Për 2000 vite kisha ka besuar dhe praktikuar mbulimin e kokës nga gratë në shërbesën publike të adhurimit në kishë. Kjo praktikë bazohet te 1 Korintasve 11:2–16, ku apostulli Pal, nën frymëzimin e Frymës së Shenjtë, mëson se gjatë lutjes dhe profetizimit, burri duhet të mbajë kokën e zbuluar, ndërsa gruaja duhet ta mbulojë kokën e saj. Pali nuk e lidh këtë urdhërim me rrethana kulturore apo zakonet e vendit, por me rendin hyjnor të krijimit, lavdinë, engjëjt, dhe praktikën e kishave. Por cfarë kanë besuar etërit e kishës në lidhje me këtë? Cfarë besonin Reformatorët dhe burrat e tjerë që i pasuan ata?
Këto janë disa lloje mbulesash:




Praktika në Kishën e hershme:
Shkrimet e etërve të hershëm tregojnë qartë se mbulimi i kokës nga gratë ishte një praktikë universale dhe e pranuar:
Ireneu (vitet 120-202):
“Një grua duhet të ketë një vel mbi kokën e saj, për shkak të engjëjve.” (komenti i Ireneut mbi 1 Korintasve 11:10).
Tertuliani (vitet 150-225):
“Sa i rëndë do të jetë dënimi për ato që gjatë psalmeve dhe në çdo përmendje të Zotit qëndrojnë të pambuluara. Edhe kur janë gati të luten, me gatishmërinë më të madhe, vendosin një fije, ose çdo fije tjetër në majën e kokës dhe mendojnë se janë të mbuluara.” (ANF, Vëll. 4, f. 37).
“Virgjëreshave u takon të jenë të mbuluara që nga koha kur kalojnë pikën e kthesës së moshës së tyre. Kjo mbajtje kërkohet nga e vërteta.” (ANF, Vëll. 4, ff. 27-29).
“Gjithashtu, korintasit vetë e kuptuan në këtë mënyrë. Në fakt, deri në këtë ditë, korintasit i mbulojnë virgjëreshat e tyre. Atë që apostujt mësuan, dishepujt e tyre e miratuan.” (ANF, Vëll. 4, f. 33).
“A do të lejosh që vetë shpirti i virgjëreshës të dhunohet duke ia hequr mbulesën? … Mbuloje kokën, nëse je nënë për hir të bijve të tu; nëse je motër, për hir të vëllezërve; nëse bijë, për hir të etërve të tu.” (De Virginibus Velandis k.15.)
Klementi i Aleksandrisë (vitet 153-217):
“Kjo është dëshira e Fjalës. Sepse i takon asaj të lutet e mbuluar.” (ANF, Vëll. 2, f. 290).
“Dhe një grua e krishterë kurrë nuk do të bjerë nëse vendos para syve të saj modestinë dhe velin e saj. As nuk do të ftojë dikë tjetër të bjerë në mëkat duke zbuluar fytyrën e saj.” (ANF, Vëll. 2, f. 290).
“Le të jetë gruaja plotësisht e mbuluar, përveç kur është në shtëpi… sepse është e denjë për të, të lutet e mbuluar.” (Paedagogus, Libri III, kr. 11)
Hipoliti (vitet 170-236):
“Të gjitha gratë duhet të kenë kokën e mbuluar me një copë të errët, jo me një vel liri të hollë, sepse kjo nuk është një mbulim i vërtetë.” (Tradita Apostolike).
“Kanuni i Shtatëmbëdhjetë. Për virgjëreshat, që ato të mbulojnë fytyrat dhe kokat e tyre.” (Kanun për adhurimin).
Origeni (vitet 185–253):
“Ka engjëj në mes të bashkimit tonë … këtu kemi një Kishë të dyfishtë, një të njerëzve dhe një të engjëjve … Dhe meqë ka engjëj të pranishëm … gratë, kur luten, janë urdhëruar të mbulojnë kokën për shkak të atyre engjëjve.”
Gjon Krisostomi (vitet 340-407):
“‘Dhe nëse i është dhënë për mbulim,’ thoni ju, ‘pse i duhet një mbulim tjetër?’ Që jo vetëm natyra, por edhe vullneti i saj të ketë një rol në pranimin e nënshtrimit të saj. Që ti të jesh e mbuluar, natyra vetë paraprakisht ka vendosur një ligj. Shto tani, edhe pjesën tënde, që të mos duket se po përmbys vetë ligjet e natyrës; një provë e guximit më të paturpshëm, të godasësh jo vetëm neve, por edhe natyrën.” (Homeli XXVI mbi 1 Korintasve 11:2-16).
“Sepse burri nuk duhet ta mbulojë kokën, sepse është shëmbëlltyra dhe lavdia e Perëndisë; por gruaja është lavdia e burrit… Për këtë arsye gruaja duhet të ketë shenjë pushteti mbi kokën e saj për shkak të engjëjve.” (Homilia XXVI mbi 1 Korintasve)
Agustini (vitet 354–430)
“Burri është shëmbëlltyra e Perëndisë, prandaj i ndalohet ta mbulojë kokën; ndërsa gruaja duhet të ketë pushtet mbi kokën e saj, që mbulesa e tregon, dhe kjo është e pëlqyeshme për engjëjt e shenjtë.”
“Nuk i ka hije as grave të martuara të zbulojnë flokët, pasi apostulli urdhëron që gratë të mbajnë kokën të mbuluar.” (De Trinitate, Libri XII, kr. 7)
___
Mbulimi i kokës gjatë Reformacionit
Në shekullin 16-të, kur Reformatorët si Zhan Kalvin, Gjon Noksi dhe të tjerë u kthyen te autoriteti i Shkrimit, ata e ruajtën dhe mbrojtën edhe këtë praktikë. Për ta, mbulesa ishte shenjë e rendit dhe urtësisë së Perëndisë në krijim, dhe për shekuj me radhë gratë në kishat protestante dhe të reformuara vijuan që ta mbanin atë në adhurim:
John Knox (vitet 1505-1572):
“Së pari, them se gruaja në përsosmërinë e saj më të madhe u krijua për t’i shërbyer dhe bindur burrit, jo për ta sunduar dhe urdhëruar atë. Siç arsyeton Pali me këto fjalë: ‘Burri nuk është nga gruaja, por gruaja nga burri… prandaj gruaja duhet të ketë një fuqi mbi kokën e saj,’ (domethënë, një mbulim në shenjë të nënshtrimit).” (Koment mbi 1 Korintasve 11:10).
Zhan Kalvini (vitet 1509-1564):
“Që gratë duhet ti kenë kokat e tyre të mbuluara kur luten ose profetizojnë; përndryshe ato cnderojnë kren e tyre, sepse, ashtu sic një burrë nderon kreun e tij duke treguar lirinë e tij, po kështu edhe gruaja kur tregon nështrimin e saj. Prandaj, nga ana tjetër, nëse gruaja zbulon kokën e saj, ajo shkund nënshtrimin e saj, duke përfshirë përbuzje për burrin e saj …” (Kalvini, Koment mbi 1 Korintasve 11).
“Pra, nëse grave u lejohet të kenë kokat e tyre të zbuluara dhe të tregojnë flokët e tyre, shumë shpejt do t’u lejohet të zbulojnë edhe kraharorin, dhe do të arrijnë të sillen sikur të ishin në një shfaqje taverne. Ato do të bëhen aq të pacipa sa që ndjenja e turpit dhe e ndershmërisë nuk do të ekzistojë më. Shkurt, ato do të harrojnë detyrën që u ka dhënë vetë natyra… Për më tepër, ne e dimë se bota e përdor çdo liri për përfitimin e vet. Kështu, nëse ka liri në gjërat më të vogla, pse të mos veprohet po ashtu edhe me këtë? Dhe duke bërë krahasime të tilla, do të krijojnë një rrëmujë të tillë sa që do të mbretërojë kaosi i plotë. Kështu, kur u lejohet grave të zbulojnë kokat, dikush do të thotë: ‘Epo, ç’të keqe ka të zbulojmë edhe barkun?’ Dhe pastaj do të kërkohet diçka tjetër; ‘Tani, nëse gratë ecin me kokën e zbuluar, pse të mos zbulojnë edhe këtë dhe atë?’ Atëherë edhe burrat, nga ana e tyre, do të çlirohen nga çdo përmbajtje. Në përfundim, nuk do të mbetet më asnjë ndershmëri, përveç nëse njerëzit përmbahen dhe respektojnë atë që është e drejtë dhe e përshtatshme, që të mos bien në shthurje pa fre.” (Koment mbi 1 Korintasve)
William Tyndale (vitet 1494–1536)
“Unë përgjigjem se Pali mësonte me gojë të njëjtat gjëra që shkroi në letrat e tij. Dhe traditat e tij ishin ungjilli i Krishtit, sjellja e ndershme dhe jeta e rregullt, dhe një rend i mirë që i përshtatet doktrinës së Krishtit: si për shembull që gruaja t’i bindet burrit të saj, të ketë kokën e mbuluar, të qëndrojë në heshtje dhe të vishet në mënyrë gruaje dhe të krishterë; që fëmijët dhe shërbëtorët të jenë në nënshtrim; që të rinjtë t’u binden të moshuarve; që askush të mos hajë, përveç atij që punon dhe lodhet; dhe që njerëzit ta marrin seriozisht Fjalën e Perëndisë dhe sakramentet e tij të shenjta; të qëndrojnë zgjuar, të agjërojnë dhe të luten, dhe të bëjnë të tilla gjëra siç urdhëron Shkrimi; dhe kush do t’i shkelte këto, nuk do të ishte njeri i krishterë.” — William Tyndale (rreth 1494–1536), “An Answer unto Sir Thomas More’s Dialogue”
___
Mbulimi i Kokës Pas-Reformacionit
Christopher Love (1618–1651)
“Së teti, engjëjt janë të pranishëm me ne, duke na vëzhguar në mbledhjet tona kishtare kur vijmë për të adhuruar përpara Perëndisë. Kur je në adhurim dhe në shërbim të Perëndisë, engjëjt janë me ty, të shikojnë, megjithëse ti nuk i sheh ata. Kjo përmendet te 1 Korintasve 11:10: ‘Për këtë arsye gruaja duhet të ketë shenjë autoriteti mbi kokën e saj, për shkak të engjëjve.’ Disa i referohen këtyre fjalëve për shërbëtorët e kishës, të cilët në vende të tjera quhen ‘engjëj’, por ne mund ta kuptojmë se bëhet fjalë për engjëjt vetë, sepse ata gëzohen në gjërat e ungjillit. Këtu apostulli flet për gratë që nuk duhet të hyjnë në kishë pa mbulesë. Pse? Për shkak të engjëjve, jo për shkak të shërbëtorëve. Këtu bëhet fjalë për engjëjt e qiellit, dhe për këtë arsye gratë duhet të kenë kujdes se si hyjnë në kishë, sepse engjëjt janë dëshmitarë dhe vëzhgojnë se si silleni, duke qenë adhurues bashkë me ju në mbledhjet kishtare. Dhe kjo duhet t’ju bëjë të tregoni kujdes në sjelljen tuaj; sepse edhe pse ata nuk i dinë zemrat tuaja, ata e shohin qëndrimin tuaj ndërsa hyni në praninë e Perëndisë.” – (Një Traktat për Engjëjt (A Treatise of the Angels))
Thomas Manton (1620–1677)
“Në mbledhjen e kishës takoheni me engjëj dhe me djaj; engjëjt vëzhgojnë veshjen dhe sjelljen tuaj, ndërsa djajt ju tundojnë. Prandaj, mbulohuni për shkak të engjëjve. Sjellja e grave (që vijnë këtu me një pafytyrësi të paturpshme në praninë e Perëndisë, njerëzve dhe engjëjve) nuk përputhet as me ndrojtjen, as me përshtatshmërinë… (Një guxim i tillë) ushqen krenarinë tuaj dhe nxit të tjerat të ndjekin kotësinë tuaj. Ne duhet më tepër të kënaqim Perëndinë sesa njerëzit; më mirë të mos i kënaqim kurrë njerëzit sesa të fyejmë Perëndinë.” — (Predikime mbi Titit 2:11–14, Veprat e Plota, vëll. 16, fq. 138)
Një Grup Predikuesish Presbiterianë nga Londra (1646):
“Gruaja duhet të ketë fuqi (exousia) mbi kokën e saj, domethënë, një vel është shenjë e fuqisë së burrit të saj mbi të (1 Kor. 11:10) . . . .” (Dokument gjatë Asamblesë së Uestminsterit).
Samuel Stoddon (viti 1727):
“2. Shpresoj të më lejohet gjithashtu, pa shumë përgjërim, se për një grua të vijë në kongregacionin e adhuruesve të Zotit me kokën e pambuluar, ose të veshur sipas mënyrës së burrit, është një gjë shumë e pahijshme dhe jo e krishterë…” (Një Ese mbi një Pyetje që ka të Bëjë me Adhurimin Hyjnor, Londër, 1682, ff. 40-44).
Matthew Henry (vitet 1662–1714):
“Ajo duhet të ketë fuqi mbi kokën e saj, për shkak të engjëjve [1 Korintasve 11:10]. Fuqi, domethënë, një vel, shenjë, jo e fuqisë ose superioritetit të saj, por e të qenit nën fuqinë e burrit të saj, e nënshtruar ndaj tij, dhe inferiore ndaj gjinisë tjetër.” (Koment mbi të Gjithë Biblën mbi 1 Korintasve 11:10).
A. R. Fausset (vitet 1821-1910):
“Duke hequr velin, ajo heq shenjën e nënshtrimit ndaj burrit (që është nderi i saj i vërtetë), dhe e lidhjes së saj me Krishtin, Kreun e burrit. Për më tepër, mbulimi i kokës ishte simboli i modestisë së virgjëreshës para burrit (Zan. xxiv: 65), dhe i dëlirësisë (Zan. xx: 16)… modestia është zbukurimi i saj i vërtetë. Burri sundon; gruaja shërben. Veshja përkatëse duhet të jetë në përputhje. Të zbulosh kokën tregonte tërheqjen nga fuqia e burrit; prandaj një grua e dyshuar e kishte kokën e zbuluar nga prifti (Num. v. 18). . . . Meqenëse flokët e gruas i janë dhënë nga natyra si mbulimi i saj (v. 15), t’i presë ato si burrë do të ishte qartësisht e pahijshme; prandaj, të heqë mbulimin e kokës si burrë do të ishte gjithashtu e pahijshme. Është natyrale për të të ketë flokë të gjata për mbulimin e saj: ajo duhet, pra, të shtojë mbulimin tjetër të kokës, për të treguar se ajo bën me vullnetin e saj atë që natyra mëson se duhet të bëjë, në shenjë të nënshtrimit ndaj burrit.” (Koment mbi 1 Korintasve 11).
Robert L. Dabney (vitet 1820–1898)
“Së pari, kemi 1 Korintasve 11:3–16, ku apostulli trajton marrëdhënien dhe sjelljen e gjinive në mbledhjet publike të të krishterëve… rregullat që shpall këtu ishin të pranuara në mënyrë universale nga të gjitha kishat… Burri duhet të predikojë (ose të lutet) publikisht me kokën e zbuluar, sepse ai në atë kohë qëndron si lajmëtari dhe përfaqësuesi i Perëndisë; dhe të marrë mbi vete, në atë moment, shenjën e nënshtrimit, një kokë të mbuluar, është një fyerje ndaj ofiqit dhe ndaj Perëndisë që ajo përfaqëson… Një grua të paraqitet ose të kryejë ndonjë funksion publik fetar në mbledhjen e krishterë pa vello, është një papërshtatshmëri e dukshme, sepse është në kundërshtim me nënshtrimin e pozitës që Krijuesi i ka caktuar asaj, si edhe me ndrojtjen dhe përmbajtjen që i përshtatet gjinisë së saj. Madje edhe vetë natyra e zgjidh këtë çështje duke i dhënë asaj flokë të gjatë si vellon e saj natyrore. Ashtu si shija e mirë dhe ndjenja natyrore e përshtatshmërisë do të kundërshtonin një grua që të dilte në publik e qethur, pa atë shenjë të bukur dhe stoli të gjinisë së saj, si një ushtar i ashpër apo një punëtor, po aq qartë vetë natyra e mbështet ligjin e Perëndisë që kërkon që gruaja të paraqitet gjithmonë me ndrojtje, e mbuluar në vendin e shenjtë. Engjëjt e shenjtë, të cilët janë të pranishëm si dëshmitarë të padukshëm, që rrinë pezull mbi mbledhjet e krishtera, do të tronditeshin duke parë gra që shpallin përkushtim ndaj perëndishmërisë, por që publikisht e flakin këtë shenjë të përshtatshme të pozitës së tyre (vargu 10). Gruaja, pra, ka të drejtë në privilegjet e adhurimit publik dhe të sakramenteve; ajo mund t’i bashkohet me zë lavdeve dhe lutjeve të mbledhjes publike… por ajo duhet ta bëjë këtë gjithmonë e mbuluar me vello.”
Charles Spurgeon (vitet 1834–1892)
“A mendoni ju dhe unë se e kemi konsideruar mjaftueshëm që gjithmonë jemi të vëzhguar nga engjëjt, dhe se ata dëshirojnë të mësojnë nga ne urtësinë e Perëndisë? Arsyeja pse motrat tona paraqiten në Shtëpinë e Perëndisë me kokat e mbuluara është ‘për shkak të engjëjve’. Apostulli thotë se gruaja duhet të ketë një mbulesë mbi kokën e saj për shkak të engjëjve, meqë engjëjt janë të pranishëm në kuvend dhe vëzhgojnë çdo akt të paarsyeshëm, dhe për këtë arsye çdo gjë duhet të bëhet me hijeshi dhe rregull në praninë e frymërave engjëllore.” — Charles Haddon Spurgeon (1834–1892), predikim mbi 1 Korintasve 11:10
M. R. Vincent (viet 1834-1922):
“Veshja e kokës e grave greke përbëhej nga rrjeta, çanta flokësh, ose shami, ndonjëherë duke mbuluar tërë kokën. Një shall që mbulonte trupin hidhej shpesh mbi kokë, veçanërisht në martesa ose funerale. Këtë kostum gratë korintase e kishin braktisur në asambletë e krishtera, ndoshta si një shprehje e zhdukjes së dallimeve gjinore dhe barazisë shpirtërore të gruas me burrin në prani të Krishtit. Kjo praktikë u kundërshtua nga Pali si një goditje ndaj nënshtrimit të urdhëruar nga Zoti të gruas ndaj burrit.” (Studime Fjalësh në Testamentin e Ri mbi 1 Korintasve 11).
A. W. Pink (vitet 1886–1952)
“Për shkak se gruas nuk i është dhënë pushteti dhe drejtimi, koka e saj duhet të jetë e mbuluar, dhe e mbuluar me një mbulesë të dyfishtë: së pari, me flokët e gjatë që Perëndia i ka dhënë asaj në mënyrë natyrore, në mënyrë që edhe kur ajo është jashtë kishës, ajo mbulesë të tregojë se ajo nuk është koka e vetvetes, por është nën sundimin e kokës së shtëpisë së saj; së dyti, kur ajo hyn në shtëpinë e Perëndisë, duhet të ketë një mbulesë shtesë, sepse ajo është gjithashtu nën nënshtrimin ndaj vëllezërve të saj shpirtërorë, të cilëve Perëndia u ka dhënë autoritetin e drejtimit.” — Arthur W. Pink (1886–1952)
“Ajo që është kaq solemne në vargun e gjashtë është fjala ‘gjithashtu’. Dua që ta vini re se Fryma e Shenjtë i ka lidhur këtu dy gjëra së bashku. ‘Nëse gruaja nuk mbulohet, le të qethet gjithashtu.’. Me fjalë të tjera, Perëndia kërkon një mbulesë të dyfishtë. Ai i ka dhënë gruas flokët e gjatë për t’i mbuluar kokën natyrshëm, në mënyrë që koka e saj të jetë e mbuluar edhe kur është jashtë kishës, për të treguar se ajo nuk është sunduese e vetes, as koka e saj, por e nënshtruar kokës së shtëpisë së saj; por kur ajo hyn në shtëpinë e Perëndisë, kërkohet një mbulesë tjetër, për të treguar se ajo është gjithashtu nënshtruar kokës së saj shpirtërore, atyre që kanë autoritet në shtëpinë e Perëndisë.” — A. W. Pink, “Studies in the Scriptures,” 1926–1927
“Sa për mendimin tim personal, nuk kam asnjë hezitim të them se në shumë gjëra gruaja është më superiore se burri: në ndjeshmëritë më të holla, në cilësitë më fisnike që formojnë karakterin, në durim dhe qëndrueshmëri, në butësi, në dhembshuri, në vetmohim, në shërbimin ndaj atyre që vuajnë, në dashuri, gruaja është më e lartë se burri. Por kjo nuk është çështja për të cilën po flitet këtu. Çështja këtu është pozicioni që Perëndia i ka dhënë secilit dhe mënyra se si ky pozicion duhet të pranohet dhe të njihet përmes simbolit që Perëndia ka caktuar. Për shkak se Perëndia e ka vendosur gruan në një pozitë nënshtrimi, koka e saj duhet të mbulohet.” — A. W. Pink, “Studies in the Scriptures,” 1926–1927
“Tani, Perëndia ka caktuar që, për shkak se burri është koka, sepse drejtimi dhe sundimi i janë deleguar atij nga Perëndia, kjo të shfaqet simbolikisht kur ai hyn në shtëpinë e Perëndisë. Koka e tij duhet të jetë e zbuluar; koka e tij duhet të jetë e dukshme; koka e tij duhet të jetë e manifestuar, sepse Perëndia i ka dhënë atij autoritetin e drejtimit. Por, për shkak se Perëndia nuk ia ka dhënë këtë autoritet gruas, dhe e ka vendosur atë nën nënshtrimin ndaj burrit, kjo duhet të shfaqet simbolikisht duke pasur kokën e mbuluar, të fshehur duke treguar se ajo nuk është koka e vetvetes, as sunduese e vetes.”
— A. W. Pink, “Studies in the Scriptures,” 1926–1927, vëll. 3, fq. 257–263
G. G. Findlay (fundi i shek. 19):
“Që një grua të heqë velin do të thotë të heqë autoritetin burrëror, që është një pjesë e fiksuar e rendit hyjnor, si nënshtrimi i burrit ndaj Krishtit (3 f.).” (Testamenti i Ri Grek i Ekspozitorit mbi 1 Korintasve 11).
William Barclay (vitet 1907-1978):
“Problemi ishte nëse një grua në Kishën e Krishterë kishte të drejtë të merrte pjesë në shërbesë e pambuluar. Përgjigjja e Palit ishte e drejtpërdrejtë: veli është gjithmonë një shenjë nënshtrimi; ai vishet nga një inferior në prani të një superiori; tani gruaja është inferiore ndaj burrit, në kuptimin që burri është kreu i familjes; prandaj është e gabuar për një burrë të shfaqet në adhurimin publik i mbuluar dhe është po aq e gabuar për një grua të shfaqet e pambuluar.” (Letrat për Korintasit mbi 1 Korintasve 11).
Dr. Carlton C. McLeod (shek. XX–XXI)
“Jo rastësisht, hedhja masive poshtë e praktikës së mbulesës së kokës mund të gjurmohet që në mesin e shekullit të 20-të, afërsisht në të njëjtën kohë me ngritjen e feminizmit modern.” — Dr. Carlton C. McLeod
“Për njerëzit që thonë se kjo nuk ka më asnjë kuptim, se nuk e dimë më çfarë nënkupton, unë them: ‘Aspak e vërtetë; e dimë saktësisht çfarë do të thotë. Pikërisht për këtë arsye urrehet.’” — Dr. Carlton C. McLeod
“Mbulesa e kokës simbolizon gjithçka që është e fortë dhe e vajosur në feminitetin biblik. Mbulesa e kokës është e butë, femërore, e përulur, e qetë, e ndjeshme, dhe megjithatë e mbushur me autoritetin e Shpatës së Frymës. Ajo është një dëshmi e fuqishme se ajo që e mban, një bijë e Evës, refuzon të ndjekë shembullin e mëparshëm të pavarësisë dhe të mashtrimit, sepse ajo është shndërruar nga Jezusi. Mbulesa e kokës është një simbol kundërkulturor në kohët moderne, që shpall me zë të lartë në botën fizike dhe shpirtërore se Krishti është Mbret, dhe Fjala e Tij është ‘e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe, që depërton deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjeve dhe të palcës, dhe gjykon mendimet dhe qëllimet e zemrës’ (Hebrenjve 4:12).
“Mendoni si janë ndryshuar kohët që kur kisha perëndimore hodhi poshtë mbulesën e kokës. Mendoni çfarë ka ndodhur me martesën, me rolin e gruas në shtëpi, me rritjen e fëmijëve, me ndrojtjen, me seksualitetin, me nënshtrimin, me rolet në kishë dhe me frymën e butë e të qetë. Mendoni edhe për burrat modernë, kryesisht pasivë, të varur nga sportet, e të lëkundur në dishepullizimin dhe përgjegjësitë e tyre si siguruesë. Po, kjo mund të tingëllojë tepër e vjetër; dhe jo, humbja e mbulesës së kokës nuk i shkaktoi të gjitha këto. Por humbja e saj është simptomë e një mohimi më të gjerë të Fjalës së Perëndisë.” — Pastor Carlton C. McLeod
___
Humbja dhe rikuperimi në epokën moderne
Në gjysmën e dytë të shekullit 20-të, nën ndikimin e lëvizjes feministe, shumë gra nisën të shohin mbulesën si shenjë shtypjeje. Kultura moderne ndikoi fuqishëm edhe në Kishë. Gradualisht, mbulesat e kokës u zhdukën nga shërbesat dhe u harrua kuptimi i tyre shpirtëror. Madje gratë zhvilluan protesta dhe i dogjën publikisht mbulesat e kokës në shenjë rebelimi.

Por në vitet e fundit, një numër gjithnjë e më i madh grash të krishtera po e rizbulojnë këtë mësim dhe po e praktikojnë mbulimin e tyre të kokës. Ato dëshirojnë që të pranojnë dhe nderojnë urtësinë e Perëndisë në projektimin e tij për burrin dhe gruan dhe duan që ti binden Atij në çdo detaj dhe aspekt të jetës.