Pse Unë Vesh Vetëm Funde dhe Fustane! – Nga Xhesika

Fustane

Nga Xhesika Roldan, 13 Nëntor 2014. Përkthyer nga TruthatHome.

Të vishem me modesti është shumë e rëndësishme për mua. Gjatë rritjes sime, unë nuk e dëgjoja këtë temë që të diskutohej shpesh. Herë pas here dëgjoja diçka të tillë si: “Jezusi më ka bërë të lirë, dhe prandaj s’kam nevojë të vesh funde.” Por pse e thoshin këtë njerëzit? Çfarë kishte tek veshja e fundeve që i bënte disa vajza të ndiheshin “jo të lira”? Për 28 vitet e para të jetës sime, unë vishesha pothuajse gjithmonë me pantallona. Sidomos në fëmijërinë time, ato ishin shumë praktike për të ngarë biçikletën, për të ndërtuar kasolle e për të luajtur sporte. Po, kisha edhe fustane; por ato i vishja vetëm në raste të veçanta. Megjithatë, gjithmonë ndieja një kureshtje për të kuptuar këtë çështjen e “fundet kundër pantallonave”. Unë dëshiroja që njerëzit të flisnin më shumë për të, sepse me të vërtetë doja ta kuptoja se për çfarë bëhej fjalë.

Ndoshta edhe ti je ndier kështu. Ndoshta, ashtu si unë kur isha vajzë e vogël, edhe ty, fshehurazi, të tërheq ajo që është femërore dhe e bukur, edhe pse shoqëria pretendon që vajzat s’kanë pse të jenë “plot ëmbëlsi, butësi e mirësi.” Ndoshta ti ke frikë ta pranosh se të pëlqen pamja fundeve dhe fustaneve, dhe nuk do ta kishe aspak problem të visheshe edhe vetë në atë mënyrë, po të gjeje një arsye mjaftueshëm të mirë për këtë.

Ose, ndoshta njeh disa vajza dhe gra që vishen vetëm me funde dhe fustane, por ti e ke refuzuar vendosmërisht një mënyrë të tillë jetese për veten tënde. Leximi i arsyeve se pse unë, personalisht, kam zgjedhur këtë mënyrë veshjeje, mund të të ndihmojë ta kuptosh më mirë temën dhe të mirëkuptosh më mirë ato që kanë zgjedhur të jetojnë ndryshe.

Së fundi, ti ndoshta je një vajzë apo grua që ka veshur prej kohësh funde dhe fustane, por ndihesh e dekurajuar. Ndoshta të duket sikur ti je e vetmja në botën tënde që e bën këtë, dhe ke nevojë për pak inkurajim.

Do përpiqem ta shkruaj këtë shkrim duke pasur parasysh të gjitha situatat e ndryshme të mundshme. Ky artikull do të jetë bazik. Nuk ka hapësirë për të trajtuar çdo gjë, por nëse dëshiron të mësosh më shumë, në fund do të rekomandoj disa libra shumë të mirë dhe disa artikuj të mi të tjerë për këtë temë.

___

Arsyeja #1 – Për të Bërë një Dallim të Qartë

“Gruaja nuk do të veshë rroba burrash, as burri nuk ka për të veshur rroba grash, sepse kushdo që bën gjëra të tilla neveritet nga Zoti, Perëndia yt.”

Ligji i Përtërirë 22:5

 

Edhe pse të gjithë hebrenjtë vishnin mantele të gjata, si burrat ashtu edhe gratë, që ky varg të ketë kuptim, duhej të kishte një lloj dallimi midis tyre. Çfarëdo që ai dallim të ketë qenë, Zoti donte që ata ta ruanin. Nuk duhej të kishte vija të paqarta në veshjen e tyre. Gratë duhej të visheshin si gra. Burrat duhej të visheshin si burra.

Nëse Perëndia thotë që veshja e rrobave të gjinisë tjetër është neveri, atëherë kjo duhet të jetë diçka që Ai e sheh shumë seriozisht. Unë mendoj se arsyeja se pse kjo është një cështje kaq serioze është sepse veshja e gjinisë tjetër demonstron një frymë rebelimi kundër roleve që Ai ka caktuar. Edhe homoseksualiteti mund të jetë pjesë e këtij konteksti. Në kulturën tonë, kur filluan vajzat dhe gratë të vishnin pantallona për herë të parë? Pse ato e bënë këtë? Çfarë donin të shprehnin ato me këtë? Ne mund të mos jemi feministe radikale, por çdo herë që ne vajzat dhe gratë veshim pantallona, po e bëjmë këtë pikërisht falë lëvizjes feministe. Ishte rebelimi i grave kundër roleve tradicionale që e bëri të mundur për ne veshjen e pantallonave. A është kjo diçka ku ne duam të bëjmë pjesë?

Veshja e një fundi apo fustani është mënyra më e qartë për të treguar dallimin midis gjinive.

___

Arsyeja #2 – Për të Treguar Nënshtrim ndaj Roleve që Perëndia ka Caktuar

Prandaj, dua që vejushat më të reja të martohen, të bëjnë fëmijë, të bëhen zonja shtëpie dhe mos i japin kundërshtarit asnjë rast për sharje;

1 Timoteut 5:14 (BiblaPro)

 

Vullneti i Perëndisë për gratë e martuara është që ato të jenë shtëpi-bërëse (zonja shtëpie). Mund të ketë rrethana të veçanta kur një grua i duhet të punojë jashtë shtëpisë, por kjo është një përjashtim, jo rregull. Detyra e saj kryesore është të përkujdeset për shtëpinë. Burri ka për detyrë të sigurojë për familjen; ndërsa gruaja ka detyrën të lindë dhe të kujdeset për fëmijët në ngrohtësinë dhe sigurinë e shtëpisë.

Te Fjalët e Urta 31, ne shohim një grua shumë aktive që blen një arë dhe mbjell një vresht; që tjerr liri të imët dhe e shet. Disa mund të mendojnë: “A nuk është kjo njësoj si një grua që punon jashtë shtëpisë?” Jo domosdoshmërisht. Unë besoj se ajo konsultohej me burrin për çdo vendim të rëndësishëm. Ai ndoshta madje mund të shkonte me të për të blerë arën, për ta inspektuar atë dhe për t’u siguruar që po blinte dicka të mirë. Vreshti mund të ketë qenë pranë pronës së tyre. Kur ajo shkonte për ta punuar, fëmijët mund ta kenë ndihmuar me punën. Unë mund ta imagjinoj atë duke qeshur e biseduar me familjen teksa tjerr në dhomën kryesore të shtëpisë. Ajo ndoshta e shoqëronte burrin në treg për të shitur pranë tij mallrat e saj. Fëmijët e saj e shihnin nga afër si ata negocionin për cmimet.

Unë nuk shoh asnjë arsye të mendojmë që gruaja e Fjalëve të Urta 31 kishte ndonjë karrierë jashtë kujdesit të familjes dhe shtëpisë së saj. Ajo herë pas here mund të ketë punuar në ambjentin e hapur pranë shtëpisë së saj, por gjithçka që ajo bënte, ishte e lidhur me rolin e saj gjithëpërfshirës si shtëpi-bërëse. “Ajo vëzhgon mirë rrugët e shtëpisë së saj…” (Fjalët e Urta 31:27). Do të ishte mjaft e vështirë për të, të kujdesej mirë për punët e shtëpisë së saj, po të ishte larg nga shtëpia, apo jo?

“që t’i mësojnë të rejat të duan burrat e tyre, të duan bijtë e tyre, të jenë fjalëpakë, të dlira, t’i kushtohen punëve të shtëpisë, të mira, të bindura ndaj burrave të tyre, që fjala e Perëndisë të mos blasfemohet.”

Titi 2:4–5

 

Edhe një herë, ne shohim që Perëndia dëshiron që gratë të jenë kujdestare të shtëpisë. Përsëri, si mund të jemi kujdestare të shtëpisë nëse nuk jemi në shtëpi? Gjithashtu, ne na thuhet që gratë e martuara duhet T’U BINDEN burrave të tyre. Kjo mëson një model të feminitetit që është shumë larg nga modeli që lavdëron kultura jonë. Feminiteti biblik ka të bëjë me mbështetjen e burrit tonë, jo me konkurrimin me të. Bukuria e këtij roli qëndron në faktin që ne jemi ndryshe nga burri, jo për të qenë të njëjta si ai.

Tani, ja çfarë dua të them: Mënyra jonë e veshjes pasqyron qëndrimin tonëçfarë qëndrimi po shprehim përmes mënyrës sonë të veshjes, një qëndrim biblik apo një si bota? Për shembull, një grua që dëshiron të fitojë respekt në botën e biznesit do të vishet me kostum biznesi. Pamja e jashtme është e rëndësishme sepse ajo përcjell bindjet tona për veten dhe mënyrën se si duam që të tjerët të sillen me ne. Ajo pasqyron vlerat tona në një mënyrë që të tjerët mund ta kuptojnë, pa qenë nevoja të themi asnjë fjalë. Një grua që vesh një kostum, mund të jetë duke thënë që qëllimi i saj është të ketë sukses në biznes dhe dëshiron të respektohet nga kolegët e saj. Ashtu siç ata do të respektonin një burrë në të njëjtën fushë pune. Nga ana tjetër, një grua që beson që thirrja e saj është të kujdeset për shtëpinë, mund t’i shprehë qëllimet e saj duke veshur një fustan ose fund, për të treguar nënshtrim ndaj burrit të saj – atij që “mban pantallonat” në shtëpi. Duke vepruar kështu, ajo ilustron ndryshimin e roleve të tyre dhe thotë: “Unë nuk dua të garoj me burrin tim. Ne nuk jemi njësoj. Ne jemi të ndryshëm, dhe unë jam në rregull me këtë.”

___

Arsyeja #3 – Për të Qenë Modeste

“Po ashtu, dua që gratë, ta stolisin veten e tyre me veshje të rregullt, me cipë dhe maturi, jo me gërsheta dhe ar apo me margaritarë, apo me petk shumë të kushtueshëm, por me cfarë u lypset grave që pohojnë perëndishmëri: përmes veprash të mira. ”

1 Timoteut 2:9–10 (BiblaPro)

 

Çfarë është një veshje modeste/e rregullt? A mund të themi ndershmërisht që është modeste kur gjoksi ynë duket kur përkulemi? A mund të jemi modeste me një palë pantallona që përvizojnë të gjitha lakimet e vitheve, kofshëve dhe pjesën intime? A është modest një fund që është tepër i shkurtër? Unë mendoj se përgjigjja për këto pyetje është e thjeshtë: çdo pjesë private – gjoksi, vithet, pjesa intime dhe kofshët e sipërme – duhet të jenë të fshehura. Eshtë kaq e thjeshtë. Një fund apo fustan modest me material të mjaftueshëm, jo transparent, që shkon poshtë gjurit, e bën mirë këtë punë. Nëse shqetësohemi se mos na ngrihet fundi, ose që fëmija ynë i vogël mund ta tërheqë, ne mund të veshim geta nën të. Ne gjithashtu duhet të sigurohemi që bluza jonë të mbulojë gjoksin deri afërsisht te kocka e qafës dhe të shmangim bluzat pa mëngë, sepse ato zbulojnë pjesën e lëkurës pranë gjirit.

Një nga arsyet pse është kaq e rëndësishme të jemi të ndjeshme e të përmbajtura në veshje, është sepse dashuria e kërkon këtë. Dashuria nuk është egoiste, duke menduar vetëm për atë që na bën ne të lumtur. Dashuria kujdeset për të tjerët dhe për atë që është më e mira për ta. Jezusi tha që një burrë që e sheh një grua për ta dëshiruar, për Perëndinë, ajo është e njëjtë me kryerjen e kurorëshkeljes (Mateu 5:27-28). Atëherë pse duhet të na interesojë se çfarë bën një burrë me sytë e tij? A nuk është kjo problemi i tij?

“Kështu, pra, secili nga ne do t’i japë llogari Perëndisë për veten e vet… mos i vini gur pengese ose skandal vëllait… Le të ndjekim, pra, ato që ndihmojnë për paqe dhe për ndërtimin e njëri-tjetrit.”

Romakëve 14:12–13,19

 

Po, burri është përgjegjës për sytë e tij, por edhe ne jemi përgjegjëse për mënyrën se si vishemi. Nëse vishemi në mënyrë sensuale, tunduese dhe flirtuese, ne po i vendosim pengesë vëllait tonë. Ne po e bëjmë më të vështirë për të që t’i bindet Perëndisë. A është kjo dashuri?

Të jesh modeste gjithashtu do të thotë që të jesh e përulur. Një person i përulur nuk përpiqet të tërheqë vëmendjen apo të bëjë përshtypje. Ne duhet të jemi të kujdesshme me mënyrën e përgjithshme se si e paraqesim veten. Vargu i përmendur më sipër (menjëherë pas Arsyes nr. 3) thotë që gratë nuk duhet të kenë flokë të gërshetuara. Çfarë të keqe ka një gërshet i thjeshtë? Ndoshta asgjë. Por kur gërshetimi dhe stilimi i flokëve fillon të bëhet i ndërlikuar dhe i tepërt, atëherë ndoshta diçka, që në fillim s’ishte problem, shndërrohet në diçka të ekzagjeruar. Sa kohë harxhojmë për flokët tona? Koha që i kushtojmë disa gjërave tregon sa të rëndësishme i mendojmë ato. A ia vlen me të vërtetë që flokët të na marrin një orë nga dita jonë? Gjithashtu, modelimet e ndërlikuara të flokëve mund të jenë të kushtueshme. Gratë në kohën kur u shkrua letra e parë drejtuar Timoteut, i mbanin flokët në gërsheta të ndërlikuara dhe i zbukuronin me stoli dhe kapëse të shtrenjta, me shumë gjasë për të treguar statusin e tyre shoqëror (dhe për t’u mburrur me pamjen e tyre). Gratë e sotme i bëjnë flokët me permanente, i lyejnë dhe i drejtojnë. Pothuajse për të njëjtat arsye. A nuk mendon kështu? Unë vetë s’mund të paguaj 200 dollarë për të lyer flokët, por gjëja e parë që më vjen në mend kur shoh dikë me flokë të lyer bukur, është se ajo duhet të ketë mjaft para për të shpenzuar për diçka të tillë.

Një tjetër gjë që duhet marrë në konsideratë janë bizhuteritë tona. Ne gratë kemi shpesh prirjen të bëjmë përshtypje edhe me to. Nuk ka pse të jenë ar i vërtetë apo perla. Mjafton të jenë “me shkëlqim” dhe tërheqëse për syrin. Ndoshta një varëse e thjeshtë do të ishte më e përshtatshme; sepse ajo është e bukur, por jo flirtuese apo pompoze.

Grimi është një çështje e ngjashme. Ne duhet të jemi të lumtura me fytyrën që Zoti na ka dhënë! Ne jemi të bukura ashtu siç jemi. Mund të jetë në rregull të përdorim një grim të vogël me pamje natyrale, por duhet të kemi kujdes të mos fshehim fytyrën e mrekullueshme me të cilën jemi lindur! Qerpikët e gjatë dhe sasia e tepërt e kozmetikës japin një përshtypje “eja më merr” (si një sjellje që ngjan me atë të një prostitute). Natyrisht, burrat tanë pëlqejnë të na shohin të dukemi këndshëm, dhe kjo mund të jetë një arsye e mirë për të freskuar pak pamjen me një ngjyrë të lehtë e elegante. Megjithatë, duhet të ruajmë ekuilibrin.

Së fundi, një qëndrim modest kërkon që të mos krenohemi me faktin që ne po bëjmë atë që besojmë se është e drejtë, kur të tjerët nuk e bëjnë. Unë kam zgjedhur të vishem vetëm me funde dhe fustane, por, nëse zemra ime është krenare, të gjitha gjërat e mira që po bëj, humbasin në shëmtinë e arrogancës. Të tjerët do të largohen për shkak të qëndrimit tim përçmues. Modestia e vërtetë buron nga një zemër e përulur.

Pra, zonja, këto janë tre arsyet e mia themelore se pse vishem vetëm me funde dhe fustane: 1) Për të bërë një dallim të qartë. 2) Për të treguar nënshtrim ndaj roleve që Zoti ka përcaktuar, dhe 3) Për të qenë modeste. A mund t’i përmbushim këto gjëra edhe duke veshur pantallona? Po sikur pantallonat të mos ishin shumë të ngushta, dhe pjesa e pasme dhe kofshët të mbuloheshin me një këmishë të gjatë? Sigurisht që kjo mund të merret në konsideratë; por unë ende mendoj se fundet dhe fustanet e bëjnë më mirë punën e mbulimit të pjesëve tona private dhe për të bërë një dallim të qartë. A njihni ndonjë burrë (heteroseksual) që do të ishte i gatshëm të vishte fustan? Nëse një burrë nuk do të vishej me fustan, atëhere pse është në rregull për ne vajzat dhe gratë të veshim pantallona? Dhe siç përmenda më parë, le ta mendojmë se si nisi gjithë kjo modë e veshjes së pantallonave nga gratë. Ajo nuk filloi nga gra që kërkonin t’i pëlqenin Perëndisë në rolin e tyre si lindëse të fëmijëve dhe shtëpi-bërëse. Mua më duket se ato gra “pionere” po rebeloheshin kundër Perëndisë. A jemi edhe ne në grupin e tyre?

Në fillim të këtij artikulli bëra një pyetje: “Çfarë ka tek veshja vetëm me funde e fustane që e bën dikë të ndihet ‘jo e lirë’?” Unë besoj se ka disa shpjegime të mundshme për këtë.

Ndoshta disa vajza dhe gra janë rritur në kisha ku kërkohej që të gjitha gratë të visheshin vetëm me funde ose fustane. Në mënyrë që vajzat të ndiheshin të pranuara në grup, ato duhej t’u bindeshin rregullave. Nëse arsyetimi pas këtij rregulli nuk u është shpjeguar kurrë, ose ato nuk kanë qenë dakord me të, kjo mund t’i ketë bërë disa të ndihen të kontrolluara.

Ose, mund të ketë gra që janë gjykuar me ashpërsi nga të tjerat që vishen më konservativisht. Një qëndrim gjykues mund të lëndojë dhe të lërë plagë. Disa njerëz dënojnë të tjerët pa u munduar fare t’i njohin apo të kuptojnë rrethanat e tyre. Ato kujtime të dhimbshme mund të zgjasin për shumë kohë.

Dhe pastaj, mund të ketë vajza dhe gra që e konsiderojnë veshjen me funde dhe fustane si të papërshtatshme, jashtë mode, apo edhe të shëmtuar.

Së fundi, disa vajza dhe gra thjesht nuk e pëlqejnë rolin që Perëndia ka caktuar për to; kultura i ka mashtruar duke i bërë të besojnë se kanë të drejtë të jetojnë njësoj si burrat. Mospëlqimi i tyre ndaj veshjes vetëm me funde dhe fustane nuk buron nga mospëlqimi i këtij stili veshjeje, por nga neveria që kanë për projektimin e Perëndisë dhe rendin që Ai ka caktuar. Ato kanë një qëndrim rebel ndaj asaj që Bibla thotë për natyrën e gruas.

Çfarë mendoj për këto shqetësime? Në një farë mase, të gjitha janë të vlefshme (përveç asaj të fundit). Ky është rasti ynë për të gërmuar më thellë; për të gjetur përgjigjen ndaj pyetjes: “Pse vishem, ose pse nuk vishem, vetëm me funde dhe fustane?” A kemi arsye të mira? A përputhen ato me atë që fjala e Perëndisë thotë për mënyrën se si duhet të vishet gruaja?

Ndoshta disa prej jush e kanë menduar mirë këtë çështje dhe përsëri ndihen në rregull duke veshur pantallona. E kuptoj. Ndonjëherë në jetë, thjesht duhet të biem dakord që nuk biem dakord dhe kjo është në rregull! Megjithatë, mund të jetë e dobishme të rivlerësoni arsyet tuaja herë pas here, për të parë nëse motivet dhe veprimet tuaja janë në përputhje me vullnetin e Perëndisë.

Personalisht, unë e dashuroj të vishem me funde dhe fustane! Nuk ndihem aspak “jo e lirë”. Përkundrazi, unë ndjej se Perëndia më ka ndihmuar ta jetoj jetën time në dritën e Fjalës së Tij, dhe kjo më jep PAQE. Mua më pëlqen të dukem e bukur dhe femërore, dhe burrit tim i pëlqen të më shohë kështu gjithashtu. Në fakt, është kënaqësi kur kombinoj një fund që shkon poshtë me një bluzë të ëmbël. Unë jam e lirë, e lirë të bëj atë që besoj se është e drejtë!

Faleminderit që e lexove këtë. Shpresoj të kem qenë ndihmuese dhe të kem sjellë sqarim. Ka shumë më tepër që mund të thuhet, por po përpiqem ta mbaj këtë shkrim të thjeshtë, një përmbledhje e pikave kryesore.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes