Miqësitë

Miqesite

Miqësitë
J.R. Miller (1840–1912)

“Mos u gënjeni; shoqëritë e këqija prishin zakonet e mira.” 1 Korintasve 15:33

Të gjithë kanë nevojë për miq. Sa më i zënë që të jetë dikush, sa më e pasur që të jetë natyra e tij, dhe sa më shumë që të jetë duke jetuar për të tjerët, aq më shumë atij i duhet një mik ose disa miq, jetët e të cilëve ndërlidhen me jetën e tij, dhe në dashurinë e të cilëve ai mund të pushojë. Miqësia është toka ku zemrat e vërteta rriten më mirë. Për mungesë të saj, shumë jetë me mundësi të bukura thahen dhe humbasin. Se cilët lloj miqsh të rinjtë duhet të zgjedhin është një çështje me rëndësi jetike.

Alpinistët zviceranë që ngjitin malet, lidhen bashkë me një litar, që të mbështesin njëri-tjetrin. Por ndonjëherë, njëri bie dhe tërheq edhe të tjerët drejt vdekjes. Miqtë me të cilët lidhemi, do të na ndihmojnë ose të ngrihemi drejt bukurisë së karakterit, ose do të na tërheqin poshtë.

Miku që ne zgjedhim duhet të jetë dikush që do të jetë i durueshëm me të metat tona. Ai duhet të jetë dikush që nuk do të na braktisë kur të zbulojë papërsosmëritë tona. Jo çdo miqësi mund t’i rezistojë këtij testi. Njerëzit nuk na njohin tërësisht, me një vështrim të vetëm. Ne tregojmë fytyrën shoqërore dhe veshjet tona shoqërore në publik, dhe kur admiruesit tanë na shohin më nga afër, ndonjëherë ata zbulojnë njolla dhe dobësi të papritura. Ne shpesh i admirojmë shumë njerëzit kur njohja jonë me ta është vetëm e vogël. Ata duken shumë të butë dhe të bukur. Por kur krijohen marrëdhënie më të afërta, ne zbulojmë tek ata cilësi jo të bukura. Egoizmi fshihet pas mirësjelljes së dukshme. Vrazhdësia dhe mungesa e rafinimit janë të fshehura pas iluzionit të kulturës. Ne gjejmë dobësi që prishin forcën që kemi admiruar.

Në zgjedhjen e miqve, ne kemi nevojë për ata që nuk do të ikin nga ne kur zbulojnë të metat tona. Miqësia e vërtetë duhet të na pranojë për më të mirën dhe për më të keqen. Ajo nuk duhet të ftohet nga defektet tona, por duhet të jetë e durueshme me to. Ne kemi nevojë për ata miq që, kur ata të njohin gjithçka për ne dhe të mësojnë pikat tona të dobëta, cilësitë jo të bukura në karakterin dhe natyrën tonë, siç ndodh në kontakt të ngushtë të miqësisë, të mbeten ende miqtë tanë, më të vërtetë se kurrë, dhe më të butë dhe më të durueshëm.

Për më tepër, miku që ne mund të zgjedhim me siguri, duhet të jetë ai, miqësia e të cilit do të jetë bekim për ne. Çdo miqësi lë një shenjë në jetën tonë. Ka ndikime që dëmtojnë, dhe ka ndikime që janë bekime. Zemrat e të rinjve janë kaq delikate në bukurinë e pafajësisë së tyre të paprekur, aq sa edhe një fllad i keq i njollos. Ty nuk ta mban xhepi që të marrësh në jetën tënde për një orë, një shoqëri të papastër. Ajo do të lërë një kujtim që do të qëndrojë si një hije mbi shpirtin tënd, edhe në shtratin e vdekjes.

Miqësia e vërtetë nënkupton ndihmë reciproke. Ajo nuk është gjithçka nga njëra anë. Miqtë duhet të jenë bashkëpuntorë në mbajtjen e barrave. Çfarë ka njëri, tjetri ndan. Kur ka miqësi të vërtetë, gjithmonë ka dy palë shpatulla nën çdo barrë.

Disa, janë të gatshëm që të shërbehen, por në kthim, nuk duan të shërbejnë. Të gjitha xhelozitë, ankesat për neglizhencë ose fyerje, dhe të gjitha kërkesat për vëmendje, janë cilësi, jo miqësie por të egoizmit lakmitar. Në zgjedhjen e miqve ne duhet t’i kushtojmë vëmendje këtij aspekti.

Nëse një vajzë shikon që djali që do është kërkues, tiranik, xheloz, diktatorial, atëherë le të ketë kujdes! Dashuria e tij mund të shndërrohet në një kurorë me gjemba kur ajo të bëhet gruaja e tij!

Ne duhet të kërkojmë të kemi miq ata që kurrë nuk do të lodhen së mbarturi barrët tona. Ne do të kemi hidhërime. Hijet do të përhapen mbi ne. Reputationi ynë mund të sulmohet. Ne mund të bëhemi një barrë, të paaftë për të dhënë diçka në kthim, përveçse dashurisë mirënjohëse. Ai që pranon të jetë miku ynë, merr mbi vete shumë mundësi për të mbartur barrë. Miqtë që ne zgjedhim duhet të jenë të tillë që të mos lodhen nga këto shërbime të kushtueshme nëse ato kërkohen.”

“Miku lind për ditë të vështira,” tha njeriu i mençur. “Miku duhet të mbajë dobësitë e mikut,” thotë një fjalë e urtë. Miku ynë duhet të na pranojë dhe të jetë i gatshëm të ndajë hidhërimin ose dobësinë tonë, dhe kurrë të mos lodhet duke na ndihmuar.

Ekzistojnë miqësi njerëzore që e bëjnë këtë. Më e shenjtë ndër to është miqësia e babait ose nënës. Ju keni parë një fëmijë që rritet i deformuar, i verbër, i shurdhër, ose me ndonjë tjetër problem që e bënte gjithmonë një barrë dhe përkujdesje. Megjithatë, me kalimin e viteve, zemrat prindërore qëndronin të lidhura me të me dashuri të butë, të durueshme dhe të palëkundur, kurrë të lodhura nga barra, duke shërbyer gjatë githë kohës pothuajse me butësi hyjnore.

Ju keni parë gjithashtu invalidë, që nuk mund të ishin gjë tjetër veçse invalidë, për të cilët duhej të punohej ditë pas dite, t’ju tregohej kujdes vit pas viti, të transportoheshin nga dhoma në dhomë, nëpër shkallë, si foshnja të pambrojtura. Nuk kishte shpresë që ata do të mund të shpërblenin për mundin që kushtuan, ose që barra të lehtësohej, ose që ndonjëherë të mund të ishin gjë tjetër veçse objekte kujdesi.

Megjithatë, ju keni parë miqësi që i përballon edhe këto teste të dhimbshme dhe të kushtueshme. Ju keni parë burra që jetojnë për gratë invalide; dhe gra për burrat e lodhur dhe të dobësuar. Ju keni parë shtëpi të tëra të përkushtuara për një vëlla ose motër invalid.

Edhe jashtë shtëpisë dhe rrethit familjar, ju keni parë miqësi që kurrë nuk u tundën e as u lëkundën nën barrët që nuk mund të lehtësoheshin. Ekzistojnë me të vërtetë miqësi njerëzore të shenjta, bukuria dhe shkëlqimi i të cilave na kujtojnë, mes egoizmit dhe ashpërsisë së botës, se fragmente të shëmbëlltyrës së Perëndisë ekzistojnë ende edhe në jetët e rëna, dhe se është e mundur të rikthehet shkëlqimi qiellor. Të bekuar janë ata që Perëndia u jep si miq, njerëz të tillë të rrallë, jo egoistë dhe të shenjtë!”

“Miku të do në çdo kohë!” Fjalët e Urta 17:17

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes