund të jenë zërat herë pas here pozitivë dhe inkurajues? Lexoni Letrat e Screwtape të C. S. Lewis.
.
E Mbinatyrshmja
Duhet theksuar se dëgjimi i zërave, nëse është rezultat i pushtimit demonik, nuk është karakteristika e vetme, madje as domosdoshmërisht më e zakonshmja, e të qenit i pushtuar nga djajtë. Të tjera karakteristika janë të mundshme (dhe përputhen me përkufizimin e dhënë më sipër) dhe shfaqen dukshëm si në Bibël ashtu edhe në rrëfime jashtë Biblës.
Një seri e tillë tiparesh (të cilat autori i këtij artikulli nuk i ka vëzhguar drejtpërdrejt) është e mbinatyrshmja. Asnjë sasi çrregullimesh natyrore ose fizike të trurit, për shembull, nuk mund të bëjë që një person të flasë spontanisht në disa gjuhë njerëzore të vlefshme, siç ndodh në shumë rrëfime të pushtimit të supozuar demonik. Djajtë, megjithatë, mund të jenë të aftë për këtë, me gjasë duke pasur një kuptim shumë më të madh sesa ne, dhe duke mos vdekur kurrë gjatë brezave.
Ndërkohë që çdo besëtytni, padituri, naivitet dhe besim i verbër në dëshmi të gabueshme duhet të shmangen si qartësisht të pamjaftueshme, të padobishme dhe të rrezikshme, prapësëprapë ngjarjet mbinatyrore mund të konsiderohen si historikisht të ndodhura përmes dëshmitarëve të konfirmuar dhe të besueshëm; dhe të mohosh ndodhinë e mbinatyrores kur ajo është mjaftueshëm e konfirmuar nga arsyeja dhe dëshmitarë të besueshëm, do të thotë të mohosh vetë arsyen.
.
Zgjidhja laike: barnat,
dhe lidhja shpirt–trup
Në vend të shpresës, establishmenti mjekësor u jep këtyre njerëzve barna: Seroquel, Haldol, flufenazinë, risperidon, Clozaril, klonazepam, Geodon, etj., të cilat personat kanë gjasa që t’i marrin për pjesën tjetër të jetës së tyre (pasi skizofrenia rrallë zhduket). Manualet farmakologjike thonë se mekanizmi i veprimit të shumicës së këtyre barnave është i panjohur. Disa prej tyre mendohet se bllokojnë ose nxisin receptorë të caktuar të serotoninës, dopaminës ose të tjerë në tru, gjë që mund të ketë ndikim në humor, në ankth, etj.
Hipoteza e autorit të këtij artikulli në lidhje me marrëdhënien shpirt–trup është se bllokimi i caktuar fizik/kimik i rrugëve neurale në tru mundet, deri në atë masë që ndodh, të bllokojë inputin/veprimin shpirtëror në tru. Është vëzhguar se nivelet e dopaminës rriten gjatë psikozës akute (gjë që do të pritej nëse demonët po të bërtasin në kokë); kështu, kimikatet që bllokojnë transmetuesit e dopaminës do të reduktojnë në mënyrë efektive sasinë e “inputit/veprimit” që mund të arrijë në tru. Demonët që flasin në shpirtin dhe trurin e një personi, ose që përpiqen të veprojnë përmes një trupi i cili ka qarqe pjesërisht të bllokuara për shkak të ndërhyrjes kimike dhe qetësimit, janë si të përpiqesh të ngasësh një makinë me qarqe dhe funksion motorik pjesërisht të bllokuara: nuk do të funksionojë shumë mirë.
Prandaj, barnat antipsikotike mund të kenë një vlerë të caktuar përfitimi në bllokimin e zërave të jashtëm deri në një farë mase.a) Megjithatë, fatkeqësisht, kur nevojitet saktësia e një rrezeje lazeri, shumë prej këtyre barnave janë si të përdorësh një armë gjahu për ta kryer punën. Barnat gjithashtu kanë shumë efekte anësore të padëshiruara, aq sa shumë skizofrenë vendosin të përpiqen të jetojnë pa to.
a) Për një pasqyrë të balancuar mbi efektivitetin e barnave antipsikotike në skizofreni, shihni Aleancën Kombëtare për Sëmundjet Mendore (NAMI).
Trajtimet e tjera të dobishme që shekularizmi u ofron skizofrenëve janë psikoterapia (praktikimi i metodave psikologjike për të ndihmuar në modifikimin e sjelljes në mënyra të dobishme dhe për të kapërcyer problemet) dhe ndërtimi i aftësive sociale. Ndërkohë që secila prej këtyre strategjive mund të ketë një prirje natyrore drejt së mirës së përgjithshme të personit (nëse bazohen në realitetet e natyrës dhe jo në gënjeshtra), ato vështirë se do ta shërojnë një person nga torturimi prej demonëve.
A ka e gjithë skizofrenia një shkak natyror?
ose, Si mund të ketë pushtimi demonik korrelacione natyrore?
Imazheria e trurit të personave me skizofreni afatgjatë ka zbuluar struktura të caktuara të trurit që janë ose paksa të zmadhuara ose të zvogëluara. Natyrisht, shekularistët, shpesh e marrin këtë korrelacion si dëshmi, ose provë, se një proces sëmundjeje natyrore që prek këto struktura të trurit prodhon skizofreninë.
Të thuash se kjo vlen për të gjithë skizofrenët është të vendosësh karrocën përpara kalit. Nëse demonët po të abuzojnë vazhdimisht verbalisht, do të pritej që disa pjesë të trurit të mbizhvilloheshin dhe të bëheshin më të mëdha (përmes aktivitetit të vazhdueshëm), ndërsa pjesë të tjera të nënzhvilloheshin dhe të bëheshin më të vogla (përmes joefikasitetit, privimit ose neglizhimit).
Në mbrojtje të një origjine natyrore për të gjithë skizofreninë, disa shekularistë nxitojnë të theksojnë se:
(1) fillimi i skizofrenisë shpesh lidhet me ngjarje të rëndësishme negative jetësore,
(2) faktorë të caktuar mjedisorë ose fizikë,
(3) një interval të ngjashëm moshe,
(4) fakti që personat që kanë familjarë të afërt me skizofreni kanë një normë më të lartë të shfaqjes së saj, dhe
(5) normat e skizofrenisë janë përafërsisht të krahasueshme ndërkombëtarisht.
Që disa raste të skizofrenisë të kenë shkaqe natyrore (duke pasur parasysh përkufizimin e saj të gjerë) ndihmon pjesërisht për të shpjeguar disa nga këto pika. Për t’iu përgjigjur më konkretisht:
(1) Nuk duhet të jetë e habitshme që fillimi i zërave demonikë të lidhet me ngjarje të mëdha negative të jetës. Gjatë kohërave të tilla tronditëse, personat mund të jenë në depresion, të pambrojtur dhe madje në dëshpërim të thellë. Bibla është e qartë se ndikimi i demonëve duhet rezistuar (Jakobi 4:7; Efesianëve 6:11). Personat që janë pak të aftë për të rezistuar, dhe pa njohurinë shpirtërore ose mjetet për ta bërë këtë (Efesianëve 6:10–18), mund të jenë objektiva të lehta për djajtë, të cilët kërkojnë kë të përpijnë (1 Pjetri 5:8). Në librin e Jobit në Bibël, ngjarjet shkatërrimtare të jetës ishin shfaqje të sulmit demonik (Jobi 1:12–19). Megjithatë, Jobi, i shuajti këto shigjeta të zjarrta të Djallit me mburojën e besimit dhe helmetën e shpëtimit (Jobi 1:21; 19:25; Efes. 6:16–17).
(2) Faktorë rreziku të mundshëm mjedisorë ose fizikë që janë shoqëruar me norma të rritura të skizofrenisë përfshijnë: komplikacione të rënda të nënës gjatë shtatzënisë ose lindjes, përdorimin e kanabisit gjatë adoleshencës, gjininë mashkullore, rritjen në qytet dhe të pasurit prindër shumë të rinj ose shumë të moshuar. a)
a) Owen MJ, Sawa A, Mortensen PB (korrik 2016), “Schizophrenia”, Lancet, 388 (10039): 86–97, “Epidemiology & Environmental Risk Factors”, duke cituar dhe lidhur rezultatet e shumë studimeve.
Nuk duhet të jetë e habitshme që të ketë korrelacione fizike me pushtimin demonik, përderisa frymërat e liga qarkullojnë në këtë botë hapësinore/fizike, ndërveprojnë me të dhe kanë fuqi të caktuara mbi gjërat dhe ngjarjet fizike në të, gjatë periudhave kohore, jetëve dhe brezave (Pasazhe nga Bibla: 1 Pjetri 5:8; Danieli 10:13; Efesianëve 2:2; Jobi 1:7,12; Marku 9:22; Mateu 8:30–32; Zbulesa 9:1–5; 16:14).
Edhe nëse të gjithë faktorët e listuar nga studimet e mësipërme do të ishin universalisht të vërtetë për të gjitha kohët dhe vendet përtej kampioneve të studiuara, dhe pa gabime metodologjike të rëndësishme ose faktorë të tjerë kufizues (gjë që mund të dyshohet fort), prapësëprapë:
– Komplikacionet e nënës gjatë shtatzënisë ose lindjes (që përfshijnë trauma),a) ose abuzimi me drogëra (sidomos disa drogëra të veçanta), mund ta dobësojnë ose ta çrregullojnë kaq shumë trupin ose trurin në mënyra të caktuara, saqë personi mund të bëhet më i prirur, në disa kushte, ndaj rrezikut të ndikimit ose pushtimit demonik. Mund të ndodhë gjithashtu që një numër statistikisht i rëndësishëm i nënave që kanë komplikacione gjatë shtatzënisë ose lindjes, ndoshta për shkak të një stili jetese me sjellje me rrezik të lartë, t’i rrisin fëmijët në kushte po aq shkatërruese, duke i bërë ata edhe më të prirur ndaj rrezikut të skizofrenisë. Nëse njerëzit në këtë botë i shfrytëzojnë të dobëtit dhe të pambrojturit, përfshirë të paqëndrueshmit mendërisht dhe/ose moralisht të shpërbërë, nuk duhet të na habisë nëse demonët bëjnë të njëjtën gjë.
a) Duhet theksuar se hipoteza kryesore e këtyre studimeve është se shkaku i skizofrenisë qëndron në zhvillimin e hershëm dhe/ose dëmtimin e trurit. Për korrelacionet e vogla që gjejnë, shumica dërrmuese e të dhënave nuk shpjegohet prej tyre. Duhet marrë gjithmonë parasysh sasia e madhe e gjërave që nuk i dimë dhe të gjitha studimet mbi popullsinë e plotë njerëzore që nuk janë bërë. Kur kjo merret parasysh, rezultatet e pakta të studimeve të përfunduara humbin shumë nga pesha e tyre.
– Meshkujt dhe femrat kanë modele të ndryshme sjelljeje në përgjigje ndaj faktorëve mjedisorë dhe shoqërorë dhe, si pasojë, norma dhe shtrirje të ndryshme të sjelljeve të caktuara imorale,a) gjë që mund të kontribuojë në modele të ndryshme të ndikimit demonik. Meshkujt dhe femrat gjithashtu kanë aftësi fizike dhe shoqërore të ndryshme, të cilat mund të jenë të dëshirueshme në shkallë të ndryshme për demonë të caktuar dhe strategjitë e tyre.
a) Madje edhe Bibla e njeh se përshpirtshmëria, ose mangësitë në të, ndërmjetësohen ndryshe midis gjinive, në përputhje me karakteristikat dhe sferat e tyre natyrore (Pred. 7:25–28; Prov. 7:10–27; Joz. 24:15; Vep. 10:33; Efes. 5:26–28).
Por ndoshta shpjegimi më i mundshëm për normën më të lartë të skizofrenisë tek meshkujt është se femrat mund të vetë-raportojnë më pak, ose të raportohen më pak për simptomat e tyre skizofrenike. Një studim i madh a) nga i cili burojnë këto rezultate, që bashkoi të dhëna nga tre studime të tjera të kryera ndryshe, pranoi se “mungesa e koherencës së brendshme midis vlerësimeve (e vërejtur gjithashtu në disa shpërndarje të prevalencës) [të vetë studimit] është e vështirë të shpjegohet, por mund të pasqyrojë natyrën dhe cilësinë e studimeve të ndryshme që kontribuojnë në vlerësime për shpërndarjet sipas gjinisë…” Me fjalë të tjera, rezultatet që institucioni mjekësor i merr si të vërteta të pagabueshme, janë të mbushura me gabime.
a) McGrath J, Saha S, Chant D, Welham J., “Schizophrenia: a concise overview of incidence, prevalence, and mortality.” Epidemiol Rev. (2008), 30:67–76
Është interesante të vërehen arsyet e ndryshme që demonët mund të kenë për të pushtuar njërën gjini dhe jo tjetrën në situata të ndryshme. Demonët që pushtonin të demonizuarin gadarenas mashkull, duke e bërë fizikisht të egër, duhet të kenë pasur ndikim mbi gjithë qytetin përreth, pasi edhe në çlirimin e tij, qyteti u mbush me frikë (Luka 8:27,35–37). Në një rast tjetër, “një frymë shortarie” e gjeti një vajzë të re më të dobishme për qëllimet e saj (Veprat 16:16–19).
– Për shkak të përhapjes më të madhe të disa sjelljeve imorale, ose faktorëve të tjerë që mund t’u pëlqejnë demonëve, demonët mund të jenë më të përqendruar në disa zona gjeografike (krahaso Isaia 13:21 dhe 34:14).
– Norma më të larta të skizofrenisë tek personat me prindër shumë të rinj ose shumë të moshuar vërehen gjithashtu për çrregullimet mendore në përgjithësi. a) Përveç ndjeshmërive fizike që mund të përfshihen në të pasurit prindër të tillë, një faktor kryesor duket të jetë mjedisor: mënyra se si rriten fëmijët. Prindërit më të rinj mund të jenë të përfshirë në sjellje me rrezik më të lartë, ndërsa prindërit më të moshuar mund të jenë më pak të aftë të ofrojnë mbikëqyrje dhe kufizime ndaj këtyre sjelljeve.
a) McGrath JJ, Petersen L, Agerbo E, Mors O, Mortensen PB, Pedersen CB. “A comprehensive assessment of parental age and psychiatric disorders.” JAMA Psychiatry 2014;71(3):301–309
(3) Intervali më i zakonshëm i moshës për fillimin e skizofrenisë është nga fundi i adoleshencës deri në fillim të të tridhjetave. Që të ketë një moshë mesatare është logjikisht e domosdoshme. Që mund të ketë modele se kur demonët fillojnë të sulmojnë dhe të pushtojnë njerëzit—sidomos në pjesën e hershme të jetës së rritur, kur njerëzit fillojnë të marrin vendime të pavarura dhe të gjejnë vendin e tyre në botë—nuk duhet të habisë, veçanërisht nëse në të njëjtën kohë po zhvillohet ose po shfaqet një sëmundje mendore natyrore (ndoshta në kontekstin e ngjarjeve stresuese dhe pjekurisë fizike të trurit). Një rast i “fillimit të hershëm” shfaqet në Bibël (Marku 9:21 21: “Dhe Jezusi e pyeti babanë e atij: ”Sa kohë ka që i ndodh kështu?”. Dhe ai tha: ”Që në fëmijëri.”).
(4) Dihet mirë se skizofrenia, dhe pothuajse i gjithë spektri i çrregullimeve mendore, shfaqen me norma më të larta kur familjarë të afërt ose paraardhës kanë pasur këto gjendje. Përsa i përket pushtimit demonik, kjo vështirë se mund të befasojë studiuesin e Biblës:
“…sepse unë, Zoti, Perëndia yt, jam një Perëndi xheloz, që dënon padrejtësinë e etërve mbi fëmijët e tyre deri në brezin e tretë dhe të katërt të atyre, që më urrejnë.” – Eksodi 20:5
“Mjerë, komb mëkatar, popull i ngarkuar me paudhësi, racë keqbërësish, bij që veprojnë në mënyrë të coroditur…” – Isaia 1:4
“Populli im vdes për mungesë njohurish…” – Osea 4:6
Shkencëtarët përpiqen të gjejnë korrelacione domethënëse midis gjenetikës dhe skizofrenisë. Edhe nëse të tilla do të zbuloheshin qartësisht dhe pa dyshim, ato mund të ishin vetëm të lidhura ose dytësore ndaj faktorëve të tjerë të përmendur më sipër, të cilët duket se përbëjnë një pjesë të rrezikut total të demonëve që pushtojnë njerëz.
(5) Dikur mendohej, mbi baza të pamjaftueshme, se skizofrenia shfaqej në mënyrë uniforme në rreth 1% të popullsisë njerëzore në mbarë botën. Megjithatë, “ky këndvështrim uniform i rrezikut u rrëzua në mënyrë efektive nga një seri meta-analizash” në vitin 2008. Këto studime:
“dokumentuan një variacion të madh midis studimeve, pesëfish ose më shumë, që nuk mund t’i atribuohej dallimeve diagnostike ose metodologjike, por që drejtonte drejt dallimeve reale në shfaqje dhe ekspozim ndaj faktorëve etiologjikë (shkaktarë). Këto gjetje kanë rigjallëruar epidemiologjinë e skizofrenisë…”
– Owen, Sawa, Mortensen, “Schizophrenia”, Lancet., ‘Epidemiology & Environmental Risk Factors’, citing McGrath J, Saha S, Chant D, Welham J., “Schizophrenia: a concise overview of incidence, prevalence, and mortality.” Epidemiol Rev. (2008), 30:67–76
Kjo është në përputhje me këndvështrim biblik të demonologjisë. Megjithatë, si shpjegohet që ka njëfarë uniformiteti të skizofrenisë në mbarë botën? Dhe që persona normalë, të pa përfshirë në okultizëm ose sjellje shoqërore “me rrezik të lartë”, përjetojnë një fillim të papritur të skizofrenisë, me një rënie të shpejtë tatëpjetë të jetës së tyre si rezultat? Përveç faktit se “skizofrenia” përfshin disa sëmundje mendore me shkaqe natyrore:
– Fillimi i sulmit ose pushtimit demonik nuk është domosdoshmërisht pasojë e një mëkati të veçantë të personit. Për një njeri të lindur i verbër, Ungjijtë tregojnë se dishepujt e Jezusit e pyetën: “Kush mëkatoi, ky apo prindërit e tij, që lindi i verbër?” Jezusi u përgjigj: “As ky s’mëkatuar, as prindërit e tij, por kjo ndodhi që tek ai të dëftohen veprat e Perëndisë.” (Gjoni 9:1–3). Perëndia lejon pushtimin demonik në mënyrë të përgjithshme nëpër popullsi për qëllimet e Tij dhe lavdinë e Tij më të madhe, dhe, në disa raste, për të shfaqur hirin e Tij duke çliruar individin përmes Krishtit.
– Të gjithë personat jashtë Krishtit, duke qenë mëkatarë, me natyrë mëkatare dhe nën fuqinë e mëkatit, janë të prekshëm ndaj Djallit dhe pushtimit demonik:
“Jezusi iu përgjigj atyre: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: kush bën mëkat, është skllav i mëkatit.” – Gjoni 8:34
“ishit të vdekur në faje dhe në mëkate, në të cilat keni ecur dikur, sipas ecjës së kësaj bote, sipas prijësit të pushtetit të erës, sipas frymës që vepron tani në bijtë e mosbindjes…në lakmitë e mishit tonë duke i plotësuar dëshirat e mishit dhe të mendjes, dhe ishim prej natyre bij të zemërimit, ashtu si edhe të tjerët.” – Efes. 2:2,3
– Ashtu siç pushtimi demonik duket se është i pranishëm në çdo komb, po kështu kjo tregon se demonët kanë një bazë veprimi në çdo komb. Ne jetojmë në kohët e johebrenjve (Luka 21:24; Rom. 11:25; Zbul. 11:2). Nëse shkalla e pushtimit demonik është diku rreth 1% në mbarë botën, pak a shumë, kjo është sepse aq lejon Zoti në këtë kohë, duke i frenuar demonët (Jobi 1:12; Luka 8:31; Zbulesa 20:3).
.
Ku të shkohet nga këtu?
Vlerësohet se 3.5 milionë njerëz në Amerikë kanë skizofreni. Meqenëse shumica e tyre dëgjojnë zëra keqdashës, ka gjasa që shumica e tyre të jenë të pushtuar nga demonë.
Ka qenë e habitshme të shoh, në përvojën time, se kur një person fillon të torturohet nga zërat, sa shpejt anëtarët e tjerë të familjes dëshpërohen nga çdo zgjidhje dhe kthehen drejt fesë, shpesh duke e mbushur të vuajturin me ndjenja fetare dhe objekte simbolike. Këta janë njerëz që më parë kishin pak ose aspak vëmëndje për Perëndinë; dhe feja që shfaqet tani është qartazi e cekët, mishore dhe e gabuar.
Kur je i pushtuar nga demonë, nuk ka asgjë natyrore në këtë tokë që mund të të shërojë prej saj (përveç nëse demonët vendosin të largohen sipas qejfit të tyre). Shpresa jote e vetme është në Jezu Krishtin, Birin e Perëndisë, i cili ka pushtet mbi të gjithë demonët dhe ka dhembshuri për të munduarit. Ai nuk e largon askënd që e thërret sinqerisht me besim.
Për udhëzim të mëtejshëm, shpresoj të shkruaj një Hyrje në faqen tonë mbi Ekzorcizmin, e cila përmban shumë burime mbi këtë temë. Tani për tani, mjafton të thuhet se fuqia për të nxjerrë demonë me urdhër ishte mrekulli dhe unike për epokën apostolike. Sot, çlirimi vjen përmes mjeteve më të zakonshme: personi i vuajtur duke iu kthyer Zotit Jezu Krisht në ungjill, përmes luftës shpirtërore dhe përmes personave që agjërojnë dhe luten me ngulm drejtuar Krishtit—para të cilit demonët dridhen—që Ai të ushtrojë fuqinë e Tij të plotfuqishme dhe t’i bëjë robërit të lirë.
______
Miku im,
Bibla, është Fjala e Vetme e Perëndisë, dhe Krishti është Shpëtimtari i Vetëm për këdo që vjen tek Ai.
Jezusi tha:
Mateu 28:18 “Pastaj Jezusi u afrua dhe u foli atyre duke thënë: ”Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë.”
Mateu 11:28 “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.”
Gjoni 8:12 “Dhe Jezusi u foli atyre përsëri duke thënë: ”Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës”.”
Gjoni 14:6 “Jezusi i tha: ”Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje.”
Mëso më shumë për Krishtin këtu: Semundja Jote dhe Mjeku i Madh i Shpirtrave dhe Lajmi i Mire i Ungjillit