Si Kontrolli i Lindjeve e Shkatërron Respektin për Jetën dhe për Dhuruesin e Jetës
Nga Xhesika Roldan. Perkthyer nga TruthatHome.
Me siguri që, në një formë apo në një tjetër, të gjithë ne e kemi dëgjuar shprehjen: “Ji i përgjegjshëm dhe përdor kontroll të lindjeve. Kështu ti tregon respekt për trupin tënd, për familjen tënde dhe për botën.” Por a justifikohet me të vërtetë kjo qasje nga një lexim i ndershëm i Shkrimit të Shenjtë? A na ndihmon kontrolli i lindjeve të kemi më shumë respekt për jetën, apo në fakt ai e minon atë?
Mendo për këtë: Ndoshta një çift i martuar përpiqet të jetë “i përgjegjshëm” dhe të kontrollojë kohën dhe numrin e fëmijëve që do të ketë, por pastaj, papritur, ata zbulojnë se janë në pritje të një fëmije. Cili është reagimi i tyre? “Ups! Gjërat na dolën pak nga kontrolli; nuk u treguam shumë të kujdesshëm. Tani çfarë do të bëjmë?” Po, çfarë do të bëjnë? Nëse ata janë si shumica e të krishterëve, ata do ta pranojnë me keqardhje “pasojën” e pakujdesisë së tyre, do të përshtaten me ndryshimin e planeve dhe do të sigurohen që herën tjetër të jenë më “të përgjegjshëm” (ndoshta me një vasektomi?). Ata do të jenë të hapur për më shumë fëmijë vetëm nëse janë “të sigurt” që kjo është vullneti i Perëndisë. Kështu, nëse ata dëgjojnë zëra trumbetash e sinjale të qarta, ata do të jenë të gatshëm të ndryshojnë mendje. Por ata nuk ndalojnë që të konsiderojnë nëse përgjigjja ndoshta ndodhet tashmë në Fjalën e Perëndisë.
Çfarë thotë Bibla për këtë? Sepse, meqënëse kjo çështje është kaq e rëndësishme, njeriu do të mendonte që Perëndia do kishte dhënë të paktën ndonjë tregues të vullnetit të Tij për ne, apo jo? A është ashtu siç thonë disa që kjo temë është e paqartë dhe e pasigurt, apo vallë ata po kërkojnë në vendet e gabuara? Është e kuptueshme që nëse kërkojmë në internet dhe në opinionin publik dhe popullor, ne do të përballemi me një lumë mendimesh të ndryshme. Por pse të kërkojmë atje? Pse të mos kërkojmë te vetë Bibla për përgjigjet tona, dhe aty të gjejmë përgjigje përfundimtare, të qëndrueshme dhe pa asnjë paqartësi. Ju ftoj të hidhni me mua një vështrim të shkurtër në disa vargje bindëse, drejtpërdrejt nga goja e vetë Perëndisë. Shpresoj të jeni gati të mbeteni të mahnitur, sepse këto shembuj tronditës janë krejtësisht e kundërta me atë që beson kultura jonë (dhe madje edhe disa kisha)!
Zanafilla 12:1-3:
“Por Zoti i tha Abramit: “Largohu nga vendi yt, nga të afërmit e tu dhe nga shtëpia e babait tënd, dhe shko në vendin që do të të tregoj. Unë prej teje do të bëj një komb të madh, do të të bekoj dhe do ta bëj të madh emrin tënd, dhe ti do të jesh një bekim. Dhe unë do të bekoj të gjithë ata që do të të bekojnë dhe do të mallkoj ata që do të të mallkojnë, te ti do të jenë të bekuara tërë familjet e tokës”.
Prit pak… a e vure re këtë? Shumë prej nesh e kanë lexuar këtë pasazh dhjetëra herë, por ndoshta nuk e kemi marrë asnjëherë kohën për të vërejtur këtë pikë:
Kush do ta “bënte [Abramin] një komb të madh”? Përgjigjja është: “Unë, Zoti.” Kur Perëndia foli për një “komb të madh,” a e kishte fjalën për një popull me shumë armë e fortifikime? Me shumë dije dhe aftësi? Për cfarë po fliste Perëndia? Ai po fliste për Njerëz. Me fjalë të tjera, për foshnja që do të ngjizeshin, do të lindnin, do të rriteshin dhe do të formonin një komb të populluar. “Komb i madh” = “komb i populluar.” Perëndia ishte Ai që do të bënte një komb të tërë nga një burrë dhe gruaja e tij, nëpërmjet pasardhësve të tyre. E Mrekullueshme! Dhe Ai do ta bënte këtë për ta “bekuar” Abramin, jo për ta ngarkuar me barrë.
Zanafilla 13:14-17
“Dhe Zoti i tha Abramit, mbas ndarjes së Lotit prej tij: “Ço tani sytë e tu dhe shiko nga vendi ku je drejt veriut e jugut; drejt lindjes dhe perëndimit. Tërë vendin që sheh, unë do të ta jap ty dhe pasardhësve të tu, për gjithnjë. Dhe do t’i bëj pasardhësit e tu si pluhurin e tokës; prandaj nëse dikush mund të llogarisë pluhurin e tokës, do të mund të llogarisë edhe pasardhësit e tu. Çohu në këmbë, bjeri rreth e qark vendit, sepse unë do të ta jap ty”.
Zanafilla 15:1-6
“Mbas këtyre gjërave, fjala e Zotit iu drejtua Abramit në vegim duke i thënë: “Mos ki frikë, Abram, unë jam mburoja jote, dhe shpërblimi yt do të jetë shumë i madh”. Po Abrami i tha: “Zot, Perëndi, çfarë do të më japësh, sepse unë jam pa fëmijë dhe trashëgimtari i shtëpisë sime është Eliezeri i Damaskut?”. Pastaj Abrami shtoi këto fjalë: “Ti nuk më ke dhënë asnjë pasardhës; dhe ja, një i lindur në shtëpinë time do të jetë trashëgimtari im”. Atëherë fjala e Zotit iu drejtua duke i thënë: “Ai nuk do të jetë trashëgimtari yt, por ai që ka për të dalë nga të përbrendshmet e tua do të jetë trashëgimtari yt”. Pastaj e çoi jashtë dhe i tha: “Vështro me kujdes qiellin dhe numëro yjet, në rast se mund t’i numërosh”, pastaj shtoi: “Kështu kanë për të qenë pasardhësit e tu”. Dhe ai i besoi Zotit, që ia vuri në llogari të drejtësisë.”
Çfarë besoi Abrami? Se Zoti do t’i jepte një trashëgimtar nga trupi i tij, siç kishte premtuar. Pra, kush e kontrollon ngjizjen këtu, për Abrahamin dhe gruan e tij? A janë ata apo është Perëndia? Padyshim që Perëndia. Ashtu si Zoti do t’i dërgonte Abrahamit trashëgimtarin e premtuar, po ashtu, përmes tij, do t’i jepte pasardhës të panumërt si pluhuri i tokës dhe si yjet e qiellit. Perëndia nuk kishte asnjë vështirësi të ishte Vetë përgjegjës për shtimin e popullit hebre. Një Perëndi që është në gjendje të sjellë në ekzistencë njerëz aq të shumtë sa yjet në qiell, sigurisht nuk ka asnjë problem të “menaxhojë” planetin tonë të “mbipopulluar”!
Këtu ka një aplikim shpirtëror dhe një praktik: Shpirtërisht, trashëgimtari i Abramit ishte një tip për Birin e premtuar të Perëndisë, që do të vinte prej premtimimit dhe do të flijohej nga Ati i Tij Qiellor për mëkatet tona; të gjithë ata që besojnë në Jezusin bëhen pjesë e familjes së Perëndisë shpirtërisht. Kështu që familja e besimit do të përfshijë miliona, në mos miliarda njerëz. Në anën praktike, Abrami do të kishte realisht një bir, dhe pasardhësit e tij do të bëheshin realisht një komb i madh njerëzish. Ne mund të shohim se si Perëndia ishte në kontroll të të dyjave.
Kënga “Ati Abraham” është një këngë e njohur që këndohet në shkollat e së dielës: “Ati Abraham kishte shumë bij, shumë bij kishte Ati Abraham, dhe unë jam një prej tyre, ashtu edhe ti…” Pasi e kemi kënduar këtë këngë qindra herë, mund të na ketë mbetur përshtypja se “Ati Abraham” kishte vetëm bij shpirtërorë, por në fakt ekziston edhe një aspekt më tokësor dhe praktik: Ati Abraham kishte edhe shumë bij fizikë, nëse marrim parasysh të gjithë pasardhësit e tij.
Zanafilla 17:1-6, 15-16
“Kur Abrami u bë nëntëdhjetë e nëntë vjeç, Zoti i doli përpara dhe i tha: “Unë jam Perëndia i plotfuqishëm; ec në praninë time dhe qëndro i ndershëm; dhe unë do të caktoj besëlidhjen time midis meje dhe teje dhe do të të shumoj fort“. Atëherë Abrami përuli fytyrën në tokë dhe Perëndia i foli, duke i thënë: “Sa për mua, ja unë po bëj një besëlidhje me ty; ti do të bëhesh babai i një shumice kombesh. Dhe nuk do të quhesh më Abram, por emri yt do të jetë Abraham, sepse unë të bëj babanë e një shumice kombesh. Do të të bëj shumë frytdhënës. Pastaj do të bëj prej teje kombe dhe prej teje kanë për të dalë mbretër.”
“Pastaj Perëndia i tha Abrahamit: “Përsa i përket Sarajt, gruas sate, mos e quaj më Saraj, por emri i saj do të jetë Sara. Dhe unë do ta bekoj dhe do të bëj që ajo të të japë edhe një bir; po, unë do ta bekoj dhe prej saj do të lindin kombe; mbretër popujsh do të dalin prej saj.”
Përsëri, Perëndia thotë se është Ai që do ta shumojë Abrahamin jashtë mase. Kjo nuk përputhet me mentalitetin modern “merr në dorë pjellorinë tënde”. Ajo nuk përputhet me varësinë tonë ndaj kontraceptivëve (përfshirë edhe atë që quhet “Planifikimi Natyror i Familjes”). Në sytë e Perëndisë, bollëku përmes shumimit është diçka e mirë.
Ashtu siç Perëndia “ndërhyri” në aftësitë ngjizëse të Abrahamit dhe Sarës, Ai bëri të njëjtën gjë për shumë njerëz të tjerë të përmendur në historinë biblike:
Ismaeli – Zanafilla 17:20
“Sa për Ismaelin, unë ta kam plotësuar dëshirën. Ja unë do ta bekoj, do ta bëj të frytshëm dhe do ta shumoj fort. Ai do të bëhet babai i dymbëdhjetë princërve, dhe unë do të bëj prej tij një komb të madh.”
Abimeleku, gruaja e tij dhe shërbëtoret e tij – Zanafilla 20:17-18
“Atëherë Abrahami iu lut Perëndisë dhe Perëndia shëroi Abimelekun, gruan e tij dhe shërbyeset e saj, dhe ato mundën të pjellin. Sepse Zoti e kishte shterpëzuar plotësisht tërë shtëpinë e Abimelekut, për shkak të Sarës, gruas së Abrahamit.”
Isaku dhe Rebeka – Zanafilla 25:21-23
“Isaku e luti Zotin për gruan e tij sepse ajo ishte shterpë. Zoti ia plotësoi dëshirën dhe Rebeka, gruaja e tij, u ngjiz. Por fëmijët shtynin njeri-tjetrin në barkun e saj dhe ajo tha: “Në qoftë se është kështu (që iu përgjigj Zoti), pse gjendem unë në këto kushte?”. Dhe kështu vajti të konsultohet me Zotin. Dhe Zoti i tha: “Dy kombe ndodhen në barkun tënd dhe dy popuj kanë për të dalë nga përbrendëshmet e barkut tënd. Njeri nga këta dy popuj do të jetë më i fortë se tjetri, dhe më i madhi do t’i shërbejë më të voglit”.
Në këtë pikë dua të ndalem për të vënë në dukje diçka: kishte një fat të përcaktuar për binjakët në barkun e Rebekës dhe për jetën e pasardhësve të tyre madje përpara se ata të lindnin. A nuk është e logjikshme të mendojmë se Perëndia vetë shkaktoi ngjizjen e tyre me këtë plan në mendje?! Nëse kjo është e vërtetë, atëherë Jakobi dhe Esau kishin një qëllim për jetën e tyre përpara se të ngjizeshin! Sa mahnitëse! Po për fëmijët tanë, çfarë mund të themi? A ishin Jakobi dhe Esau raste të veçanta, apo Perëndia ka një qëllim të veçantë edhe për fëmijët tanë? Nëse ka, mos ndoshta me përdorimin e kontrollit të lindjeve ne po ndërhyjmë në planet e Tij? Sepse, sado që Perëndia na do dhe punon për të mirën tonë, është e mundur që ne të rebelohemi kundër vullnetit të Perëndisë dhe të vuajmë pasojat (ashtu si Adami dhe Eva).
Sot shumë njerëz e konsiderojnë çështjen e ngjizjes si diçka që nuk është në duart e Perëndisë. Në mendjen e tyre, Perëndia ndërhyn vetëm në “raste të veçanta”, dhe se këto zakonisht nuk përfshijnë fëmijët tanë; ata fëmijë për të cilët ne mendojmë se ne kemi përgjegjësinë t’i “lejojmë” ose “mos t’i lejojmë” të ngjizen. Sipas këtij mendimi, ngjizja e fëmijëve është përgjegjësia jonë për ta kontrolluar; vetëm pasi fëmijët tashmë janë ngjizur, Perëndia ka për detyrë të udhëheqë fatin e tyre. Por kjo është e pakuptimtë. Nëse Perëndia kontrollon fatin e atyre që tashmë janë ngjizur, a nuk do të ishte Ai po ashtu i përfshirë në bashkimin e spermës dhe vezës që sjell në jetë vetë atë fat? Pse të pranojmë njërën dhe të mohojmë tjetrën? Pse të mos i shohim të dyja si pjesë të të njëjtit plan hyjnor? Nëse kjo është e vërtetë, atëherë Perëndia kontrollon ngjizjen e çdo individi dhe gjithashtu drejtimin e jetës së tyre. Dhe nëse është kështu, ç’të drejtë kemi ne të ndërhyjmë në këtë proces? Veç nëse kemi një njohuri të veçantë për të ardhmen, gjë që s’ka gjasa të jetë kështu.
Lea – Zanafilla 29:31-33
“Zoti, duke parë që për Lean nuk kishte dashuri, ia çeli barkun asaj, ndërsa Rakela ishte shterpë. Kështu Lea u ngjiz dhe lindi një djalë që e quajti Ruben, sepse tha: “Zoti e pa trishtimin tim; prandaj tani burri im do të më dojë”. Pastaj u ngjiz përsëri dhe lindi një djalë dhe ajo tha: “Zoti e pa se nuk kisha dashuri, prandaj më dha edhe këtë bir”. Dhe e quajti Simeon”.
(Lea, vazhdim) – Zanafilla 30:17
“Kështu Perëndia ia plotësoi dëshirën Leas, e cila u ngjiz dhe i lindi Jakobit birin e pestë”.
Rakela – Zanafilla 30:1-2
“Kur Rakela pa që nuk po i bënte fëmijë Jakobit, u bë ziliqare e motrës së saj dhe i tha Jakobit: “Më bëj me fëmijë përndryshe unë po vdes”. Jakobi u mbush tërë inat kundër Rakelës dhe i tha: “Se mos jam unë në vend të Perëndisë që nuk të lejon të kesh fëmijë?“.
(Rakela, vazhdim) – Zanafilla 30:22-24
“Perëndia u kujtua edhe për Rakelën; dhe Perëndia ia plotësoi dëshirën dhe e bëri të frytshme; kështu ajo u ngjiz dhe lindi një djalë, dhe tha: “Perëndia e hoqi turpin tim“. Dhe e quajti Jozef, duke thënë: “Zoti më shtoftë një bir tjetër“.
(Jakobi dhe Esau ribashkohen pas ndarjes së gjatë) – Zanafilla 33:4-5
“Atëherë Esau vrapoi drejt tij, e përqafoi, iu hodh në qafë dhe e puthi; dhe që të dy qanë. Pastaj Esau ngriti sytë, pa gratë e fëmijët dhe tha: “Kush janë këta me ty?”. Jakobi iu përgjigj: “Janë bijtë që Perëndia pati mirësinë t’i japë shërbyesit tënd“.
Jozefi – Zanafilla 41:50-52
“Para se të vinte viti i zisë, Jozefit i lindën dy fëmijë që Asenathi, e bija e Potiferahut, prift i Onit, i lindi. Jozefi e quajti të parëlindurin Manasi, sepse tha: “Perëndia bëri që të harroj çdo shqetësim timin dhe tërë shtëpinë e atit tim”. Të dytit i vuri emrin Efraim, sepse tha: “Perëndia më ka bërë frytdhënës në vendin e pikëllimit tim”.
(Jozefi, vazhdim) – Zanafilla 48:3-4, 8-9
“Atëherë Jakobi i tha Jozefit: “Perëndia i plotfuqishëm m’u shfaq në Luc, në vendin e Kanaanit, më bekoi dhe më tha: “Ja, unë do të të bëj frytdhënës, do të të shumoj, do të bëj prej teje një shumicë popujsh dhe do t’u jap këtë vend pasardhësve të tu pas teje, si pronë përjetë”.
Kur Izraeli pa bijtë e Jozefit, tha: “Kush janë këta?”.
Jozefi iu përgjegj të atit: “Janë fëmijët e mi që Perëndia më ka dhënë këtu“.
Ka shumë referenca të tjera në Bibël që flasin për kontrollin e Perëndisë mbi barkun e gruas! Është me të vërtetë mahnitëse, dhe të nxis të mos jesh dembel/e (këtu po buzëqesh) dhe të bësh detyrën tënde të shtëpisë! Kjo është një temë shumë e rëndësishme, dhe nëse nuk gjen kohë për të studiuar se çfarë thotë Fjala e Perëndisë për të, tani, e gjithë jeta jote mund të kalojë në padituri. Këtë gjë e kuptova edhe për jetën time, dhe pikërisht për këtë arsye vendosa më në fund të veproj. A nuk do të ishte e trishtueshme të kishim të gjitha përgjigjet përpara nesh, në atë Libër të mrekullueshëm, dhe megjithatë ta shpërdorojmë kohën duke kërkuar në Google çfarë mendojnë të tjerët për të, në vend që të zbulojmë çfarë ka thënë tashmë vetë PERENDIA për këtë?
Nëse do të mendoje se e vërteta për kontrollin e lindjeve mund të gjendet në Bibël, a do të gjeje kohë për ta studiuar? A do të ishe i/e gatshëm ta lexoje sërish të gjithë Biblën, duke shënuar çdo referencë për ngjizjen, lindjen e fëmijëve, shumimin, etj.? Çfarë do të duhej që ta bëje vërtet këtë? Po sikur pengesa e vetme që të ndalon të zbatosh vullnetin e Perëndisë të jetë fakti që nuk ke vendosur ende të përpiqesh? Këshilla ime është: mos humb më kohë. Kjo është tepër e rëndësishme.
“Kujdesuni, pra, që të ecni me kujdes dhe jo si të marrët, por si të mençurit, duke e shfyrtësuar kohën, sepse ditët janë të mbrapshta. Prandaj mos u bëni të pakujdesshëm, por kuptoni cili është vullneti i Zotit. ” — Efesianëve 5:15-17
T’i japësh Perëndisë kontrollin e ngjizjes nuk është si të hidhesh nga një greminë;
ajo është më shumë si hapja e një dere të bekimeve që Perëndia gjithmonë kishte ndërmend që ti t’i kishe!
Ligji i Ripërtërirë 7:12-14
“Kështu, në rast se ju keni parasysh këto ligje, i respektoni dhe i zbatoni në praktikë, Zoti, Perëndia juaj, do ta mbajë besëlidhjen me ju dhe dashamirësinë për të cilën u është betuar etërve tuaj. Ai do të të dojë, do të të bekojë dhe do të të shumëzojë, do të bekojë frytin e gjiut tënd dhe frytin e tokës sate, grurin tënd, mushtin dhe vajin tënd, pjelljet e lopëve dhe të deleve të tua në vendin që u betua t’u japë etërve të tu. Ti do të jesh më i bekuari i të gjithë popujve dhe nuk do të ketë midis teje asnjë burrë apo grua shterpë, as edhe midis bagëtisë sate”
Është e qartë se Perëndia është në gjendje dhe dëshiron t’i bekojë ata që besojnë dhe i binden Atij me shumë lloje bekimesh, duke përfshirë edhe bekimin e të pasurit fëmijë. Në kohët biblike, të jesh frytdhënës nuk ishte rastësi, por rezultat i drejtpërdrejtë i bekimit të Perëndisë. Ai kishte kontroll të ngjizjes. Ishte Ai që i bëri izraelitët të shumoheshin. Dhe që askush të mos mendojë se ky parim vlente vetëm në kohën e Dhiatës së Vjetër, ja një shembull nga Dhiata e Re:
Galatasve 1:15-16a
“Po, kur i pëlqeu Perëndisë, që më kishte ndarë që nga barku i nënës dhe më thirri me anë të hirit të tij, që të zbulojë në mua Birin e tij, që unë ta predikoj midis paganëve…”
Perëndia kishte një plan për jetën e Palit që nga barku i nënës; dhe nëse që nga barku, atëherë edhe përpara barkut! Siç e theksova më parë, Perëndia ka një plan për çdo fëmijë që i lejojmë Atij të sjellë në jetën tonë. Pse, pra, ta kufizojmë Krijuesin tonë duke përdorur kontrollin e lindjeve?
Nga një këndvështrim biblik, kontrolli i lindjeve nuk është mençuri, është frikë.
Nuk është kujdes, është krenari.
Krenari, sepse ne, njerëzit e vegjël, mendojmë se në një farë mënyre mund të parashikojmë vlerën afatgjatë të një jete të vetme (në fakt, më shumë se një jete, nëse llogarisim fëmijët që ai foshnje mund të ketë më vonë, përfshirë nipërit e mbesat, etj.). Kur ne përdorim kontroll të lindjeve, ajo që në të vërtetë po bëjmë është kjo: luajmë rolin e zotit, duke marrë vendimin në vend të Tij, sepse ne hamendësojmë se Atij nuk mund t’i besohet që ta menaxhojë vetë. Ne duam të vendosim se kush duhet dhe kush nuk duhet të ekzistojë. Sa e gabuar është kjo! Biblikisht, nuk përputhet aspak.
Si e shkatërron kontrolli i lindjeve respektin për jetën dhe për Dhuruesin e jetës?
Në këtë mënyrë: ai shtiret se na vendos neve në krye, për të përcaktuar kush do të jetojë dhe kur. Ai ia heq autoritetin Perëndisë në këtë fushë dhe përpiqet ta vendosë atë në duart tona. Ne fillojmë ta nënvlerësojmë atë që e shohim si të drejtën tonë për të kontrolluar. Në fund të fundit, nëse ne kemi “të drejtën” për të përcaktuar ngjizjen, pse të mos kemi edhe të drejtën për të bërë abort? Për vetëvrasje? Për të eliminuar të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara mendore? Nëse jeta është në duart tona që në fillim, pse të mos jetë edhe në fund dhe në çdo hap ndërmjet tyre?
E sheh tani si merr formë “personazhi i perëndisë së vogël”? Në vend që ne të pranojmë jetën nga Perëndia me dridhje e mirënjohje, ne kemi filluar ta falënderojmë Atë vetëm kur na leverdis, duke e ulur vlerën e jetës me anë të prezervativëve dhe kontraceptivëve. Kur ne refuzojmë jetën që vjen prej Tij, kjo është njësoj si të refuzojmë Vetë Atë:
“’Cilido që pranon një nga këta fëmijë në emrin tim, më pranon mua; dhe kushdo që më pranon mua, nuk më pranon mua, por atë që më ka dërguar” — Marku 9:37
Le ta lëmë Perëndinë të jetë Perëndi, dhe ta lëmë ngjizjen në duart e Tij. Kë do dojë Ai të dërgojë në familjen tënde? Ndoshta nuk do ta mësosh kurrë, derisa nuk ndalon së përdoruri kontroll të lindjeve dhe të fillosh që t’i besosh Atij.