Pse Një Grua U Largua nga Forcat e Policisë
Nga Nicole Leaman
Grushtat po vazhdonin të vinin. Nuk e dija çfarë të bëja. U përpoqa të mbroja fytyrën dhe trupin tim, por më kot. Ndërsa fillova të shihja yje, më kapi hiperventilimi. Nuk mund të merrja frymë siç duhet.
Rashë në tokë dhe ajo ishte e butë dhe ngjyrë blu. Ishte vetëm stërvitje, dhe po merrja një rrahje të mirë. Duke u rritur si një vajzë capkëne (tom-boy), do t’ju kisha thënë se doja të isha në ushtri, dhe më vonë ajo ëndërr u shndërrua në dëshirën për t’u bërë police. Pas shkollës së mesme mora një diplomë në drejtësi penale dhe më vonë u bëra police pasi iu bashkova ushtrisë.
Ëndrrat e mia po realizoheshin njëra pas tjetrës. Unë nuk mendoja se po bëja diçka të gabuar, as nuk mendoja se ishte problem që gratë të ishin në ushtri ose në polici. Por, çuditërisht, besoja se Bibla vendoste një precedent që tregonte se nuk ishte e drejtë që gratë të ishin në role luftuese. E dija se ishte e gabuar.
Megjithatë, në mendjen time, puna ime në ushtri ishte një punë “jo-luftarake”. Ky ishte një justifikim i lehtë. Vetëm kur mu bë pyetja: “A është biblike që gratë të jenë në polici?” fillova të shqyrtoja se çfarë mëson Bibla mbi rolet e burrave dhe grave. Pasi studiova seriozisht atë që Bibla mëson për rolet gjinore, përfundimi im ishte se një grua police shkon kundër mënyrës se si Perëndia i ka krijuar gratë.
Perëndia i krijoi gratë për qëllime të caktuara dhe zbatimi i ligjit nuk është njëri prej tyre. Ka shumë arsye se pse arrita në këtë përfundim, por dua të ndaj tre arsyet kryesore pse lashë punën time si police:
- Forca policore po shkatërronte feminitetin tim.
- Puna në polici është luftim.
- Uniformat që mbajnë policet janë veshje e gjinisë tjetër.
Ju lutem kuptoni se ky nuk ishte një vendim i marrë lehtë. Të lija punën time ishte, fillimisht, një nga vendimet më të vështira të jetës sime. U desh një vit lutjeje, studimi të Biblës dhe shumë, shumë biseda mbi këtë temë që të arrija në këto përfundime. Unë isha rritur duke besuar se gra të tilla ishin heroina. Jeta ime po përmbysej kokëposhtë. Gjithçka që e çmoja dukej sikur po më shkëputej nga shpirti.
Vështirësia filloi që në fillim. Më vunë në dukje se unë ecja si burrë. Po, dikush ma tha me të vërtetë këtë. Ai më tha: “Provo të ecësh si një zonjë.” U përpoqa dhe nuk mundesha. U turpërova shumë. Ecja me shpatulla që lëkundeshin dhe me këmbët paksa të hapura. Pas këtij momenti turpërues e poshtërues, fillova të kërkoj cilësi më femërore. Kjo ishte më e vështirë se çdo stërvitje fizike që kisha bërë ndonjëherë. Më e vështirë se çdo ushtrim, më e vështirë se akademia e policisë dhe stërvitja bazë ushtarake së bashku. Dhe jo, nuk po e ekzagjeroj. Arrija maksimumin në çdo test fizik për standardin e grave dhe isha gjithmonë shumë afër maksimumit të standardit të burrave. Kjo ishte e lehtë. Çfarë ishte e vështirë? Çfarë më bëri që të doja të dorëzohesha? Të provoja të vendosja grim për herë të parë. Të përpiqesha të kaçurrelosja flokët pa u djegur më bënte të doja të hiqja dorë. Jeta ime ishte përmbys.
Megjithatë, pasi u ktheva në shtëpi nga një turn, vendosa t’i jepja një shans kësaj “gjëje vajzash”. Në një nga fundjavat e mia, me vetëdije u përpoqa të ecja dhe të flisja më shumë si grua. Po ia dilja shumë më mirë (sigurisht, sepse po përpiqesha qëllimisht). Kur filloi java tjetër e punës, hyra në dhomën e zhveshjes për të veshur uniformën. Ishte sikur të ndizje një çelës. Trupi im u kthye menjëherë në mënyrën mashkullore të ecjes. Zëri im natyrshëm u bë më i ulët. U trondita. Nuk mund ta besoja. Gjithë ajo punë e vështirë shkoi dëm. Mjedisi në forcën policore po shkatërronte feminitetin tim të brishtë.
Unë do e përshkruaja veten si dikush që e merr shumë seriozisht Fjalën e Perëndisë. Nëse Bibla më thotë diçka, përpiqem ta ndjek. Siç përmenda më sipër, unë isha kundër grave në luftim. Problemi ishte se unë e mendoja luftimin vetëm në lidhje me ushtrinë. Nuk mendoja se policia ishte luftim. Mund të më quani naive dhe nuk do të ofendohem — thjesht nuk e kisha menduar. Nuk m’u desh shumë kohë të kuptoja se gjithçka që bëja ishte luftim. Është e vërtetë që nuk isha në luftim çdo ditë, por puna vetë e përfshinte atë. Kur fillojnë të shtënat, policët shkojnë drejt tyre. Kur njerëzit e tjerë janë në rrezik dhe ikin, policët shkojnë drejt rrezikut. Çdo kontakt që bën një police ka potencial për luftim. Një police, vetëm për shkak të uniformës, është një objektiv për luftim. Po, puna e policisë është luftim.
Arsyeja e fundit që më shtyu të lija punën ishte fakti se gratë që veshin uniformën e policisë po veshin veshjen e gjinisë tjetër dhe kjo bie ndesh me Ligjin e Ripërtërirë 22:5. Çfarë veshjeje tjetër është më mashkullore? Nëse do të ndanim veshjet e burrave nga ato të grave, ku do të vendosej vija ndarëse? Pavarësisht kësaj, këto uniforma janë në vetvete mashkullore. Do të gënjeja po të thosha se uniforma nuk është veshja e gjinisë tjetër. Përtej vetë rrobave, siç ka thënë një autor: “Burrat nuk duhet të sillen si gra; gratë nuk duhet të sillen si burra. Siç e shpreh CEV: ‘Gratë nuk duhet të shtiren si burra, dhe burrat nuk duhet të shtiren si gra. Zoti, Perëndia juaj, neveritet nga ata që bëjnë kështu.’ Ndërkohë që kultura popullore ulërin kundër vetë idesë së një ‘pune burrash’, Perëndia zemërohet ndaj idesë që një grua të bëjë një punë burrash.”
Sondazh me një pyetje: Cila ideologji është kërcënimi më i madh për kishën e krishterë sot?
Kam dëgjuar shumë argumente se pse nuk duhej ta lija punën si police. Një argument është: nëse një grua mund të përballojë kërkesat fizike, duhet të lejohet të jetë police. Ky argument thotë se nuk ka rëndësi që Perëndia i ka krijuar gratë ndryshe nga burrat. Ai sugjeron gjithashtu se të vraposh një distancë të caktuar në një shpejtësi të caktuar ose të bësh një numër të caktuar pompash e ushtrimesh të barkut të bën të kualifikuar për punën. Por puna është më shumë sesa thjesht aftësi fizike. Përveç kësaj, ky argument nuk prek fare tre arsyet pse e lashë punën. Unë isha shumë në formë fizikisht. E tejkalova standardin e grave dhe mora 100% në standardin fizik të burrave. Sa i përket argumentit të grave në luftë, forma fizike nuk ka rëndësi.¹
Një argument tjetër që disa të krishterë më thanë ishte se dëshira ime për t’u bërë police vinte nga Zoti dhe askush nuk kishte të drejtë ta shtypte ëndrrën time. Kjo është një nga këshillat më të paperëndishme që kam dëgjuar ndonjëherë në jetën time. Zemra ime është mashtruese dhe e ligë (Jer. 17:9). Unë bëj dhe dëshiroj atë që nuk i pëlqen Zotit (Rom. 7:14–25). Dhe dikush më thotë se dëshira ime vinte nga Zoti? Po, ishte një dëshirë, por duke parë pas, ajo dëshirë ishte e ligë. Dëshira ime ishte të kënaqja krenarinë dhe tendencat e mia egoiste. Në thellësi të shpirtit tim unë po ngrija grushtin kundër Perëndisë për mënyrën se si më kishte krijuar. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme që ne si të krishterë të jemi shumë të kujdesshëm kur u japim këshilla të krishterëve të tjerë. Duhet të kemi shumë kujdes kur themi se kush është vullneti i Perëndisë dhe dëshira e Tij. Ne do të japim llogari për këshillat që u japim të tjerëve.
Siç përmenda më sipër, unë luftova me këtë çështje për rreth një vit. Nuk pata menjëherë një dëshirë të zjarrtë për të lënë punën. Kisha punuar një pjesë të madhe të jetës sime me qëllimin për t’u bërë police. Paguhesha mirë, më pëlqente shumica e njerëzve me të cilët punoja, isha krenaria e babait tim, dhe pothuajse të gjithë më thoshin të mos e lija. Bota dukej kundër meje, por e dija se ajo që po bëja nuk po e nderonte Perëndinë. Unë po luftoja kundër feminitetit, kundër mënyrës së bukur që Ai më kishte bërë. Zoti më hapi sytë për të parë të vërtetën e qëllimit të Tij të veçantë për burrat dhe për gratë. Kur shoh pas në të kaluarën time, do ta përshkruaja veten si “e lirë në burgun e pasionit tim.”² Vetëm kur, me hirin e Perëndisë, m’u hapën sytë, kuptova se liria ime e vërtetë gjendet në të qenit grua, e liruar në Krishtin.
Përkthyer nga: https://web.archive.org/web/20230130210858/https://thereformedconservative.org/why-one-woman-quit-the-police-force/