Mënyra e Kalvinit për Kremtimin e Sakramentit të Darkës së Zotit
Marrë dhe përshtatur nga “Preces Ecclesiastics”
Kjo pjesë e veçantë e liturgjisë vjen nga Zhan Kalvin, me përjashtim të “Lutjes së Shenjtërimit”, e cila vjen nga Liturgjia e Gjenevës; dhe “Mënyra e veçimit të elementeve”, që vjen nga Direktoria e Adhurimit.
MËNYRA E KREMTIMIT
TË
SAKRAMENTIT TË DARKËS SË ZOTIT
Shërbesa mund të fillojë me këndimin e një Psalmi sakramental, e ndjekur nga këto lutje.
Lutja e Zotit
Ati ynë që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell. Bukën tonë të përditshme na e jep sot. Dhe na i fal fajet tona, sikurse edhe ne ua falim fajtorëve tanë. Dhe mos na lejo të biem në tundim, por na çliro nga i ligu; sepse jotja është mbretëria, fuqia dhe lavdia përjetë. Amen.
Thirrja
O Perëndi shumë i hirshëm! Biri yt shumë i dashur një herë e përgjithmonë ofroi trupin dhe gjakun e Tij mbi Kryq për faljen e mëkateve tona, dhe na i dhuron ato si ushqim e pije për jetën e përjetshme: Na jep hir që, me zemra të sinqerta dhe dëshira të zjarrta, ta pranojmë këtë bekim të madh nga dora jote. Bëj që me besim të gjallë të marrim pjesë në trupin dhe gjakun e Tij, po, në Vetë Atë, Perëndi i vërtetë dhe njeri i vërtetë, atë bukë të vetme nga qielli që u jep jetë shpirtrave tanë. Mos na lër më të jetojmë për veten tonë, sipas natyrës së prishur dhe mëkatare; por jetoftë Ai në ne, dhe na udhëheqtë drejt jetës që është e shenjtë, e bekuar dhe e pandryshueshme përjetë. Kështu të bëhemi pjesëmarrës të Besëlidhjes së re dhe të përjetshme, që është Besëlidhja e hirit. Dhe kështu na siguro për dëshirën tënde për të qënë kurdoherë Ati ynë i hirshëm; duke mos na i llogaritur mëkatet tona, por, si trashëgimtarët dhe bijtë e tu të dashur, duke na pajisur me gjithçka të nevojshme për të mirën tonë, që si me veprat, ashtu edhe me fjalët tona, të madhërojmë emrin tënd. Na përgatit, o Atë qiellor, që në këtë kohë ta kremtojmë siç duhet kujtimin e bekuar të Birit tënd të dashur. Na mundëso të vështrojmë me dobishmëri dashurinë e Tij dhe të shfaqim mirësitë e vdekjes së Tij; që, duke marrë rritje të re në fuqi, në besimin tënd dhe në të gjitha veprat e mira, të mundemni me më shumë besim të të thërrasim Ati ynë, dhe të gëzohemi përgjithmonë në ty; përmes Jezu Krishtit, Shpenguesit tonë. Amen.
Le të dëshmojmë tani besimin tonë në doktrinën e fesë së krishterë, në të cilën ne të gjithë synojmë, përmes hirit të Perëndisë, të jetojmë dhe të vdesim.
Besorja
Unë besoj në Perëndinë, Atin e Gjithëpushtetshëm, Krijuesin e qiellit dhe të tokës; dhe në Jezu Krishtin, Birin e Tij të vetëm, Zotin tonë; i cili u ngjiz nga Fryma e Shenjtë, lindi nga Virgjëresha Mari, vuajti nën Ponc Pilatin, u kryqëzua, vdiq dhe u varros; zbriti në ferr; të tretën ditë u ringjall prej së vdekurish; u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Perëndisë, Atit të Gjithëpushtetshëm; prej andej do të vijë të gjykojë të gjallët dhe të vdekurit. Unë besoj në Frymën e Shenjtë; Kishën e Shenjtë të përgjithshme (Katolike); bashkësinë e shenjtorëve; faljen e mëkateve; ringjalljen e trupit; dhe jetën e përjetshme.
Amen.
Pastaj vijon Nxitja, e paraprirë nga fjalët e themelimit, nga 1 Korintasve 11:23–30.
Nxitja
Dëgjoni fjalët e themelimit të Darkës së Shenjtë të Zotit tonë Jezu Krisht, siç na janë dorëzuar nga apostulli Pal:
Sepse unë mora nga Zoti atë që ju transmetova edhe juve: se Zoti Jezus, në atë natë që po tradhëtohej, mori bukë; dhe si falënderoi, e theu dhe tha: “Merrni, hani; ky është trupi im që thyhet për ju; bëni këtë në përkujtimin tim.” Gjithashtu, pas darkës, mori edhe kupën duke thënë: “Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim; bëni këtë sa herë që ta pini, në përkujtimin tim.” Sepse sa herë të hani nga kjo bukë dhe të pini nga kjo kupë, ju shpallni vdekjen e Zotit derisa Ai të vijë. Prandaj, ai që ha nga kjo bukë ose pi nga kjo kupë e Zotit padenjësisht, do të jetë fajtor i trupit dhe gjakut të Zotit. Por njeriu le të shqyrtojë vetveten dhe kështu të hajë nga buka e të pijë nga kupa. Sepse ai që ha dhe pi padenjësisht, ha dhe pi një dënim për veten e tij, sepse nuk e dallon trupin e Zotit.
Ne kemi dëgjuar, vëllezër, se në çfarë mënyre Zoti ynë e kremtoi Darkën me dishepujt e Tij; prej nga shohim se ata që nuk janë nga bashkësia e besimtarëve, nuk duhet t’i afrohen asaj. Prandaj, në bindje ndaj këtij rregulli, në emër dhe me autoritetin e Zotit tonë Jezu Krisht, unë i paralajmëroj të gjithë idhujtarët, blasfemuesit, përbuzësit e Perëndisë, heretikët, të gjithë ata që janë rebelë kundër prindërve, të gjithë grindavecët, përçarësit, dhunuesit dhe të gjithë ata që bëjnë jetë të prishur e të ligë, që të përmbahen nga kjo Tryezë, që të mos ndotin ushqimin e shenjtë që Zoti ynë ua jep vetëm shërbëtorëve të Tij besnikë. Secili prej jush, pra, sipas nxitjeve të apostullit Pal, le të shqyrtojë ndërgjegjen e vet, për të parë nëse ka pendim të vërtetë dhe pikëllim për mëkatet e veta; nëse dëshiron që këtej e tutje të jetojë një jetë të shenjtë dhe të perëndishme; mbi të gjitha, nëse e mbështet gjithë besimin e tij në mëshirën e Perëndisë dhe kërkon shpëtimin e tij të plotë te Jezu Krishti; dhe duke hequr dorë nga çdo armiqësi dhe ligësi, synon vërtetë dhe sinqerisht të jetojë në harmoni dhe dashuri vëllazërore me të afërmin e tij.
Nëse e kemi këtë dëshmi në zemrat tona përpara Perëndisë, nuk duhet të dyshojmë se Ai na pranon si bijtë e Tij, dhe se Zoti ynë Jezus na drejton fjalën e Tij, duke na pranuar në Tryezën e Tij dhe duke na paraqitur këtë Sakrament të shenjtë që Ai u jep pasuesve të Tij. Dhe megjithëse ndiejmë shumë dobësi dhe mjerime në veten tonë – që nuk kemi besim të përsosur dhe nuk i jemi dhënë shërbimit të Perëndisë me zellin që duhet, por na duhet çdo ditë të luftojmë me dëshirat e mishit tonë – megjithatë, duke qënë se Zotit i ka pëlqyer me hir ta gdhëndë Ungjillin e Tij në zemrat tona dhe na ka mundësuar ti bëjmë ballë cdo pabesie; dhe na ka dhënë këtë dëshirë të sinqertë për të hequr dorë nga mendimet tona dhe për të ndjekur drejtësinë dhe urdhërimet e Tij të shenjta, jemi të sigurt se mëkatet dhe papërsosmëritë e mbetura nuk na pengojnë që të pranohemi nga Perëndia dhe të bëhemi pjesëmarrës të denjë të këtij ushqimi shpirtëror. Sepse ne nuk vijmë në këtë Darkë për të dëshmuar se jemi të përsosur dhe të drejtë në veten tonë; por përkundrazi, duke kërkuar jetën tonë te Jezu Krishti, ne pranojmë se gjendemi në mes të vdekjes. Prandaj, le ta shohim këtë Sakrament si një ilaç për ata që janë të sëmurë shpirtërisht; dhe të konsiderojmë se e gjithë denjësia që Zoti ynë kërkon është që ne të njohim me të vërtetë se jemi të penduar për mëkatet tona dhe të gjejmë kënaqësinë, gëzimin dhe ngushëllimin tonë vetëm tek Ai atje lart.
Së pari, pra, ne duhet të besojmë këto premtime që Jezu Krishti, i cili është e Vërteta e Pagabueshme, i ka shpallur me vetë buzët e Tij: se Ai dëshiron vërtetë të na bëjë pjesëmarrës të trupit të Tij dhe të gjakut të Tij, me qëllim që ne ta zotërojmë plotësisht Atë, që Ai të jetojë në ne dhe ne në Të. Dhe megjithëse ne këtu shohim vetëm Bukën dhe Verën, le të mos dyshojmë se Ai do ta përmbushë shpirtërisht në shpirtrat tuaj gjithçka që Ai shfaq përjashta me këto shenja të dukshme: Ai do ta tregojë Veten si Buka qiellore, për të na ushqyer dhe rritur për jetën e përjetshme. Le të mos jemi mosmirënjohës ndaj mirësisë së pafundme të Zotit tonë, i cili shpalos të gjitha pasuritë e Tij në këtë Tryezë, për t’i shpërndarë ndër ne. Sepse, duke na dhënë Veten e Tij, Ai dëshmon se gjithçka që Ai ka është e jona. Gjithashtu, le ta marrim këtë Sakrament si një peng, që virtyti i vdekjes dhe i mundimeve të Tij na llogaritet ne për drejtësi, sikur ne vetë ti kishim vuajtur në personat tanë. Askush të mos tërhiqet mbrapsht me kokëfortësi, kur Jezusi e fton me butësi përmes Fjalës së Tij. Por, duke konsideruar dinjitetin e dhuratës së Tij të çmuar, le t’i paraqitemi Atij me një zell të zjarrtë, që Ai të na bëjë të aftë për ta marrë atë.
Dhe tani, për këtë qëllim, ngrini mendjet dhe zemrat tuaja lart, atje ku Krishti qëndron në lavdinë e Atit të Tij, prej nga ne presim ardhjen e Tij për shpengimin tonë. Mos u ndalni te këto elemente tokësore dhe të prishshme që i shohim me sytë tanë dhe i prekim me duart tona, për ta kërkuar Atë në to, sikur Ai të ishte i mbyllur në bukë ose në verë. Mjaftohuni t’i keni këtë bukë dhe këtë verë si dëshmitarë dhe shenja; duke kërkuar shpirtërisht të vërtetën atje ku Fjala e Perëndisë ka premtuar se do ta gjejmë. Sepse vetëm atëherë shpirtrat tanë do të jenë të prirur të lypin ushqim dhe jetë nga substanca e Tij, kur të jenë ngritur kështu mbi të gjitha gjërat e kësaj bote, deri në qiell, dhe të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë, ku Ai banon.
Lutja e Shenjtërimit
O Zot Perëndi! Ati i Zotit tonë Jezu Krisht! Ti që je mirësi e pafundme dhe dashuri e përsosur! Ne të sjellim saktificën e lëvdimit tonë dhe ofertën e falënderimeve tona, për dhuratën tënde të paçmuar duke dërguar Birin tënd në botë; duke e dorëzuar për të vdekur për ne të gjithë; dhe duke na ftuar të marrim pjesë në frytet e shlyerjes së Tij në Tryezën e kësaj gostie të shenjtë. O Zot, çfarë jemi ne që të marrim kaq mirësi të paçmueshme nga dora jote? Si mund ta tregojmë denjësisht mirënjohjen tonë ndaj teje? Qiejt dhe toka janë plot me shenja të bujarisë sate; por veçanërisht ti e shfaq dashurinë tënde në këtë, që ndërsa ne ishim ende mëkatarë, Krishti vdiq për ne. Prano, o Zot Perëndia ynë, adhurimin e popullit tënd. Dhe mundëso që ne, duke marrë pjesë në këtë Sakrament të shenjtë, në të cilin jemi mirëpritur prej hirit tënd, të bashkohemi tani me lidhjet e besimit të gjallë dhe të shenjtërisë së vërtetë me Shpëtimtarin tonë; ashtu që këtej e tutje të mos jetojmë më për veten tonë, por që Ai të jetojë në ne, për të na udhëhequr drejt asaj jete të bekuar që nuk do të ketë fund.
Ati i mëshirave! Ti që nuk e kurseve Birin tënd të vetëmlindur, por e dorëzove Atë në vdekje për ne të gjithë; dhe na solle në bashkësinë e Tij që të marrim jetën e përjetshme: ne, shërbëtorët e tu, me një ndjenjë të gjallë për dhuratën tënde të çmuar, po të kushtohemi tani tërësisht ty. Ne të paraqesim trupat dhe shpirtrat tanë si një sakrificë të gjallë dhe të shenjtë. Dhe meqë ti na ke dashur kaq shumë, ne e pranojmë se jemi të detyruar ta duam njëri-tjetrin. Gdhendi në zemrat tona, o Perëndi, këto prirje të shenjta, që duke kremtuar kujtimin e Birit tënd të dashur, besimi ynë të rritet dhe forcohet, dashuria jonë të shtohet dhe shenjtërimi ynë të përparojë, deri sa të bëhemi të denjë për trashëgiminë e shenjtorëve të tu në dritën e përjetshme. Na dëgjo, o Atë i mëshirave! Ne kërkojmë gjithcka në emrin e Birit tënd shumë të dashur, Jezu Krishtit, Zotit tonë; Atij, ashtu si ty dhe Frymës së Shenjtë, një Perëndi i vetëm, i qoftë nderi, lëvdimi dhe madhërimi tani, këtej e tutje dhe përjetë.
Amen.
Pastaj plaku duhet të marrë Bukën dhe ta thyejë, përpara syve të njerëzve, duke thënë:
Zoti ynë Jezu Krisht, atë natë kur u tradhtua, pasi mori bukën, e bekoi dhe e theu, ua dha dishepujve të Tij; ashtu si unë, duke shërbyer në emrin e Tij, jua jap këtë bukë juve, duke thënë: [këtu buka shpërndahet] merrni, hani; ky është trupi im që thyhet për ju; bëni këtë në përkujtimin tim.
Pasi të ketë dhënë Bukën, ai duhet të marrë kupën dhe të thotë:
Në të njëjtën mënyrë, Shpëtimtari ynë mori edhe kupën; dhe pasi falënderoi, siç është bërë në emrin e Tij, ua dha dishepujve, duke thënë: [këtu kupa jepet] kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim, i cili derdhet për shumë njerëz për faljen e mëkateve; pini të gjithë prej saj. Sepse sa herë që hani nga kjo bukë dhe pini nga kjo kupë, ju shpallni vdekjen e Zotit derisa Ai të vijë.
Plaku vetë duhet të marrë pjesë në kohën që i duket më e përshtatshme.
Pastaj të këndohet një Psalm falënderimi.
Mbledhja për të varfrit mund të bëhet pas kësaj.
Pastaj plaku duhet të lutet dhe të falënderojë Perëndinë.
Falenderimi
Atë qiellor! Ne të japim lavdi dhe falënderim të pavdekshëm që mbi ne, mëkatarë të varfër, ke dhënë një mirësi kaq të pasur, sa na solle në bashkësinë e Birit tënd Jezu Krisht, Zotit tonë. Atë, pasi e dorëzove në vdekje për ne, na e ke dhënë si ushqim dhe ushqyerje për jetën e përjetshme. Tani na jep gjithashtu hir, që të mos jemi kurrë harrues të këtyre gjërave; por duke i mbajtur ato të gdhendura në zemrat tona, le të përparojmë dhe të rritemi në atë besim që është i frytshëm për çdo vepër të mirë. Kështu pjesa tjetër e jetës sonë u rregulloftë dhe u vazhdoftë për lavdinë tënde dhe për të mirën e njerëzve tanë: përmes Jezu Krishtit, Zotit tonë; i cili me ty, o Atë, dhe me Frymën e Shenjtë, jeton dhe mbretëron në unitetin e Hyjnisë, në jetë të jetëve.
Amen.
Bekimi
Tani Perëndia i paqes, që e ringjalli prej së vdekurish Zotin tonë Jezus, Bariun e madh të deleve, me anë të gjakut të besëlidhjes së përjetshme, ju bëftë të përsosur në çdo vepër të mirë për të bërë vullnetin e Tij, duke vepruar në ju atë që është e pëlqyeshme përpara Tij, përmes Jezu Krishtit; të cilit i qoftë lavdia në shekuj të shekujve. Amen.