J. C. Ryle, “Ungjilli sipas Markut”, 1857
Nga të gjitha marrëdhëniet e jetës, asnjëra nuk duhet të shihet me aq nderim dhe asnjëra nuk duhet të merret me aq kujdes, sa marrëdhënia midis burrit dhe gruas.
Në asnjë marrëdhënie tjetër nuk mund të gjendet kaq shumë lumturi tokësore, nëse në të, hyhet me urtësi, me këshillim të matur dhe në frikën e Perëndisë. Dhe në asnjë tjetër nuk ka aq shumë mjerim që pason, nëse merret pa këshillim, me mendjelehtësi, pa përmbajtje, dhe pa mendim.
Nga asnjë hap tjetër i jetës nuk vjen aq shumë e mirë për shpirtin, sa kur njerëzit martohen “në Zotin.” Dhe nga asnjë hap tjetër shpirti nuk pëson aq shumë dëm, sa kur imagjinata, pasioni apo cdo motiv i botës është shkaku i vetëm për atë bashkim.
Fatkeqësisht, ka shumë nevojë që këto të vërteta t’u theksohen njerëzve. Është një fakt i trishtueshëm që pak hapa në jetë merren me aq lehtësi, me aq vullnet personal dhe me aq harresë ndaj Zotit, sa martesa. Pak janë çiftet e reja që mendojnë ta ftojnë Krishtin në dasmën e tyre!
Është po ashtu një fakt i trishtueshëm që martesat e palumtura janë një nga shkaqet më të mëdha të mjerimit dhe hidhërimit që ka aq shumë në botë. Njerëzit e kuptojnë shumë vonë se kanë bërë një gabim dhe ecin me hidhërim gjatë gjithë jetës së tyre.
Të lum janë ata që në çështjen e martesës zbatojnë këto tre rregulla:
Rregulli i parë: Të martohen vetëm në Zotin, dhe pas kohe lutjeje për miratimin dhe bekimin e Perëndisë.
Rregulli i dytë: Të mos presin shumë nga bashkëshorti i tyre, duke kujtuar se në fund të fundit, martesa është bashkimi i dy mëkatarëve, jo i dy engjëjve.
Rregulli i tretë: Të përpiqen mbi të gjitha për shenjtërimin e njëri-tjetrit. Sa më të shenjtë të jenë bashkëshortët, aq më të lumtur do të jenë.












