Nga Robin Arnaud, 1999. Artikulli Origjinal Këtu.
Ndërsa isha ende aktiv në lëvizjen karizmatike, fillova të zhgënjehesha nga mospërputhja e dukshme midis përshkrimeve biblike dhe shfaqjeve të dhuntive karizmatike, veçanërisht dhuntia e gjuhëve. Për këtë aryse, fillova një studim të Biblës dhe të historisë së kishës për të përcaktuar natyrën dhe qëllimin e vërtetë biblik të dhuntive karizmatike. Unë nuk kërkoja të provoja apo të hidhja poshtë diçka. Unë thjesht doja të zbuloja natyrën e tyre të vërtetë. Këto janë rezultatet e atij studimi:
QËLLIMI i Gjuhëve
Perëndia është Perëndi i rregullit dhe i qëllimit (1 Korintasve 14:33). Kur Ai bën dicka, Ai e bën këtë me një plan dhe me një synim. Zoti nuk foli në shëmbëlltyra për t’u dukur i mençur apo i thellë. Shkrimi mëson se Ai përdori shëmbëlltyrat me qëllim të posaçëm për t’ua fshehur të vërtetën jo të zgjedhurve (Marku 4:11-12). Po kështu, mrekullitë dhe dhuntitë duhet të kuptohen në lidhje me qëllimin e tyre të veçantë. Ato shërbenin si shenja që vërtetonin mesazhet që ato shoqëronin (Gjoni 20:30-31; Veprat 2:43, 4:16; 2 Korintasve 12:12; Galatasve 3:5; Romakëve 15:17-19). Qëllimi i dhënies së dhuntive nga Apostujt (sepse si Shkrimi ashtu edhe historia e mëvonshme e kishës dëshmojnë se dhuntitë jepeshin VETËM nga Apostujt, dhe nga askush tjetër, në cdo rast) ishte që të vërtetoheshin mësimet e Apostujve.
Pse disa njerëz pohojnë se gjuhët janë satanike?
Pali e paralajmëroi Timoteun se në kohët e fundit shumë do të largoheshin nga besimi, duke i kushtuar vëmendje “shpirtrave mashtrues dhe doktrinave të demonëve.” Shumica e dijetarëve biblikë besojnë se, meqë Krishti i çarmatosi Satanin dhe demonët e tij përmes vdekjes dhe ringjalljes së Tij, fuqia e vetme që demonët kanë tani është fuqia e mashtrimit. Kështu, demonët e sotëm janë engjëj mashtrues. Ata i bëjnë njerëzit t’i dëgjojnë gënjeshtrat e tyre duke i paraqitur ato si tërheqëse dhe joshëse. Pali i quajti ata “shpirtra mashtrues” (1 Timoteut 4:1), për shkak se ata mësojnë doktrinë të rreme.
Një arsye kryesore pse shumë njerëz mendojnë se gjuhët janë satanike është fakti që ka kaq shumë “dhunti” që nuk vërtetojnë mësimin e Apostujve. Kujtoni vajzën skllave me “një shpirt profecie” që ndiqte Palin duke thirrur: “Këta njerëz janë shërbëtorë të Perëndisë së Lartë, që ju shpallin rrugën e shpëtimit!” (Veprat 16:16-18). U zbulua se “profecitë” e saj ishin vepër e një demoni pavarësisht se mesazhi dukej i drejtë! Pali e dëboi demonin prej saj, dhe ajo pushoi së profetizuari. Si e kuptoi Pali që “dhuntia” e saj ishte demonike? Kjo ka dy arsye:
1. Asnjë apostull nuk i kishte dhënë asaj dhuntinë, dhe
2. “Profecitë” e saj përpiqeshin të përdornin shërbesën e Palit për të vërtetuar mesazhin E SAJ, një qëllim në kundërshtim të plotë me atë që kanë dhuntitë e vërteta të Frymës. Edhe sot, shumë dhunti karizmatike përdoren për “të vërtetuar” shërbesat e njerëzve, mësimet e të cilëve NUK janë ato të Apostujve. Ata përdorin shkrimet e Apostujve dhe marrin fjalë nga ata për t’u dhënë besueshmëri vetë shërbesës SE TYRE. Pikërisht këtë bëri edhe demoni te Veprat 16!
Prandaj, është logjike të mendojmë se një shpirt mashtrues do të përdorte të njëjtin mashtrim edhe sot, jo për të konfirmuar doktrinën e apostujve, por doktrinat e një të “dërguari modern” që mëson diçka krejt tjetër.
Çfarë mëson Bibla për Gjuhët
I. FORMA e Gjuhëve në Shkrim: Sa herë që ne shohim që të përmenden gjuhët në Bibël, ato GJITHMONË marrin formën e një gjuhë të huaj të strukturuar. Ato asnjëherë nuk janë “belbëzime ekstazie”.
A) Te Veprat 2, shumë njerëz nga shumë vende dëgjuan ungjillin në GJUHEN E TYRE. Pjetri u tha turmave se ajo ngjarje ishte përmbushja e profecisë së Joelit (Joeli 2:28 e tutje), e cila nuk përmend fare gjuhë, por profeci, ëndrra, vegime dhe SHENJA.
Më vonë, Pali shkroi se “gjuhët janë një SHENJË… për jobesimtarët” (1 Korintasve 14:22).
B) Në çdo rast tjetër pas Veprave 2, atje ku shfaqeshin gjuhët, “Fryma e Shenjtë ra mbi ta… ASHTU SIÇ RA MBI NE NË FILLIM” (Veprat 11:15-17), që do të thotë se edhe ato gjuhë ishin si ato të Veprave 2, një gjuhë të huaj dhe të vërtetueshme, shenjë për jobesimtarët.
C) Forma e gjuhëve në Pentakost u bë modeli për të gjitha rastet e mëvonshme të “glosolalisë.” Të gjitha referencat në Bibël për të folurit në gjuhë përdorin terminologji të ngjashme, që tregon ngjashmëri në formë.
D) Episodet në Korint përkufizohen në mënyra që përputhen plotësisht me ato të Veprave. Pali shkruan: “Asnjë gjuhë nuk është pa kuptim” (1 Korintasve 14:10). Ai i krahason gjuhët me gjuhët tokësore dhe pohon se të gjitha kanë kuptim të qartë. Prandaj, sipas Biblës, “gjuha” nuk është aspak belbëzim i pakuptueshëm siç ndodh sot në kishat karizmatike dhe pentekostale.
___
II. PËRMBAJTJA e Gjuhëve në Shkrim. Gjuhët ishin një dhunti ZBULUESE – një mjet zbulese nga Perëndia për te njeriu. Gjuhët sillnin zbulesë nga Perëndia po aq sa dhuntia e profecisë sillte zbulesë nga Perëndia te profetët dhe apostujt e dikurshëm. Kështu, gjuhët duhen të kuptohen në Shkrim që kanë sjellë komunikim hyjnor, të frymëzuar, pa gabim dhe autoritativ nga Perëndia tek njerëzit.
A) Rasti i parë i përmendur në lidhje me gjuhët përcaktohet si profetik nga Pjetri (Veprat 2:11–18).
B) Gjuhët pothuajse gjithmonë lidhen me dhuntitë e tjera të zbulesës në Shkrim (Veprat 2, 19; 1 Korintasve 13 dhe 14). Te Veprat 19, ata “flisnin me gjuhë dhe profetizonin.” Te 1 Korintasve, gjuhët trajtohen gjerësisht në lidhje me profecinë. Ndryshimi ishte që profecia ishte aftësia për të folur pa gabim vullnetin e Perëndisë në gjuhën e vet, ndërsa gjuhët ishin aftësia për ta shpallur në mënyrë të pagabueshme vullnetin e Perëndisë në një gjuhë që personi nuk e kishte mësuar kurrë.
C) Gjuhët përmenden specifikisht si të folurit e mistereve (1 Korintasve 14:2). Kur fjala “mister” përdoret në Shkrim, ajo nënkupton gjithmonë zbulesë. Pra, kur një mister flitet, ai bëhet një zbulesë.
Prandaj, PERMBAJTJA e gjuhëve, sipas Biblës, është zbulesa e frymëzuar, e pagabueshme dhe autoritative e mistereve të Perëndisë për njerëzit. Gjuhët që ne shohim sot ndër karizmatikët dhe pentekostalët nuk përmbushin aspak këtë standard të lartë biblik. Në fakt, gjatë njëzet viteve që isha pjesë e një kishe karizmatike ku praktikoheshin gjuhët, nuk pashë asnjëherë që gjuhët të merrnin formën e një gjuhe të huaj të dallueshme, dhe “interpretimi” i saj nuk u trajtua kurrë si një zbulesë e pagabueshme nga Perëndia. Mua më shqetësonte thellësisht që një fjalë e drejtpërdrejtë nga Qielli mund të trajtohej kaq lehtë nga dëgjuesit, në vend që ata ta shkruanin, të ishin të kujdesshëm që t’i bindeshin asaj dhe ta publikonin. Njerëzit vetëm tundnin kokën dhe thoshin: “Faleminderit, Zot, për këtë fjalë të mirë,” sikur ajo të ishte një kartolinë frymëzuese dhe jo një mesazh nga Sundimtari i gjithësisë. Por i Plotfuqishmi nuk është ulur në fronin e Tij për të dërguar puthje në tokë. Fjala e Tij duhet të trajtohet me kujdes të shenjtë dhe me nderim të thellë, ashtu siç ne pretendojmë se e trajtojmë Biblën. Por sot, gjuhët nuk trajtohen në këtë mënyrë.
___
III. QËLLIMI i Gjuhëve. Siç e përmenda më herët, Perëndia është Perëndi i rendit dhe qëllimit, dhe kur Ai vepron, Ai e bën këtë me një plan dhe arsye. Ne shohim që shëmbëlltyrat kishin një qëllim specifik (Marku 4:11–12); mrekullitë kishin një qëllim të caktuar (Gjoni 20:30–31; Veprat 2:43; 4:16; Romakëve 15:17–19; 2 Korintasve 12:12); dhe po ashtu, dhuntia e gjuhëve kishte një qëllim shumë të veçantë: Ajo vërtetonte mesazhin e Apostujve dhe ishte gjithashtu një shenjë e mallkimit të besëlidhjes ndaj Izraelit mosbesues.
A) Gjuhët ishin një shenjë për të vërtetuar mesazhin e apostujve (Marku 16:17), në veçanti të Palit (Veprat 10:44–46; 19:6). Vetëm Apostujt kishin autoritetin dhe fuqinë për të dhënë dhuntinë tek të tjerët përmes vendosjes së duarve ose lutjes. Asnjë nga njerëzit mbi të cilët vendoseshin duart e apostujve nuk mund të kalonte Frymën e Shenjtë ose dhuntitë tek të tjerët. Nuk ekziston asnjë rast në Shkrim ose në historinë e kishës që të mbështesë idenë se dikush tjetër, përveç Apostujve, mund të “kalojë” Frymën e Shenjtë dhe dhuntitë e Tij. Ata që merrnin këto dhunti-shenja përmes duarve të apostujve nuk mund t’i kalonin ato më tej. Nëse ata do mundeshin t’i kalonin, nuk do të kishte qenë e nevojshme që Apostujt të dërgoheshin në Samari që edhe ata të merrnin Frymën e Shenjtë. Shembulli i Ananiasit (Veprat 9:10–19) shpesh përdoret për ta kundërshtuar këtë argument, por pasazhi nuk thotë që Sauli foli në gjuhë ose profetizoi. Ai thotë vetëm se atij i’u kthye shikimi dhe u pagëzua në ujë. Ne nuk dëgjojmë më për të deri në kapitullin 13, kur APOSTUJT vendosën duart mbi të dhe mbi Barnabën.
Fakti që Pali mund t’u jepte të tjerëve karizmatat ishte një nga dëshmitë se ai ishte me të vërtetë një Apostull (Veprat 19; 2 Korintasve 12:12; Efesianëve 3:7 e tutje). Ishte jashtëzakonisht e rëndësishme që apostullimi i Palit të vërtetohej me “shenjat e një apostulli” (2 Korintasve 12:12), sepse hapja e mbretërisë së Perëndisë për johebrenjtë ishte një largim shumë i madh nga besëlidhja e vjetër. Dhe ishte shumë e rëndësishme që Pali vërtetohej si Apostull, pasi Pali shkroi pjesën më të madhe të Dhiatës së Re.
Kjo është arsyeja se pse shumë nga letrat e tij fillojnë me fjalët: “Pali, apostull me vullnetin e Perëndisë…”
B) Gjuhët si shenjë e mallkimit të besëlidhjes mbi Izraelin mosbesues. Kjo është ndoshta arsyeja më e shpërfillur dhe më e keqkuptuar e qëllimit të dhuntisë së gjuhëve, prandaj meriton një shpjegim më të hollësishëm. Sigurohu që ti shqyrtosh këto vargje me kujdes dhe në kontekst. Pali e sqaron këtë përdorim të shenjës te 1 Korintasve 14:21-22 (BiblaPro): “Në ligj është shkruar: “Me njerëz të një gjuhe tjetër dhe me buzë të tjerësh do t’i flas këtij populli, por as edhe kështu nuk do të më dëgjojnë, thotë Zoti. Kështu që gjuhët janë si shenjë, jo për ata që besojnë, por për jobesimtarët; ndërsa profecia është jo për jobesimtarët, por për ata që besojnë.” Shiko pak një shpjegim pak më të gjatë të kësaj:
1) Dhjata e Vjetër mëson që Izraeli ishte populli i veçantë i Perëndisë. Ai kishte një dashuri të veçantë besëlidhëse vetëm me Izraelin midis kombeve të tokës (Ligji i Përtërirë 7:6-8; Amosi 3:2). Vetëm ata morën ligjin e Tij (Ligji i Përtërirë 4:10-13; Psalmi 147:19-20), orakujt e Tij (Romakëve 3:2), shenjën e rrethprerjes (Romakëve 3:1), në fakt, të gjitha premtimet dhe mjetet e jetës së besëlidhjes (Romakëve 9:4-5; Efesianëve 2:12).
2) Kjo besëlidhje me Izraelin ishte një shpatë me dy tehe. Jeta e besëlidhjes sillte privilegje, por edhe përgjegjësi. Bindja sillte bekime shpirtërore dhe materiale, ndërsa mosbindja sillte mallkime shpirtërore dhe materiale (Shih Ligji i Ripërtërirë 28:1-68).
3) Izraeli ishte një komb njerëzish të mësuar me shenja. (Mateu 12:38; 1 Korintasve 1:22). Në besëlidhje, atyre u jepeshin shenja paralajmëruese që tregonin për gjykimet që do t’u vinin. Një nga shenjat më të dukshme ishte humbja e lirisë kombëtare dhe e vetë-qeverisjes (Ligji i Ripërtërirë 28:49; Jeremia 5:15; Isaia 28:11). Në Shkrim pas Shkrimi, gjuhët e huaja ishin një shenjë e mallkimit të besëlidhjes mbi Izraelin. Shpeshherë ajo ishte gjuha e pushtuesve të huaj të Izraelit, por në agimin e Besëlidhjes së Re ajo merr një domethënie veçanërisht të thellë. E gjitha kjo bëhet e rëndësishme për dhuntinë e gjuhëve në Dhiatën e Re nga fakti që, Pali aplikon shenjën e mallkimit të besëlidhjes (Isaia 28:11) tek shpjegimi i tij për dhuntinë e gjuhëve te 1 Korintasve 14:21-22. Fakti që Pali nxjerr këtë varg nga një pasazh që merret me mallkimin e besëlidhjes është tepër domethënës! Për të kuptuar plotësisht ndikimin e kësaj, duhet që të shohësh referencën që Pali citon në trajtimin e tij te 1 Korintasve 14: Isaian 28. Në vetë zemrën e qortimit të Perëndisë ndaj Izraelit gjendet vargu që Pali citon… ai që jep shenjën e mallkimit (vargu 11). Sigurisht, pasazhi te Isaia i referohej pushtimit të afërt asirian të Izraelit, por Apostulli Pal, duke shkruar nën frymëzimin e Frymës së Shenjtë, e aplikon atë më tej për gjykimin e ardhshëm dhe përfundimtar mbi Izraelin pas refuzimit të tyre të Krishtit.
4) Krishti, “Lajmëtar i Besëlidhjes” (Malakia 3:1) dhe “Vërtetues i Besëlidhjes së Re” (Luka 22:20), erdhi për ta thirrur dhe për ta mësuar Izraelin. Por, Izraeli i refuzoi ftesat e Tij (Mateu 23:37; Veprat 28:17-31; Romakëve 9:31-32 dhe 10:3). Brezit të cilit Krishti i shërbeu po e mbushte me shpejtësi masën e fajit të etërve të tyre (Mateu 23:32). Prandaj, AI BREZ (Mateu 23:36 dhe 24:43) do të merrte plotësinë e mallkimit të besëlidhjes së Perëndisë: Perëndia do të dërgonte ushtritë romake (Luka 21:20) për të shkatërruar tempullin (Mateu 24:2), të cilin Zoti e kishte lënë të shkretuar (Mateu 23:38). Kështu, shenja e gjykimit (gjuhët e huaja) i’u dha Izraelit për një periudhë prej 40 vitesh midis ngjitjes së Krishtit në qiell dhe shkatërrimit të Jerusalemit dhe tempullit nga romakët në vitin 70 pas Krishtit. Perëndia po kthehej nga Izraeli tek johebrenjtë (Mateu 23:37-38; Romakëve 9:24-29 dhe 10:19-21).
5) Gjuhët ishin të lidhura me mosbesimin e hebrenjve në dritën e Besëlidhjes së Re. Te Veprat e Apostujve 2, hebrenjve në veçanti i’u bë thirrje të kushtonin vëmendje (vargu 12), pas së cilës ata u akuzuan për vrasjen e Zotit të Lavdisë (vargjet 22-24). Shpata me dy tehe e mallkimit të besëlidhjes ra rëndë mbi këta njerëz, me rezultatin që shumë prej tyre u “prekën në zemër” dhe u penduan (Veprat 2:37) për të ndjekur Krishtin.
6) Vetë kisha e Korintit është një dëshmi edhe më e qartë se gjuhët ishin një shenjë e mallkimit të besëlidhjes mbi Izraelin! Veprat e Apostujve, kapitulli 18, tregon se shërbesa 18-mujore e Palit në Korint (vargu 11) u karakterizua nga një kundërshtim tepër i ashpër nga hebrenjtë. Ndërsa mësonte në sinagogën e Korintit, kundërshtarët hebrenj e refuzuan ungjillin deri në pikën e blasfemisë, duke e bërë Palin të shpallte një mallkim mbi ta (vargu 6). Rezistenca ndaj ungjillit ishte aq e dhunshme në Korint, sa që Zoti iu shfaq Palit në një vegim, duke i premtuar mbrojtje të veçantë nga lëndimi (vargjet 12 dhe 13). Në letrën e tij drejtuar kishës së Korintit, Pali i referohet që në vargjet hyrëse hebrenjve dhe dëshirës së tyre për shenja (1 Korintasve 1:22). Citimi që Pali bën nga Isaia 28 duhet të shërbejë si provë vendimtare. Në kapitullin 10, Pali flet gjerësisht për “etërit tanë”, për mosbindjen dhe gjykimin e tyre, dhe i paralajmëron korintasit për të njëjtin rrezik, nëse ata nuk janë të kujdesshëm (10:1-12).
___
IV. Kalueshmëria e të folurit në gjuhë: Meqënëse Shkrimi i Shenjtë tregon qartë se cili ishte QËLLIMI i të folurit në gjuhë, për të vërtetuar shërbesën e APOSTUJVE dhe të shërbente si shenjë e besëlidhjes për Izraelin, atëherë logjikisht pason që, sapo këto qëllime u përmbushën, edhe shenja do të pushonte. Edhe ata që besojnë në të folurit në gjuhë në ditët e sotme pajtohen se kanuni i Shkrimit është i përfunduar, prandaj ata nuk mund ta përdorin këtë dhuratë sot në të njëjtin kuptim në të cilin ajo u përdor gjatë gjithë Dhiatës së Re, si shpallje të pagabueshme, të përsosura e të frymëzuara nga Zoti për njerëzit.
Shfaqjet bashkëkohore të dhuntive karizmatike bien ndesh me formën, përmbajtjen dhe qëllimin biblik e historik të përshkruar në Shkrim, dhe për këtë arsye është e qartë se forma e sotme e të folurit në gjuhë është një imitim jobiblik.