Përdorimi i Kohës

Kohes

J. R. Miller, 1898  (nga libri i tij, “Problemet e të Rinjve”)

Nëse do të shihje një njeri anës detit duke hedhur në ujë monedha ari e diamante, ti do të thoje se ai ishte i çmendur. Mirëpo, Perëndia sheh shumë njerëz që vazhdimisht bëjnë diçka shumë të ngjashme me këtë. Ata nuk hedhin ar dhe gurë të çmuar, por minuta, orë, ditë, javë e vite të tëra kohe. Pasuri që kanë vlerë më të madhe se çdo monedhë apo gur i çmuar tokësor!

Sikur ne ta njihnim vlerën që koha ka për ne, nuk do të lejonim asnjë çast të saj që të shkonte dëm. Thuhet se në vendet ku priten monedhat e arit, edhe pluhuri që bie në dysheme mblidhet dhe digjet në zjarr; dhe në fund të vitit, një sasi e madhe ari mblidhet vetëm nga pluhuri i këtij metali të çmuar që shpërndahet gjatë procesit të prerjes. Po në të njëjtën mënyrë, sa vlera të mëdha do të ruheshin sikur të kishte një mënyrë për të mbledhur të gjitha copëzat e vogla të ditëve dhe orëve, pluhurin e artë të kohës, që njerëzit lënë të bjerë mes mbeturinave!

Mendo se sa shumë do t’i shtonim gjatësisë së jetës sonë, po të kishim mësuar të përdorim çdo orë e çdo çast. Ne flasim me seriozitet për shkurtësinë e jetës. Ne shpesh dëgjohemi duke u ankuar për shkurtësinë e ditëve, duke dëshiruar që të kishte më shumë orë në to. Ndoshta, shumica e njerëzve humbasin gjysmën e kohës së tyre dhe kanë bërë vetëm gjysmën e asaj që mund të kishin bërë. Ah sikur ata të kishin përdorur me mençuri çdo minutë dhe të mos kishin shpërdoruar asnjë pjesë të saj.

Ka shumë mënyra për të humbur kohën. Ka shumë më tepër pushim se sa është e nevojshme. Ekziston përshtypja se disa orë pune i japin njeriut të drejtën të pushojë gjithë orët e tjera të ditës. Sigurisht, çdo njeri duhet të pushojë. Ka urdhërime hyjnore që na kërkojnë të pushojmë. Ne e kalojmë rreth një të tretën e kohës në gjumë. Gjumi është i domosdoshëm; orët e tij nuk janë të humbura, ndonëse disa flenë më tepër se sa duhet. Zoti u jep bekime të dashurve të Tij me anë të gjumit, bekime të rigjallërimit të forcës, mbushjes përsëri të burimeve të jetës. Koha gjithashtu duhet t’i jepet ngrënies, ushtrimit fizik, bashkësisë familjare, miqësive, shërbesave fetare, private dhe publike, si edhe leximit e studimit. Koha e përdorur në këtë mënyrë nuk është e humbur. Pushimi është po aq pjesë e jetës sonë sa është edhe puna.

Megjithatë, shumë njerëz dështojnë të marrin përfitimin e plotë nga orët e tyre të çlodhjes. Pushimi më i mirë nuk është përtaci e plotë, por veprimtari që vë në punë aftësi që nuk janë të angazhuara gjatë punës së zakonshme. Ka njerëz që, pas ditëve të gjata në tregti apo në ndonjë zanat, çdo mbrëmje marrin disa orë për të lexuar libra të mirë. Kështu, ata shtojnë cilësinë e jetës së tyre, ushqejnë një pjesë të rëndësishme të natyrës së tyre, pasurojnë karakterin dhe përgatiten për ndikim më të madh dhe shërbim më të frytshëm.

Ka shumë mënyra për të humbur kohë. Shumë njerëz që janë realisht të zënë, humbin shumë kohë në fragmente të vogla, pesë minuta këtu, dhjetë minuta atje, gjysmë ore sot, dhe një orë nesër. Ata që e kuptojnë vlerën e vërtetë të kohës dhe kanë mësuar sekretin e përdorimit të saj, gjithmonë kanë diçka me vlerë për të mbushur edhe boshllëqet më të vogla. Ata kanë një libër për të lexuar kur kanë disa minuta të lira derisa buka të jetë gati, ose kur presin dikë, në stacionin e trenit, apo në çdo rast vonese.

Koha është e shpenzuar mirë kur fusim në mendje një mendim të bukur, një fakt të rëndësishëm, apo një mësim të dobishëm.

Fragmentet e kohës mund të mbushen gjithashtu me vepra të vogla mirësie apo ndihmese. Ti je duke udhëtuar. Nuk mund të lexosh gjithmonë. Por ndoshta ka njerëz që udhëtojnë me ty, të cilëve mund t’u prezantohesh me ndershmëri. Ti mund ta mbyllësh librin për pak, për të pasur një bisedë të qetë me një udhëtar tjetër. Ka jetë që e kanë mbajtur gjatë kujtimin dhe ndikimin e bisedave të vogla me të panjohur në tren, në karrocë apo në anije. Nëse zemra e një njeriu është e mbushur me dashurinë e Krishtit, nuk ka kufi për bekimin që mund të sjellë në këtë mënyrë. Kështu, minutat, në vend që të humbasin në ëndërrime të kota, mund të mbushen me diçka që do të sjellë fryt në Ditën e Gjykimit, një mijëfish më shumë.

Një shkrimtar tregon për një fisnik anglez, i cili, kur shëtiste në pronat e tij, mbante gjithmonë në xhep disa fara lisi; dhe sa herë që shihte një vend të zbrazët, mbillte një prej tyre. Pas ca vitesh, aty rritej një pemë që e zbukuronte vendin. Po kështu, ne mund të mbjellim në çdo hapësirë të zbrazët kohe një farë të bukur, diçka që jo vetëm do të jetë zbukurim, por edhe bekim për të tjerët. Është një nga sekretet më të bukura të jetës të dish si të shpëtosh minutat nga kotësia, dhe duke i bërë ato mbartëse bekimesh, gëzimi, inkurajimi e mirësie për të tjerët.

Asnjë kohë e dhënë në shërbim dashurie nuk është e humbur, edhe nëse duket se nuk ka ndonjë rezultat. Disa njerëz dekurajohen në përpjekjet e tyre për të bërë mirë, sepse shumë nga mirësia e tyre duket sikur shkon kot. Por asnjë vepër apo fjalë e mirë nuk humbet vërtet. Diku, ndonjëherë, bekimi do të dalë në pah. Edhe nëse ai që kërkove të ndihmosh nuk përfiton, dikush tjetër mund të përfitojë në vend të tij. Dhe kështu, e gjithë bota bëhet më e ëmbël për çdo akt mirësie apo fjalë të mirë që thuhet.

Shumë kohë shkon dëm në veprimtari të padobishme, në bërje gjërash që nuk vlejnë. Asnjë mëkat nuk ia vlen, përkundrazi, është mbjellja e një mallkimi, jo vetëm në botë, por edhe në zemrën e atij që e bën. Koha e kaluar në mëkat është shumë më keq se kohë e humbur. Pastaj ka gjëra të tjera që nuk konsiderohen mëkate, por që megjithatë nuk kanë asnjë vlerë, as për të tjerët dhe as për vetë njeriun që i bën. Ka shumë lexime që nuk vlejnë fare. Ti lexon libër pas libri, dhe në fund nuk ke marrë asnjë mendim që të pasuron, asnjë frymëzim ndihmues, asnjë bukuri, asnjë shtysë drejt një jete më të mirë. Gjithcka që ti ke në fund të një viti me të tilla lexime është një kujtesë e turbullt e ndjesive të shfrenuara, ngjarjeve të pashëndetshme dhe përvojave të paqena. Do të kishte qenë më mirë të kaloje atë kohë në gjumë ose në përtaci të plotë, sesa me libra të tillë të pavlerë.

Ka tepër lexime të tilla sot. Ka romane të mira, vepra të mëdha letrare që japin mësime të ndritura, tregojnë karaktere fisnike dhe sjellje të ndershme, që frymëzojnë lexuesit drejt një jete më të vërtetë e më të mirë. Por ka edhe romane që japin ide të liga dhe të sëmura për jetën, që mbjellin në mendje mendime të ndyra, ideale të rreme, gjurmën e gjarprit. Pastaj ka romane që, edhe nëse nuk janë drejtpërdrejt të liga, janë boshe, pa kuptim, pa asgjë që ta bëjë njeriun më të vërtetë, më trim, apo me shpirt më të ëmbël.

Shumë nga leximi popullor i ditëve tona është thjesht humbje kohe, nëse jo diçka më e keqe. Po të lexonin njerëzit vetëm atë që vlen, sa më të pasur do të ishin në fund të jetës!

Këto janë vetëm disa sugjerime për mënyrat e përdorimit dhe të humbjes së kohës. Nuk ka ndonjë çështje më të rëndësishme që na del përpara, sesa kjo: Cfarë të bëjmë me kohën? Dhe kjo, është veçanërisht një çështje për të rinjtë. Sepse në rini, më shumë se në cdo kohë tjetër, ne mësojmë si të jetojmë. Zakonet që formojmë në këtë kohë do të na ndjekin deri në fund të ditëve tona. Nëse në këtë kohë mësojmë vlerën e çasteve, dhe formojmë zakonin për t’i dhënë çdo minutë diçka me vlerë për ta mbajtur, kemi gjetur sekretin e jetës, duke jetuar në gjashtëdhjetë vjet atë që shumica jetojnë në njëqind.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes