Nevojat e Mia
Nga James Smith, 1858
Pastor dhe shkrues kalvinist anglez i shekullit të 19-të.
Çdo tregtar i mençur bën bilancin e vet, për të parë se si qëndrojnë punët dhe nëse po përparon apo jo në tregti. Çdo shtëpi-bërëse (amvisë) e mirë kontrollon bufenë e saj, për të parë nëse nevojat e familjes janë siguruar apo jo. Po kështu, çdo i krishterë duhet të bëjë bilancin shpirtëror dhe të shqyrtojë “bufenë” e tij, për të parë se si po ecën dhe çfarë i mungon.
Unë kam hedhur sytë brenda vetes sime dhe kam qënë duke parë pak mbrapa në kujtime. Duke krahasuar veten me rregullin dhe modelet e mia, shoh se jam shumë mangut. Nuk duket se po përparoj kënaqshëm në punën time shpirtërore; dhe për sa i përket “bufesë” sime, raftet dhe dollapët janë mjaft bosh. Pa pasur nevojë të shikoj thellë, unë shoh mjaftueshëm për të më bërë të thërras me profetin: “Mjerë unë! Mjerë unë! Vaj medet!” (Isaia 24:16).
Nuk do të përpiloj një katalog të plotë të nevojave të mia, por nga sjellja ime ndaj Perëndisë dhe njerëzve, shoh qartë se ka disa gjëra që më mungojnë në mënyrë të veçantë. Do të përmend vetëm disa prej tyre, dhe nëse lexuesi e gjen veten në të njëjtën gjendje si unë, të dy mund të shkojmë te i njëjti burim për furnizim. E pra, një nga nevojat e mia më të dukshme është:
PERULJA. Unë nuk i kam trajtuar njerëzit e tjerë ashtu siç duhet, dhe ndaj Perëndisë jam sjellë shumë më keq. Kur shoh mëkatarët e gjorë përreth meje, sa pak mëshirë kam treguar për ta, edhe pse e dija mjerimin e tyre; dhe sa pak përpjekje kam bërë për t’i shpëtuar, ndonëse e dija rrezikun ku ndodheshin. Kur mendoj për Perëndinë tim të hirshëm dhe Atin tim qiellor, sa mosmirënjohje i kam treguar dhe sa shumë e kam pikëlluar! Lutjet e mia, sa të zbehta; lavdërimet e mia, sa të pajeta; besimi im, sa i vogël; dashuria ime, sa e ftohtë; zelli im, sa i dobët; dhe ecja ime me Të, sa e paqëndrueshme dhe e parregullt! Unë nuk mund të shoh asnjë pjesë të sjelljes sime, as ndonjë hir tek unë, që të më kënaqë plotësisht.
Unë bekoj Perëndinë që nuk jam më ai që isha dikur, por, oh, sa larg jam nga ai që duhet të jem dhe që dëshiroj të jem! Nëse ndonjë krijesë ka nevojë të përkulet përpara Perëndisë, të vajtojë për mangësitë e veta dhe të pendohet për mëkatin, ai njeri jam unë. O Frymë e Shenjtë, mbush shpirtin tim me thyerje, ndjesë dhe trishtim të thellë për mëkatin, që të vajtoj përpara Perëndisë sipas mënyrës së perëndishme. Po, thellësisht ndjej se më duhet përulje. Më duhet gjithashtu:
PASTËRTI. Dëshirat e mia janë të papastra, fjalët e mia janë të papastra, veprimet e mia janë të papastra, po, edhe adhurimet e mia janë të papastra! Por asgjë nuk më mundon më shumë sesa papastërtia e mendimeve dhe imagjinatave të mia. Ndonjëherë, ndonjë do të mendonte se Satani bën festë brenda meje. Skena të vjetra, fjalë të vjetra dhe këngë të vjetra; të gjitha, në një mënyrë apo tjetër, të papastra dhe ndotëse, ngrihen në mendje ose pikturohen gjallërisht në imagjinatë. Edhe kur jam në gjunjë në lutje, apo në shërbesa publike, këto gjëra të shëmtuara ngrihen, trazojnë dhe më mundojnë. Unë psherëtih: “Ah, sikur të isha i shenjtë!” Unë lutem: “Zot, pastro zemrën time dhe pastro thellësisht natyrën time!” Dhe ndonjëherë pothuajse mendoj se sa më shumë psherëtij dhe lutem kështu, aq më i papastër jam. Sigurisht që, më shumë shoh dhe ndjej papastërtinë time. Por atëherë ndjej më shumë bezdi ndaj saj dhe e urrej gjithnjë e më tepër; gjë që në reflektim të qetë, më bind se Fryma e Shenjtë po e kryen realisht punën e shenjtërimit në zemrën time. E megjithatë, ndonjëherë mezi besoj që ndonjë nga njerëzit e Perëndisë mund të jetë aq i papastër brenda sa unë. Thellësisht, shumë thellësisht ndjej se më duhet më shumë pastërti. Por mua më duhet gjithashtu:
FUQI. Unë kam shumë për të bërë, dhe kjo kërkon forcë. Kam shumë armiq për të mposhtur, dhe kjo kërkon guxim. Kam shumë sprova për të kaluar, dhe kjo kërkon durim dhe qëndrueshmëri. Me “fuqi” dua të them forcë, kurajo dhe guxim. Mua më duhet fuqi, sepse e ndiej veten të dobët, të ndrojtur dhe të lëkundur. Madje ndonjëherë pyes veten nëse kam qenë ndonjëherë më i dobët se tani, sepse shpesh, mua më duket sikur dobësohem gjithnjë e më shumë!
Unë dua të bëj diçka të denjë për emrin e krishterë, diçka që do të bekojë njerëzit dhe do t’u bëjë mirë vëllezërve të mi, diçka që do të nderojë Perëndinë dhe do ta lartësojë Zotin Jezus. Por shumicën e kohës e shpenzoj me gjëra të kota, dhe shumë mundësi të mira humbasin. Shpesh herë kam vendosur të heq dorë nga çdo përpjekje për të bërë diçka të vlefshme, sepse dështoj aq dukshëm; por pastaj ndiej diçka brenda meje që më thotë: “Bëj pak, nëse nuk mund të bësh shumë. Nëse në fund dështon, dështo duke u përpjekur të bësh diçka!” Atëherë unë filloj sërish të punoj dhe të përpiqem, por, mjerë unë! Mua më duket vetja se jam në të njëjtën gjendje si ajo kisha e lashtë, kur ajo tha: “Ne kemi qenë në dhimbje, sikur ne të kishim sjellë erën, ne nuk kemi bërë asnjë shpëtim në tokë.”
Oh, sikur Perëndia të më jepte fuqi të veproj për Të, të veproj siç veproi Jezusi, që të bëj vullnetin e Tij siç është shprehur në urdhërimet e Tij; të mposht të gjithë armiqtë e mi, veçanërisht botën, mishin dhe djallin; dhe të duroj të gjitha sprovat dhe vështirësitë siç i takon një të krishteri! Po, me të vërtet mua më duhet fuqi! Dhe një herë më shumë, më duhet:
QËNDRUESHMËRI. Unë bëj kaq pak përparim. Unë shpesh ndalem në rrugë pa arsye. Unë neglizhoj punën dhe humbas kohë të çmuar. Unë arsyetoj, kur duhet të veproj. Unë rri e vështroj përreth, kur duhet që, ashtu si vrapuesi që ka vënë zemrën tek çmimi, të shtyhem përpara me të gjithë energjinë e mundshme drejt cmimit të thirrjes së lartë, që është në Krishtin Jezus. Unë kam humbur shumë terren për mungesë të qëndrueshmërisë së pandërprerë. Unë kam humbur edhe shumë kohë, duke parë përreth kur duhej të isha duke punuar me zell. Unë besoj në këmbënguljen e shenjtorëve, dhe prandaj ndonjëherë kam dyshuar për shenjtërinë time, sepse nuk kam këmbëngulur. Me dorën time mbi parmendë, unë duhet të shtyhem përpara. Me Perëndinë në anën time, unë duhet të jem i pathyeshëm. Me hirin në zemrën time, unë duhet të përparoj. Oh, për hirin e qëndrueshmërisë! U bëftë motoja ime: “Përpara dhe Lart!” Dhe kurrë të mos dështoj apo të dekurajohem, derisa të arrij qëllimin. Nëse ndonjëherë një njeri ka pasur nevojë për diçka, unë kam nevojë për qëndrueshmëri të palodhur, sepse karakteri im, pozita, puna, profesioni dhe thirrja ime, të gjitha e kërkojnë.
Por koha s’më lejon, dhe nuk e di nëse ndokujt do t’i bënte dobi nëse do t’i rendisja të gjitha nevojat e mia; prandaj unë po e mbyll këtë shkrim. Unë e ndiej si një mëshirë të madhe që gjithçka që më duhet, është ruajtur në Jezusin, dhe ruajtur atje për mua! Unë gëzohem që ekziston ky varg aq i ëmbël në Fjalën e Perëndisë: “Dhe Perëndia mund të bëjë që gjithë hiri të teprojë për ju, aq sa mbasi të keni gjithnjë mjaft në çdo gjë, t’ju tepërojë për çfarëdo pune të mirë.”
Dhe unë e bekoj Perëndinë që, meqënëse Jezusi është Kryeprifti ynë dhe paraqitet përpara Perëndisë për ne, i ndjeshëm ndaj dobësive tona, Ai na ka nxitur duke thënë: “Le t’i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohë nevoje.”
Le të mos ulemi, pra, duke shqyrtuar me tepërsi mangësitë tona, as të dëshpërohemi për shkak të papërsosmërisë sonë; por ndjenja e nevojave tona le të na nxisë të shkojmë menjëherë, me energji dhe ngulm, te froni i hirit, që të fitojmë ndjeshmërinë e Jezusit dhe të gjejmë hirin e nevojshëm për të ndrequr gjithçka që është e gabuar dhe për të vendosur gjithçka në rregull brenda nesh.
Dhe të mos harrojmë këtë të vërtetë, që ndjenja e papërsosmërive, mangësive dhe marrëzive tona, kur përdoret drejt, do ta bëjë Zotin Jezus edhe më të dashur për ne, dhe do t’i bëjë furnizimet e hirit dhe premtimet e mëshirës, në mënyrë të pashprehëshme të ëmbla.
Plotësia e Jezusit vihet përballë nevojave tona, që ne të furnizohemi; dhe vepra e përsosur e Jezusit vihet përballë gjithë papërsosmërive tona, që të mos dënohemi. Le të mësojmë, pra, që të përfitojmë nga Jezusi çdo ditë; po, çdo orë; dhe duke parë tek Ai për gjithçka që na duhet, duke hequr sytë nga gjithçka që është tek ne vetë, ne do të jetojmë jetën e besimit, do të mposhtim të gjitha frikërat, do të triumfojmë mbi gjithë armiqtë, do të zotërojmë të gjitha vështirësitë, do të marrim furnizim për të gjitha nevojat tona, dhe më në fund do të hyjmë në gëzimin e Mësuesit tonë!