Pse të Krishterët Duhet ta Hedhin Poshtë “Kalendarin e Krishterë” të Kishës
Përkthyer nga Wabashbible
Nuk ka asgjë të gabuar në përdorimin e një kalendari për të organizuar planet tona dhe për të shënuar data të rëndësishme. Shpesh kalendarët kanë fotografi të bukura të natyrës ose vepra arti të famshme. Ne duhet të jemi mirënjohës që koha është rregulluar për ne në ditë, javë, muaj, stinë dhe vite.
Megjithatë, krahas këtij kalendari normal “shekullar”, ekziston një tjetër kalendar fetar që përdoret nga shumë njerëz që rrëfejnë se janë ndjekës të Jezu Krishtit. Disa e quajnë kalendari liturgjik, kalendari i kishës, ose edhe kalendari i krishterë. Por, nga erdhi një kalendar i tillë?
Ai nuk duhet të quhet kalendar i krishterë sepse nuk ka ardhur nga Krishti. Fjala e Perëndisë është e gjithë-mjaftueshme dhe e pandryshueshme; askund në Fjalën e shenjtë të Perëndisë nuk gjejmë ndonjë përmendje të një kalendari të tillë, as ndonjë nga ditët e shenjta fetare apo stinët që ndodhen në këtë kalendar kishtar. E vërteta është se ky kalendar ishte një shpikje njerëzore e Kishës Katolike Romane. Ai është kalendari i Papës së Romës. Dhe u adoptua e u ndryshua nga shumë grupe të tjera të krishtera, përfshirë Ortodoksët Lindorë, Episkopalët, Luteranët dhe Metodistët. Madje edhe shumë Presbiterianë dhe Baptistë kanë adoptuar një kalendar fetar kishtar, pavarësisht kundërshtimit të fortë të paraardhësve të tyre shpirtërorë ndaj një kalendari të tillë.
Shumë grupe protestante të krishtera për një kohë të gjatë e kundërshtuan përdorimin e një kalendari të tillë sepse ai është një shpikje njerëzore, që u imponon njerëzve të Perëndisë ditë dhe stinë fetare të shpikura nga njeriu, duke i shpallur ato si të shenjta—të caktuara për një qëllim fetar.[1]
Reformatori i madh protestant Martin Luteri shprehu kundërshtimin e tij për mbajtjen e festave kishtare. Ai vajtoi: “…ne i kemi bërë ditët e shenjta të pashenjta dhe ditët e punës të shenjta, dhe nuk i bëjmë asnjë shërbim vecëse i sjellim nder shumë të keq Perëndisë dhe shenjtorëve të Tij me të gjitha ditët tona të shenjta.”[2]
Martin Luteri shkroi në vitin 1520:
XVII. “Prandaj Ai urdhëroi gjithashtu që dita e shtatë të mbahej e shenjtë dhe që të pushojmë nga veprat tona që i bëjmë në gjashtë ditët e tjera. Ky Shabat tani për ne është ndryshuar në të dielën, dhe ditët e tjera quhen ditë pune; e diela quhet dita e pushimit ose festë ose ditë e shenjtë. Dhe do të doja që në tërë krishterimin të mos kishte asnjë ditë të shenjtë përveç së dielës; që festat e Zonjës sonë dhe të shenjtorëve të gjitha të transferoheshin të dielave; atëherë shumë vese të liga do të hiqeshin përmes punës së ditëve të javës dhe vendet nuk do të shteronin dhe varfëroheshin kaq shumë. Por ne tani jemi të rënduar me shumë ditë të shenjta, për shkatërrimin e shpirtrave, trupave dhe pasurive; për të cilat mund të thuhej shumë.”[3]
Edhe pse protestantët e mëvonshëm hoqën dorë nga festat në nder të Virgjëreshës Mari dhe të shenjtorëve katolikë, thelbi i Luterit shfaqet qartë në shkrimet e Presbiterianëve, Baptistëve, Puritanëve dhe shumë grupeve të tjera të krishtera në historinë e kishës. Ata besonin se nuk ka nevojë që të krishterët të ndjekin një kalendar fetar kishtar, sepse në besëlidhjen e re Perëndia nuk shpalli asnjë ditë që të jetë e shenjtë, përveç ditës së parë të çdo jave, së dielës, e cila është Dita e Zotit. Perëndia thotë se kjo ditë i përket Atij dhe prandaj është e shenjtë.
Perëndia është i shenjtë. Shenjtëria është një nga përsosmëritë ose atributet e Tij (Eks. 15:11; Lev. 20:26; Joz. 24:19; Ps. 99:9; Rom. 1:4; Efes. 4:24; Heb. 12:10). Meqenëse Perëndia është vetë shenjtëria, çdo shenjtëri që ekziston në botë, çdo shenjtëri që ka ndonjë krijesë e vdekshme apo që ka ndonjë tokë ose objekt, është e dhënë prej Tij. Vetëm Perëndia ka fuqinë të shpallë një person, vend apo objekt si të shenjtë.
Kishat, ndarë nga Fjala e Perëndisë, nuk e kanë autoritetin që ta shpallin diçka të jetë e shenjtë. Është mëkat që ta shpallësh diçka të zakonshme (d.m.th., jo të shenjtë) nëse Perëndia thotë se ajo është e shenjtë. Po kështu, është mëkat të shpallësh të shenjtë diçka që Perëndia nuk e quan të shenjtë.
Nëse lexojmë Dhiatën e Re, nuk ka asnjë ditë të shenjtë të përmendur përveç Ditës së Zotit, ditës së parë të javës, ditës kur Jezu Krishti u ringjall nga të vdekurit (Zbul. 1:10; kr. Isa. 58:13-14; Mat. 28:1; Marku 16:9; Luka 24:1; Gjoni 20:1, 19; Vep. 20:7; 1 Kor. 16:2).
Po, në Dhiatën e Re nuk gjejmë Krishtlindje, as të Premten e Madhe, dhe as Pashkë. Nuk ka asnjë dëshmi që kisha apostolike, e themeluar nga apostujt e Krishtit, t’i ketë kremtuar ndonjëherë këto ditë, dhe as nuk ka ndonjë sugjerim se ata i kremtonin çdo vit Epifaninë, të Dielën e Palmave, të Enjten e Madhe, Ditën e Ngjitjes, të Dielën e Rrëshajave, të Dielën e Trinisë, Ditën e të Gjithë Shenjtorëve, apo Ditën e Krishtit Mbret. As nuk i kremtonin Ditën e Nënës, Ditën e Babait, Ditën e Fëmijëve, apo Ditën e Gjyshërve në Ditën e Zotit, siç bëjnë një numër gjithnjë e më i madh kishash sot.
Nëse lexojmë Dhiatën e Re, nuk ka një javë të shenjtë, të ngjashme me “Javën e Shenjtë” moderne, me shërbime të veçanta që shtrihen nga e Diela e Palmave deri në të Dielën e Pashkëve.
Nëse lexojmë Dhiatën e Re, nuk ka muaj të shenjtë. Nuk ka stinë të shenjta si Adventi apo Kreshma. Dhe nuk ka vite të shenjta.[4] Përkundrazi, Galatasit u qortuan ashpër për largimin nga besimi, sepse po ndiqnin mësimet e “vëllezërve të rremë” (Gal. 2:4) që ishin futur në kishën e tyre. Këta mësues të rremë, të quajtur judizues, i mësonin ata se duhej të respektonin “ditët, muajt, stinët dhe vitet” e shenjta të besëlidhjes së vjetër, të cilat u përmbushën të gjitha në Krishtin (Gal. 4:10; Kol. 2:16-17). Pali kishte frikë se Galatasit nuk e kishin kuptuar Ungjillin dhe se puna e tij mes tyre kishte qenë e kotë (Gal. 4:11).
Zhan Kalvin, një prej themeluesve të kishave të Reformuara dhe Presbiteriane, komenton se apostujt e rremë me të cilët Pali përballet te Galatasit, kërkonin t’i mbushnin mendjet e popullit të Perëndisë me “bestytni të liga.” Mbajtja e tyre e ditëve dhe stinëve fetare e korruptonte adhurimin e Perëndisë, e bënte të pavlefshme hirin e Krishtit, dhe e shtypte lirinë e ndërgjegjes së besimtarëve. Kalvini argumentonte se Ungjilli nuk do të kishte më vlerë për ata që i konsiderojnë “ditët e shenjta si pjesë të adhurimit të Perëndisë, ashtu siç bënë apostujt e rremë.”
Përsa i përket Kishës Katolike Romane, Kalvini pyeti:
“… çfarë lloji Krishti apo çfarë lloji ungjilli ruan ajo? Përsa i përket lidhjes së ndërgjegjeve, ata detyrojnë mbajtjen e ditëve me jo më pak ashpërsi sesa bëri Moisiu. Ata i konsiderojnë ditët e shënuara, jo më pak se apostujt e rremë, si pjesë të adhurimit të Perëndisë, dhe madje lidhin me to idenë djallëzore të meritës.”[5]
Mbajtja e festave “të krishtera” është madje më e keqe se disa prej praktikave të judizuesve. Zhan Kalvin shpjegon se judizuesit dhe ndjekësit e tyre “donin të mbanin ditë që ishin caktuar nga ligji i Perëndisë” nën besëlidhjen e vjetër, por sot kishat “urdhërojnë ditë që të mbahen si të shenjta, që, pa menduar, u kanë vënë vulën e tyre [të aprovimt],” por që Perëndia kurrë nuk i ka vendosur në Fjalën e Tij.
G. I. Williamson, një pastor i Kishës Presbiteriane Ortodokse, ka vërejtur dikur:
“… njerëzit në Galati, të paktën mund të provonin se ditët që ata kremtonin kishin qenë dikur të caktuara nga Perëndia. Të krishterët sot nuk mund të tregojnë se Perëndia ka caktuar ndonjëherë Krishtlindjet, të Premten e Madhe, apo Pashkët. Kur Krishti erdhi, sistemi ceremonial u shfuqizua. Brenda sistemit ceremonial përfshiheshin ditët vjetore të shenjta. Që Galatasit të vazhdonin të kremtonin këto ditë, ishte në praktikë sikur ata ende po prisnin ardhjen e Mesias. Megjithatë, ata të paktën mund të pretendonin se ditët që po respektonin kishin origjinë hyjnore. Të krishterët nuk mund të bëjnë një pretendim të tillë për ditët e tyre të shenjta. Nëse Pali kishte frikë se mund të kishte punuar më kot mes Galatasve për shkak të asaj që ata bënin, çfarë do të thoshte ai për njerëzit sot që mbajnë ditë të veçanta të shenjta të cilat Perëndia kurrë nuk i ka urdhëruar?”[6]
Ndërgjegjja e të krishterit është e lidhur vetëm me fjalën e Perëndisë. Në Fjalën e Tij, Perëndia nuk na ka thënë kurrë se është vullneti i Tij që ne të kujtojmë çdo vit ngjarje të caktuara nga jeta e Krishtit, as të festojmë jetët e njerëzve në Ditën e Zotit. Ideja e festimit të këtyre ditëve dhe stinëve të shenjta vit pas viti buron nga Papa dhe Kisha Katolike Romane. Është arrogante dhe mendjemadhësi të mendosh se Perëndia kënaqet me një gjë të tillë. Është legaliste që kishat të lidhin ndërgjegjen e të krishterëve dhe pastorëve për të mbajtur një kalendar të tillë në adhurimin apo jetën e tyre të krishterë.
Perëndia na ka thënë se është vullneti i Tij që pastorët dhe mësuesit të shpallin “tërë këshillën e Perëndisë” nga Zanafilla deri në Zbulesë (Vep. 20:26-27). Ai tha se “i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, për qortim, për korrigjim, për udhëzim në drejtësi” (2 Tim. 3:16, theksi shtuar). Kishat që e përqendrojnë adhurimin dhe predikimin rreth festave të kalendarit liturgjik dështojnë të shpallin “tërë këshillën e Perëndisë” siç Perëndia urdhëroi (Vep. 20:26-27). Në vend që ta shpallin qartë Fjalën e Perëndisë dhe t’i japin çdo pjese të saj peshën e duhur, ato e shtrembërojnë në mënyrë të pashmangshme Ungjillin duke i dhënë çdo vit theks të tepruar ngjarjeve të caktuara që thekson kalendari i tyre i trilluar nga njeriu. Për shembull, vetëm disa kapituj të Biblës na mësojnë për lindjen e Krishtit (p.sh., Mat. 1; Luk. 1; Gal. 4:4; Zb. 12:13), e megjithatë, shumica e kishave të krishtera u kushtojnë një deri në katër javë ose më shumë çdo vit për të trajtuar lindjen e Krishtit.
Besimtarët e thjeshtë që vijnë në kishë po bëhen gjithnjë e më të paditur ndaj Biblës sepse pastorët e tyre po dështojnë t’u mësojnë të gjithë Fjalën e Perëndisë. Sigurisht, ne duhet të kujtojmë lindjen, vdekjen dhe ringjalljen e Krishtit. Por Perëndia thotë se I GJITHË Shkrimi është i dobishëm për fëmijët e Tij, dhe është Darka e Zotit ajo që Ai na thërret ta bëjmë në përkujtim të Tij (Luka 22:19; 1 Kor. 11:24-25).
Të krishterët duhet të hedhin poshtë kalendarin “të krishterë” kishtar sepse ai nuk është i Krishtit dhe për këtë arsye nuk është i Perëndisë. Në vend të kësaj, ata duhet të mbajnë vetëm kohën e shenjtë që Krishti u urdhëroi ndjekësve të Tij të mbajnë (Mat. 28:20; Eks. 20:8-11). Të krishterët duhet të përqafojnë të Dielën, Ditën e Zotit, si ditën që i përket Zotit Jezus Krisht. Ajo është dita e Tij, dhe për këtë arsye është një kohë e shenjtë, e veçuar për të gjithë besimtarët.
Sigurisht, të krishterët janë të lirë të mblidhen për mësim, bashkësi dhe adhurim çdo ditë të javës. Megjithatë, vetëm Dita e Zotit është koha e shenjtë, e shenjtëruar për të krishterin, sepse ajo është koha e vetme që Perëndia, i cili është vetë shenjtëria, e ka ndarë si të shenjtë.
___
[1] Disa njerëz sot pretendojnë se Jezusi e ka kremtuar festën tetë-ditore të caktuar nga njerëzit, Hanukan, duke e bazuar argumentin e tyre te Gjon 10:22-31. Në këtë pjesë, apostulli Gjon na tregon se Jezusi ishte i pranishëm në Festën e Përkushtimit në Jerusalem, e cila zhvillohej gjatë dimrit. Jezusi ecte në Tempull dhe Judenjtë polemizuan me Të. Jezusi u përgjigj: “Por ju nuk besoni, sepse nuk jeni nga delet e mia” (Gjon 10:26). Pastaj Ai e shpalli Veten si Shpëtimtarin e popullit të Tij të zgjedhur. Është e qartë se Jezusi e shfrytëzoi këtë tubim të madh që kishte rrethuar këtë festë fetare hebraike për të predikuar një mesazh që në të vërtetë ishte shumë dëshpërues për njerëzit fetarë të asaj kohe. Fakti që Jezusi ishte i pranishëm në këtë festival hebraik nuk na tregon nëse Ai e kremtoi apo jo festën. Bibla thjesht na tregon se Ai ishte i pranishëm në këtë festë, në një kohë kur shumë njerëz fetarë ishin mbledhur në Tempull. Mësimet e tjera të Tij në lidhje me praktikat e Farisenjve sugjerojnë se Ai nuk do ta kishte aprovuar një festë të tillë (krh. Mat. 15:9; Marku 7:8, 9, 13).
[2] Martin Luteri, “To the Christian Nobility of the German Nation Respecting the Reformation of the Christian Estate” (1520). Shih #18. Marrë elektronikisht më 29 janar 2009 në lgmarshall.org/Reformed/luther_germannobility.html
[3] Martin Luteri, “A Treatise on Good Works Together with the Letter of Dedication” (1520). Marrë elektronikisht më 29 janar 2009 në www.ccel.org/l/luther/good_works/cache/good_works.html
[4] Ka një përjashtim të dukshëm, i cili është mbetja e festave të besëlidhjes së vjetër, si Pashka dhe Pentekosti, të cilat ende po mbaheshin, por që ishin drejt zhdukjes.
[5] Zhan Kalvini, Commentaries on the Epistles of Paul to the Galatians and Ephesians, përkth. Rev. William Pringle (Grand Rapids: Baker, 2003), fq. 125.
[6] G. I. Williamson, “On the Observance of Sacred Days” (Havertown: New Covenant Publications, pa datë).