Njeriu mëkaton, dhe Perëndia vdes!

mekaton

Lewis Bayly, “Ushtrimi i Përshpirtshmërisë”, 1611

“Krishti vdiq për të pabesët.” Romakëve 5:6

Çfarë kishe bërë Ti, o Shpëtimtari im i ëmbël dhe Shpenguesi im i bekuar përjetë, që u tradhtove kështu nga Juda, u shite te judenjtë, u kape si një keqbërës, dhe u dërgove i lidhur si një qengj për në thertore? Ç’të keqe kishe bërë, që të dilje hapur në gjyq, të akuzoheshe në mënyrë të rreme dhe të dënoheshe padrejtësisht? Cili ishte faji yt? Kujt i bëre ndonjë të keqe, që të . . .
të rrihnin me kamxhik,
të kurorëzonin me gjemba,
të përçmonin me fjalë,
të godisnin me grushta,
të rrihnin me shkopinj?

O Zot, çfarë bëre Ti që të meritonte të pështyhej fytyra jote e bekuar, e mbuluar me turp; që duart e këmbët e tua të përshkoheshin me gozhda; që të ngriheshe në pemën e mallkuar; të kryqëzoheshe ndër kriminelë, e të të jepej të pije vrer e uthull; dhe në çastin e agonisë tënde vdekjeprurëse, të duroje një det të tërë zemërimi të Perëndisë, aq sa të klithje sikur të ishe braktisur nga Ati yt; po, të shpoheshe zemra jote e pafajshme me një heshtë mizore, dhe gjaku yt i çmuar të derdhej para syve të nënës sate së bekuar?
O Shpëtimtar i ëmbël, sa shumë u mundove për të duruar gjithë këtë, kur unë dridhem vetëm duke e menduar!

Cila është pra shkaku, o Zot, i kësaj turpërimi, vuajtjeje dhe vdekjeje tënde?
Unë, o Zot, unë jam shkaku i këtyre hidhërimeve të tua!

Mëkatet e mia sollën turpin tënd;
paudhësitë e mia janë shkaku i plagëve të tua;
unë kam kryer fajin, dhe Ti je ndëshkuar për të;
unë jam fajtor, dhe Ti je nxjerrë në gjyq;
unë kam mëkatuar, dhe Ti ke pësuar vdekjen;
unë kam bërë krimin, dhe Ti je varur në kryq!

Oh, thellësia e dashurisë së Perëndisë!
Oh, mrekullia e thellësisë e hirit qiellor!
Oh, masa e pakufishme e mëshirës hyjnore!

I pabesi shkel ligjin, dhe i drejti dënohet;
fajtori lirohet, dhe i pafajshmi akuzohet;
krimineli shpallet i pafajshëm, dhe i dëliri dënohet;
atë që e meriton njeriu i lig, e vuan Perëndia i shenjtë!

Ç’të them? Njeriu mëkaton, dhe Perëndia vdes!

O Bir i Perëndisë! Kush mund të shprehë mjaftueshëm . . .
dashurinë tënde,
mëshirën tënde,
lavdinë tënde?

Unë isha krenar, dhe Ti u përule;
unë isha i pabindur, dhe Ti u bëre i bindur;
unë hëngra frutin e ndaluar, dhe Ti u vare në pemën e mallkuar;
epshi im i keq më tërhoqi të ha mollën e këndshme,
dhe dashuria jote e përsosur të shtyu të pije kupën e hidhur;
unë shijova ëmbëlsinë e frutit,
dhe Ti shijove hidhësinë e vrerit.

O Perëndia im, këtu unë shoh . . .
mirësinë Tënde, dhe ndyrësinë time;
drejtësinë Tënde, dhe padrejtësinë time.

Dhe tani, o Zot i bekuar, Ti i ke duruar të gjitha këto për hirin tim; çfarë do të jap unë Ty për të gjitha të mirat që më ke bërë mua, një shpirt mëkatar? Çfarë do të të jap Ty, që, në dashurinë Tënde të pafundme, e dorëzove vetveten në një vdekje aq të tmerrshme, për të siguruar shpëtimin tim?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes