Perëndishmëria për Vajzat dhe Gratë e Reja
Përkthyer nga The Standart Bearer
“Që t’i mësojnë të rejat të duan burrat e tyre, të duan bijtë e tyre, të jenë mendjegjera, të dëlira, t’u kushtohen punëve të shtëpisë, të mira, të nënshtruara ndaj burrave të tyre, që fjala e Perëndisë të mos blasfemohet.” – Titi 2:4–5
Titi po shërbente mes të krishterëve të rinj në ishullin e Kretës. Ai duhej të predikonte dhe të mësonte Fjalën e Perëndisë me qëllim që të zgjedhurit e Perëndisë të njihnin të vërtetën dhe të jetonin në perëndishmëri (Titit 1:1). Doktrina e rreme dhe një mënyrë jetese e paperëndishme, duhet të dënohen me fjalë, të folura dhe të shkruara. Por ato dënohen gjithashtu nga jeta e perëndishme e të krishterit. Perëndishmëria e zbukuron të vërtetën, duke dhënë dëshmi për saktësinë e të vërtetave të hirit sovran dhe të veçantë.
Pali e fillon kapitullin e dytë: “Por ti fol ato, që i kanë hije doktrinës së shëndoshë.” Pastaj ai bëhet më konkret, duke treguar se çfarë është perëndishmëria për anëtarët e ndryshëm të kishave të krishtera në Kretë. Në këtë shkrim, ne shqyrtojmë paraqitjen që Pali i bën perëndishmërisë për vajzat dhe gratë e reja të krishtera. Kjo është perëndishmëria që gratë e moshuara të krishtera duhet t’ua mësojnë atyre.
Thirrja Kryesore e Grave të Reja të Krishtera
Bashkëshortja/nëna e re e krishterë duhet të jetë “e kushtuar ndaj punëve të shtëpisë.”
Disa thonë në mënyrë të thjeshtëzuar se kjo do të thotë që ajo duhet të qëndrojë në shtëpi dhe nuk duhet të punojë jashtë saj. Por kjo do të na bënte që të humbnim shumë nga ajo që Perëndia po mëson përmes përdorimit të kësaj fjale greke. Kjo fjalë e frymëzuar e përshkruan atë nga këndvështrimi i detyrave të saj ndaj shtëpisë: “kujdesi për shtëpinë.” Ajo duhet ta bëjë shtëpinë një vatër familjare. Nënkuptohet që kjo grua e re është e martuar dhe ka fëmijë. Kjo grua e re e krishterë duhet të kujdeset për shtëpinë duke u marrë me punët e saj, duke e mbikëqyrur dhe duke e ruajtur atë. Nuk ka dyshim se për t’u kujdesur për shtëpinë në këtë mënyrë, bashkëshortja/nëna duhet të jetë në shtëpi. Do të ishte shumë e vështirë që kjo të bëhej kur nuk ndodhesh në shtëpi.
Gratë e krishtera më të moshuara duhet t’u mësojnë nënave të reja të martuara se mënyra e jetesës që është në përputhje me besimin e tyre në Jezu Krishtin është ajo e kujdesit, ruajtjes ose mbrojtjes së shtëpisë. Shtëpia e krishterë është e rrethuar nga një botë thellësisht e paperëndishme. Se kjo ishte kështu edhe për shtëpitë e krishtera në Kretë, bëhet e qartë nga ajo që Pali thotë për kretasit në kapitullin e parë. Dhe sigurisht që është e vërtetë edhe sot! Gruaja e re e krishterë duhet të jetë e vetëdijshme për armiqtë shpirtërorë që sulmojnë shtëpinë e krishterë. Ajo duhet gjithashtu të jetë e vetëdijshme për armiqtë e perëndishmërisë që lindin nga brenda shtëpisë. Natyrat mëkatare të të gjithë banorëve të shtëpisë janë një forcë shumë e fuqishme, kundër së cilës gruaja dhe nëna e re e krishterë duhet të jetë vigjilente. Janë pikërisht këta armiq që e bëjnë kaq të vështirë thirrjen e saj për t’u kujdesur për shtëpinë.
Përgjegjësia e gruas së re të krishterë është ta bëjë shtëpinë një vend të sigurt dhe të qëndrueshëm. Ajo duhet të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të krijuar dhe ruajtur një atmosferë strehimi të sigurt dhe të rehatshëm për bashkëshortin dhe për fëmijët e saj. Këtë ajo e bën duke i bërë të gjithë në shtëpi të vetëdijshëm për standardin e ligjit të Perëndisë (në kundërshtim me çdo qendërzim te vetja) dhe për praninë e Jezusit, Shpëtimtarit të dashur dhe falës. Në mënyrë të veçantë, në dritën e pranisë së mëkatit, ajo e dëshmon këtë duke rrëfyer mëkatet e saj dhe duke falur shpejt e sinqerisht ata që mëkatojnë kundër saj. Gjithashtu, ajo e bën të qartë se lutja është një element thelbësor i jetës familjare. Ajo lutet me zjarr ndaj Atij i Cili është i vetmi që mund ta ruajë një shtëpi shpirtërisht të sigurt (Ps. 127:1, 2). Ajo i kujton vazhdimisht vetes, bashkëshortit dhe fëmijëve detyrën për t’i rezistuar djallit dhe për t’iu afruar Perëndisë. Ajo dëshiron që besimi të jetë i dukshëm në shtëpinë e saj.
Si duhet ta shfaqin perëndishmërinë e tyre gratë e reja të krishtera
Si e mban shtëpinë e saj gruaja dhe nëna e re e krishterë? Pasazhi ynë jep pesë mënyra.
Së pari, ajo e mban shtëpinë duke dashur bashkëshortin dhe fëmijët e saj ashtu si Perëndia e do atë. Kjo detyrë për të dashur i mësohet asaj nga gratë më të vjetra të krishtera. Kjo do të thotë se dashuria për bashkëshortin dhe fëmijët është diçka që mësohet dhe përvetësohet. Ajo nuk është vetëm një emocion në të cilin bie njeriu. Shpëtimi mëson për një dashuri që është shumë më tepër se emocione dhe ndjenja. Ndjenja e dashurisë për dikë, edhe pse me të drejtë quhet “dashuri”, nuk mësohet, as nuk urdhërohet. Kur Perëndia urdhëron dashurinë, Ai nuk urdhëron një ndjenjë, por një njohuri që mund të mësohet dhe të përvetësohet. Ky është kuptimi dhe rëndësia e fjalës greke agape. Agape (dashuria) në thelb, para së gjithash, është njohuri. Ajo urdhërohet nga Perëndia (Gjoni 13:23; Gjoni 15:12) dhe mësohet nga Perëndia (1 Thes. 4:9). Është një njohuri e dashurisë së Perëndisë për ne. Kur njohuria e besimit përjeton dashurinë e Perëndisë, ajo dëshiron ta pasqyrojë atë. Dhe pastaj ne njohim veten dhe të tjerët ashtu sic Perëndia na njeh. Ne kuptojmë se dashuria e Perëndisë duhet të pasqyrohet si sakrifikuese, jo egoiste dhe dhënëse (jo kërkuese apo zotëruese). Ne dimë se dashuria e Perëndisë është e pakushtëzuar (e pavarur nga fakti nëse objekti është i mirë apo i këndshëm). Agape është një njohuri e dikujt që e merr burimin e energjisë nga ai që do, jo nga ai që është i dashur.
Së dyti, mënyra se si gratë e reja të krishtera kujdesen për shtëpitë e tyre është duke qenë “mendjegjera”. Vini re se kjo cilësi duhet të jetë pjesë edhe e perëndishmërisë së burrave të krishterë, si të moshuarve ashtu edhe të rinjve (v. 2, 6). Kjo fjalë rrjedh nga fjala greke që përçon idenë e “urtësisë”. Do të thotë të jesh nën kontroll, i matur dhe i disiplinuar. Të ushtruarit e urtësisë duke pasur mendje të shëndoshë dhe vetëkontroll. Ideja është që ajo duhet t’i përkushtohet detyrave të saj në shtëpi. Mendjegjerësia e ndihmon atë të kuptojë se kjo është koha e jetës së saj kur fokusi duhet të jetë te shtëpia.
Besimi në Jezu Krishtin sjell ekuilibër dhe perspektivë në jetën e një bashkëshorteje dhe nëne. Besimi që mban si të vërtetë, atë që Perëndia ka zbuluar në Fjalën e Tij, e çliron atë nga romantizmi dhe ëndrrat joreale. Me anë të besimit, ajo e njeh veten si një mëkatare e madhe që duhet të rrëfejë mëkatet e saj, të mohojë veten dhe të kontrollojë dëshirat e saj. Ajo i reziston dëshirës natyrore për të bërë diçka të madhe për veten në botë, sepse besimi i tregon se Perëndia vlerëson më së shumti gruan që kujdeset për shtëpinë e saj. Është besimi ai që e bën të kuptojë se Ati i gjithurtë dhe i dashur i ka dhënë bashkëshortin dhe fëmijët që ajo ka, dhe se është Ai që ajo duhet t’i bindet. Ajo duhet të jetë mendjegjërë dhe e matur.
Së treti, perëndishmëria e grave të reja të krishtera shfaqet në të qenit “të bindura ndaj bashkëshortëve të tyre” në çdo gjë të ligjshme. Fjala greke e përdorur flet për një nënshtrim vullnetar, një vendosje të vetes nën autoritet. Ky nënshtrim vullnetar buron vetëm nga bindja ndaj Shpëtimtarit dhe Zotit të saj. Besimi në Jezusin i jep asaj gatishmërinë për të jetuar me vetëdijen e asaj që Ai ka bërë për të dhe të asaj që Ai dëshiron që ajo të bëjë. Besimi i jep asaj të kuptojë se bashkëshorti i saj është dhuratë e Perëndisë për të, i dhënë prej Tij për të qenë kreu i saj.
Ky nënshtrim nuk e bën atë inferiore si person. Ajo është po aq e shpëtuar në të njëjtin gjak të Qengjit dhe po aq trashëgimtare shpirtërore. Besimi i saj e mëson se Perëndia do ta gjykojë bashkëshortin për çdo dështim në përmbushjen e detyrës së tij, dhe do ta gjykojë edhe atë për çdo dështim në përmbushjen e asaj që Ai e urdhëron të bëjë.
Së katërti, perëndishmëria e saj dëshmohet në të qenit “e dëlirë”. Dëlirësia i referohet pastërtisë morale, pastërtisë dhe modestisë. Nuk do të thotë të jesh pa mëkat. Por që qëndron në kundërshtim me shfaqjen e vetes, vendosjen e vetes mbi të tjerët, përpjekjen për të tërhequr vëmendjen ndaj vetes me fjalë, veprime ose veshje. Gruaja e re e krishterë përpiqet të jetë besnike ndaj Perëndisë dhe bashkëshortit të saj në mendim, fjalë dhe vepër.
Së pesti, gruaja e re e krishterë duhet të jetë “e mirë”, domethënë e dobishme, duke u përpjekur të përmbushë qëllimin e saj duke qenë e dobishme për ata që e rrethojnë. Çdo bashkëshorte/nënë është nga natyra egoiste dhe e qendërzuar te vetja. Ajo shqetësohet për veten sikur bota të rrotullohej rreth saj. Por bashkëshortja e mirë e krishterë, nga ana tjetër, kupton se shpëtimi në Jezu Krishtin e vendos atë në trupin e Tij, kështu që ajo është një anëtare e një trupi të madh, kishës. Kur ndonjë pjesë e trupit fizik tërheq vëmendjen ndaj vetes, ne e konsiderojmë atë si dhimbje! Po kështu, çdo anëtar i kishës nuk duhet të tërheqë vëmendjen ndaj vetes, por të jetë i zënë në shërbim ndaj anëtarëve të tjerë. Perëndia e thërret bashkëshorten e krishterë që të nënshtrojë veten dhe dëshirat e saj ndaj Tij, duke qenë e dobishme për të tjerët në shtëpinë e saj.
Qëllimi i perëndishmërisë së grave të reja të krishtera
Qëllimi i kësaj perëndishmërie që buron nga besimi i krishterë në gratë e reja të krishtera është që “fjala e Perëndisë të mos blasfemohet”. Diçka “blasfemohet” kur flitet kundër saj, përqeshet, shpifet ose fyhet.
Një e krishterë që e rrëfen besimin me gojë, por që është egoiste dhe e qendërzuar te vetja, e bën qesharake krishterimin që pretendon. Kjo, nga ana tjetër, e bën qesharake Perëndinë dhe Fjalën e Tij. U jep rast jobesimtarëve ta përqeshin Atë. E vërteta e Fjalës së Perëndisë duhet të ketë si efekt, vetëmohimin dhe përulësinë tek ata që e rrëfejnë atë.
Rrëfimi i përulur i mëkateve dhe i natyrës mëkatare, së bashku me përpjekjen për t’iu bindur Perëndisë dhe Fjalës së Tij, sjell lavdërimin e Atit tonë në qiell (Mat. 5:16). Të ligjtë gjithmonë duan të përqeshin dhe të blasfemojnë. Por veprimet e perëndishme të popullit të Perëndisë tregojnë se përqeshja e tyre është vetëm gënjeshtër. Le t’i kundërshtojnë dhe t’i heshtin këto gënjeshtra, jetët e qeta të grave dhe nënave të reja të krishtera! Nderi i jepet Perëndisë dhe mësimeve të Fjalës së Tij përmes sjelljes së perëndishme të bashkëshortes së krishterë.