Një mesazh nga Kryebashkiaku i Londrës për Mbajtjen të Shenjtë të Ditës së Zotit
Drejtuar Pleqësive të lagjeve të ndryshme të Londrës.
23 Mars 1642
Duke qenë se Dita e Zotit, e quajtur zakonisht e Diel, kohët e fundit është shkelur dhe përdhosur gjerësisht nga njerëz të çrregullt, duke frekuentuar Tavernat, pijetoret dhe vende të ngjashme, si dhe duke mbartur e nxjerrë në shitje ushqime e gjëra të tjera, si dhe duke ushtruar lojëra dhe dëfrime të paligjshme, në çnderim të madh të Perëndisë dhe turpërim të Fesë, gjë për të cilën, Dhoma e Komunave, tani e mbledhur, ka marrë dijeni dhe me urdhrin e saj, prej meje është dhënë njoftim që, statutet për respektimin e duhur të kësaj dite të vihen në zbatim.
Prandaj, urdhërojmë dhe kërkojmë që menjëherë, pas parjes së kësaj shkrese, t’u jepni urdhër të rreptë të gjithë e secilit kujdestar të kishave dhe rojet e rendit brenda lagjes suaj, që prej këtej e tutje të mos lejojnë apo të tolerojnë asnjë person gjatë kohës së Shërbesës Hyjnore, ose në çdo kohë tjetër të Ditës së Zotit, të pinë në ndonjë tavernë, bujtinë, dyqan duhani, pijetore ose ndonjë shtëpi tjetër ushqimore; as të mos lejojnë asnjë frutashitës apo grua që shet barishte të qëndrojë me fruta, barishte, ose ushqime e mallra të tjera në asnjë rrugë, rrugicë apo kalim brenda lagjes suaj, as në ndonjë mënyrë tjetër të nxjerrin në shitje ato apo gjëra të tjera në atë ditë, në cdo kohë të ditës apo në mbrëmje; asnjë qumështshitëse të mos thërrasë për qumësht atë ditë në ndonjë nga rrugët apo vendet e sipërpërmëndura; as të mos lejojnë ndonjë person të ushtrojë në atë ditë punën e tij në shkarkimin e anijeve me fruta ose mallra të tjera, duke mbartur mallra në breg apo nëpër rrugë; ose të kryejë ushtrime e argëtime të paligjshme brenda lagjes suaj. Dhe që urdhër i qartë t’i jepet çdo mbajtësi taverne, hani, dyqani gatimi, shtëpie duhani, pijetore apo çdo shitësi tjetër pijesh e ushqimesh brenda lagjes suaj, që këtej e tutje të mos pranojnë ose lejojnë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre asnjë person si mysafir ose klient për të pirë, ngrënë, konsumuar duhan apo për të kaluar kohën në Ditën e Zotit, përveçse hanxhinjve, të cilët mund të pranojnë mysafirët e tyre të zakonshëm ose udhëtarët dhe të ngjashmit me ta, që vijnë për të qëndruar për një kohë në han për kryerjen e punëve të tyre të domosdoshme. Dhe nëse ndonjë person gjendet në shkelje të këtyre urdhërave, ata të sillen përpara meje, Kryetarit të Bashkisë, ose përpara ndonjërit prej gjykatësve të paqes të Madhërisë së Tij, që të marrin atë ndëshkim që drejtësia e kërkon. Për këtë të mos dështoni, pasi do të përgjigjeni për të kundërtën me rrezikun tuaj.