Fjalimet e Gjalla të të Krishterëve në Prag të Vdekjes!

Krishterëve

Fjalimet e Gjalla të të Krishterëve në Prag të Vdekjes

Nga Rev. James Macleod

Përkthyer nga FPChurch

Le të dëgjojmë tani dhe të mendojmë se çfarë kanë thënë burra dhe gra të devotshëm për Krishtin në orën e tyre të vdekjes.

Stefani, martiri i parë, në frymën e tij të fundit tha: “Zot Jezus, prano shpirtin tim.” Kur prokonsulli i lig romak e nxiste Polikarpin që ta mohonte Krishtin, ai tha: “Tetëdhjetë e gjashtë vjet i kam shërbyer Atij dhe Ai kurrë nuk më ka bërë keq. A mund ta mohoj tani?” Zakoni ishte që martirët lidheshin te turra e druve, por ky njeri i shkëlqyer dëshironte dhe kërkoi të qëndronte i palidhur, duke thënë: “Më lini, ju lutem; sepse Ai që më dha forcë të vij te ky zjarr, do të më japë edhe durimin për të qëndruar në të, pa pasur nevojë që të më lidhni.”

Ignatiusi tha: “Kam dëshirë të bluhem nga dhëmbët e egërsirave, që të bëhem bukë e pastër për dhëmbin e Mjeshtrit tim.” “Le të vijnë mbi mua zjarri, torturat, rrotat e shtrëngimit, po, edhe të gjitha mundimet e ferrit; mjafton që të fitoj Krishtin,” i tha Luciusi Urbiciusit, një gjykatës i korruptuar që e kërcënonte me vdekje; “të falënderoj me gjithë zemër që më çliron nga sundimtarët e ligj dhe më dërgon te Perëndia im i mirë dhe Ati im i dashur.” Ambrozi u tha miqve të tij: “Nuk kam jetuar në atë mënyrë që të kem turp që të jetoj më tej; as nuk i frikësohem vdekjes, sepse kam një Zot të mirë.” Po ky Ambroz i tha eunukut të perandorit Valentinian, që e kërcënonte me vdekje: “Ti bëj atë që i takon një eunuku; unë do të duroj atë që i takon një peshkopi.” Teodosiusi tha: “E falënderoj Perëndinë më shumë që kam qënë anëtar i Krishtit sesa perandor i botës.”

Hilarioni thotë: “Shpirt, dil; shtatëdhjetë vjet i ke shërbyer Krishtit; A je kaq i ngurruar të vdesësh apo i frikësuar nga vdekja?” Bazili i tha përfaqësuesit të perandorit Valens, i cili i ofronte shtyrje: “Jo! Nesër do të bëj të njëjtën gjë. S’kam asgjë për të humbur veç disa librave; dhe trupi im është tani aq i dobët sa një goditje e vetme do t’i japë fund mundimeve të mia.” Gorgiu i tha tiranit, që i ofronte ngritje në detyrë: “A ke gjë më të denjë se mbretëria e qiejve?”

Xhulita tha: “Ne gratë nuk kemi marrë vetëm mish nga burrat, por jemi kockë e kockës së tyre; prandaj ne duhet të jemi po aq të forta dhe të qëndrueshme sa burrat në çështjen e Krishtit.” Simeoni tha: “Kështu, të vdesësh i krishterë është të jetosh. Po, kjo është e mira më e madhe dhe qëllimi më i mirë i njeriut.”

Është një gjë e lehtë që të jepen më shumë shembuj për martirët që vdiqën dhe për popullin e Zotit në përgjithësi, të cilët ende dëshmojnë se sa e ëmbël është vdekja e të drejtëve kur vjen thirrja e mesnatës; por a jemi ne të përgatitur për të vdekur? Nëse jo, ne duhet të vdesim, dhe kurrë të mos pushojmë së vdekuri, e megjithatë kurrë të mos arrijmë fundin e vdekjes! “Paga e mëkatit është vdekja!”

Ne do të donim të gjithë që të ishim shenjtorë në vdekje; të gjithë ne do të dëshironim të shkonim në qiell, të paktën në një vend të mirë, një vend lumturie; por, a jemi ne të rilindur përsëri? A vajtojmë ne për mëkatin, për gabimet, padijen, mosbesimin, dhe a lutemi dhe thërrasim për një zemër të pastër, për trupin e thyer dhe gjakun e derdhur të Shpëtimtarit përmes Fjalës? Miq, le t’i kthehemi Biblave tona, duke i kërkuar ato me zell; sepse në to mund të takojmë Zotin Jezus, Shpëtimtarin e mëkatarëve të humbur. Ai është aty dhe do të jetë aty deri në fund të kohës – as djajtë e as kritikët e lartë nuk do ta heqin dot Atë.

Të jemi të sigurt për këtë: sapo Krishti të gjendet në Bibël, do të ketë seriozitet të vërtetë. Simon Pjetri dhe Gjoni nuk vrapuan kurrë aq shpejt nga vendi në vend në mëngjesin e ringjalljes për ta kërkuar Atë, sa do të vrapojë prej tani e tutje shpirti duke kërkuar, duke hulumtuar, duke parë e duke u malluar për Më të ëmbëlin dhe Më të bukurin ndër njerëzit. Krishti dhe drejtësia e Tij e ngarkuar do të na bëjnë të lumtur përjetë. Ajo do të na përgatisë për të jetuar, për të vdekur dhe për të jetuar përjetë. Krishti duhet të jetë gjithçka dhe në gjithçka. Fryma e Shenjtë është gati dhe i gatshëm të na hapë sytë, të na bindë për mëkatin dhe të na bashkojë me Krishtin me anë të besimit. Krishti është i gatshëm që të na pranojë dhe të na përqafojë. A do të themi: Jo! Nëse po, ç’çudi nëse ai shpirt krenar do të dëgjojë nga Jezu Krishti në ditën e madhe: “Largohuni prej meje, unë kurrë nuk ju kam njohur.” Shpirti që është i aftësuar të thotë “Unë do të shkoj me këtë njeri” – njeriun Jezu Krisht – do të pritet në vdekje në qiell nga engjëjt, nga shpirtrat e të drejtëve të bërë të përsosur, nga Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë, duke e pranuar dhe duke e mirëpritur të drejtin në lavdi. Zoti Jezus është i fuqishëm të na shpëtojë. O, mik, ik tek Ai në mëshirë si një mëkatar i ndyrë e fajtor që ka nevojë të lahet në gjakun e Tij.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes