“Pranimi i Krishtit”
Nga I. C. Herendeen
Përkthyer nga the-highway
Në përpjekje për t’i shpëtuar mëkatarët, shpesh i dëgjojmë njerëzit të nxiten që të “pranojnë Krishtin si Shpëtimtarin e tyre personal”, sikur ata që janë skllevër të Satanit dhe robër të Djallit mund ta bëjnë këtë dhe të shpëtohen nëse thjesht e bëjnë atë. Por kjo është krejtësisht e huaj për Shkrimin e Shenjtë. Nuk ka asnjë themel për këtë në Shkrimin e Shenjtë. Ajo paraqet një rrugë të rreme shpëtimi dhe, për këtë arsye, duhet të hidhet poshtë bashkë me shprehje të tjera të ngjashme si: “Jepja zemrën tënde Jezusit”, “Merre Jezusin si Shpëtimtarin tënd”, etj.
Shprehje të tilla nuk marrin parasysh faktin e qartë dhe të trishtueshëm se njeriu është një krijesë e rënë (Romakëve 3:23), “të errësuar në mendje, të larguar nga jeta e Perëndisë” (Efesianëve 4:18), me një zemër kokëfortë që është e ngurtësuar kundër Tij, kështu që ai “nuk do” të vijë te Krishti (Gjoni 5:40), përveçse dhe derisa fuqia hyjnore të mposhtë armiqësinë e tij të lindur dhe ta bëjë të gatshëm të vijë që të “ketë jetë” (Gjoni 10:10). Nga natyra, “mendja mishërore” e mëkatarit është “armiqësi kundër Perëndisë” (Romakëve 8:7), kështu që asgjë tjetër veç fuqisë hyjnore që vepron brenda tij nuk mund ta mposhtë këtë armiqësi. Shpëtimi i çdo mëkatari është çështje e “veprueshmërisë së Perëndisë” (Kolosianëve 2:12).
Një mbretëri shpirtërore kërkon një natyrë shpirtërore, dhe që njeriu ta fitojë atë, njeriu natyror duhet të rilindë, të rilindë në mënyrë hyjnore, sepse krijesa nuk mund ta gjallërojë veten më shumë seç mund t’i japë vetes ekzistencë natyrore (fizike). Pse? Sepse rilindja nuk është thjesht një reformë e jashtme, një proces edukimi, apo edhe një kultivim fetar. Jo; ajo konsiston në një ndryshim rrënjësor të zemrës dhe një transformim të karakterit, nga komunikimi i një parimi të hirshëm dhe të shenjtë që prodhon dëshira të reja, aftësi të reja dhe një jetë të re. Lindja e re është absolutisht e domosdoshme, por kjo është vepra e Frymës së Perëndisë nga vetë natyra e çështjes. Lindja përjashton plotësisht idenë e çdo përpjekjeje ose pune nga ana e atij që lind; prandaj është shkruar: “Është Fryma që jep jetë; mishi nuk vlen asgjë” (Gjoni 6:63).
Lindja e re është shumë, shumë më tepër sesa keqardhje e përkohshme për mëkatin, sesa një miratim mendor për pranimin e Krishtit si Shpëtimtar personal, sesa ndryshimi i drejtimit të jetës apo braktisja e zakoneve të këqija dhe zëvendësimi i tyre me ato të mira. “Ajo shkon pafundësisht më thellë se kaq. Ajo është fillimi dhe marrja e një jete të re. Është rrënjësore, revolucionare, e qëndrueshme, një mrekulli, rezultat i veprimit të mbinatyrshëm të Perëndisë.” “Shpëtimi i përket Zotit” (Jona 2:10), prej Zotit nga fillimi deri në fund.
Nuk është çudi që njeriu natyror duhet të lindë përsëri, sepse ai është plotësisht i prishur, një skllav i mëkatit dhe i Satanit, pa asnjë dashuri për Perëndinë, pa asnjë shije për gjërat qiellore dhe pa asnjë aftësi për të kryer veprime shpirtërore. Mëkatari është plotësisht “i rrënuar nga rënia”, është “pa fuqi” (Romakëve 5:6), prandaj është shkruar te Gjoni 6:44: “Askush nuk mund të vijë tek Unë, nëse Ati që më ka dërguar nuk e tërheq.” Vetëm ata që janë “bërë të denjë që të kemi pjesë në trashëgiminë e shenjtorëve në dritë” (Kolosianëve 1:12) dhe janë bërë të shenjtë do të hyjnë në qiell, i cili është një vend i përgatitur për një popull të përgatitur (Gjoni 14:2). “Pa shenjtëri askush nuk do ta shohë Zotin” (Hebrenjve 12:14; Mateu 5:8).
Me apostazinë e tij njeriu e humbi shenjtërinë e tij, është plotësisht i korruptuar dhe nën sundimin e prirjeve dhe epsheve që janë drejtpërdrejt kundër Perëndisë. Prishja e qenies së njeriut është kaq e madhe dhe e plotë sa ai kurrë nuk do të pendohet me të vërtetë përveçse dhe derisa të përtërihet në mënyrë të mbinatyrshme nga Fryma e Shenjtë. Që dikush ta ketë Krishtin si Shpëtimtar, ai duhet së pari ta ketë marrë Atë si ‘Zotin’ e tij (Kolosianëve 2:6; Veprat 2:36), si Mbretin e tij që të sundojë mbi të, sepse Perëndia nuk shpëton askënd ndërsa ai vazhdon në rebelimin kundër Tij.” Ne duhet të pushojmë rebelimin tonë kundër Tij dhe kundër autoritetit të Tij dhe t’i japim Atij fronin e zemrës sonë si Sundimtarin tonë; përndryshe Ai nuk është Shpëtimtari ynë, pavarësisht nga çfarëdo që ne pretendojmë.
Shumë njerëz duket se mendojnë se nëse Krishti “i ofrohet” njeriut për ta pranuar dhe ai “dorëzohet” dhe “i jep zemrën Jezusit”, atëherë gjaku i Krishtit do të veprojë për të larë mëkatet e tij. Por nuk është kështu. Kjo është njësoj sikur t’i ofrosh ushqim një kufome, sepse Efesianëve 2:1–2 na thotë se mëkatarët janë “të vdekur në shkelje dhe në mëkate”, dhe sigurisht që një njeri “i vdekur” nuk mund ta pranojë Krishtin apo të bashkëpunojë me Frymën e Perëndisë. Është një mashtrim i trishtueshëm që dikush të mendojë se qëndron në fuqinë e njeriut natyror të kryejë ndonjë veprim të asaj që quhet në mënyrë naive “besim i thjeshtë” dhe kështu të shpëtohet. E vërteta e Fjalës së Perëndisë është se përpara se ndonjë njeri të shpëtohet, ai duhet të jetë “i lindur nga Fryma” e Perëndisë (Gjoni 3:8) dhe të nënshtrohet ndaj autoritetit të Perëndisë; përndryshe rrëfimi i tij është i pavlerë dhe feja e tij është e kotë.
T’i nxitësh mëkatarët të shpëtohen duke “pranuar Krishtin si Shpëtimtarin e tyre” pa u theksuar domosdoshmëria absolute e pendesës është e pandershme dhe është shtrembërim i kushteve të shpëtimit të Perëndisë, sepse vendimi hyjnor është “Nëse ju nuk pendoheni, do të humbisni të gjithë” (Luka 17:3). Mëkatari duhet ose të pendohet ose të humbasë; nuk ka alternativë tjetër. Dhe duke qenë se “të gjithë kanë mëkatuar” (Romakëve 3:23), të gjithë kanë nevojë që të “pendohen dhe të besojnë Ungjillin” (Marku 1:15), përndryshe ata do të “ndëshkohen me shkatërrim të përjetshëm” (2 Thesalonikasve 1:9). Prandaj, vonimi i pendesës është tepër i rrezikshëm.
“Pendesa për jetë” (Veprat 11:18) “nuk është vepër e natyrës, por një vepër e hirshme e Frymës së Perëndisë, e filluar në zemër dhe e shfaqur në lindjen e re, e vazhduar gjatë gjithë jetës së krishterë dhe e përmbushur në qiell.” “Pranimi i Krishtit si Shpëtimtar personal” është shumë, shumë larg nga ai pendim që Perëndia kërkon nga mëkatari përpara se ai të shpëtohet (shih Veprat 17:30). Për shpëtim, “të penduarit për jetë” është po aq i domosdoshëm sa edhe besimi në Zotin tonë Jezu Krisht. Asnjë mëkatar nuk është falur ndonjëherë ndërsa ka mbetur i papenduar, ndërsa ka vazhduar në rebelim kundër Perëndisë dhe autoritetit të Tij, dhe pa i’u nënshtruar me gjithë zemër Zotërisë së Tij. Kjo përfshin të kuptuarin në zemrën e tij, të bërë nga Fryma e Shenjtë, të “mëkatshmërisë së mëkatit” (Romakëve 7:13), të tmerrit të shpërfilljes së kërkesave të Perëndisë dhe të sfidimit të autoritetit të Tij. Pendesa është një “tmerr dhe urrejtje e shenjtë ndaj mëkatit, një pikëllim i thellë për të, një pranimi i përulur i tij para Perëndisë dhe një braktisje e plotë e tij nga zemra.” Pjetri te Veprat 3:19 nuk tha se gjithçka që duhet të bëni është të “pranoni Krishtin” si Shpëtimtarin tuaj personal, por tha: “Pendohuni, pra, dhe kthehuni, që të shlyhen mëkatet tuaja.”
Nga sa u tha më sipër është plotësisht e qartë se një miratim mendor i Ungjillit nuk do të shpëtojë askënd, dhe as një rrëfim bosh besimi në Krishtin. Shumë njerëz e mashtrojnë veten duke menduar se janë të rilindur sepse janë pagëzuar, janë bashkuar me ndonjë “kishë sipas zgjedhjes së tyre”, kanë marrë Darkën e Zotit, ndërkohë që ata nuk kanë një ndjenjë të thellë dhe përulëse për mëkatin. Duke pretenduar se janë të krishterë, ata janë të mbushur me një besim të kotë dhe mëndjemadhësi se gjithçka është mirë me shpirtrat e tyre, duke mashtruar veten me shpresa për mëshirë ndërsa vazhdojnë të jetojnë sipas vullnetit dhe kënaqësisë së tyre. Por “paaftësia shpirtërore e njeriut natyror është e plotë dhe e tërësishme, e pariparueshme dhe e pashërueshme për sa i përket çdo përpjekjeje njerëzore. Njeriu i rënë është krejtësisht i papërshtatshëm dhe i paaftë, plotësisht kundër Perëndisë dhe ligjit të Tij, dhe plotësisht i prirur drejt së keqes.”
Mëkatari në gjendjen e tij natyrore nuk ka asnjë fuqi në vetvete për ta pranuar Krishtin si Shpëtimtarin e tij personal apo për të “besuar për shpëtimin e shpirtit të tij”, dhe ai as nuk ka ndonjë dëshirë të vërtetë për ta bërë këtë, sepse – siç u tha më sipër – “mendja e tij mishërore” është “armiqësi kundër Perëndisë” (Romakëve 8:7). Ai është “shërbëtor (skllav) i mëkatit” (Romakëve 6:20) dhe duhet të “çlirohet nga mëkati” (Romakëve 6:22) nga fuqia e plotfuqishme e Perëndisë (Luka 9:43). Se ai është plotësisht i pafuqishëm për të shpëtuar veten shihet qartë te Jeremia 13:23: “A mundet një etiopias të ndryshojë lëkurën e tij, o një tigër të këmbejë lëkurën me vijëza?” Kur ai të mund ta bëjë këtë, atëherë “mund të bëjë mirë edhe ai që është mësuar të bëjë keq.” Paaftësia shpirtërore e mëkatarit konsiston në asgjë tjetër vecëse në prishjen e zemrës së tij dhe urrejtjen e tij e rrënjosur ndaj Perëndisë. Ai është aq i pafuqishëm dhe i pashpresë në vetvete sa nuk mund të bëjë as edhe një hap drejt Krishtit për shpëtim. Prandaj ai është i hedhur mbi Perëndinë “që nga barku” (Psalmi 22:10) nëse do të shpëtohet ndonjëherë; kështu që t’u sugjerosh mëkatarëve se mund të vijnë te Krishti sa herë që vendosin ta “pranojnë Krishtin si Shpëtimtarin e tyre personal” është t’i mashtrosh dhe t’i mbështetësh ata mbi një “rrugë shpëtimi” të rreme. Kjo është një çështje jashtëzakonisht serioze. Ata duhet të “kërkojnë Zotin ndërsa mund të gjendet dhe ta thërrasin ndërsa është afër” (Isaia 55:6).
Sa shumë kemi nevojë të na kujtohet urdhërimi biblik: “Mbaje modelin e fjalëve të shëndosha” (2 Timoteut 1:13) dhe ta paraqesim Ungjillin, sa më shumë të jetë e mundur, me “fjalë që i mëson Fryma e Shenjtë” dhe jo me “fjalë që i mëson urtësia e njeriut” (1 Korintasve 2:13). Selah.
Siç ka thënë shumë mirë dikush tjetër: “Vepra shpëtuese e Krishtit, domethënë shpëtimi i një shpirti nga ferri, është vetëm një nga shumë detyrat dhe veprat që Shpëtimtari bën për njerëzit. Nëse ti do e dëgjoje predikuesin në një martesë që të thoshte: ‘Xhorxh, a e merr Margaretën që e mban për dore, si kuzhinieren tënde të ligjshme?’ ti do të habiteshe dhe do të pyesje se çfarë lloj martese po bëhet. Asnjë predikues nuk e thekson punën apo aftësinë që nusja do t’i sjellë burrit të saj. Në fakt, burri e merr gruan për gjithçka që ajo mund të bëjë dhe për gjithçka që ajo është.”
E megjithatë, në predikimin e Ungjillit ne e përqendrojmë vëmendjen te një vepër e Shpëtimtarit në vend që te Vetë Personi që e bën atë vepër të mrekullueshme. Le të shohim si flet Shkrimi. A shohim te Gjoni 1:12: “Por të gjithë atyre që e pranuan Atë si Shpëtimtarin e tyre, u dha pushtet të bëhen bij të Perëndisë”? Jo. Fjalët “si Shpëtimtarin e tyre” nuk gjenden në varg. A lexojmë te Gjoni 3:16: “që kushdo që beson në Të si Shpëtimtarin e tij personal”? Jo. Këto fjalë nuk gjenden në varg. As nuk gjenden te 1 Gjonit 5:12, Mateu 11:28, etj. Në fakt, kjo shprehje nuk gjendet kurrë, sepse Fryma e Shenjtë nuk e tërheq vëmendjen e mëkatarit te një vepër e veçantë, por gjithmonë te Personi i mrekullueshëm dhe i çmuar që e bëri dhe që e bën atë vepër.
“Është si në martesë: nusja që martohet me burrin e pasur… rrëfen se është nusja e tij, gruaja e tij. Ajo nuk thotë se e mora atë si bankierin tim, apo si shoqëruesin tim, apo si diçka tjetër. Përvoja ime gjatë viteve është se ata që pretendojnë se janë shpëtuar përmes një frazeologjie të tillë, që nuk gjendet në Bibël, shpesh nuk mund të gjenden më pas disa javësh ose muajsh.” (Dr. W. L. Wilson, në The Defender). A. W. Pink thotë se “njeriu, me prirjen e tij të pandryshueshme për shtrembërim, e ka përmbysur rendin e Perëndisë. Ungjillëzimi modern i nxit njerëzit e shkujdesur të botës, që nuk kanë asnjë ndjenjë të gjendjes së tyre të humbur, të ‘pranojnë Krishtin si Shpëtimtarin e tyre personal’, dhe kur këta të kthyer rezultojnë të pakënaqshëm për kishat, organizohen takime të veçanta ku u bëhet presion që t’i ‘përkushtohen’ Krishtit si Zot.” Sa shumë kemi nevojë të “vëmë në provë çdo gjë” dhe të “mbajmë fort atë që është e mirë” (1 Thesalonikasve 5:21).