Sakramentet – Bazuar në Komentarin e Zhan Kalvinit

Sakramentet

Sakramentet
Bazuar në komentarin e Zhan Kalvinit

Përkthyer nga Wabashbible

Sakramentet janë shenja dhe vula të besimit, të cilat Perëndia i ka caktuar si të shenjta. Sakramenti i rrethprerjes në besëlidhjen e vjetër është zëvendësuar me pagëzimin me ujë në besëlidhjen e re. Të dy këto janë shenja të një realiteti shpirtëror: rrethprerja në mish përfaqësonte rrethprerjen shpirtërore të zemrës, dhe pagëzimi me ujë tregon pagëzimin shpirtëror ose rilindjen prej Frymës së Shenjtë (domethënë, të lindurit sërish). Po kështu, sakramenti i Pashkës në besëlidhjen e vjetër është zëvendësuar me Darkën e Zotit në besëlidhjen e re.

Agustini thotë se një sakrament është një fjalë e bërë e dukshme, dhe ai flet drejt; sepse në pagëzim Perëndia i drejtohet syve tanë, kur paraqet ujin si simbol të larjes dhe rilindjes sonë. Edhe në Darkë, Ai i drejton fjalën e Tij syve tanë, pasi Krishti na tregon mishin e Tij si ushqim të vërtetë dhe gjakun e Tij si pije të vërtetë, kur buka dhe vera vendosen para nesh.[1]

Praktikimi i sakramenteve (dmth. urdhërimet e shenjta që Perëndia ka caktuar që populli i Tij të zbatojë) duhet gjithmonë të shoqërohet me shpalljen e Fjalës së Zotit: Të gjitha shenjat janë të pakuptimta dhe pa ndonjë rëndësi pa fjalën. Atëhere, është Fjala e Perëndisë ajo që, në një farë mënyre, u jep jetë shenjave dhe i përdor ato për të mirën dhe mësimin e njerëzve (Jer. 43:8-10).[2] Meqenëse fjalët duhet të jenë gjithmonë të lidhura me shenjat, ne kuptojmë se sa të pamend janë Papistët [pasuesit e Papës], të cilët praktikojnë shumë ceremoni, por pa njohuri. Çfarëdo shenjash që njerëzit mund të shpikin për veten e tyre, ato janë me të vërtetë gjëra të vdekura dhe boshe nëse nuk u shtohet fjala e Perëndisë (Jer. 51:60-64).[3]

Çfarë përfaqësonte rrethprerja në besëlidhjen e vjetër?

Rrethprerja “ishte një simbol i ripërtëritjes.”[4] Ajo ishte një shenjë pendese dhe besimi: Është diçka e zakonshme tek Moisiu dhe Profetët që të quajnë zemrën e paripërtërirë ‘të parrethprerë’ dhe të thonë se njerëzit janë të parrethprerë në zemër; sepse rrethprerja, ndërkohë që ishte një provë e shpëtimit të lirë në Krishtin, në të njëjtën kohë i fuste Judenjtë në adhurimin dhe shërbimin e Perëndisë dhe tregonte nevojshmërinë e një jete të re; shkurtimisht, ajo ishte një shenjë e pendesës dhe e besimit.”[5]

Me anë të këtij simboli Perëndia tregonte se, nëse një njeri synon mirë pas fesë së vërtetë, ai duhet të fillojë duke hequr të gjitha prirjet e këqija të mishit të tij; ai duhet të mohojë veten dhe të vdesë si për veten, ashtu edhe për botën; sepse rrethprerja përfshin të gjitha këto. Profeti Jeremia tregon se Izraelitët nuk kishin asnjë justifikim; se ata nuk u larguan gabimisht apo nga padituria, por sepse ata vepruan me ligësi dhe me mashtrim ndaj Perëndisë. Sepse rrethprerja, me anë të së cilës ata ishin futur në shërbimin e Perëndisë, u mësonte mjaftueshëm që Perëndia nuk shërbehet drejt dhe me besnikëri, përveçse kur njerëzit mohojnë vetveten.[6]

Rrethprerja ishte mburrja e madhe e Judenjve, por vetëm përpara njerëzve, sepse asgjë tjetër veç ambicies dhe kotësisë nuk i drejtonte ata, ndërsa hapur krekoseshin dhe mburreshin se ishin populli i shenjtë dhe i veçantë i Perëndisë. Kështu, Profeti i udhëzon të mos vlerësojnë atë që nuk ka rëndësi, por të bëhen të rrethprerë për Zotin; domethënë, ai u thotë të mos kërkojnë duartrokitjet përpara botës, por të mendojnë seriozisht se kanë për t’i dhënë llogari Perëndisë. Dhe prandaj ai shton: Hiqni lafshën e zemrës suaj, sikur të thoshte: “Kur Perëndia urdhëroi që fara e Abrahamit të rrethpritej (Zan. 17:10-12), qëllimi i Tij nuk ishte thjesht prerja e një pjese të vogël të lëkurës, por Ai kishte parasysh diçka më të lartë, që ju të ishit të rrethprerë në zemër.”[7]

Perëndia vlerëson rrethprerjen e vërtetë të zemrës: Duke thënë se të gjitha kombet ishin të parrethprera, Jeremia pa dyshim përfshin edhe Izraelitët, dhe kështu, duke qortuar, ua heq popullit të zgjedhur dallimin e tyre të veçantë. Kështu Profeti thotë se edhe pse ata kishin simbolin e dukshëm në mishin e tyre, prapësëprapë ata ishin të parrethprerë në zemër dhe duhet të radhiteshin me kombet. Perëndia nuk i kushton rëndësi simbolit të jashtëm, por sheh kryesoren, rrethprerjen e zemrës” (Jer. 9:25-26).[8]

Apostulli Pal mëson të njëjtën gjë te Romakëve 2:28-29: “Sepse Jude nuk është ai që duket i tillë nga jashtë, dhe rrethprerja nuk është ajo që duket në mish; por Jude është ai që është përbrenda; dhe rrethprerja është ajo e zemrës, në frymë dhe jo në shkronjë; lavdërimi i tij nuk është nga njerëzit, por nga Perëndia.”

Shkronja nuk ka vlerë përpara Perëndisë, por Fryma është ajo që Ai kërkon. Shenja e jashtme është e pavlefshme, përveçse kur shoqërohet me realitetin e brendshëm; sepse rrethprerja sipas shkronjës që përmënd Pali është vetëm riti i jashtëm. Në të njëjtën mënyrë, pagëzimi siç është tek ne, mund të quhet “shkronja” kur nuk ka pendesë dhe besim. Por fryma, ose rrethprerja shpirtërore, është mohimi i vetvetes; është ripërtëritja, dhe me një fjalë, ajo kthesë e vërtetë drejt Perëndisë, për të cilën flet Profeti. As Moisiu nuk ka heshtur për këtë çështje. Në kapitullin e dhjetë të Ligjit të Ripërtërirë ai tregon se Judenjtë e mashtronin rëndë veten nëse mendonin se kishin bërë gjithçka që kërkonte Perëndia kur rrethpriteshin në mish. “Rrethpreni” – thotë ai, “zemrat tuaja për Zotin.”[9]

Jeremia gjithashtu flet për ata që kishin veshë të parrethprerë: Kujt do t’i flas dhe cilin do të qortoj që të më dëgjojë? Ja, veshi i tyre është i parrethprerë dhe ata nuk janë të zotë të tregojnë kujdes; ja, fjala e Zotit është bërë për ta objekt përçmimi dhe ata nuk gjejnë tek ajo asnjë kënaqësi.” (Jer. 6:10).

Cili është ndryshimi midis një veshi të parrethprerë dhe një zemre të parrethprerë? Veshi i parrethprerë është ai që hedh poshtë çdo doktrinë të vërtetë. Zemra e parrethprerë është ajo që është e ligë dhe rebele. Por ne duhet të kuptojmë arsyen e kësaj: ashtu sic rrethprerja ishte një dëshmi e bindjes, po ashtu Shkrimi quan të parrethprerë ata që janë të pamësueshëm, që hedhin poshtë çdo frikë të Perëndisë dhe çdo ndjenjë të fesë, dhe ndjekin epshet dhe dëshirat e tyre.[10]

Ashtu si ishte me shenjën e jatshme të rrethprerjes në besëlidhjen e vjetër, po kështu është me pagëzimin me ujë nën besëlidhjen e re. Ishte vullneti i Perëndisë që të shenjtëronte popullin e Tij të lashtë për veten e Tij me anë të rrethprerjes; por, kur ata u kënaqën vetëm me shenjën e jashtme, pa realitetin, atëherë besëlidhja e Perëndisë u përdhos. E njëjta gjë ndodh sot me pagëzimin; ata që duan të quhen të krishterë mburren me të, ndërkohë që në të njëjtën kohë, ata nuk tregojnë aspak frikë ndaj Perëndisë, dhe jeta e tyre e tërë zhduk karakterin e vërtetë të pagëzimit (kr. Rom. 2:27).[11]

Pagëzimi me ujë nuk i sjell asnjë të mirë njeriut nëse ai nuk merr pagëzimin shpirtëror, të cilin vetëm Fryma e Shenjtë mund ta japë. A je pagëzuar ti me Frymën; a je rilindur? Është e sigurt se njerëzit nuk mund t’ia japin vetes atë që Perëndia nënkupton me shenjën e pagëzimit; por Perëndia i këshillon që të kërkojnë prej Tij hirin e Frymës së Tij, që të mos vulosen më kot nga ana e jashtme me ritin e pagëzimit, ndërsa janë të zhveshur nga realiteti i tij (Rom. 2:29).[12]

Pagëzimi me ujë nuk rilind njeriun; Fryma e Shenjtë e bën këtë. Pagëzimi me ujë nuk u sjell asgjë hipokritëve, sepse ata marrin vetëm shenjën e zhveshur; dhe prandaj ne duhet të vijmë tek fryma e pagëzimit, te vetë gjëja; sepse fuqia e brendshme është ripërtëritja, kur njeriu i vjetër kryqëzohet me ne, dhe kur ringjallemi bashkë me Krishtin në një jetë të re.[13]

Vetëm pagëzimi me ujë nuk do të të shpëtojë; ti duhet të lindësh sërish nga Perëndia. Për t’u shpëtuar, ti duhet të pagëzohesh me Frymën e Shenjtë (kr. Marku 1:8; Veprat 1:5; 10:47; 11:16; 1 Kor. 12:13). A je pagëzuar me Frymën e Shenjtë?

__

[1] Zhan Kalvini, Komentarët mbi Njëzet Kapitujt e Parë të Librit të Profetit Ezekiel, përkth. Thomas Myers (Edinburg, Skoci: Shoqëria e Përkthimit të Kalvinit, 1843), Vëll. I, fq. 152-154. Shih gjithashtu Homelinë e Agustinit mbi Gjonin, 89, Libri 19.
[2] Zhan Kalvini, Komentarët mbi Profetin Jeremia dhe Vajtimet, Vëll. IV, përkth. Rev. John Owen (Grand Rapids: Baker, 2003), fq. 513.
[3] Vëll. V, fq. 292-293.
[4] Vëll. I, fq. 204.
[5] Vëll. I, fq. 508.
[6] Vëll. I, fq. 204.
[7] Vëll. I, fq. 205.
[8] Vëll. I, fq. 507.
[9] Vëll. I, fq. 205.
[10] Vëll. I, fq. 328.
[11] Vëll. I, fq. 328.
[12] Vëll. I, fq. 205-206.
[13] Vëll. I, fq. 508.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes