E Vërteta Biblike për Fantazmat dhe Alienët!

Alienet

E Vërteta Biblike për Fantazmat dhe Alienët!

Bota moderne flet shumë për paranormalen. Shumë filma dhe dokumentarë flasin apo shfaqin fantazma dhe alienë në to. Cfarë duhet të mendojnë të krishterët për këto fenomene? Cfarë thotë Bibla për to? 

Fantazmat

Teoria e përhapur midis njerëzve për fantazmat është se shpirtrat e njerëzve kanë mbetur në tokë për shkak të “punëve të tyre të papërfunduara”. Kjo nuk është e vërtetë sepse Fjala e Vetme e Perëndisë, Bibla, tregon që “është caktuar që njerëzit të vdesin një herë, dhe më pas vjen gjyqi.” (Hebrenjve 9:27). Gjithashtu, te Predikuesi 12:7 thuhet: “dhe pluhuri t’i kthehet tokës siç ishte më parë dhe fryma t’i kthehet Perëndisë që e ka dhënë.” Jezusi përshkruan dy destinacione për shpirtin pasi ai vdes te Lluka 16:22-23: “Por ndodhi që lypësi vdiq dhe engjëjt e çuan në gji të Abrahamit; vdiq edhe pasaniku dhe e varrosën. Dhe, duke pasur mundime në ferr, i çoi sytë dhe pa nga larg Abrahamin dhe Llazarin në gji të tij.” Pra, në bazë të Fjalës së Zotit, shpirtrat mbas vdekjes shkojnë në gjyq dhe në një prej dy destionacioneve të vetme. Nëse personi i vdekur ishte besimtar i krishterë, ai shkon në qiell pranë Perëndisë, por nëse ai nuk ishtë i tillë, ashtu si njeriu i pasur, ai shkon në ferr larg Perëndisë. Pra, nuk ekziston një gjendje “e mesme” ku shpirti i njeriut endet nëpër vende. 

Kur njerëzit thonë se kanë parë “fantazmë”, Bibla jep një shpjegim tjetër. Bota shpirtërore është reale, dhe në të ka engjej dhe djaj. Ne jetojmë në një botë të tillë që është e mbushur me veprimtari shpirtërore, shumica e së cilës është e padukshme. Apostulli Pal, në Bibël, paralajmëron se “beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër… sunduesve të përbotshëm të errësirës së kësaj jete, kundër frymërave të liga në vendet qiellore.” (Efesianëve 6:12). Apostulli Pal, gjithashtu, diku tjetër paralajmëron: “Dhe nuk është për t’u çuditur, sepse Satanai vet shndërrohet në engjëll drite.” (2 Korintasve 11:14). Nëse Satani mund të marrë formë engjëlli për të mashtruar, po kështu edhe shërbëtorët e tij, frymërat e liga, mund të marrin forma të dukshme për të mashtruar njerëzit. Frymërat e liga dhe demonët janë strategë. Siç ka thënë dikur Çarls Spërxhën: “Satani nuk është budalla. Ai ka studiuar natyrën njerëzore për mijëra vjet.” Këto frymëra imitojnë të vdekurit për të ushqyer një kulturë besëtytnie, frike dhe për ti mbajtur njerëzit larg Perëndisë. Besimi në shpirtra njerëzish që enden andej-këtej shpesh bëhet një mënyrë për të shmangur realitetin e mëkatit dhe gjykimit që do vijë.

Bibla është shumë e ashpër në ndalimin e nekromacisë (të folurit me të vdekurit) dhe mediumeve. Te Ligji i Ripërtërirë 18:10–12, thuhet: “Të mos gjendet midis teje ndonjë që e kalon birin ose bijën e vet nëpër zjarr, as ndonjë që praktikon shortarinë, bën parashikime, interpreton shenjat dhe merret me magji, as ai që përdor yshtje, as mediume që konsultojnë frymët, as magjistarë, as ai që ndjell të vdekurit, sepse të gjithë ata që merren me këtë punë neveriten nga Zoti.

Të krishterët duhet t’i drejtojnë njerëzit drejt së vërtetës. Rreziku i vërtetë nuk janë shpirtrat e të vdekurve, por të jetuarit në rebelim kundër Perëndisë. Jezusi paralajmëroi: “Kini frikë nga Ai që mund tua humbë edhe shpirtin, edhe trupin në ferr.” (Mateu 10:28). E vërteta është se njerëzit janë në rebelim dhe armiqësi me Perëndinë, Ai është armiku më i madh i tyre dhe se ata duhet të pajtohen sa më shpejt me Të përmes Jezusit. Bibla thotë: “Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne. Shumë më tepër, pra, duke qenë tani të drejtësuar në gjakun e tij, do të shpëtojmë nga zemërimi me anë të tij. Në fakt, ndërsa ishim armiq, u pajtuam me Perëndinë nëpërmjet vdekjes së Birit të tij, akoma më shumë tani, që jemi pajtuar, do të shpëtohemi nëpërmjet jetës së tij.” (Romakët 5:8-10) Jezusi i premtoi kusarit në kryq që besoi në Të: “Ti sot do të jesh me mua në parajsë” (Luka 23:43). Shpresa e sigurt e krishterë për të gjithë ata që vijnë te Jezusi, është “do të shkojmë dhe të banojmë pranë Zotit.” (2 Korintasve 5:8).

—–

Alienët (UFO-t)

Me pilotë ushtarakë që kanë dëshmuar përpara Kongresit Amerikan dhe pamje me rezolucion të lartë të “fenomeneve anomale të paidentifikuara” (UAP) që mbushin internetin, pyetja nuk është më nëse ka diçka atje, por se çfarë është ajo. Shumë besojnë se, disqet rrotulluese ne ajër janë qenie biologjike shumë të zhvilluara nga yje dhe planete të largëta. Filmat e shumtë prej Hollivudit na e kanë ngulitur në mendje që këto qënie janë vizitorë nga planete shumë të largëta. Por a është vërtet kështu?

Ndër-dimensional, jo Ndër-yjor

Eshtë vënë re se sjellja e UFO-ve nuk ndjek ligjet e fizikës. Ato përshpejtojnë menjëherë, kthehen në kënde të pamundura dhe duket sikur hyjnë e dalin nga ekzistenca. Për këto fenomene, mund të ketë katër përgjigje, por vetëm përgjigja e tretë dhe ajo e katërt janë të vërteta.

1) Teknologji njerëzore. Nuk ka gjasa që të jetë kjo. Për shkak të këtyre karakteristikave, është shumë vështirë që kjo të jetë një teknologji njerëzore e fshehtë.

2) Qënie nga planeta të largëta. Ajo që na është thënë vazhdimisht përmes filmave dhe dokumentarëve është që ato janë qënie që vijnë nga planete të largëta të zhvilluara në miliona vite.

Kjo është një gënjeshtër e madhe. Në fakt, këtu duken sheshit dhe qartazi disa gënjeshtra, që funksionojnë si hallkat e një zinxhiri dhe që mbështesin njëra-tjetrën. Fillon me gënjeshtrën e parë, shpërthimi i Big-Bengut të rastësishëm (kjo teori i kundërvihet ekzistencës së Perëndisë dhe besimit se gjithcka është krijuar prej Tij), pastaj Big-Bengu sjell teorinë e zgjerimit të këtij Universi që doli prej tij dhe që është zgjeruar për miliona vite (kjo teori e zgjerimit, nga njëra anë, i jep besueshmëri edhe më Big-Bengut dhe mbështet më fort evolucionin, por nga ana tjetër, ia heq rëndësinë unike tokës si krijimi i Perëndisë dhe si qëndra e krijimit të tij, ku ajo është thjesht një planet midis miliardave planeteve të tjera, në një cep të parëndësishëm të një prej shumë galaktikave që ekzistojnë, thjesht një produkt i rastësisë), kjo shërben si bazë dhe hap rrugën për futjen e idesë për planete të tjerë si toka dhe civilizimeve të tjera të përparuara të zhvilluara në ato miliona vite, alienët jashtëtokësore. Kështu, mbi gjithë këtë bazë të ngirtur, kur në qiell shfaqen këto objekte, shumë natyrshëm futet ideja se ato janë civilizime jashtëtokësore në planete të tjera ku ka jetë. Të gjitha këto, si hallkat e një zinxhiri, janë në funksion të promovimit të evolucionit, ateizmit dhe hedhjes poshtë të ekzistencës së Perëndisë dhe krjimit prej Tij, për t’i mashtruar njerëzit dhe për ti larguar ata nga Perëndia. 

E para, në Bibël, qëndra e gjithë krijimit të Tij është toka. “Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.” (Zanafilla 1:1). Gjithcka tjetër është në funksion të tokës, dhe njeriut, që ai e krijoi sipas shëmbëlltyrës së Vet. Në asnjë vend nuk flitet për civilizime të tjera të krijuara jashtë tokës. Në tokë, dhe vetëm në të, Ai krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet. Dielli, hëna dhe yjet janë në funksion të tokës, dhe përmes tyre, Ai u tregon banorëve të saj, lavdinë dhe fuqinë e Vet. Bibla thotë: “Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij.” (Psalmi 19:1). Ai e krijoi gjithcka, jo në miliona vite, por vetëm në gjashtë ditë literale. “Atëherë Perëndia shikoi të gjitha ato që kishte bërë, dhe ja, ishte shumë mirë. Kështu erdhi mbrëmja dhe pastaj erdhi mëngjesi: dita e gjashtë. Kështu përfunduan qielli dhe toka si dhe tërë ushtria e tyre.” (Zanafilla 1:31-2:1).

E dyta, tani që e pamë që gjithcka u krijua në vetëm gjashtë ditë, dhe nëse, sic na thuhet, këto qënie (alienë) për të arritur këtë stad të përparuar të evoluimit të tyrë, paskan pasur nevojë për miliona vite procesi evolucionar, kjo rrjedhimisht sjell që, mungesa e këtyre miliona viteve nuk mund të sjellë si rezultat, qënie të tilla. Kjo bie tërësisht poshtë pasi gjithcka e krijuar u bë në vetëm gjashtë ditë literale. Eksodi 20:11 thotë: “Sepse në gjashtë ditë Zoti krijoi qiejt dhe tokën, detin dhe gjithçka që është në to, dhe ditën e shtatë ai pushoi; prandaj Zoti e ka bekuar ditën e shabatit dhe e ka shenjtëruar atë.” Eksodi 31:17 thotë: “Ajo është një shenjë e përjetshme midis meje dhe bijve të Izraelit, sepse në gjashtë ditë Zoti bëri qiellin dhe tokën, dhe ditën e shtatë pushoi dhe u shlodh.

Ideja e civilizimeve të tjera jashtë tokës që na vizitojnë ne, është një tjetër mashtrim i Satanit ndaj njerëzve për të minuar besimin tek Perëndia dhe Fjala e Tij. Ideja e civilizimeve të tjera që na qënkan evoluar për miliona vite, i jep besueshmëri teorisë së evolucionit që mohon ekzistencën e Perëndisë që ka krijuar gjithcka, dhe është futur si kundërvënie ndaj Perëndisë. Dhe, nëse besohet madje, se këta alienë na paskan krijuar edhe njerëzimin në tokë, atëhere njerëzit nuk kanë më nevojë për Perëndinë e Biblës dhe Kryqin.

Bibla, te Nehemia 9:6 thotë: “Vetëm ti je Zoti! Ti ke bërë qiejtë, qiejtë e qiejve dhe tërë ushtrinë e tyre, dheun dhe tërë ato që qëndrojnë mbi të, detet dhe gjithçka që është në ta. Ti i mban gjallë tërë këto gjëra dhe ushtria e qiejve të adhuron.” Herman Bavinck vuri në dukje se e gjithë drama e Shkrimit të Shenjtë “lëviz midis Perëndisë dhe njeriut”, dhe jo midis Perëndisë dhe civilizimeve të panumërta. Krishti, erdhi dhe u bë njeri, dhe vdiq në këtë tokë, dhe vetëm në këtë tokë. Që provon se vetëm kjo tokë është qendra e krijimit të Tij.

3) Një pjesë e këtyre fenomeneve të vërejtura shpesh kanë një shpjegim natyror. Ato mund të jenë thjesht mjete të zakonshme ajrore, fenomene natyrore ose gabime njerëzore.

4) Por për ato që nuk janë natyrore, ato janë qënie që vijnë nga një dimension tjetër. Pra, ato janë qënie inter-dimensionale. Ky “dimension tjetër” është sfera shpirtërore. Ashtu si “fantazmat”, “alienët” janë shfaqje e botës shpirtërore dhe e demonikes në një epokë teknologjike. Këto qenie e përshtatin pamjen e tyre me pritshmëritë e kulturës. Bibla flet princin e pushtetit të ajrit” (Efesianëve 2:2) duke ushtruar ndikim mbi sferën fizike për të krijuar një mitologji të re për një botë laike. 2 Thesalonikasave 2:9b thotë: “Veprimit të Satanit, bashkë me çudira, shenja dhe mrekullish të rreme.” 1 Timoteu 4:1 gjithashtu flet për “frymëra mashtruese“. Efesianët 6:12 thotë: “beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të botës së errësirës të kësaj epoke, kundër frymërave të mbrapshta në vendet qiellore.” Nëse engjëjt e rënë mund të marrin formë fantazme, ata mund të marrin formë edhe jashtëtokësore. Kostumi ndryshon, strategjia qëndron. 

Krishti ka Triumfuar dhe Sundon mbi Gjithcka

Kolosianëve 2:15 thotë: “mbasi i zhveshi principatat dhe pushtetet, i turpëroi botërisht, duke ngadhnjyer mbi ata, nëpërmjet tij.”

Hebrenjve 2:14 thotë: “që të shkatërronte, me anë të vdekjes, atë që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin”

1 Gjoni 3:8 thotë: “për këtë është shfaqur Biri i Perëndisë: për të shkatërruar veprat e djallit.”

Efesianet 1:20,21: “Krishtin, duke e ringjallur prej së vdekurish dhe duke e vënë të ulej në të djathtën e tij në vendet qiellore, përmbi çdo principatë, pushtet, fuqi, zotërim dhe çdo emër që përmendet jo vetëm në këtë botë, por edhe në atë të ardhme, dhe vuri gjithcka nën këmbët e tij.”

1 Pjetri 3:22 “i cili shkoi në qiell dhe është në të djathtë të Perëndisë mbasi i janë nënshtruar engjëj, pushtete dhe fuqi.”

1 Gjoni 4:4: “ai në ju është më i madh se ai në botë.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes