Shtrembërimet Dispensacionaliste ~ Drejt Një Sistemi të Mbushur me Shtrembërim, Gabim dhe Madje Absurditet
Dhe Jezusi duke u përgjigjur u tha atyre: Ruhuni se mos ju mashtron ndokush!
Mateu 24:4
Një seri e shkurtër nga Ken Gentry
Një seri me 6 pjesë
Përkthyer nga Fortheloveofhistruth
____
Shtrembërimet Kristologjike në Dispensacionalizëm
Në këtë dhe në disa buletine të ardhshme, unë do të theksoj tri lloje shtrembërimesh që gjenden në dispensacionalizmin klasik popullor. Këto shtrembërime janë të dëmshme për një botëkuptim të ekuilibruar të krishterë. Në këtë seri të shkurtër kam zgjedhur të trajtoj gabimet klasike dispensacionaliste në fushat e kristologjisë, historisë së shpengimit dhe përparimit historik bashkëkohor. Sigurisht, ka edhe shumë fusha të tjera që mund të shqyrtoja.
Përpara se të filloj, duhet kuptuar se, si në çdo sistem, do të ketë disa mospajtime të brendshme midis ndjekësve të tij. Aspektet që kam zgjedhur për shqyrtim janë gjerësisht të përhapura, edhe pse disa hollësi të veçorive të mëposhtme debatohen nga teologët dispensacionalistë. Gjithashtu vërej se nuk do të merrem me variantin më të fundit të dispensacionalizmit, “dispensacionalizmin progresiv”. Kjo sepse jam më i shqetësuar për ndikimin e jashtëzakonshëm të formës më të vjetër, e cila qëndron pas shumë librave që shiten me miliona kopje dhe gjenden në libraritë e krishtera kudo. Ndikimi i tij është po aq i madh sa edhe shitjet e tij.
Gabimi: “Mbretërimi i Krishtit është i Ardhshëm”
Së pari, dispensacionalizmi popullor mohon praninë bashkëkohore të mbretërisë së Krishtit, pavarësisht mësimit të qartë të Shkrimit. Thomas Ice shkruan: “Çfarëdo dinamike që Perëndia u ka dhënë besimtarëve sot, nuk do të thotë se mbretëria mesianike është këtu. Ne e shohim atë si plotësisht të ardhshme.” [1]
Pikëpamja dispensacionaliste kërkon praninë fizike të Krishtit në tokë, që Ai të sundojë mbi mbretërinë e Tij. Dispensacionalistët shpesh thonë: “Nuk mund ta kesh mbretërinë të pranishme pa praninë e mbretit.” Sigurisht, një problem i menjëhershëm me këtë pohim është se Satani ka një mbretëri të ligë të pranishme (Mat. 12:26; Gjoni 12:31; 14:30; 16:11), edhe pse ai është i pranishëm vetëm shpirtërisht (Ef. 2:2; 2 Kor. 4:4; Ef. 6:12). Por një problem më serioz është se Krishti mësoi qartë se Ai e themeloi mbretërinë e Tij kur erdhi në tokë. Le të shqyrtojmë disa prova.
Te Marku 1:14–15, herët në shërbesën e Tij, Krishti tha: “U mbush koha dhe mbretëria e Perëndisë është afër.” Vini re se koha e caktuar profetikisht kishte ardhur; mbretëria u shpall afër, jo 2000 (ose më shumë!) vite larg. Pak më vonë, ndërsa Ai ushtronte pushtet mbi Satanin, Zoti vuri në dukje: “Por, nëqoftë se unë i dëboj djajtë me anë të Frymës së Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur në mes tuaj.” (Mat. 12:28).
Krishti madje profetizoi se ardhja e saj me fuqi të madhe do të dëshmohej nga dëgjuesit e Tij: “Në të vërtetë ju them se midis jush, që jeni këtu, ka disa që nuk do ta shijojnë vdekjen derisa të shohin të vijë me fuqi mbretëria e Perëndisë.” (Marku 9:1). [2] Nuk duket të ketë rrugëdalje nga fakti se disa që qëndronin në praninë e Jezusit do të jetonin (“nuk do të shijojnë vdekjen”) deri në atë kohë. Edhe pse nga vetë shprehja nënkuptohet se disa do ta shijonin vdekjen përpara asaj ngjarje. Si rrjedhim, Krishti mëson se ardhja e mbretërisë “me fuqi” do të ndodhte në atë brez, edhe pse ajo do të ndodhte pak më vonë se momenti kur foli Jezusi (për rrjedhojë, nuk është Shpërfytyrimi vetëm gjashtë ditë më vonë).
Kështu, te Kolosianëve 1:13 Pali shkruan për shpëtimin tonë të tanishëm: “Ai na nxori nga pushteti i errësirës dhe na zhvendosi në mbretërinë e Birit të Tij të dashur.” Gjoni pajtohet te Zbulesa 1:6, 9: “Dhe na bëri mbretër dhe priftërinj për Perëndinë dhe Atin e Tij… Unë, Gjoni, që jam edhe vëllai juaj dhe bashkëpjesëtar në shtrëngimin, në mbretërinë dhe në durimin e Jezu Krishtit.” Në fakt, ne tani po mbretërojmë me Krishtin, sepse Pali thotë te Efesianëve 2:6 se Ai “na ringjalli bashkë dhe na uli bashkë në vendet qiellore në Krishtin Jezus” (krah. Rom. 6:5; 8:17; Kol. 2:13; 3:1–3; Zbul. 20:4).
Dispensacionalizmi shtrembëron mësimin e Krishtit për ardhjen e mbretërisë së Tij, pavarësisht qartësisë së mësimit të Tij për këtë çështje. Me fjalë të tjera, një arsye madhore për ardhjen e parë të Krishtit ishte që Ai të fronëzohej lavdishëm si Mbret Mesianik (Isa. 9:6–7; Luka 24:26; Gjoni 12:23; 17:5; 18:37; Veprat 2:30–34; 1 Pjet. 1:11), një kuptim që humbet në dispensacionalizmin klasik!
Në artikullin tim të ardhshëm do ta përfundoj studimin e shtrembërimeve kristologjike në dispensacionalizëm.
-
H. Wayne House dhe Thomas D. Ice, Dominion Theology: Blessing or Curse? (Portland, OR: Multnomah, 1988), 220.
-
Duket se këtu është i nevojshëm një dallim midis ardhjes së mbretërisë (e cila te Lluka 17:20-21 është e pranishme, shih diskutimin më tej) dhe ardhjes së mbretërisë “me fuqi” (e cila vjen me shkatërrimin e tempullit në një mënyrë shumë dramatike në të ardhmen e afërt nga perspektiva e Krishtit).
________________________
Krishti, Politika dhe Ulja në Dispensacionalizëm
Në buletinin tim të mëparshëm fillova shqyrtimin e disa prej gabimeve kryesore në dispensacionalizmin klasik. E hapa me paraqitjen e shtrembërimeve kristologjike të natyrshme në sistem, gjë e rëndësishme kjo pasi Krishti qëndron në qendër të krishterimit. Në këtë buletin do ta përfundoj shqetësimin tim për këto shtrembërime kristologjike.
Gabimi: “Mbretërimi i Krishtit është Politik”
Dispensacionalizmi parashtron një mbretëri mishërore dhe politike, jo një mbretëri shpirtërore dhe shpenguese. Dispensacionalizmi e vendos Krishtin në një fron fizik në Jerusalemin tokësor duke administruar çështjet politike të përditshme të botës gjatë mijëvjeçarit të tyre tokësor. Duke cituar sërish Thomas Ice, ne mësojmë: “Pastaj vullneti i Perëndisë në qiell do të sillet në tokë. Por kjo jo derisa Krishti të sundojë fizikisht nga Jerusalemi.” [1]
Por Krishti dhe shkruesit e Besëlidhjes së Re e hedhin poshtë qartë një nocion të tillë. Në kundërshtim me këtë ide, ata mësojnë se mbretëria e Tij është një mbretëri shpirtërore e rrënjosur në zemër (pa mohuar ndikimin e saj të jashtëm). Në fakt, te Luka 17:20–21 Krishti kundërshtoi prirjet zioniste të shumë judenjve të shekullit të parë kur mohoi një mbretëri të ardhshme tokësore e politike të sjellë nga ndërhyrje katastrofike: “Dhe kur u pyet nga farisenjtë se kur do të vinte Mbretëria e Perëndisë ai iu përgjigj atyre dhe tha: Mbretëria e Perëndisë nuk vjen në mënyrë të dukshme; dhe as nuk do të mund të thuhet “ja këtu” ose “ja atje” sepse ja, mbretëria e Perëndisë është përbrenda jush.”
Kur Krishti qëndroi përpara Pilatit, Ai përsëriti të njëjtën të vërtetë. Te Gjoni 18:36 ne lexojmë: “Mbretëria ime nuk është prej kësaj bote; po të ishte mbretëria ime prej kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin.” Mbretëria e Tij nuk ishte një mbretëri politike si ajo e Cezarit, që kërkon një ushtri. Kjo ndoshta shpjegon se pse Ai e pyeti Pilatin se nga e mori informacionin (Gjoni 18:33–34). Sikur ta kishte dëgjuar nga judenjtë, Pilati do të kishte dëgjuar një keqkuptim mbi natyrën e mbretërisë; sikur ta kishte dëgjuar Jezusin ta thoshte këtë, ai do të duhej ta dinte se cfarë synonte Jezusi.
Pali thekson natyrën shpirtërore të mbretërisë kur shkruan se “mbretëria e Perëndisë nuk është të ngrënët dhe të pirët, por drejtësi dhe paqe dhe gëzim në Frymën e Shenjtë” (Rom. 14:17). Ai nuk thotë asgjë për një mbretëri politike me anë të së cilës Krishti sundon kombet e botës.
Dispensacionalizmi e zvogëlon lavdinë shpirtërore të mbretërimit të tanishëm të Krishtit duke e mohuar atë. Dhe kjo pavarësisht dëshmisë biblike.
Ulja e Dytë e Krishtit
Një tjetër shtrembërim i rëndësishëm kristologjik shfaqet në faktin që dispensacionalizmi e bën Krishtin të përjetojë një ulje të dytë. Sipas tyre, Zoti lë qiellin (që është froni i Tij) për t’u kthyer që të sundojë në tokë (që është stoli i këmbëve të Tij), vetëm që në fund të ketë rebelim kundër sundimit të mbretërisë së Tij personale.
Një aspekt madhor i uljes së Tij ishte banimi në pluhurin e tokës dhe vuajtja e abuzimit gjatë shërbesës së Tij. Thomas Ice shkruan se në pikëpamjen postmilenialiste: “Mesia është në qiell dhe i pranishëm vetëm mistikisht në mbretërinë e Tij. Mungesa e Tij në tokë gjatë mbretërimit të mbretërisë së Tij ia grabit Mesias momentin e lavdisë tokësore.” [2]
Deklarata e Ice është e pabesueshme. Shkrimi mëson se kthimi i Krishtit në qiell nuk është vend ku mbretërimi i Tij grabitet! Ne duhet të kuptojmë lavdinë madhështore që është e Tij, e cila buron nga ngjitja e Tij në qiell. A nuk iu lut Ai Atit pak para kryqit: “Dhe tani, më përlëvdo, ti o Atë, pranë teje, me lavdinë që unë e kisha pranë Teje para se të bëhej bota” (Gjoni 17:5)? Ai po përgatitej të linte tokën për të hyrë në qiell. Ai e konsideronte këtë lavdi, jo grabitje lavdie!
Efesianëve 1:20 thotë se Perëndia “duke e ringjallur prej së vdekurish dhe duke e vënë të ulej në të djathtën e Tij në vendet qiellore, përmbi cdo principatë, pushtet, fuqi, zotërim dhe cdo emër që përmëndet jo vetëm në këtë botë, por edhe në atë të ardhme, dhe vuri gjithcka nën këmbët e tij, edhe përmbi cdo gjë ia dha për krye kishës.”
I njëjti koncept përsëritet te Filipianëve 2:9: “Prandaj edhe Perëndia e lartësoi madhërisht dhe i dhuroi një emër përmbi cdo emër.” Dhe 1 Pjetrit 3:22 pajtohet: “i cili shkoi në qiell dhe është në të djathtë të Perëndisë mbasi i janë nënshtruar engjëj, pushete dhe fuqi.” Kjo është grabitje e lavdisë së Tij?
Ajo që është më keq, “momenti i lavdisë” që Krishti ka gjatë mbretërimit të Tij mijëvjeçar përfundon në kaos dhe rebelim! J. D. Pentecost thotë se drejt fundit të mbretërisë mijëvjeçare Satani “del për të mashtruar kombet, me qëllim që të udhëheqë një revoltë përfundimtare kundër teokracisë së Perëndisë.” Pentecost pranon se “nuk mund të kuptohet se si një shumicë, ‘një numër i madh si rëra e detit’ mund të rebelohet kundër Zotit Jezu Krisht kur ata kanë jetuar nën dashamirësinë e tij gjithë jetën e tyre”[3] “Momenti i lavdisë” së Krishtit përfundon në kaos dhe dështim!
Siç u shpreh Walvoord: “Kështu zhvillohet rebelimi i fundit gjigant i njeriut kundër sundimit sovran të Perëndisë, në të cilin të liqtë gjejnë ‘Waterloo-në’ e tyre. Ndërsa beteja bashkohet te [Zbu.20:9] ushtria e madhe e udhëhequr nga Satani, që vjen nga të gjitha drejtimet, rrethon fushimin e shenjtorëve. Fjala për ‘fushim’ duket se i referohet vetë qytetit të Jeruzalemit, i cili përshkrohet si ‘qyteti i dashur’.”[4]
“Momenti i lavdisë” së Krishtit, sipas dispensacionalizmit, e vendos Atë përsëri në pluhurin e tokës që Ai të administrojë personalisht dhe fizikisht një mbretëri, e cila në fund, rebelohet kundër Tij dhe sulmon Atë dhe kryeqytetin e Tij.
Përfundim
Gabimet kristologjike të shqyrtuara shkurt në këtë dhe në artikullin pararendës janë mjaft serioze. Dispensacionalizmi ka probleme domethënëse, jo të parëndësishme, të brendshme që lidhen me pikëpamjen për Krishtin dhe shërbesën e Tij. Është e rëndësishme të pranojmë se debati mbi dispensacionalizmin nuk ka të bëjë me hollësi të vogla të ngjarjeve të fundit. Dispensacionalizmi, pa dashje, zvogëlon lavdinë e personit dhe veprës së Krishtit.
Por ka edhe gabime të tjera. Do të vazhdoj të shqyrtoj këto shtrembërime dispensacionaliste në artikullin tim të ardhshëm.
-
H. Wayne House dhe Thomas D. Ice, Dominion Theology, 160.
-
House dhe Ice, Dominion Theology, f. 240.
-
J. Dwight Pentecost, Things to Come (Grand Rapids: Zondervan, 1958), 548, 551.
-
John F. Walvoord, The Revelation of Jesus Christ (Chicago: Moody, 1966), 304.
_______________________________
Gabimet në Historinë e Shpengimit
Në këtë pjesë të shqyrtimit tim të shtrembërimeve teologjike dispensacionaliste, do të trajtoj gabimet dalluese të dispensacionalizmit në lidhje me historinë e shpengimit. Mesazhi i Shkrimit është historia e zbuluar në mënyrë hyjnore e historisë së shpengimit. Ajo përfshin përparimin e veprave shpëtuese të Perëndisë nga rënia e Adamit deri te kthimi i Krishtit në lavdi. Fatkeqësisht, disa doktrina të veçanta të dispensacionalizmit e shtrembërojnë historinë e shpengimit. Në këtë artikull do të përqendrohem te problemi i kishës në profeci.
Në dispensacionalizëm, kisha konsiderohet një shtesë e re dhe e paprofetizuar ndaj planit kryesor të Perëndisë për judenjtë. Walvoord shkruan për kishën: “Bëhet e qartë se është formuar një gjë e re, trupi i Krishtit. Ai nuk ekzistonte përpara Pentakostit, pasi nuk kishte veprim të pagëzimit të Frymës për ta formuar. Koncepti i trupit është i huaj për Besëlidhjen e Vjetër dhe për premtimet e Izraelit. Diçka e re kishte filluar… Ka prova të mira se vetë epoka është një parantezë në programin hyjnor të Perëndisë siç u zbulua në Besëlidhjen e Vjetër… [Epoka] e tanishme [është] një parantezë e papritur dhe e paparashikuar për sa i përket profecisë së Besëlidhjes së Vjetër.” [1]
Në këtë deklaratë vërehet qartë se Perëndia kishte një program të veçantë judaik në veprim në Besëlidhjen e Vjetër. Është gjithashtu e dukshme se, sipas pikëpamjes dispensacionaliste, epoka e tanishme e kishës, bashkimi i judenjve dhe johebrenjve në një trup, ishte e panjohur në Besëlidhjen e Vjetër. Dhe se epoka e kishës është vetëm një ndërprerje e atij programi.
Por shumica e studiuesve ungjillorë e shohin fazën e Besëlidhjes së Re të kishës si të vazhdueshme dhe si përmbushje apo fryt i veprës shpenguese të Perëndisë gjatë historisë. Në të vërtetë, kur ne shohim Besëlidhjen e Re, ne zbulojmë referenca për njohurinë e profetëve të Besëlidhjes së Vjetër mbi “epokën e kishës”.
Efesianëve 3:3–6 thotë: “Se, me zbulesë, ma bëri të njohur misterin… që nuk iu bë i njohur në breza të tjerë bijve të njerëzve, ashtu si iu zbulua tani apostujve të tij të shenjtë dhe profetëve me anë të Frymës; që paganët të jenë bashkëtrashëgimtarë dhe bashkë në një trup dhe bashkëpjestarë të premtimit të tij në Krishtin.”
Te Romakëve 16:25–26 Pali thekson se “misteri” i shpëtimit të johebrenjve ishte i fshehur vetëm nga johebrenjtë (të cilët te Ef. 3 Pali i quan “bijtë e njerëzve”), jo nga profetët e Besëlidhjes së Vjetër, sepse ai e mbron doktrinën e tij të misterit nga “Shkrimet e profetëve”. Ai flet për “zbulesën e misterit, që ishte mbajtur i fshehtë që nga fillimi i botës, por tani është shfaqur dhe, me anë të Shkrimeve të profetëve, sipas urdhrit të Perëndisë së përjetshëm, u bë i njohur për të gjitha kombet për bindjen e besimit.” Pali thotë se “misteri” tani u bë i njohur për “të gjitha kombet”, jo vetëm për Izraelin.
Te Luka 24:44–47 Zoti mësoi se ishte e nevojshme që Ai të vdiste për të përmbushur Shkrimin duke sjellë shpëtim te johebrenjtë: “Dhe ai u tha atyre: “Këto janë fjalët që iu thoja kur isha ende me ju: se duhet që të përmbushen të gjitha që janë shkruar lidhur me mua në Ligjin e Moisiut, në Profetët dhe në Psalmet”. Atëhere ua hapi mendjen, që t’i kuptonin Shkrimet, dhe u tha atyre: “Sepse kështu është shkruar dhe kështu duhej të vuante Krishti dhe të ngjallej prej së vdekurish ditën e tretë dhe të predikohej në emrin e tij pendimi dhe falja e mëkateve ndër të gjitha kombet, duke filluar nga Jerusalemi.”
Dallimi midis judenjve dhe johebrenjve është hequr përgjithmonë. Pali e thekson këtë te Efesianëve 2:11–16: “Prandaj kujtohuni se ju, dikur paganë në mish… ishit në atë kohë pa Krishtin, të përjashtuar nga qytetaria e Izraelit dhe të huaj për besëlidhjet e premtimit, pa pasur shpresë dhe duke qenë pa Perëndi në botë. Por tani, në Krishtin Jezus, ju që dikur ishit larg, u afruat me anë të gjakut të Krishtit. Sepse ai është paqja jonë, ai që bëri nga dy një dhe shembi murin e mesit të ndarjes, duke e prishur armiqësinë në mishin e tij, ligjin e urdhërimeve në dogma, për të krijuar në vetvete nga dy një njeri të ri, duke bërë paqen, dhe për t’i pajtuar të dy me Perëndinë në një trup të vetëm me anë të kryqit, mbasi vrau armiqësinë në të.”
Kështu, “nuk ka as jude as grek… sepse të gjithë jeni një në Krishtin” (Gal. 3:28) dhe “nuk ka as grek as jude, rrethprerje apo parrethprerje” (Kol. 3:11). Dispensacionalistët e shohin këtë vetëm si një parantezë të përkohshme në planin e Perëndisë!
Do ta vazhdoj këtë analizë në artikullin tim të ardhshëm. Qëndroni me ne!
1. John F. Walvoord, The Rapture Question (Grand Rapids: Zondervan, 1957), 23, 24. Theksimet janë të miat.
________________________
Gabimet e Historisë së Shpengimit në Dispensacionalizëm
Vepra e Frymës së Shenjtë
Po vazhdoj analizën e gabimeve të historisë së shpengimit brenda dispensacionalizmit. Kjo është pjesë e një studimi më të gjerë mbi tre shtrembërimet kryesore të sistemit klasik dispensacional.
Në dispensacionalizëm, puna e Ungjillit gjatë epokës së kishës ndër judenjtë bëhet një dështim relativ. Gjatë Mundimit të ardhshëm, Ungjilli do të ketë sukses dramatik ndër judenjtë, por vetëm pasi të gjithë të krishterët dhe Fryma e Shenjtë të jenë hequr nga bota!
Ryrie flet për largimin e Frymës së Shenjtë dhe të Kishës nga toka përpara Mundimit: “Nëse penguesi, Fryma e Shenjtë, do të hiqet përpara Mundimit… atëherë edhe Kisha duhet të merret nga bota.” [1] Por, çuditërisht, Pentecost përmend kthimin në besim të “gjithë Izraelit” gjatë Mundimit: “Perëndia përdor shumë mjete të ndryshme për ta sjellë ‘gjithë Izraelin’ në shpëtim gjatë javës së shtatëdhjetë.” [2]
Por Shkrimet mësojnë se një nga përparimet e lavdishme të epokës së Besëlidhjes së Re është prania e shtuar e Frymës së Shenjtë, e cila do të sjellë bekim të madh, jo të bëhet pengesë për kthimin e judenjve. “Sepse kështu është shkruar… të predikohej në emrin e tij pendimi dhe falja e mëkateve ndër të gjitha kombet, duke filluar nga Jerusalemi... por ju qëndroni në qytetin e Jerusalemit, derisa të visheni me fuqi nga lart.” (Luka 24:46–49).
Te Veprat 1:8 Ai tha: “Do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë të vijë mbi ju.” Ata u përgatitën për këtë te Veprat 2:17: “Do të derdh nga Fryma ime mbi çdo mish… dhe kushdo që do të thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet.” Në fakt, Porosia e Madhe mëson se deri në fund të epokës Krishti do të jetë me ne ndërsa ne “bëjmë dishepuj” dhe “pagëzojmë” “të gjitha kombet” (Mat. 28:19).
Sistemi i Flijimeve
Një tjetër dështim në të kuptuarin dispensacionalist të historisë së shpengimit lidhet me rindërtimin e Tempullit dhe rivendosjen e sistemit të flijimeve në mbretërinë mijëvjeçare të ardhshme (edhe pse ata i shohin këto flijime vetëm si përkujtimore). Ryrie shkruan: “Tempulli ende duhet të ndërtohet dhe sistemi i flijimeve të rivendoset gjatë mijëvjeçarit.” [3] Kjo bazohet në kuptimin e tyre literalist të Ezekielit 40 e në vijim.
Por Besëlidhja e Re mëson se tempulli është shpirtëror. Kështu, dispensacionalizmi përfshin një regres serioz.
1 Korintasve 3:16 thotë: “A nuk e dini se ju jeni tempulli i Perëndisë?” 1 Korintasve 6:19 pyet: “A nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë?” 2 Korintasve 6:16 del në përfundimin: “Ju jeni tempulli i Perëndisë së gjallë.”
Ndërtimi shumëbrezor i këtij tempulli përmendet te Efesianëve 2:21–22: ai “rritet për të qenë një tempull i shenjtë në Zotin” sepse ne jemi “bashkëndërtuar për të qenë banesë e Perëndisë në Frymë.” Secili prej nesh është një gur i gjallë, sepse 1 Pjetrit 2:5 thotë: “Edhe ju, si gurë të gjallë, ndërtoheni për të qënë një shtëpi frymërore.”
Zionizmi i Brendshëm
Një gabim i fundit historiko-shpengues në dispensacionalizëm është paragjykimi i tij racor i brendshëm që favorizon judenjtë madje edhe mbi johebrenjtë e shpëtuar gjatë mijëvjeçarit. Në këtë mënyrë, ai rishfaq dallimin midis judeut dhe johebreut dhe zëvendëson besimin me racën si bazë për favor hyjnor. Vijeni re këtë në disa deklarata dispensacionaliste:
Ryrie: “Tre grupe njerëzish do të lidhen me qeverinë mijëvjeçare. Izraeli, i rimbledhur dhe i kthyer tek Zoti në shpëtim, do të lartësohet, bekohet dhe favorizohet gjatë gjithë periudhës.” [3]
Pentecost: “Johebrenjtë do të jenë shërbëtorët e Izraelit gjatë asaj epoke. . . . Johebrenjtë që do të jenë në mijëvjeçar do të kenë përjetuar kthimin në besim përpara pranimit.”[4]
Walvoord flet për: “Rikthimin dhe lartësimin e Izraelit në mbretërinë mijëvjeçare”[5]
Hoyt: “Kombi i gjallë i shpëtuar i Izraelit, i rilindur dhe i ribashkuar në tokë, do të jetë në krye të të gjitha kombeve të tokës……. Kështu ai i lartëson ata mbi kombet johebreje……. Në nivelin më të ulët janë kombet johebreje të shpëtuara dhe të gjalla.”[6]
Dave Hunt: “Mesia që sundon botën nga froni i Davidit dhe me Izraelin kombëtar të rikthyer në vendin e tij të supremacisë mbi kombet.”
Por me themelimin e fazës së Besëlidhjes së Re të Kishës, dallimi midis judeut dhe johebreut është shfuqizuar. Ky ishte i gjithë thelbi i vegimit të Pjetrit për çarçafin me kafshë të papastra te Veprat 10: atë që Perëndia e ka shpallur të pastër, askush të mos e quajë të papastër. Kështu, nuk ka program të veçantë judaik që i lartëson ata mbi johebrenjtë e shpëtuar.
Kisha, që përfshin judenj dhe johebrenj në një trup, është fryti dhe përmbushja e premtimeve të Perëndisë ndaj judenjve. Të krishterët quhen me emra veçanërisht judaikë në Besëlidhjen e Re: “Jude është ai që është përbrenda” (Rom. 2:29).
Të krishterët quhen “rrethprerja” (Fil. 3:3), “bijtë” dhe “fara e Abrahamit” (Gal. 3:7, 29), “Jerusalemi që është lart” dhe “bijtë e premtimit” (Gal. 4:24–29). Në fakt, të krishterët përbëjnë “Izraelin e Perëndisë”, sepse ne jemi një “krijesë e re” për të cilën “rrethprerja nuk vlen asgjë” (Gal. 6:16).
Përfundim
Klasa e dytë e shtrembërimeve dispensacionaliste, që sapo përfundova së shqyrtuari, tregon një regres dhe gabim të qartë në pikëpamjen dispensacionaliste të historisë së shpengimit. Dhe meqë dispensacionalizmi pretendohet të jetë një mjet për analizë historiko-shpenguese, kjo është një mangësi shumë serioze. Në buletinin e ardhshëm do të theksoj disa nga gabimet e tyre në historinë bashkëkohore.
-
Charles C. Ryrie, The Basis of the Premillennial Faith (Neptune, NJ: Loizeaux Bros., 1953), 144.
-
J. Dwight Pentecost, Things to Come (Grand Rapids: Zondervan, 1958), 263.
-
Ryrie, Basis of the Premillennial Faith, 151.
-
Pentecost, Things to Come, 508.
-
Walvoord, The Rapture Question, 65.
-
Herman Hoyt, “Dispensational Premillennialism” te Robert G. Clouse, red., The Meaning of the Millennium: Four Views (Downer’s Grove, Ill.: Inter-Varsity Press, 1977), 81.
-
Dave Hunt, Whatever Happened to Heaven? (Eugene, Ore.: Harvest House, 1988), 246.
_______________________
Gabimet në Historinë Bashkëkohore në Dispensacionalizëm
Në këtë seri po theksoj shkurt tri klasa të mëdha gabimesh brenda dispensacionalizmit klasik. Në buletinet e mëparshme u përqendrova te gabimet kristologjike dhe historiko-shpenguese. Ne tani jemi gati për klasën e tretë dhe përfundimtare: pikëpamja dispensacionaliste mbi historinë bashkëkohore. Sa i përket Shkrimit, sistemi i tij historik është i ngatërruar; sa i përket dëshmisë së krishterë, sistemi i tij historik është shpërqendrues. Këtë gabim do ta trajtoj në dy buletine.
Ardhjet dhe Largimet e Krishtit
Së pari, ne shohim konfuzion lidhur me ardhjen e ardhshme të Krishtit. Shpresa e bekuar e të krishterit është Ardhja e Dytë e vetme, e mirëfilltë, trupore dhe e lavdishme e Krishtit. Por dispensacionalizmi mëson ardhje të shumta të Krishtit nga qielli në tokë. Jay Adams e quan këtë prirje për të parë dyfishime të ngjarjeve të vetme: diplopi eskatologjike. Aty ku Bibla mëson në njëjës, dispensacionalistët dyfishojnë popullin e Perëndisë, ardhjen e ardhshme të Krishtit, ringjalljen dhe gjykimin.
J. D. Pentecost shkruan për dy ardhjet e ardhshme (të hamendësuara) të Krishtit: “Ka një numër kontrastesh midis rrëmbimit dhe ardhjes së dytë që tregojnë se ato nuk shihen si sinonime në Shkrim… Këto janë dy programe të veçanta dhe nuk mund të bashkohen në një ngjarje.” [1]
Charles Ryrie pajtohet, duke thënë: “Ky pasazh nuk mund t’i referohet Ardhjes së Dytë të Krishtit… Referenca është për diçka të veçantë, domethënë rrëmbimi i Kishës para Mundimit.” [2]
Kështu, sipas pikëpamjes dispensacionaliste, ka edhe dy ardhje të tjera të ardhshme, literale, të Krishtit: një ardhje të dytë dhe një të tretë. Por Bibla flet vetëm për një ardhje “të dytë”. Hebrenjve 9:28 thotë: “Kështu edhe Krishti, pasi u dha një herë për të marrë mbi vete mëkatet e shumëve, do të duket për së dyti pa mëkat për ata që e presin me durim për shpëtim.” Bibla flet për ardhjen e Tij përsëri (Veprat 1:11), jo për “ardhjet” e Tij ose për “ardhjen përsëri dhe përsëri” të Tij, ose për “ardhjen e tretë”.
E lidhur ngushtë me këtë është ideja e ringjalljes. Bibla flet për vetëm një ringjallje, në ditën e fundit: Gjoni 6:39–40: “Por ky është vullneti i Atit që më ka dërguar: që unë të mos humbas asgjë prej të gjithave që ai më ka dhënë, por t’i ringjall në ditën e fundit. Ky, pra, është vullneti i atij që më ka dërguar: që kushdo që sheh Birin dhe beson në të, të ketë jetë të përjetshme; dhe unë do ta ngjall atë në ditën e fundit». Ai nuk thotë “unë do ta ringjall 1000 vite përpara ditës sëfundit.” Gjoni 6:44, 54; 11:24; 12:48 pajtohen.
Dispensacionalizmi nxitet nga një sistem që kërkon dy programe, një për judeun dhe një për johebreun. Ai nuk nxitet nga dëshmia e Shkrimit. Si rrjedhim, pikëpamja e tij për ardhjen e dytë dhe të tretë të Krishtit është e gabuar dhe e devijon shpresën e bekuar të të krishterit.
Përzierja Mijëvjeçare
Së dyti, ne shohim absurditete befasuese në pikëpamjen mijëvjeçare të dispensacionalizmit. Një çudi e vecantë është se në mbretërinë mesianike do të ketë 1000 vite përzierje midis besimtarëve të ringjallur e të përlëvduar (të rrëmbyer më parë) dhe njerëzve të vdekshëm të paringjallur.
Ryrie shkruan: “Mbretëria do të vendoset në tokë… Qendra e qeverisë në mijëvjeçar do të jetë Jerusalemi. Jeruzalemi do të jetë qyteti ku do të kthehet Krishti. Duket e qartë se do të ketë njerëz të pashpëtuar në mijëvjeçar. Nuk ka asnjë provë që ata që hyjnë në mbretëri si pasojë e këtij gjykimi do të kenë trupa të shpenguar në mënyrë që fëmijët të lindin gjatë periudhës mijëvjecare.” [3]
Ai vëren: “Arsyeja se pse Perëndia mund t’i marrë këta besimtarë me Vete në Ardhjen e Tij të Dytë në mbretëri, është sepse përpara asaj kohe Perëndia do t’i ketë ringjallur ata, dhe Pali pastaj vazhdon të flasë për atë ringjallje dhe shndërrim që duhet të ndodhë përpara Ardhjes së Tij të Dytë.” [4]
Por edhe më e habitshme është se njerëzit e vdekshëm do të sulmojnë të pavdekshmit drejt fundit të mijëvjeçarit. Pentecost shkruan për sulmin e tyre: “Midis atyre të parilindurve në atë ditë do të vijë turma e njohur si ‘Gogu dhe Magogu’, të cilët ngrihen kundër ‘fushimit të shenjtorëve’, që duhet të jetë Palestina, dhe ‘qytetit të dashur’, që duhet të jetë Jeruzalemi.” [5]
Kështu, ne shohim se mbretëria do të përfshijë besimtarët e ringjallur dhe Krishtin e përlëvduar që sundojnë mbi të vdekshmit e paringjallur. Vendi i fronit të Krishtit do të jetë në Jeruzalemin mbi tokë. [6] Me fjalë të tjera, për 1000 vite këta njerëz të përlëvduar jetojnë pa sëmundje, dobësi ose vdekje midis njerëzve të paringjallur që sëmuren dhe vdesin. Dhe, çuditërisht, këta të vdekshëm të paringjallur sulmojnë këta njerëz të përlëvduar 1000-vjeçarë!
Dhe asnjë referencë për faktin që Krishti banoi në trupin e Tij të ringjallur mbi tokë nuk mund ta zbusë absurditetin e kësaj veçorie të dispensacionalizmit. Sepse Krishti ishte vetëm një person, në trupin e Tij të ringjallur për një periudhë të shkurtër mbi tokë (Veprat 1:3), dhe u pa vetëm nga disa vëllezër të zgjedhur (1 Kor. 15:5–8). As një referencë ndaj kokëfortësisë së verbër të mëkatit nuk mund ta shpjegojë sulmin kundër këtij populli dhe këtij qyteti të lavdishëm. Edhe mëkatarët besojnë në ruajtjen e vetes dhe në përmbajtje përballë gjasave dërrmuese dhe të njohura mirë.
-
J. Dwight Pentecost, Things to Come, 206–07.
-
Charles C. Ryrie, The Basis of the Premillennial Faith, 133.
-
Ryrie, Basis, 147, 149, 150.
-
Ryrie, Basis, 133–34.
-
Pentecost, Things to Come, 550.
-
Pentecost përpiqet t’i shpëtojë kësaj dileme duke e paraqitur Jeruzalemin duke lundruar dhe duke shndritur mrekullueshëm mbi tokë (Pentecost, Things to Come, 577). Por perceptimi popullor dhe kërkesat e literalizmit e ndalojnë këtë.
____________________________
Dispensacionalizmi dhe Pesimizmi
Në këtë buletin po e përfundoj serinë time aktuale duke theksuar shkurtimisht tri klasa kryesore gabimesh brenda dispensacionalizmit klasik. Në buletinet e mëparshme u përqendrova te gabimet dispensacionaliste në fushat e kristologjisë (doktrina e Krishtit) dhe historisë shpenguese (historia biblike). Në emailin e mëparshëm hapa diskutimin për klasën e tretë të gabimeve: këndvështrimin dispensacionalist mbi historinë bashkëkohore.
Unë shkruaj si postmilenialist, dikush që është biblikisht optimist për përparimin e ardhshëm të historisë njerëzore. Kur unë shqyrtoj perspektivat e tjera eskatologjike, i shoh që janë të gjitha pesimiste në lidhje me zhvillimin e së ardhmes. Por dispensacionalizmi është sistemi më pesimist nga të gjithë. Dispensacionalisti i nxit besimtarët të pranojnë pikëpamjen, siç vëren Thomas Ice, se “epoka e kishës do të përfundojë në apostazi, jo në rizgjim”, sepse kështu është caktuar nga Perëndia. [1]
Më tej, Ice u mëson besimtarëve sot se: “Kjo botë e tanishme po shkon drejt gjykimit. Pas atij gjykimi, Krishti do të marrë kontrollin e botës dhe do ta sundojë atë. Por derisa të ndodhë kjo, mesazhi dhe veprimtaritë për besimtarët duhet të jenë: ‘Ikni nga zemërimi që po vjen duke gjetur siguri në Jezu Krishtin.’” [2]
J. F. Walvoord deklaron në mënyrë dogmatike dhe tronditëse!: “Të krishterët nuk kanë zgjidhje të menjëhershme për problemet e ditëve tona.” [3] Ai vazhdon: “Një zgjidhje për këtë trazirë dhe turbullim jepet në Bibël, dhe nuk ka tjetër. Ajo zgjidhje është që vetë Jezu Krishti po kthehet për të sjellë paqe dhe pushim në botë.” [4]
Madje, House i dekurajon përpjekjet e të krishterëve për të sjellë ndryshim: “të përpiqesh që të vendosësh një ndryshim afatgjatë të institucioneve para se të kthehet Krishti do të rezultojë vetëm në depërtimin e majasë së humanizmit në krishterimin ortodoks.” [5] Ai madje i qorton të krishterët që përpiqen: “Tragjikisht, kjo do të kontribuojë në pabesinë e mëtejshme të kishës në këto ditë të fundit përpara kthimit të Mesias.” [6]
Por Bibla pret sukses dhe fitore përfundimtare në botë. Porosia e Madhe premton se Krishti, i cili ka çdo autoritet në qiell dhe mbi tokë, do të jetë me ne deri në fund (Mat. 28:18, 20). Për çfarë qëllimi? Që ne të bëjmë dishepuj dhe të pagëzojmë të gjitha kombet (Mat. 28:19).
Në fakt, më herët Jezusi premton: “Dhe unë, kur të jem ngritur lart nga toka, do t’i tërheq të gjithë tek unë.” (Gjoni 12:32). Po ashtu ne mësojmë se “Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë për ta dënuar botën, por që bota të shpëtohet me anë të tij” (Gjoni 3:17). Pali na mëson se Krishti duhet të vazhdojë të mbretërojë derisa të gjithë armiqtë e Tij të vihen poshtë (1 Kor. 15:21–25). Ai beson se Perëndia ishte në Krisht duke pajtuar “botën” me Veten (2 Kor. 5:19).
Përfundim i serisë
Pavarësisht tërheqjes së miliona të krishterëve ungjillorë ndaj dispensacionalizmit, sistemi është i mbushur me shtrembërime, gabime dhe madje absurditete. Gabimet nuk janë të parëndësishme. Ato përfshijnë çështje madhore: Krishtin, shpengimin dhe historinë.
Duke qenë se “idetë kanë pasoja”, përfundimi përfundimtar i dispensacionalizmit është të dekurajojë të krishterët nga përparimi i çështjes së Krishtit në botë. Si shtrembërimet e tij të rënda ashtu edhe shqetësimet e tij të gabuara e bëjnë dispensacionalizmin një sistem me shumë potencial për dëm. Nëse ti je dispensacionalist, shpresoj që të “rrëmbehesh” jashtë sistemit.
-
Wayne House dhe Thomas Ice, Dominion Theology, 390, 378.
-
House dhe Ice, Dominion Theology, 356.
-
John F. Walvoord, te Charles Lee Feinberg, Prophecy and the Seventies, 212.
-
Walvoord, Prophecy, 210.
-
House dhe Ice, Dominion Theology, 340.
-
House dhe Ice, Dominion Theology, 161.