Nga J. R. Miller, 1902
Pastor Presbiterian i Reformuar dhe një nga autorët më të lexuar të shkrimeve devocionale të krishtera në fund të shek. të 19-të dhe fillim të shek. të 20-të. Ai është i njohur për shkrimet e tij të ngrohta dhe baritore, të cilat përqendrohen në jetën praktike të krishterë, rritjen shpirtërore dhe jetën familjare.
Shumë mëkate të njerëzve janë mëkate të “mos bërjes“. Në lutjen tonë të pendimit ne duhet të përfshijmë gjithmonë këtë rrëfim: “Ne kemi lënë pa bërë, ato gjëra që duhej t’i bënim.” Kjo është e vërtetë edhe për mëkatet e të folurit. Në një nga Psalmet, ndodhet një vendim që të gjithë ne duhet ta marrim: “Do të kujdesem për sjelljen time, që të mos kryej mëkate me gjuhën time.” (Psa. 39:1) Disa prej nesh kanë shumë telashe me gjuhën. Ne themi fjalë të ashpra, ndoshta fjalë të hidhura që presin dhe therin! Ndoshta ne e justifikojmë veten duke thënë se ajo që themi për të tjerët është e vërtetë. Por ne, nuk kemi të drejtë të nxjerrim nga goja, fjalë që lëndojnë të tjerët vetëm sepse ndoshta ato janë të vërteta!
“E vërteta e thënë në kohë të papërshtatshme,
Kush e di sa thellë ka shpuar dhe sa fort ka djegur!”
Ka shumë falje të ëmbël në çdo zemër të vërtetë që është mbushur me dashurinë e Krishtit. Mësimi i Zotit, që ne duhet të falim jo shtatë herë, por shtatëdhjetë herë shtatë, është mësuar nga shumë besimtarë të durueshëm dhe të butë. Duhet rrëfyer që në shumë familje ka një nevojë të pafundme për falje. Por a nuk është e padrejtë nga kushdo që të bëjë kërkesa të tilla ndaj dashurisë, dhe ta bëjë jetën kaq të vështirë për atë që ia ka besuar zemrën e vet kujdesit të tij? A mund të fajësojë ai dikë tjetër veç vetes, nëse një ditë zbulon se, e ka lodhur dhe shteruar dashurinë që ka qenë aq e durueshme dhe aq e vuajtshme ndaj tij?
“Të fal—ah, sigurisht, i dashur,
Dhjetëra herë në javë!
Ne gratë u krijuam, zemër,
Që faljen ta themi pa ndalë.
Ti s’do më lëndoje kurrë,
E di që kjo është e vërtetë.
Por nuk janë, i dashur —
Gjërat që ti dëshiron ti bësh!
Është cka ti bën pa menduar,
Që më sjell lot në sy;
Loti mund të harrohet,
Por dhimbja mbetet në zemrën time!
Dhe ndonëse të fal,
Dhjetra herë në ditë,
Çdo falje e radhës —
Pak nga dashuria zbeh.
Dhe një ditë do të pikëllohesh,
Dhe ndoshta do të më qortosh,
Sepse kaq shumë falje —
E kanë shteruar dashurinë time të madhe.”
Por është e mundur që, megjithëse nuk i trajtojmë miqtë me fjalë ose vepra të këqija, prapësëprapë të mëkatojmë rëndë kundër tyre. Ne mëkatojmë ndaj të tjerëve vazhdimisht kur frenojmë fjalët e mira, kur nuk themi fjalë që duhej t’i thoshim: fjalë gëzimi, inkurajimi, dhe ndihme.
Pasi rasti ka kaluar, ne shpesh mendojmë për ndonjë fjalë të fortë e të drejtë që mund ta kishim thënë në një moment, por që nuk e thamë. Ndoshta “nuk na shkoi ndërmend” ta themi. Shumë prej nesh mendojnë ngadalë dhe nuk na vjen ndër mend përgjigjja e duhur, ose fjala e mençur që mund të kishim shqiptuar, derisa është tepër vonë. Mendimet tona më të mira shpesh vijnë pas ngjarjes, tepër vonë për t’u thënë dhe nuk sjellin më dobi. Ose ndodh që fjala e mirë ishte në zemër, por për shkak të turpit ose ndrojtjes, mbeti e pathënë. Ndonjëherë turpi është pengesë për dobishmëri. Ne duam që të flasim, por nuk mundemi që ta mposhtim drojën tonë natyrore; dhe kështu, fjalët e buta ose të gëzueshme që donim t’i shprehnim, mbeten të mbyllura në zemër, dhe miku ynë nuk e di kurrë që donim ta ngushëllonim ose ta forconim në kohën e vuajtjes së tij.
Ose ndoshta është mungesa e guximit moral, që na pengon të flasim kur kishim mundësinë të dëshmojmë për Krishtin. Ka shumë më tepër të keqe që del nga frika morale sesa duam ta pranojmë. Ne kemi frikë nga përqeshja. Ne nuk jemi mjaftueshëm të guximshëm për të qëndruar vetëm.
Ne gjithashtu u bëjmë dëm miqve tanë, kur në raste të caktuara, nuk flasim me guxim në mbrojtje të tyre, kur karakteri ose veprat e tyre sulmohen padrejtësisht. Shumë prej nesh kemi mendime të hidhura për sjelljen tonë, kur kujtojmë se si kemi dështuar ndaj dikujt që e donim, në një orë kur ai kishte nevojë që ne të qëndronim për të në mungesë të tij. Fjala që nuk e thamë digjet përpara syve tanë me shkronja tronditëse dhe na mbulon me turp.
Ka edhe një kategori tjetër fjalësh të pathëna, që rëndojnë mbi ne në regjistrat e jetës. Këto janë fjalë dashurie, mirësie dhe vëmendjeje, që ndodhen në zemrën tonë, por që nuk marrin kurrë trajtë në fjalë. Sidomos në marrëdhëniet familjare, këto heshtje bëjnë dëm. Ndoshta ne jemi të kujdesshëm të mos themi ndonjë fjalë që mund të shkaktojë dhimbje, dhe kur arrijmë këtë përmbajtje, mendojmë se kemi arritur një ideal të lartë të jetës së krishterë. Por kjo është vetëm aspekti negativ. Të mos u bësh keq të tjerëve, nuk është e njëjta gjë si t’u bësh mirë atyre. Ne u bëjmë shumë dëm të dashurve tanë, kur mbajmë në zemër fjalët e pathëna të dashurisë që duhej t’i kishim thënë në veshët e tyre!
Ka tepër ngurrim në shumë miqësi. Ne jemi tepër të kursyer në fjalët e lavdërimit. Është diçka shumë e madhe për një fëmijë që të dëgjojë një fjalë vlerësimi për diçka që e ka bërë mirë, për një detyrë të dhënë, një mësim të kryer, një detyrim të përmbushur, apo edhe për një përpjekje të ngathët që megjithatë ishte më e mira që ai mund të jepte. Kjo është si një freskim për shpirtin e lodhur, që punon e përpiqet me besnikëri, ndonëse ndoshta pa shpërblimin e një suksesi të dukshëm, të dëgjojë një fjalë mirënjohjeje dhe inkurajimi, të thënë me zemër dhe me sinqeritet. Një fjalë e tillë ndriçon gjithë ditën e punës së njeriut dhe i vendos kurajo të re zemrës, nëse që në mëngjes, dashuria e kujdesshme shqipton fjalën e saj të ëmbël dhe të butë. Gjatë gjithë orëve të ditës, drita shkëlqen dhe kënga tingëllon!
Megjithatë, shumë prej nesh, as nuk e mendojnë këtë. Ne i duam ata që janë në shtëpitë tona, por në një farë mënyre dashuria duket sikur ngrin brenda nesh dhe ne nuk arrijmë ta shprehim, dhe kështu ata që ne duhet të ndihmojmë me barrët e tyre, shqetësimet, sprovat dhe hidhërimet e tyre mbeten pa ndihmë nga ne për ditë dhe muaj të gjata dhe të trishta!
“Fjalët e dashura pak kushtojnë
Teksa i ngjitemi malit të jetës;
Por të dobëtin dhe të lodhurin e bëjnë
Më të fortë e më trim në betejë.
A i sheh si gjëra të vogla?
Çfarë janë për tokën dielli e shiu!
Kurrë një fjalë e mirë s’u humb,
Kurrë një s’u tha më kot!”
Do ishte e dobishme për secilin prej nesh të mendojmë seriozisht për këtë zakon. A mëkatojmë kundër të dashurve tanë, kur nuk themi fjalë vlerësimi apo lavdërimi, dhe shprehjet e dashurisë, që vazhdimisht ngrihen deri në pragun e buzëve tona për t’u shqiptuar, e megjithatë, mbeten të pashprehura? A ka zemra pranë nesh që po vuajnë urie për bukën e përditshme të dashurisë, që ne duhet tua japim, që është detyra jonë ta japim, por që ne, nuk e shpërndajmë?
Dikush ka thënë: “Fëmijët nuk e marrin me mend zjarrin nën dëborën, në natyrën e përmbajtur të prindërve të tyre.” Por a nuk është një mëkat i rëndë kundër fëmijëve, që prindërit ta lejojnë zjarrin të mbulohet nga dëbora në këtë mënyrë? A nuk do të ishte shumë më mirë nëse dashuria do të gjente një gjuhë, nëse krenaria prindërore, entuziazmi, kur gjëra të bukura ndodhin në jetët e fëmijëve, gëzimi kur ata veprojnë mirë, nëse të gjitha këto ndjenja dhe emocione do të shpreheshin? Asgjë tjetër nuk nxjerr aq shumë të mirën në ne sa dashuria e shprehur.
Por nuk është vetëm në familje që mëkatojmë duke mos thënë fjalën që duhet ta themi. Në të gjitha marrëdhëniet tona me njerëzit, ka shumë prej së njëjtës heshtje të pamenduar dhe pa dashuri. Ne nuk mund t’u heqim barrët e rënda nga supet njerëzve, por mund t’i bëjmë më të fortë e më të guximshëm për t’i mbajtur ato, nëse u themi një fjalë të gëzueshme e inkurajuese. A e bëjmë gjithmonë këtë?
Një shkruese e njohur, duke përshkruar vitet e saj të para të punës së lodhshme e zhgënjyese, tregon për ndihmën që merrte nga një mik i saj sa herë që e takonte. Ai i thoshte: “Si je, Luiza? Mbaje zemrën lart. Zoti të bekoftë!”. Ajo thoshte se gjithmonë kthehej në dhomën e saj të vetmuar, më e ngushëlluar dhe e forcuar nga ato fjalë. Nuk do të na kushtonte shumë të formonim zakonin e të thënit një fjalë të mirë, shprese e gëzimi për cdo person që takojmë; dhe ne kurrë nuk do ta dimë se sa shumë ndihmë do t’u sillte të tjerëve ky zakon.
Nuk ka mungesë fjalësh të mira kur dikush vdes. Të gjithë vijnë atëherë me ndonjë kujtim të mirësisë së tij dhe ndonjë shprehje mirënjohjeje për të. Por kjo nuk është koha e duhur që mendimet e buta të dashurisë që të shkrihen. Është tepër vonë!
“Ah, mjerë për fjalën që kurrë s’u tha
Derisa veshi s’mund ta dëgjojë më;
Dhe mjerë për mungesën e zërit të gëzimit
Për kokën që s’mund të ngrejë më!
Mjerë për këmbët që ecin ngadalë
Pas arkivolit të pikëlluar!
E kotë dhurata që vjen sot
Një hi pa vlerë në dorë;
Por sikur të kishte ardhur dje,
Do ta mbushte tokën me aromë!
Një trëndafil që fishket në dorën e ftohtë të vdekjes,
Që vdiq në mungesë dashurie e ngrohtësie!”












