Mister i Mrekullueshëm! Perëndia u shfaq në mish!

Perendia

William Plumer, (1802–1880)

Predikues dhe Autor Presbiterian Amerikan. Shkëputur nga “Mëkatarët e Shpëtuar nga Mirësia e Pamerituar”

 

Mister i mrekullueshëm! Perëndia u shfaq në mish!

Zoti ynë Jezus Krisht u bë njeri, jetoi, veproi, u bind, vuajti, vdiq dhe u ringjall — për popullin e Tij.

Ai zbriti në tokë — që ata të ngjiteshin në qiell.

Ai vuajti — që ata të mbretëronin.

Ai u bë shërbëtor — që ata të bëheshin mbretër dhe priftërinj për Perëndinë.

Ai vdiq — që ata të jetonin.

Ai mbajti kryqin — që armiqësia e tyre të vritej dhe mëkatet e tyre të shlyheshin.

Ai i deshi ata — që ata ta donin Perëndinë.

Ai ishte i pasur dhe u bë i varfër — që ata, që ishin të varfër, të bëheshin të pasur.

Ai zbriti në varr — që ata të uleshin në vendet qiellore.

Ai e zbrazi veten — që ata të mbusheshin me gjithë plotësinë e Perëndisë.

Ai mori natyrën njerëzore — që ata të bëheshin pjesëmarrës të natyrës hyjnore.

Ai e uli veten dhe u bë pa lavdi — që ata të visheshin me emrin e ri të Tij dhe të merrnin lavdinë e përjetshme.

Ai u bë një krimb dhe jo njeri — që ata, që ishin krimba mëkatarë, të barazoheshin me engjëjt.

Ai mbajti mallkimin e një besëlidhjeje të thyer — që ata të merrnin pjesë në të gjitha bekimet e besëlidhjes së përjetshme.

Megjithëse trashëgimtar i të gjitha gjërave, Ai vullnetarisht u përçmua nga njerëzit — që ata, që me të drejtë ishin të dënuar, të merrnin një trashëgimi të paprishshme, të papërlyer dhe që nuk shuhet kurrë.

Vdekja e Tij ishte një kënaqje për drejtësinë hyjnore, një shpërblesë për shumë, një pajtim për mëkatin, një aromë e ëmbël për Perëndinë — që ne, që ishim ofendim për Perëndinë, të bëheshim bijtë dhe bijat e Tij.

Ai u bë mëkat për popullin e Tij — që ata të bëheshin drejtësia e Perëndisë në Të.

Megjithëse Zot i gjithëckaje, Ai mori formën e shërbëtorit — që ata, që ishin skllevër të mëkatit, të fitonin si princa me Perëndinë.

Ai nuk pati ku ta vinte kokën — që ata, që do të shtriheshin në trishtim të përjetshëm, të arrinin banesat në shtëpinë e Atit të Tij.

Ai piu kupën e zemërimit të Perëndisë — që ata të pinin përjetë nga lumi i kënaqësive të Tij.

Ai kishte uri — që ata të hanin bukën e jetës.

Ai kishte etje — që ata të pinin ujin e jetës.

Ai u numërua me shkelësit e ligjit — që ata të qëndronin midis të drejtësuarve dhe të numëroheshin midis stolisjeve të Tij të çmuara.

Megjithëse ekzistonte që nga përjetësia, përpara se toka të krijohej — Ai u bë një foshnjë e pafuqishme, që krijesat e së djeshmes, të dënuara me vdekje, të jetonin përgjithmonë.

Ai u kurorëzua me një kurorë me ferra — që të gjithë ata që e duan ardhjen e Tij, të veshin një kurorë jete.

Ai derdhi lot ankthi — që të zgjedhurit e Tij të derdhin lot pendese të shenjtë.

Ai mbajti zgjedhën e bindjes deri në vdekje — që ata ta kishin zgjedhën dhe barrën e Tij të lehtë.

Ai e derdhi shpirtin e Tij deri në vdekje, qëndroi tri ditë në zemër të tokës, pastaj theu shufrat e vdekjes dhe u ngrit tek Perëndia — që ata, që nga frika e vdekjes kishin qenë gjithë jetën nën robëri, të merrnin fitoren mbi varrin dhe të bëheshin pjesëmarrës të ringjalljes së Tij.

Ai e plotësoi ndëshkimin e ligjit — që të shpenguarit e Tij të kishin hyrje në thesaret e pashtershme të mëshirës, urtësisë, besnikërisë, së vërtetës dhe hirit.

Ai ishte i pakrahasueshëm në hir — që ata të ishin të pakrahasueshëm në mirënjohje.

Megjithëse Bir, Ai u bë vullnetarisht i mërguar — që ata, që kishin shtegtuar larg në ligësi, të afroheshin me gjakun e Tij.

Pamja e Tij u deformua më shumë se e çdo njeriu — që të shpërblyerit e Tij të paraqiteshin përpara Perëndisë pa njollë, pa të metë, pa rrudhë, apo ndonjë gjë të tillë.

Për një kohë Ai u braktis nga Ati i Tij — që ata, që i bleu me gjakun e Tij, të shikonin dritën e fytyrës së Perëndisë përjetësisht.

Ai erdhi dhe banoi me ta — që ata të jenë përjetë me Zotin.

Ai u var lakuriq përpara armiqve që e përqeshnin — që të gjithë ata që besojnë në emrin e Tij, të vishen me rrobën e dasmës së lavdishme — një drejtësi të patëmetë.

Mister i mrekullueshëm! Perëndia u shfaq në mish!

I bekuar është ai që e do misterin e mishërimit dhe pushon mbi të.

Ky është një mister:

  • i dashurisë,
  • i së vërtetës,
  • i hirit,
  • i urtësisë,
  • i përulësisë,
  • i fuqisë,
  • i shpëtimit!

Është studimi i madh i banorëve të qiellit, dhe do të mbetet i tillë, derisa pavdekësia të zgjasë!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes