Si i Nënshtrohem me Dashuri Burrit Tim… Kur Nuk Jemi Dakord? (Mbulesa e Kokës)

Burri

Nga Xhesika Roldan. Përkthyer nga TruthatHome.

Kur i thashë për herë të parë burrit tim se doja që të përdorja një mbulesë koke dhe i shpjegova se Bibla u thotë grave ta bëjnë këtë si një shenjë nënshtrimi, ai më pa me një vështrim mosmiratues. Nënshtrim? Kjo fjalë i tingëllonte e hidhur. Ajo i sillte në mendje një grua pa tru, e cila shtrihet si leckë dhe i bindet çdo teke të zotërisë së saj tiran. Por, ai nuk ishte i tillë! Atëherë pse nënshtrim? Pasi ne kuptuam që Bibla e përdor fjalën nënshtrim në kuptimin që gruaja respekton udhëheqjen e burrit të saj, ne gjetëm sërish terren të përbashkët.

Ashtu siç burri im respekton dhe “i nënshtrohet” autoritetit të shefit të tij në punë, ashtu edhe Perëndia pret që unë të respektoj dhe t’i nënshtrohem autoritetit të burrit tim. Kjo nuk do të thotë se ai është më i mirë se unë. Do të thotë se rolet tona janë të ndryshme. Atij Perëndia i ka dhënë përgjegjësinë për të udhëhequr familjen. Mua Perëndia më ka dhënë përgjegjësinë për të respektuar mendimet e tij dhe për të ndjekur urdhërimet dhe drejtimet që ai jep. Nuk më duket se është aq e vështirë të kuptosh nënshtrimin kur e shikon kështu.

Është mjaft e lehtë të ndjekësh urdhrat kur shefi yt kërkon diçka me të cilën edhe ti je dakord. Por çfarë ndodh kur shefi të kërkon të bësh diçka me të cilën nuk je dakord? Cfarë bën atëherë? Nëse burri im “nuk i bindet” shefit të tij në punë, ai mund të pushohet nga puna! Në botën e punës, mosrespektimi i urdhrave të shefit mund të të sjellë telashe të mëdha. Në të njëjtën mënyrë, kur një grua nuk respekton “urdhrat” (ose dëshirat) e burrit të saj, telashet nuk janë larg. Fillojnë problemet martesore. Akuzat dhe fajësimet e ndërsjella e përkeqësojnë situatën. Madje gjërat mund të bëhen edhe më keq, që mund të përfundojnë në divorc! Kjo, sigurisht, nuk është zgjidhje biblike. Por nëse ne nuk duam që diçka e tillë të na ndodhë, nëse ne nuk duam probleme në martesë, ne duhet të mendojmë paraprakisht se si t’i parandalojmë ato përpara se të bëhen serioze. Duhet të ketë një mënyrë më të mirë për t’u përballur me mosmarrëveshjet.

Kështu që dua të ndaj disa këshilla për mënyrën se si mund të përballohen ndryshimet e mendimit në një martesë. Sigurisht, këto janë mendimet e mia, dhe megjithëse do të përdor ndonjëherë vargje biblike për të mbështetur atë që besoj se është zgjidhja më e mirë, ju vetë jeni përgjegjës të lexoni Biblën dhe të bindeni ndaj Perëndisë sipas kuptimit tuaj më të mirë. Vetëm kini kujdes nga ato ide paraprake të fshehta që ndonjëherë mund t’ju pengojnë! Në këtë shkrim, unë do të flas për mbulesën e kokës.

Unë dua të mbuloj kokën, por burri im është kundër.

Pse duhet që ta mbulojmë kokën? Ajo është një shenjë nënshtrimi ndaj “kreut” tonë (udhëheqësit/autoritetit), apo jo? (Nëse nuk jeni e sigurt për këtë, lexoni 1 Korintasve 11:1–16 dhe mos i kushtoni shumë rëndësi komenteve që gjenden në Biblën tuaj studimore). Të sfidosh autoritetin e burrit në këtë pikë bie ndesh me parimin mbi të cilin bazohet vetë praktika e mbulesës së kokës! Më mirë të nderosh parimin e nënshtrimit, sesa të nderosh vetëm simbolin, nëse je e detyruar të zgjedhësh mes tyre. Sigurisht që, në mënyrë ideale, ti do t’i bëje të dyja. Por nëse burri yt nuk dëshiron që ti të mbulosh kokën, ti duhet t’i bindesh dëshirës së tij. Lutju Perëndisë që të punojë në zemrën e tij. Nëse Perëndia të jep një mundësi tjetër për të pasur një bisedë të qetë dhe me respekt për këtë çështje, pas një kohe (të themi, gjashtë muajsh), atëherë fol lirshëm: shpreh mendimet dhe ndjenjat e tua! Nuk ka asgjë të keqe në këtë. Por edhe nëse përgjigjja e tij është sërish “Jo”, mund të ndihesh e qetë duke ditur se duke i’u bindur atij, ti po bën gjënë e drejtë, dhe Perëndia nuk do ta mbajë kundër teje.

Ja një shembull nga Bibla që besoj se mund të zbatohet në këtë situatë:

Numrat 30

Në qoftë se ajo lidh një kusht në shtëpinë e bashkëshortit të saj, ose merr përsipër një detyrim me betim, dhe i shoqi e ka marrë vesh, në qoftë se i shoqi nuk thotë asgjë lidhur me këtë dhe nuk i kundërvihet, të gjitha kushtet e saj do të mbeten të vlefshme ashtu si edhe detyrimet që ka marrë përsipër. Por në qoftë se i shoqi i anulon ditën që i ka marrë vesh të gjitha ato që kanë dalë nga buzët e saj, qofshin kushte apo detyrime me të cilat është lidhur; këto nuk do të jenë të vlefshme, bashkëshorti i saj i ka anuluar dhe Zoti do ta falë. Bashkëshorti mund të konfirmojë dhe të anulojë çfarëdo kushti dhe çfarëdo betimi që lidh gruan e tij, që synon ta mundojë personin e saj. Por në qoftë se bashkëshorti, çdo ditë që kalon, nuk thotë asgjë lidhur me këtë, ai konfirmon në këtë mënyrë tërë kushtet dhe detyrimet me të cilat ajo është lidhur; i konfirmon sepse nuk ka thënë asgjë lidhur me to ditën që i ka marrë vesh. Por në qoftë se i anulon mbasi i ka marrë vesh, do të mbajë peshën e mëkatit të bashkëshortes së tij”.

 

Pra, të ndihesh e bindur në zemër për nevojën për t’u mbuluar, ti shprehesh Perëndisë se dëshiron t’i bindesh Atij, dhe përpjekja jote më e mirë për ta vënë këtë në praktikë, është diçka e ngjashme me “lidhjen me një zotim”. Nëse burri yt të lejon ta bësh këtë, shumë mirë! Por nëse ai “e anullon zotimin tënd”, atëherë ai duhet të mbajë pasojat e prishjes së angazhimit tënd (mosbindjes ndaj Biblës). Pra, tani barra bie mbi shpatullat e tij, jo mbi të tuat. Ka liri në këtë për ty. Por, për burrin tënd ka përgjegjësi të madhe përpara Perëndisë. Ai do t’i japë llogari Perëndisë për mënyrën se si të lejoi ose jo, që të ecësh përpara me dëshirën tënde për t’iu bindur Atij (me “zotimet” e tua).

Një këshillë: ti mund t’i kërkosh burrit tënd nëse do të të lejonte të mbulosh kokën vetëm gjatë leximit personal të Biblës dhe lutjes. Ndoshta frika e tij është që njerëzit do të të shohin me mbulesë koke dhe do të mendojnë se je e çuditshme, ose që ai është i çuditshëm që të lejon. Por nëse e bën vetëm në shtëpi gjatë studimit tënd të Biblës, askush nuk do të të shohë, dhe të paktën do të jesh pjesërisht e bindur ndaj Biblës (duke u mbuluar gjatë lutjes).

Një gjë tjetër që mund të ndihmojë është ta lësh burrin të shohë me ty lloje të ndryshme mbulesash koke. Ka shumë faqe në internet për këtë, ose mund të shkoni bashkë në një dyqan dhe të shikoni çfarë kanë. Ndoshta frika e tij është se do të dukesh si diçka që nuk je (menonite, amishe, hebreje, myslimane, etj.), ose ndoshta ai ka frikë se do të dukesh e shëmtuar! Nëse gjeni diçka që të dyve ju pëlqen, ndoshta aq mjafton që ai të pranojë që të mbulohesh.

Ose mund të jetë që burri yt nuk e ka studiuar ende thellësisht këtë çështje. Atëherë ti mund t’i kërkosh atij që ta studioni atë së bashku. Edhe nëse ai nuk do që ta bëjë këtë, fakti që ti e përmend me qetësi se është diçka që e dëshiron ta bësh, mund t’i zgjojë interesin atij. Ndoshta më vonë, kur ai të dëgjojë ose lexojë përsëri për këtë, tema do të rikthehet, dhe do të kesh një mundësi tjetër për ta diskutuar me paqe.

Mosmarrëveshja për këtë nuk duhet të jetë burim ankthi për ty. Dije që ti ke bërë ç’ke mundur për ta ndjekur, dhe lëre burrin në duart e Perëndisë. Ji e durueshme dhe përpiqu të kuptosh edhe këndvështrimin e tij.

Ajo që më zgjoi mua ndaj nevojës për nënshtrim dhe simbolit që e shoqëron, mbulesës së kokës, ishte një ngjarje që ndodhi përpara se të filloja të mbulohesha.

Një çështje shumë serioze kishte dalë papritur, dhe pasi burri im dhe unë e diskutuam, mendova se ne ishim në një mendje për mënyrën se si të reagonim. Por veprimi duhej të bëhej nga ai. Për t’u përgatitur për përballjen që e dija se do të ndodhte midis burrit tim dhe një personi tjetër të përfshirë në cështje, kalova rreth tridhjetë minuta në lutje të zjarrtë.

Me lot që më rridhnin në faqe, e gjunjëzuar, madje me duar të ngritura drejt qiellit, i’u luta Perëndisë të ndërhynte në anën tonë. I’u luta që të bënte që gjërat të dilnin… saktësisht… ashtu siç… unë doja! Sigurisht, unë mendoja se ajo që doja unë ishte edhe ajo që donte Perëndia. Unë isha e bindur për këtë.

Përplasja ndodhi. Dhe burri im bëri të kundërtën e asaj që prisja, të kundërtën e asaj për të cilën ne kishim rënë dakord! U zhgënjeva, u irritova, dhe u zemërova! Nuk doja të shpërtheja, por e bëra. Ishte një ditë e tmerrshme, jo vetëm për ne të dy, por edhe për fëmijët tanë që po shikonin.

Perëndia më foli atë ditë përmes asaj ngjarjeje dhe më mësoi një mësim shumë të rëndësishëm: Nënshtrimi do të thotë të bindesh edhe kur gjërat nuk shkojnë sipas dëshirës tënde.

Ti nuk ke nevojë që të “nënshtrohesh” ndaj dikujt kur ai të kërkon diçka që ti do ta bëje gjithsesi. Nënshtrimi është puna e vështirë e mohimt të vetvetes, në një situatë ku dikush që ka autoritet mbi ty, pret që ti të bësh diçka që nuk e dëshiron, ose të pranosh një vendim që ai ka marrë, edhe nëse nuk pajtohesh me të. Asnjë lutje, sado e zjarrtë, nuk mund ta bëjë atë të bëjë atë që ti do, nëse ai nuk do vetë. Perëndia mund të ndërhyjë, ose jo. Nënshtrimi do të thotë që ti pranon rezultatin, sido që të jetë. Nënshtrim do të thotë që ti pranon se nuk je në kontroll.

Mbi të gjitha, nënshtrimi do të thotë të mësosh të jetosh me besim. Do të thotë të vazhdosh t’i besosh Perëndisë, pavarësisht se cfarë ndodh, pa e humbur kurrë shpresën se Ai do t’i bëjë të gjitha për të mirë. Ti nuk e di kurrë çfarë të pret pas qoshes! Pas asaj ngjarjeje që përmenda, jo vetëm që unë mësova një mësim që kisha nevojë ta mësoja, dhe isha përgatitur për të pranuar të vërtetën për mbulesën e kokës kur u përballa me të një muaj më vonë, por gjithashtu pata mundësinë të rivlerësoja martesën time. Unë kuptova se nuk e kisha respektuar dhe dashur burrin tim ashtu siç duhej. Vetëm ky ndërgjegjësim na ndihmoi të afrohemi dhe të kishim një marrëdhënie më të ngushtë.

Mbulesa e kokës mund të jetë shkak mosmarrëveshjeje në fillim. Nëse është, ja mundësia jote për t’u kapur pas të vërtetës më të rëndësishme që qëndron pas vellos: që gruaja duhet ta respektojë dhe t’i nënshtrohet burrit të saj, edhe kur ajo nuk është dakord me të. Duke i’u bindur burrit tënd duke mos u mbuluar, nëse kjo është dëshira e tij, ti do të jesh duke jetuar një të vërtetë edhe më të madhe, më thelbësore: atë të nënshtrimit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes