James Smith (1802-1862)
“Ju, gra, nënshtrojuni burrave tuaj porsi Zotit.” Efesianëve 5:22
Ngushëllimi dhe paqja e shtëpisë varen shumë nga gruaja. Lumturia e burrit është në masë të madhe në dorën e saj. Shpesh gruaja e ka shkatërruar burrin ose e ka kthyer lidhjen e martesës në një keqardhje të madhe. Një temperament i pakontrolluar, një frymë krenare, një dëshirë për t’u përshtatur me modat e kësaj bote, e kanë bërë shtëpinë e shumë të krishterëve një vend të vërtetë mjerimi!
Nënshtrimi është i vështirë, kur në shpirt sundon krenaria! Po, është i pamundur! E megjithatë, pa nënshtrim nga ana e gruas, lumturia kurrë nuk do të jetë pjesa e burrit. Nënshtrimi është detyra e gruas: Fryma e Shenjtë thotë, “Siç kisha i nënshtrohet Krishtit, ashtu edhe gratë t’u nënshtrohen burrave të tyre në gjithçka.” Një shpirt i nënshtruar dhe një frymë e butë e qetë, janë dy nga stolitë më të bukura që një grua mund të mbajë.
Çdo grua e krishterë duhet ta shohë burrin e saj si përfaqësuesin e Krishtit në familje, dhe t’i nënshtrohet atij si i tillë. Nënshtrimi i saj duhet të shtrihet në gjithçka që nuk bie ndesh me urdhërimet e Perëndisë. Sa më pak që gruaja dëshiron të ketë vullnetin e vet, aq më mirë për paqen dhe ngushëllimin e saj.
Si pasojë e mëkatit, Zoti tha: “Dëshira jote do të jetë për burrin tënd dhe ai do të sundojë mbi ty.” Dhe kjo fjalë e Perëndisë është ende në fuqi edhe sot: “Burri është kreu i gruas, ashtu si Krishti është kreu i kishës.” Në këto letra të ndryshme apostolike, Fryma e Shenjtë u ka folur grave dhe i ka urdhëruar t’u nënshtrohen burrave të tyre. Kjo tregon se detyra është e vështirë, por gjithashtu dëshmon se ajo është e domosdoshme.
Gruaja duhet ta dojë burrin e saj, ashtu si kisha e do Krishtin; dhe të përpiqet me çdo mënyrë të mundshme ta bëjë të lumtur dhe të nderuar. Ajo duhet të përpiqet ta bëjë shtëpinë e tij sa më të rehatshme, duke mos e pritur asnjëherë me fytyrë të ngrysur apo me fjalë të ashpra; por fytyra e saj duhet të ndriçohet nga dashuria, dhe në buzët e saj të jetë ligji i mirësisë. Dashuria e një gruaje, e shprehur me mençuri, është pothuajse e pathyeshme! Por një temperament i keq, i ushqyer nga gruaja, është tejet i neveritshëm! Asgjë nuk e dobëson dashurinë e një burri, dhe asgjë nuk e ndez zemërimin e tij më shumë, sesa fjalët e ashpra ose shikimet e pakëndshme të gruas së tij. Këto nuk duhet të ndodhin kurrë; por nëse kanë ndodhur, duhet të rrëfehen me keqardhje dhe të mposhten me kujdes.
Gruaja duhet ta mbajë në mend se burri i saj është një i krishterë; se Jezusi me butësi e do atë; se Ai e ka bërë përfaqësuesin e Tij; se Ai kërkon prej saj që t’i nënshtrohet atij në emrin e Tij dhe për dashurinë ndaj Tij; dhe se Ai e sheh mosbindjen e saj, si të drejtuar kundër autoritetit të Tij; dhe ashpërsinë e saj ndaj burrit, si diçka që lëndon dashurinë e Tij.
Motra ime, është detyra jote të mësosh nënshtrimin për hir të Zotit, të ushqesh dhe të shfaqësh një frymë të butë, të përulur dhe të nënshtruar; një frymë që dorëzohet për hir të ndërgjegjes, përveç në rastet kur një gjë e tillë do të ishte mëkat kundër Perëndisë.
Oh, sikur gratë të ishin të gatshme të nënshtroheshin, sikur të mendonin për lumturinë e burrave të tyre, sikur ta kishin ungjillin si rregullin e jetës së tyre, çfarë shtëpish të lumtura, çfarë burra të lumtur do të kishin!
“Le të kujdeset gruaja që ta respektojë burrin e saj.” Por a është kështu, madje edhe me gratë e perëndishme? A mund të shpërfillet kjo porosi, dhe Fryma që e dha, të mos trishtohet? A mund të trishtohet Fryma çdo ditë nga sjellja që është krejt e kundërt me urdhërimin e Tij, dhe gruaja e krishterë të jetë e lumtur? Kjo është e pamundur! Ja pra, një nga arsyet se pse ka kaq shumë gra në një gjendje të palumtur dhe të parehatshme!
Biseda e pastër duhet të shoqërohet me frikë, një frikë për të mos e trishtuar, për të mos e lënduar ose shqetësuar mendjen e burrit. Sara, e cila i bindej dhe e nderonte Abrahamin, duhet të jetë shembulli i përditshëm i gruas. Asnjë grua nuk mund të jetë e lumtur, as e hijshme, as të ketë ndërgjegje të mirë, nëse nuk e respekton këtë urdhërim:
“Gra, nënshtrojuni burrave tuaj porsi Zotit.”












