Njerëz të thyer!

thyer

Njerëz të thyer!
Don Fortner

“Zoti qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërmuar.” – Psalmi 34:18

Një zemër e thyer, një frymë e dërrmuar dhe një vullnet i përulur janë gjëra të rralla, sidomos në këtë epokë kur njerëzit kudo mësohen që të kërkojnë të drejtat e tyre; dhe kisha është bërë një vend ku njeriu lartësohet dhe nderohet sikur të ishte vetë Perëndia. Vlerësimi i vetvetes, rëndësia e vetes dhe vetë-promovimi janë thirrja e ditës. Çdo njeri bën atë që është e drejtë në sytë e vet. Nga natyra, të gjithë njerëzit janë thellësisht krenarë dhe egoistë.

Predikuesit e sotëm, duke e njohur mirë krenarinë natyrore të njeriut, e kanë shfrytëzuar atë. Ata kanë ndërtuar një teologji që i pëlqen mishit dhe që ushqen krenarinë. Etërit tanë të dikurshëm lartësonin dinjitetin, madhështinë dhe sovranitetin e Perëndisë së përjetshëm. Por predikuesit me gjuhë të butë të mashtrimit në ditët tona lartësojnë dinjitetin, madhështinë dhe sovranitetin e njeriut të vogël! Duket sikur feja e sotme është përkushtuar jo për nderin e Perëndisë, por për nderin e njeriut. Qëllimi i saj është ta bëjë njeriun të ndihet mirë me vetveten. Prandaj, ne dëgjojmë shumë pak për…
— thyerjen e zemrës,
— pendimin e shpirtit,
— dhe nënshtrimin e vullnetit të njeriut.

Zoti Perëndi shpall: “Mbi kë, pra, do të kthej shikimin tim? Mbi atë që është i përulur, ka frymë të penduar dhe dridhet nga fjala ime!” (Isaia 66:2). Perëndia do zemra të thyera me të cilat të ndërtojë mbretërinë e Tij. Herët a vonë, Zoti Perëndi do të na sjellë në asgjë përpara pranisë së Tij. Populli i Perëndisë, të gjithë njerëzit e Perëndisë, janë njerëz të thyer.

Asnjë njeri nuk e ka përjetuar kurrë hirin e Perëndisë në shpëtim, derisa zemra e tij të jetë thellësisht e thyer përpara Zotit të shenjtë, i zbuluar në Shpëtimtarin e kryqëzuar, Zotin Jezus Krishtin. Nëse ndonjëherë një njeri zbulon:
— kush është ai vetë,
— kush është Perëndia,
— kush është Zoti Jezus Krishti,
— dhe çfarë ka bërë Ai për mëkatarët,
atëherë ai do të jetë një njeri i thyer!

Kur Jobi e pa veten në praninë e tre miqve të tij të mjerueshëm, ai e shfajësoi veten. Por kur ai qëndroi në praninë e Perëndisë, ai u bë një njeri i thyer; dhe foli si një njeri i thyer. Ai e pa veten në gjithë shëmtinë e mëkatit të tij, dhe ai e pa Perëndinë në gjithë shenjtërinë e madhështisë së Tij të lavdishme. Atëherë ai tha: Ja, unë jam i ndyrë! Veshi im kishte dëgjuar të flitej për ty por tani syri im të sheh. Prandaj ndjej neveri ndaj vetes dhe pendohem mbi pluhurin dhe hirin.” Këtu nuk ka krenari dhe egocentrizëm, as arrogancë, as vetëshfajësim. Sapo Jobi e pa Zotin, ai u thye, e urrente veten dhe e fajësonte veten. Sapo Jobi e pa Zotin, ai e nderoi Perëndinë dhe e shfajësoi Atë. Një zemër e vërtetë e thyer gjithmonë do ta shfajësojë Perëndinë, pavarësisht nga çmimi.

Kjo thyerje mund të prodhohet tek njerëz krenarë, kokëfortë e mëkatarë, vetëm përmes zbulesës shpëtuese të Krishtit në zemrat tona. Thyerja gjendet tek kryqi, vetëm tek kryqi. A ke qenë ndonjëherë tek kryqi? A të është zbuluar Krishti i kryqëzuar në zemrën tënde? A është thyer zemra jote nga njohja e Zotit? O Zot, thyeji zemrat tona përpara Teje përherë!

“Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer; o Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar. ” — Psalmi 51:17

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes