James Smith, 1859
Dua që të mësojmë nga një ngjarje që më është treguar nga dikush të cilit i besoj se thotë të vërtetën. Unë dua që çdo gjë që dëgjoj të shërbejë për ndonjë të mirë.
Ngjarja ishte kjo: Një vajzë e re kishte shkuar të dëgjonte Fjalën e Perëndisë. Rruga për në shtëpi i kalonte nëpër një pyll. Nata ishte e errët dhe kishte disa shtigje të tjera përveç atij që e çonte në shtëpi. Për shkak të errësirës së natës, gabimisht, ajo mori rrugën e gabuar dhe humbi në pyll. Ishte bërë vonë dhe nuk kishte shtëpi pranë. Frika e pushtoi atë dhe ajo thirri me gjithë fuqinë e saj: “Kam humbur! Kam humbur!” Zëri i saj u dëgjua. Dikush i shkoi në ndihmë. Pasi humbi goxha kohë dhe u alarmua shumë, më në fund, arriti në shtëpi, thellësisht mirënjohëse për shpëtimin e saj. Me siguri, nëse ajo qëndroi zgjuar atë natë në shtratin e ngrohtë, do të ketë menduar për dallimin midis ngushëllimit që po gëzonte dhe endjes nëpër pyll, e ftohtë dhe e mbushur me frikë, gjithë natën.
Përveç kësaj vajze, shumë të tjerë kanë humbur rrugën e tyre nëpër ndonjë pyll, por që nuk janë shpëtuar si ajo! Sa mëshirë e madhe është të kesh pranë dikë që e njeh rrugën dhe të të kthejë në drejtimin e duhur kur ke marrë udhën e gabuar!
Nëse humbet në një pyll, ndoshta dikush mund të jetë afër, dhe duke dëgjuar zërin tënd, të vjen në ndihmë. Por të humbësh në një anije që po fundoset në det, sa e trishtueshme që është! Të shohësh anijen që shpërbëhet, të dëgjosh erërat dhe dallgët që ushtojnë, dhe të mos kesh asnjë anije tjetër në horizont duhet të jetë vërtet e tmerrshme! Kot do të bërtiste i mjeri, “Jam i humbur! Jam i humbur!” Por megjithatë, ndoshta duke u kapur pas ndonjë copë druri të anijes, ashtu, i rraskapitur dhe gjysmë i vdekur, ai mund të shpëtohet.
Por është e mundur të jesh në një rrezik edhe më të madh. Të jesh duke fjetur gjumë dhe papritur zgjohesh dhe e gjen shtëpinë tënde në flakë, me çdo rrugë shpëtimi të prerë, pa asnjë shpresë tjetër përveç një vdekjeje të dhimbshme e të tmerrshme. Në këtë rast, është e kotë të bërtasësh “Kam humbur! Kam humbur!”
Këto janë rreziqe që kanë të bëjnë kryesisht me trupin, por ka rreziqe edhe më të mëdha, shumë më të tmerrshme, që i përkasin shpirtit. Më lejoni t’ju paraqes disa raste.
Rasti i Uilliam Hokins
Uilliam Hokins ishte fëmija i dy prindërve të respektuar. Ai mori një edukim fetar dhe dukej se kishte një të ardhme të mirë. Por ai ra në shoqëri skeptikësh, të cilët e shtynë që të ngrinte arsyen mbi zbulesën e Shkrimeve. Kështu, duke u fryrë nga krenaria, ai ra në shumë gabime të rrezikshme dhe shkatërrimtare! Për sa kohë që dita e ndritshme e shëndetit dhe e mirëqenies zgjati, gjithçka dukej mirë. Por errësira e pikëllimit e zuri, dhe nata e vdekjes u afrua. Ai duhej të shkonte në shtëpi në errësirë, përmes pyllit ku marrëzia e tij e kishte futur. Ai nuk mund të gjente rrugë të sigurt, ai nuk kishte asnjë shpresë për të arritur në Qiell. Ai u alarmua, u alarmua në mënyrë të frikshme. Një ndjenjë e thellë për mëkatin e kapi fort dhe tani, ai pa marrëzinë e tij. Nuk e dinte se çfarë të bënte dhe kë rrugë të merrte. Humbja e shpresës e pushtoi dhe dëshpërimi ishte gati ta bënte pre të vet. Në këtë gjendje ai bërtiti: “Kam humbur! Kam humbur! Kam humbur përgjithmonë!”
Por Perëndia pati mëshirë për të dhe dërgoi dikë ta kapte për dore dhe ta nxirrte nga pylli. Ky mik i paraqiti Krishtin Jezus si Shpëtimtarin e aftë, të gatshëm dhe të vetëm për mëkatarët; dhe i tregoi se Jezusi kishte ardhur posaçërisht për të kërkuar dhe për të shpëtuar të humburit. Ky lajm i thjeshtë i ungjillit u shoqërua me fuqinë dhe bindjen e Frymës së Shenjtë dhe Uilliami filloi të kuptonte se kishte rrugë për të dalë nga pylli. Ai hoqi dorë nga spekulimet e tij, e nënshtroi arsyen ndaj zbulesës, dhe shpresa u ndez në shpirtin e tij. Ai e besoi plotësisht veprën e përsosur të Krishtit, gjeti paqe me Perëndinë, jetoi për pak kohë për të dëshmuar se ungjilli është fuqia e Perëndisë për shpëtim dhe pastaj vdiq i qetë dhe i lumtur. Ai gjeti rrugën për të dalë nga pylli për lavdinë e hirit të lirë.
Rasti i Hana Xhefris
Hana Xhefris, pasi ishte prekur fuqishëm nën Fjalën e Perëndisë dhe shpesh ishte gjunjëzuar në lutje përpara Tij, filloi të bëhej mendjelehtë, si bota dhe u përfshi në shoqëri të ligë. Pas ca kohe, ajo u martua me një jobesimtar dhe vajti nga keq, në keq e më keq. Ajo la pas dore mjetet e hirit, nuk e uli më gjurin në lutje dhe nuk lexonte më Shkrimin e Shenjtë të Perëndisë. Kështu, ajo u bë keq e më keq vit pas viti. Ndërgjegjja e saj e qortonte për një kohë, por pasi asaj i’u rezistua për një kohë të gjatë, heshti. Ajo vazhdoi kështu për një kohë të gjatë. Por erdhën telashet. Sëmundja e rrëzoi dhe vdekja i’u afrua. Kujtesa i solli përsëri pamjet e dikurshme, predikimet e vjetra solemne të harruara. Ajo kujtoi ndjenjat, bindjet dhe rrëfimet e saj të dikurshme. Burri i saj u përpoq ta largonte nga mendimet e trishta por më kot. Ajo u bind thellë për mëkatin, e ndjeu veten fajtore përpara Perëndisë, e dënuar nga ligji i Tij i drejtë. Ajo nuk mund të lexonte Biblën, nuk kishte asnjë mik të krishterë me të cilin mund të fliste, dhe ashtu si ajo krijesë që mbytet në mes të detit, e gjithë shpresa që mund të shpëtohej kishte humbur. Ajo u rrotullua mbi jastëk, rënkoi nga thellësia e shpirtit të saj dhe u dorëzua, e bindur se ishte e humbur.
Por Perëndia pati mëshirë. Në momentin e fundit, Ai i dërgoi një shërbëtor të mëshirës që i tregoi se gjaku i Jezus Krishtit, Birit të dashur të Perëndisë, pastron nga çdo mëkat. Ai i foli asaj si një mëkatare e humbur, si dikush në një gjendje dëshpërimi, por ai solli edhe “varkën e shpëtimit” pranë, dhe e ftoi të hynte brenda. Nga vetë Fjala e Zotit i tregoi se Perëndia është gati të falë dhe pret të jetë i mëshirshëm. Ndërsa i shpaloste karakterin e hirshëm të Perëndisë dhe veprën e përfunduar të Shpëtimtarit, Fryma e Shenjtë i hapi zemrën dhe ajo e pranoi Fjalën me gëzim. Errësira u shpërnda, frika u mund, dhe besimi në Jezusin lindi. Ajo besoi në emrin e Tij, i besoi gjakut të Tij, dhe ia dorëzoi shpirtin duarve të Tij. Kështu, ajo gjeti paqe. Jezusi për të ishte si varka e shpëtimit për detarin e mbytur. Ajo hipi brenda, e dridhur, me frikë për të besuar se ishte e sigurt, por shpejt ajo pa se gjithçka ishte mirë dhe ishte në paqe. Ajo ishte e Humbur! E Humbur! si krijesa në rrezik mbytjeje, por me anë të hirit u shpëtua nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk ishte nga vetja, por dhuratë e Perëndisë.
Rasti i Fineas Halliuell
Fineas Halliuell dikur kishte bërë një rrëfim të madh besimi, ishte anëtar i Kishës dhe i respektuar në shoqëri. Por ai ra në tundim, filloi t’u jepte kënaqësi pasioneve të mishit, dhe në fund hodhi poshtë çdo rrëfim të fesë. Madje, ai shkoi edhe më tej. Ai tallte njerëzit e perëndishëm dhe bënte shaka me gjërat e shenjta. Frekuentonte tavernat dhe bënte humor me fenë. Ai pinte që të shurdhonte zërin e ndërgjegjes deri në atë pikë sa nuk mund të ecte drejt për në shtëpi.
Hap pas hapi, ai ra gjithnjë e më poshtë derisa pësoi një aksident të rëndë. Ai u dërgua në shtëpi dhe mbeti i shtrirë në shtrat. Dëmtimet ishin të brendshme. Dhimbjet i kishte shumë të mëdhaja. Mjeku kishte frikë për jetën e tij. Të gjithë vizitorët ishin të ndaluar, dhe, i lënë i vetëm, mendimet e tij e trazonin thellë. Kujtimet e së kaluarës ndiznin keqardhjet më të hidhura, dhe pritshmëritë e tij për të ardhmen ishin shumë të këqija. Çdo pjesë e Fjalës së Perëndisë që i vinte në mendje, e dënonte dhe kështu u bë i irrituar, i padurueshëm, dhe shumë i mjerë. Ai u përpoq ta forconte veten në trishtimin e tij por nuk mundej. Ai u përpoq të heshtte ndërgjegjen e tij por ajo fliste. Ungjilli i’u shpall por ai nuk mund të besonte. Ai e largonte çdo gjë që mund ta ngushëllonte, por e besonte me zemër çdo gjë që e dënonte. Gradualisht ai ra në dëshpërim të zi; dëmtimet e tij u bënë fatale dhe ai vdiq në errësirë dhe tmerr. Perëndia dukej se qeshte me fatkeqësinë e tij. Ai ishte si ajo krijesa në papafingon e shtëpisë që digjet. Ai nuk mund të shikonte rrugë shpëtimi, dhe gjithcka që mbeti ishte që të digjej në flakë. Fjala e Zotit u përmbush fjalë për fjalë: “Dhe ndodhi që, mbasi ai thërriste dhe ata nuk ia vinin veshin, ata thirrën dhe unë nuk ua vura veshin”, thotë Zoti i ushtrive.” (Zakaria 7:13).
Lexues, cili është gjendja jote? A je i shpëtuar, apo je i humbur? Gabimi na fut në pyll dhe aty ne humbasim. Por klithma e pikëllimit shpesh sjell dikë që na ndihmon të dalim nga kurthi i djallit. Ka një rrugë për të dalë nga gabimi më i madh, për te shtegu i së vërtetës dhe në rrugën e shpëtimit. Por shpesh ajo gjendet vetëm pas shumë trishtimi dhe vuajtje. Prandaj ki kujdes, që, i rrëmbyer nga mashtrimi i të ligjve, se mos bie nga qëndrueshmëria jote.
Mos i lejo vetes, sepse shumë kanë humbur në atë pyll dhe kanë humbur përgjithmonë! Mëkati na vë në rrezik të madh. Ai përmbyt anijen dhe e lë në mëshirën e dallgëve dhe erërave. Oh, sa shumë veta vuajnë, të kapur pas ndonjë cope të anijes, përpara se varka e shpëtimit të shfaqet në horizont! Dhe jo vetëm kaq. Megjithëse varka e shpëtimit nxjerr disa prej krijesave të mjera, ka shumë që nuk e arrijnë kurrë atë, por mbyten në mjerim dhe vajtim!
Mos luaj me gjërat e shenjta. Tani ka shpresë, por nata po afrohet, dhe atëherë mund të mos ketë më. Varka e shpëtimit e hirit të lirë është pranë teje tani; ti mund të hidhesh brenda dhe të udhëtosh i sigurt drejt tokës së Emanuelit. Por së shpejti ajo do të zhduket përgjithmonë nga sytë e tu. Të luash me bindjet dhe të zhytesh në mëkat, nën një maskë fetare, është rreziku më i madh nga të gjitha. Rrallë shpëton dikush nga kjo gjendje. Ashtu si ajo krijesa në papafingon që digjet, zakonisht s’ka shpëtim. Është e pamundur t’i ripërtërish disa për pendesë. Ata tërhiqen drejt humbjes. Duke parë prapa si gruaja e Lotit, ata nuk janë të përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë dhe prandaj humbasin.
O lexues, nëse je një rrëfyes i fesë, ki kujdes! Fryma e Shenjtë të thërret të kesh kujdes. Dëgjo fjalët e Tij: “Të ketë kujdes ai që mendon se qëndron, se mos bie.” “Ki kujdes që të mos mashtrohesh.” “Kini kujdes, që të mos ketë në asnjërin prej jush një zemër të keqe mosbesimi, që largohet nga Perëndia i gjallë.” Bëj punë të sigurt për përjetësinë, mik. Ti mund të humbasësh në pyllin e gabimit; ose mund të humbasësh në anijen e përmbytur të mëkatit; apo mund të humbasësh edhe nën një maskë fetare, me mendime të larta dhe shpresa të rreme, si njeriu që u dogj për vdekje në papafingo.












