Të Fokusohemi Tek Pozitivja?

Pozitivja

Të Fokusohemi Tek Pozitivja?

Nga Stuart DiNenno

Sot ka disa predikues të krishterë shumë të njohur që u thonë vazhdimisht ndjekësve të tyre se ata duhet të “fokusohen tek pozitivja.” Nuk është për t’u habitur që ata nuk flasin shumë për mëkatin dhe pendimin, sepse këto konsiderohen “negative.” Natyrisht, një mesazh i tillë që i bën njerëzit të ndihen mirë ka një tërheqje të madhe, por ai nuk është as biblik, dhe as i dobishëm.

Së pari, të krishterët duhet ta kuptojnë se “pozitivja” dhe “negativja” nuk janë kategori biblike. Askush në Bibël nuk lavdërohet që ishte pozitiv dhe askush nuk qortohet që ishte negativ, ose anasjelltas. Standardi biblik për atë që duhet të mendojmë dhe të themi është e vërteta mbi çdo çështje që trajtohet. Prandaj, kategoritë me të cilat duhet të merret i krishteri janë e vërteta kundër gënjeshtrës, jo pozitiviteti kundër negativitetit.

Së dyti, le ta shqyrtojmë këtë çështje vetëm nga ana praktike. A do të shkonit ndonjëherë te një “mjek pozitiviteti,” i cili kontrollon trupin tuaj vetëm për të parë çfarë është mirë me të, por injoron atë që është keq? Apo te një servis makinash “pozitiv,” që thotë: “Ne nuk flasim për defektet e makinës suaj; ne preferojmë të theksojmë të mirat dhe t’ju themi se gjithçka është në rregull me makinën.”

Të gjithë e kuptojnë menjëherë absurditetin e një qasjeje të tillë kur bëhet fjalë për shëndetin trupor apo funksionimin e makinave, por pse nuk e shohin se është po aq qesharake kur bëhet fjalë për çështje shpirtërore dhe morale? Si mund të përmirësohet gjendja e individëve, e kishës dhe e kombit, nëse ne fokusohemi tek e mira, por nuk përballemi me të keqen? Pikërisht kjo është gjendja sot: burrat e krishterë po lejojnë të keqen të përhapet pa pengesë në shoqëri, sepse refuzojnë të përballen me të dhe ta trajtojnë.

Së treti, mendojeni sa jobiblike është një qasje e tillë. Kushdo që njeh Shkrimin, e di se mezi mund të gjesh një faqe në Bibël ku ligësia të mos përmendet disa herë. Si mundet, pra, që një “fe” që fokusohet vetëm ose kryesisht në gjërat e mira të jetë Krishterimi? Njerëzit mund ta stolisin me disa vargje biblike dhe t’i vendosin një etiketë të krishterë, por ajo nuk është aspak feja e Jezu Krishtit. Ai nuk ishte një shpërndarës buzëqeshës i “pozitivitetit,” por “njeri i dhembjeve” (Isaia 53:3), i cili e kaloi shërbesën e Tij tokësore duke zbuluar dhe korrigjuar gënjeshtrat dhe keqbërjen, dhe duke folur me forcë kundër atyre që i mësonin dhe i praktikonin ato.

Kjo nuk do të thotë që ne duhet të shkojmë në ekstrem dhe të kemi një fiksim të sëmurë me të keqen dhe pasojat e saj, duke mos folur kurrë për bekimet që Perëndia me hir na ka dhënë. Bibla, në faqet e saj, mbart një mesazh shprese dhe shpengimi, dhe ne jemi të nxitur të mendojmë për gjërat që janë të virtytshme (Filipianëve 4:8). Por vetë krishterimi është një program shërimi për të keqen e njeriut, dhe ne nuk mund të shërojmë atë që refuzojmë që të përballim, as të përballemi me atë që shmangim ta mendojmë ose ta shqiptojmë.

Kështu që, megjithëse “fokusimi tek pozitivja” mund të ketë tërheqje masive dhe i bën njerëzit të ndihen mirë për veten, ajo nuk është aspak sipas shembullit të profetëve dhe apostujve të Perëndisë që folën në raste të panumërta për mëkatin, paralajmëruan për ndëshkimet e përkohshme dhe të përjetshme për të, dhe thirrën vazhdimisht njerëzit dhe kombet në pendim. Ne nuk mund të shpresojmë të shpëtojmë as individët nga dënimi dhe as kombet tona nga shkatërrimi nëse nuk ndjekim shembullin e tyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes