Francis Bourdillon, (1852 – 1921)
Pastor anglez, shkrues devocional dhe poet i krishterë, i njohur për shkrimet e tij të thjeshta dhe të thella shpirtërisht.
Që kur u zgjove nga shtrati këtë mëngjes, një sy ka qenë mbi ty. Kudo ku ke qenë dhe çfarëdo që ke bërë, ai sy të ka parë. Ai ka ecur me ty në punën tënde; ai të ka parë me shokët e tu; ai ka qenë mbi ty edhe kur ishe vetëm. Ai nuk ka parë vetëm gjithçka që ke bërë, por edhe pse e ke bërë. Mendimet e tua, ndjenjat e tua, motivet e tua, të cilat as miku yt më i afërt nuk i ka njohur plotësisht, të gjitha kanë qenë të hapura përpara atij syri për të cilin po flas. Sepse është një sy që sheh gjithçka, syri i Perëndisë!
A ke menduar për Atë, syri i të cilit ka qenë mbi ty? A i ke kushtuar qoftë edhe një mendim Atij që kur nisi dita? A i ke folur Atij? A i je lutur Atij?
Është një detyrë të lutesh, sepse Perëndia të ka urdhëruar të lutesh.
“Lutju Atit tënd në fshehtësi” (Mateu 6:6).
“Rrini zgjuar dhe lutuni” (Mateu 26:41).
“Lutuni pa pushim” (1 Thesalonikasve 5:17).
“Në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë të lutjesh dhe përgjërimesh, me falenderim.” (Filipianëve 4:6).
Prandaj, është gabim të mos lutesh.
Ti ke nevojë të lutesh, nevojë të madhe, sepse ti je i varur krejtësisht nga Perëndia për gjithçka. Ti je plotësisht në dorën e Tij.
Nëse këtë mëngjes ke shkuar në punë i fortë dhe i shëndetshëm, kjo është vetëm sepse Perëndia të bëri dhe të mbajti të tillë.
Nëse ke pasur ç’të hash sot, nëse je veshur mirë dhe ke një shtëpi ku të jetosh, kjo është vetëm sepse Perëndia po të siguron nevojat e tua. Ti nuk do të kishe asgjë, po të mos t’i jepte Ai.
Ti jeton, vetëm sepse Ai të jep jetë. Ai mund të t’i marrë të gjitha ngushëllimet e tua nëse Ai do. Ai mund të të shtrijë në një shtrat sëmundjeje po sot. Në një çast, Ai mund të të godiste me vdekje!
Por ti ke nevojë të lutesh edhe për një arsye tjetër, sepse je një mëkatar. E ndien apo jo, ti je një mëkatar. Ti ke fyer Perëndinë. Ti ke bërë atë që Ai të tha të mos e bëje, ti ke shkuar kundër vullnetit të Tij, më shumë herë sesa mund të numërohen. Prandaj ke nevojë për faljen e Tij.
Po, më shumë se çdo gjë tjetër, më shumë se për ushqimin dhe veshjen, shëndetin dhe forcën, më shumë se gjithçka, ti ke nevojë për faljen e Perëndisë.
A do të të falë Ai? Po, nëse i lutesh siç duhet, duke u mbështetur në meritën e Krishtit, Shpëtimtarit tënd. Atëherë Ai do të të falë për çdo gjë të keqe që ke bërë ndonjëherë, për çdo fjalë të ligë që ke thënë, për çdo mendim të keq që ka qenë ndonjëherë në zemrën tënde. Ai është plotësisht gati të të falë. Sepse Krishti vdiq për të shpëtuar mëkatarët, dhe gjaku i Tij i çmuar u derdh për të larë mëkatet e tyre!
Ti je një mëkatar, dhe ti duhet të lutesh që mëkatet e tua të falen për hir të Tij, dhe që të shpëtohesh përmes Tij; dhe Perëndia do ta dëgjojë atë lutje. Ai do të të falë për hir të Krishtit.
Por ti ke nevojë ende për më shumë. Çfarë zemre ke ti? Njerëzit shpesh flasin për “një zemër të mirë.” Ata thonë: “Filani është njeri me zemër të mirë.” Mbase duan të thonë që ai është i butë, jo i zemëruar ose keqdashës sic janë disa. Por ata do të duhej që të kërkonin shumë, përpara se të gjenin një njeri me të vërtetë me “zemër të mirë”. Kjo sepse nuk ka njeri të tillë. Në mënyrë të natyrshme, zemrat tona nuk janë të mira, por të liga.
A nuk ke bërë keq shumë herë? Ti e di që po! Po çfarë të shtyu ta bëje të keqen? A nuk ishte zemra jote? Dhe nëse zemra jote të çon të bësh keq, a mund të jetë ajo një zemër e mirë? Ti ke nevojë për një zemër të re. Ti ke nevojë që Fryma e Shenjtë e Perëndisë të të ndryshojë zemrën, të të mësojë të mendosh, të ndiesh dhe të dëshirosh drejt, të banojë brenda teje, duke të prirë gjithmonë drejt asaj që është e mirë.
Por kur flas për gjithçka që të duhet dhe për çfarë duhet të lutesh, mezi di ku të ndalem.
Ti ke nevojë për paqe mendore.
Ti ke nevojë për ngushëllim në kohë vështirësie.
Ti ke nevojë për udhëzim në vështirësi.
Ti ke nevojë për urtësi, ndihmë dhe forcë.
Ndoshta gjithçka mund të përmblidhet në këtë: Ti ke nevojë që Perëndia të jetë Ati yt dhe Miku yt, Ati yt i pajtuar në Jezu Krishtin. Nëse ke këtë bekim, atëherë ke gjithçka.
Perëndia dëgjon lutjen, po, çdo lutje që i drejtohet Atij përmes Jezu Krishtit. Ne nuk flasim kot kur lutemi. Megjithëse jemi të padenjë, Perëndia premton të na dëgjojë, kur lutemi në emrin e Birit të Tij të dashur. Zoti Jezus është Ndërmjetësi dhe Avokati ynë. Ai mbron kauzën tonë dhe i bën lutjet tona të pranueshme përpara Perëndisë.
Tani, me urdhërin e Perëndisë që të lutesh, dhe me gjithë këto nevoja, nevoja të përditshme, që askush tjetër veç Tij nuk mund t’i plotësojë, dhe me premtimin e Tij për të të dëgjuar për hir të Krishtit, a i ke kërkuar Atij ndonjë gjë sot? A je lutur?
Duhet të ishe lutur. Përpara se të hyje në vrullin dhe zhurmën e ditës, ti duhej të ishe gjunjëzuar. Nëse nuk e bëre, atëherë lutu tani. Ndoshta në këtë moment ti nuk mund të gjunjëzohesh, por të paktën ti mund të lutesh në zemrën tënde. Lutu në këmbë; lutu ulur; lutu duke ecur; lutu duke punuar; lutu në çfarëdo mënyre, sesa të mos lutesh fare. Mos lejo që më shumë nga dita të kalojë pa lutje; tashmë shumë pjesë e saj ka kaluar. Ngri zemrën tënde tani dhe thuaji Perëndisë:
“O Perëndi, ji i mëshirshëm me mua, mëkatarin!
Më fal që nuk u luta.
Më fal për të gjitha mëkatet e mia.
Fshiji ato me gjakun e çmuar të Shpëtimtarit tim.
Më mbush me Frymën Tënde të Shenjtë.
Më jep një zemër të re.
Më mëso të lutem.
Më ruaj sot nga e keqja dhe nga mëkati.
Më beko në trupin tim dhe në shpirtin tim.
Bëj që të jem i Yti përgjithmonë, dhe ji Ati im në Jezu Krishtin.
O Perëndi, më dëgjo për hir të Birit Tënd të dashur!”












