Perëndishmëria për Djemtë dhe Burrat e Rinj

Perendishmeria per Djemte dhe Burrat e Rinj te Krishtere

Perëndishmëria për Djemtë dhe Burrat e Rinj

Përkthyer nga The Standart Bearer

“Nxiti gjithashtu të rinjtë që të jenë të matur… në cdo gjë…”  – Titi 2:6–7a

Titi po shërbente mes të krishterëve të rinj në ishullin e Kretës. Pali po i jep udhëzime Titit të ri lidhur me shërbesën e tij. Ai duhet të predikojë dhe të mësojë se perëndishmëria në jetë është në përputhje me besimin e vërtetë. Pranimi i së vërtetës duhet të shoqërohet me perëndishmëri (Titi 1:1), dhe Titi duhet të vazhdojë të flasë, të këshillojë dhe të qortojë me çdo autoritet për gjërat që janë në përputhje me doktrinën e shëndoshë (Titi 2:1, 15).

Kjo është gjithmonë e rëndësishme, por ishte veçanërisht e tillë në mes të paperëndishmërisë që karakterizonte banorët e Kretës. Pali bëhet shumë konkret duke i treguar Titit se si perëndishmëria duhet të karakterizojë anëtarët e ndryshëm të bashkësive të krishtera: pleqtë, gratë e moshuara, gratë e reja, dhe tani djemtë dhe burrat e rinj.

Një shqyrtim i kujdesshëm i këtij pasazhi në gjuhën origjinale tregon se tri fjalët e para të vargut 7 në përkthimin e mbretit Xhejms i përkasin vargut 6. Të rinjtë duhet të jenë të matur në cdo gjë!

Thirrja Kryesore e Djemve dhe Burrave të Rinj të Krishterë

Ne mund të kuptojmë se djemtë dhe burrat e rinj të krishterë janë të së njëjtës moshë me vajzat dhe gratë e reja të përmendura në vargjet 4 dhe 5, të cilat ishin të martuara dhe kishin fëmijë.

Kur Pali i thotë Titit të mësojë të rinjtë që të jenë të matur, ai nuk nënkupton se kjo cilësi duhet të fillojë vetëm pas martesës. Maturia duhet të zhvillohet që në vitet e vona të adoleshencës, që të jetë e pranishme në martesë. Në fakt, vajzat e reja duhet ta kërkojnë këtë cilësi tek djemtë dhe burrat që duan të njohin për martesë. Ato duhet të kërkojnë një maturi që buron nga perëndishmëria.

Të jesh i matur nuk do të thotë të jesh i zymtë apo i trishtuar, të buzëqeshësh rrallë, apo të mendosh se buzëqeshja është e gabuar. Në greqisht, kjo fjalë e ka rrënjën në fjalën “urtësi.” Ajo këtu ka të bëjë me mënyrën se si një njeri e sheh veten. Djemtë dhe burrat e rinj duhet të mendojnë për veten me maturi, duke qenë në gjendje të frenojnë pasionet e tyre. Është urtësia e ushtrimit të vetëkontrollit. Ne shpesh e lidhim kthjelltësinë me të qenit esëll nga të dehurit. Kur një njeri është i dehur, ai nuk sheh qartë veten dhe gjërat e tjera. Po kështu, mungesa e maturisë shfaqet kur dikush mendon se jeta është vetëm për argëtim, dhe se për këtë i duhen alkooli apo drogat.

Maturia vendos ekuilibër dhe perspektivë në jetën e dikujt. Doktrina e shëndoshë—drejtësimi vetëm me anë të hirit, vetëm nëpërmjet besimit, vetëm në Krishtin—e çliron njeriun nga romantizmi, nga ëndrrat e kota, nga kërkesat egoiste për “të drejta personale,” dhe nga mendimi se jeta është vetëm për kënaqësinë personale. Ai që ka besim në Jezu Krishtin e njeh veten si mëkatar të mjerë që duhet të rrëfejë mëkatet e tij, të mohojë veten dhe të kontrollojë dëshirat e veta. Me anë të besimit ai sheh (dhe nuk harron) gjithçka që Perëndia ka bërë: se shpëtimi është dhuratë e lirë, pa asnjë meritë nga ana e tij. Përmes besimit, njeriu e sheh veten të vendosur nga Ati i gjithëdijshëm dhe i dashur në çdo situatë të jetës, me thirrjen për ta druajtur, shërbyer dhe bindur këtij Ati në veprimet, fjalët, mendimet, e madje edhe në imagjinatën e zemrës së tij.

Maturia është ndërgjegjësimi se bekimet e shpëtimit vendosin mbi mua shumë detyrime. Së pari dhe mbi të gjitha, unë duhet të jem vazhdimisht mirënjohës. Sa më shumë që jam i vetëdijshëm për atë që më është dhënë, aq më e madhe është ndjenja ime e borxhit dhe e mirënjohjes ndaj Perëndisë. Të jesh i matur do të thotë të kuptosh se hiri (dashuria e pamerituar e Perëndisë) është me të vërtetë i mjaftueshëm (2 Korintasve 12:9) për të përmbushur plotësisht çdo nevojë tonën. Së dyti, do të thotë të jesh i përulur. Vetëdija se kam një “njeri të vjetër” që duhet zhveshur gjithmonë, dhe se njollat u ngjiten veprave të mia më të mira, është një burim i vazhdueshëm përulësie (Kanunet V, 2). Siguria e zgjedhjes së përjetshme dhe të pandryshueshme është një arsye shtesë për përulësi (Kanunet I, 13). Dhe siguria e këmbënguljes është aq larg nga nxitja e frymës së krenarisë tek besimtarët, saqë, përkundrazi, është burimi i vërtetë i përulësisë (Kanunet V, 12). Së treti, shpëtimi prej hirit vendos mbi njeriun detyrimin për të qenë besnik në ruajtjen e trashëgimisë së dhënë. Do të thotë të jetosh me vetëdijen se jam i privilegjuar të jem një administrator i Perëndisë, duke kuptuar se gjithçka që kam, e kam marrë (1 Korintasve 4:2, 7).

Ekzistojnë implikime që rrjedhin nga thirrja për të qenë të matur.

“Gjithashtu” do të thotë se shumë nga ato që u thanë për vajzat dhe gratë e reja të krishtera, zbatohen njëlloj edhe për djmetë dhe burrat e rinj të krishterë. Pali nuk shkruan përsëri në detaje, pasi sapo ua ka deklaruar këto gjëra vajzave dhe grave të reja. Të jesh “i matur në çdo gjë” është çelësi për një jetë që përshtatet, plotëson dhe harmonizohet me mësimet doktrinale të krishterimit.

Djemtë dhe Burrat e rinj dhe të matur kuptojnë se kanë një përgjegjësi të dhënë nga Perëndia në shtëpi dhe në familje. Ky qëndrim është kaq shumë jetik për mirëqenien e shtëpisë. Ata gjithashtu kuptojnë se kanë një përgjegjësi në kishën e tyre dhe në vendin e tyre të punës. I riu i matur e kupton se detyrat dhe përgjegjësitë e tij përcaktohen nga Zoti që e bleu atë, dhe jo nga ajo që ai mendon se dëshiron ose duhet të bëjë. I riu i matur do të shqyrtojë nëse duhet të jetë eunuk për hir të mbretërisë apo të martohet në Zotin. I riu i matur kërkon një bashkëshorte bazuar në qëndrimin e saj ndaj Jezusit (jo së pari nga pamja apo personaliteti i saj). Ai kërkon një bashkëshorte që tregon në jetën e saj të bindjes se ajo e do Zotin, është e mirë dhe është edhe vetë e matur.

Një i ri i matur përpiqet ta udhëheqë dhe ta qeverisë mirë shtëpinë e tij. Në botën e sotme, shumë njerëz veprojnë sikur nuk duan të udhëheqin dhe sikur janë më të interesuar për punën dhe argëtimin e tyre. Në kontrast, i riu i krishterë i matur pranon përgjegjësinë për të nxitur një atmosferë në shtëpi në mënyrë që ajo të jetë një vatër, një strehë komode për gruan dhe fëmijët e tij. Ai e qeveris shtëpinë e tij në mënyrë që të nxisë mirëqenien shpirtërore të saj. Ai përdor Fjalën e Perëndisë si udhërrëfyes, në vend që të qeverisë sipas tekave dhe dëshirave të tij. Ai është i kujdesshëm që të jetojë me gruan e tij me mirëkuptim, të mos rrëshqasë në hidhërim, dhe duke i dhënë nderim asaj si ena më delikate. Ai është i vetëdijshëm se sa e lehtë është ta provokosh një fëmijë drejt zemërimit.

I riu i matur e kupton se dashuria për gruan dhe fëmijët e tij është diçka që mësohet dhe jo diçka ku ai “bie”. Ai përpiqet gjithmonë të reflektojë dashurinë e Perëndisë. Ai është i vetëdijshëm për dashurinë e Perëndisë për popullin e Tij dhe e di se kjo është dashuria që ai duhet të reflektojë duke qenë sakrifikues, jo-egoist, dhurues (jo kërkues apo posesiv) dhe falës. Ai jeton me vetëdijen se dashuria e tij duhet të jetë e pakushtëzuar, ashtu siç është ajo e Perëndisë — jo e varur nga fakti nëse tjetri është i sjellshëm apo i mirë.

I riu i matur balancon detyrimet e shtëpisë të dhëna nga Perëndia me detyrimet e dhëna nga Perëndia që ai ka jashtë shtëpisë. Ai ka detyrime të përdorë talentet e tij të dhëna nga Perëndia në shërbim të kishës dhe të kauzave të ndryshme të mbretërisë së Perëndisë. Ai e kupton se duhet të punojë me zell dhe besnikëri në thirrjen ku Perëndia e ka vendosur, në mënyrë që të mund ta mbajë familjen e tij me ndershmëri dhe, po ashtu, të mbështesë nevojtarët dhe kauzat e tjera të mbretërisë së Perëndisë.Të bësh të gjitha këto gjëra si përpara fytyrës së Perëndisë kërkon që i riu i krishterë të jetë i matur dhe i vetëdisiplinuar.

Qëllimi i Maturisë

Qëllimi i Perëndisë për një perëndishmëri të tillë është i njëjtë me atë të vajzës dhe gruas së re të krishterë, domethënë, “që fjala e Perëndisë të mos blasfemohet”.

Fjala e Perëndisë blasfemohet kur ajo kundërshtohet, fyehet ose shpifet. Kjo ndodh kur Fjala e Perëndisë nuk jep te një besimtar qërrëfen me gojë efektin që duhet të jepte, domethënë, që ai të përpiqet gjithmonë të mohojë veten. Një i krishterë që rrëfen me gojë por që është egoist dhe që i shërben vetvetes, e kthen në tallje rrëfimin e tij. Dhe ai u jep shkas të paperëndishmëve të tallen me Perëndinë dhe me Fjalën e Tij.

Nga ana tjetër, i krishteri që me përulësi rrëfen me gojë dobësitë dhe mëkatet e tij, dhe që me lutje përpiqet t’i bindet Perëndisë dhe Fjalës së Tij, bëhet shkak për lëvdimin e Atit të tij në qiell (Mateu 5:16). Të ligjtë gjithmonë tallen dhe blasfemojnë, por fakti që fjalët e tyre janë vetëm gënjeshtra, bëhet i qartë përmes veprimeve të perëndishme të të krishterit. Jeta e perëndishme i përgënjeshtron fjalët e tallësve dhe tregon se ato janë të rreme. Jeta e perëndishme jep një përgjigje më të mirë se të gjitha fjalët tona që mohojnë fjalët e tyre. Le të jetë jeta jonë ajo që i kundërshton dhe i bën të heshtin gënjeshtrat e tyre.

Të rinjtë e krishterë dhe të matur i sjellin nderim Perëndisë dhe mësimeve të Fjalës së Tij. Ky nderim jepet tani në këtë jetë, por veçanërisht në ditën e gjykimit. Le ta nxisë vetëdija për këtë fakt të riun e krishterë drejt niveleve më të larta të perëndishmërisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes