Faktet mbi Kalvinin dhe Djegjen e Servetusit

Kalvini

Ndërsa ështe e vërtetë që Kalvini dëshmoi kundër Servetusit në gjyqin e tij, dhe madje, në një moment kërkoi dhe vdekjen e tij, duhet të kemi parasysh edhe këto fakte që kundërshtarët e tij përpiqen që t’i injorojnë:


Artikulli origjinal ketu

Këtë javë, më 27 tetor, është 470-vjetori i ekzekutimit të Michael Servetusit për krimin e herezisë.

Meqë ky ekzekutim ndodhi në Gjenevë, në qytetin e Reformatorit Zhan Kalvin, me dijeninë e tij dhe, në një farë mase, me miratimin e tij, shumëkush e ka parë këtë ngjarje si një njollë mbi jetën dhe shërbesën e Kalvinit. Për disa, ekzekutimi i Servetusit është dëshmi se Kalvini sistematikisht përndiqte dhe vriste këdo që guxonte t’i kundërvihej. Sipas tyre, ai ishte një tiran teologjik e për rrjedhojë një mësues jo i besueshëm. Por ky portret i Kalvinit nuk është i saktë. Ajo është një karikaturë e shtrëmbëruar e së vërtetës.

Por cila është e vërteta?… Përpara se ta gjykojmë Kalvinin me ashpërsi si një përndjekës të pamëshirshëm, le të ndjekim rrugën e drejtësisë dhe të dëgjojmë faktet. Më poshtë janë disa dëshmi të dobishme që duhen marrë në konsideratë:

1. Herezia ishte një krim kapital në Gjenevë. Ndryshe nga ndarja moderne perëndimore mes kishës dhe shtetit, bota në të cilën jetonte Kalvini nuk njihte një ndarje të tillë. Të ishe fajtor për gabim teologjik, do të thoshte të ishe fajtor për krim penal. Kjo nuk ishte diçka unike për Gjenevën. Një sistem i tillë politik ekzistonte si normë, në pjesën më të madhe të botës. Si rezultat, për ekzekutimin me vdekje kishte miratim pothuajse të përgjithshëm, si nga protestantët, ashtu edhe nga katolikët.
Mendo për pasojat e kësaj për një moment. Nëse ekzekutimi i Servetusit e skualifikoka Kalvinin, atëherë ai po aq mirë skualifikon thuajse të gjithë udhëheqësit protestantë dhe katolikë të asaj kohe. Edhe nëse arrijmë në përfundimin se ekzekutimi ishte i gabuar, pasi i shqyrtojmë provat, nuk duhet ta refuzojmë Kalvinin me kaq lehtësi, sikur ai të ishte i vetmi që e miratoi atë.

2. Vendimi nuk varej nga Kalvini. Në fakt, Kalvini nuk ishte autoriteti suprem në Gjenevë (ai sigurisht që nuk ishte diktator, siç paraqitet shpesh nga ata që janë të painformuar). Çështjen e gjykoi zyrtarisht Këshilli i Gjenevës, që në fakt shpesh i kundërvihej Kalvinit (që nuk ishte qytetar i Gjenevës) dhe kërkoi ta përdorte gjyqin për të dëshmuar autoritetin e vet mbi të… Ata që janë të njohur me jetën e Kalvinit mund të kujtojnë se për një kohë, ky këshill, për të treguar autoritetin e vet, e kishte dëbuar nga qyteti Kalvinin dhe e kishte detyruar të qëndronte larg për një kohë të gjatë.

3. Servetusi nuk u dënua për Arminianizëm (hedhjen poshtë të “Kalvinizmit”), por për Pelagianizëm (mohimin e mëkatit fillestar), Modalizëm (një herezi anti-trinitare), Panteizëm (mohimin e dallimit themelor midis Krijuesit dhe krijesës), dhe gabime të tjera serioze teologjike.
Servetusi nuk vinte thjesht në dyshim themelet e besimit. Ai i kundërshtonte ato me ashpërsi, aq sa raportohet se ai e quante Trininë “qenin me tre koka të ferrit.”
Nëse lexon sensacionalizmat që qarkullojnë në internet, mund të mendosh se Kalvini i kundërvihej kujtdo që nuk binte dakord me kalvinizmin. Por në të vërtetë, ai i kundërvihej atyre që i kundërviheshin vetë Ungjillit.

4. Gati dy dekada më parë, Servetusi kishte kërkuar që Kalvini të linte sigurinë e Gjenevës për t’u takuar e për të diskutuar dallimet e tyre. Megjithëse Kalvini ishte në kërkim nga autoritetet në rajonin ku duhej të takoheshin, ai rrezikoi jetën e vet, me shpresën për ta pajtuar Servetusin me të vërtetën e Ungjillit. Por Servetusi nuk u shfaq kurrë.

5. Kalvini shkëmbeu letra me Servetusin para dhe gjatë burgimit të tij, duke i’u lutur që të pendohej. Në një nga letrat e tij ai i shkruan:

“Unë nuk të urrej, as nuk të përçmoj; as nuk dëshiroj të të përndjek; por do të isha i fortë si hekuri kur shoh që ti fyen doktrinën e shëndoshë me aq guxim.”

 

Më vonë, Kalvini shkroi:

“E kujtova me butësi se si kisha rrezikuar jetën time më shumë se gjashtëmbëdhjetë vjet më parë për ta fituar për Shpëtimtarin tonë. Do të bëja me besnikëri çdo përpjekje për ta pajtuar me gjithë shërbëtorët e mirë të Perëndisë. Edhe pse ai shmangu takimin, unë kurrë nuk reshta së këshilluari me mirësi përmes letrave. Me pak fjalë, tregova çdo lloj njerëzie deri në fund, derisa ai, i hidhëruar nga këshillat e mia të mira, më sulmoi me çdo lloj zemërimi e mllefi.”

 

6. Kalvini e vizitoi Servetusin në burg dhe u lut me të dhe për të.
J. I. Packer ka shkruar:

“Për hir të saktësisë historike, Kalvini tregoi më shumë kujdes baritor për Servetusin se kushdo tjetër i përfshirë në këtë ngjarje.”

 

Dhe siç shkruan historiani Bruce Gordon:

“Herezia ishte një krim kapital, por Kalvini nuk donte që Servetusi të vdiste.”

 

Edhe kur Këshilli urdhëroi ekzekutimin me djegie në turrën e druve, vetëm Kalvini ndërhyri duke kërkuar që dënimi të zëvendësohej me një prerje koke, që ishte një vdejke më e mëshirshme. Por Këshilli refuzoi.

Për rolin e Kalvinit në këtë ngjarje, historiani Paul Henry shkroi:

“Një shqyrtim më i afërt i ngjarjes, duke u parë nga këndvështrimi i epokës në të cilën ai jetoi, do ta shfajësojë atë plotësisht nga çdo faj. Sjellja e tij nuk u udhëhoq nga ndjenjat personale. Ajo ishte pasojë e një lufte që ky burrë i madh e kishte bërë për vite me radhë kundër prirjeve të korruptimit të doktrinës që kërcënonte kishën me rrënim. Çdo epokë duhet gjykuar sipas ligjeve që mbizotëronin në atë kohë; dhe Kalvini nuk mund të akuzohet në mënyrë të drejtë për ndonjë faj më të madh sesa ai me të cilin mund të akuzohemi ne sot, kur dënojmë disa krime me vdekje.”

 

Jemi apo nuk jemi dakord se Kalvini është krejtësisht i shfajësuar nga çdo kritikë në këtë rast, rrethanat reale duhet të zbusin ndjeshëm akuzat që shpesh ngrihen ndaj tij.

Kalvini dhe reformatorët kryesorë të kohës së tij miratuan dënimin me vdekje të një heretiku. Por a e shfuqizon kjo njollë e mundshme gjithë mësimin e tyre?

A i prishin Psalmet veprimet e Davidit ndaj Bathshebës dhe Urias?
Frika dhe paragjykimet e Pjetrit a e anullojnë vlerën e letrave të tij?
Fakti që Pali miratoi vdekjen e të krishterëve a do të thotë se mund të hedhim poshtë pjesën më të madhe të Dhiatës së Re?

Ka vetëm Një që e ka kaluar në mënyrë të përkryer provën e karakterit. Dështime dhe dobësi të tilla tek njerëzit e Tij theksojnë edhe më shumë dashurinë e Perëndisë, që derdh një hir kaq të madh mbi mëkatarë kaq të padenjë si ne.

Vite më vonë, në prag të vdekjes, Kalvini shkroi:

“Me gjithë shpirtin tim përqafoj mëshirën që [Perëndia] ka ushtruar ndaj meje nëpërmjet Jezus Krishtit, duke shlyer mëkatet e mia me meritën e vdekjes dhe mundimeve të Tij, që në këtë mënyrë Ai të shlyente për të gjitha fajet e mia dhe t’i fshinte nga kujtesa e Tij.
Pranoj se kam dështuar në mënyrë të panumërt për ta kryer detyrën time siç duhet, dhe po të mos më kishte ndihmuar Ai, me mirësinë e Tij të pafundme, i gjithë ai zell do të kishte qenë i kotë.
Për të gjitha këto arsye, dëshmoj dhe shpall se nuk kam asnjë siguri tjetër për shpëtimin tim përveç kësaj, dhe vetëm kësaj: që, ashtu sic Perëndia është Ati i mëshirës, Ai do të tregojë veten si një Atë i tillë ndaj meje, që e pranoj veten si një mëkatar të mjerë.”

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes