5 arsye të qarta pse të krishterët duhet të kundërshtojnë gratë si krerë shteti
Nga Bnonn Tennant
Sapo të hiqen perdet kulturore, dëshmia e Shkrimit kundër sundimit të grave në shoqëri është e vështirë të injorohet. Ka arsye të qarta teleologjike, a fortiori, ekzegjetike, induktive dhe misionare që, sipas fjalëve të Xhon Noksit (John Knox), të krishterët ta konsiderojnë sundimin e grave si monstruoz.
Një nga gjërat e çuditshme që ka të bëjë me kulturën është fakti se sa të padukshme mund të jenë ndikimet e saj mbi ne. Peshqit nuk e dinë që janë të lagur, bretkosat nuk e dinë që po zihen, dhe njerëzit nuk e dinë kur po rebelohen.
Kjo funksionon edhe anasjelltas: sapo ti bëhesh i vetëdijshëm për formësimin kulturor dhe e korrigjon atë, korrigjimi mund të duket shumë qartë, ndërsa formësimi kulturor i të tjerëve shumë zhgënjyes. E kam shqyrtuar këtë në lidhje me rolin e grave në luftë dhe në filma. Sot dua të ofroj një shkrim shumë më të shkurtër mbi rolin e grave në qeverisje.
Ajo që do të bëj është të paraqes vetëm skicat e pesë arsyeve të qarta se pse të krishterët duhet të kundërshtojnë sundimin e grave. Dyshoj se dikush që jetonte në kulturën e shekullit të parë do ta kishte parë të nevojshme t’i shprehte hapur këto, le pastaj që t’i zhvillonte më tej ato. Ato, ose janë të qarta për ty, ose nuk janë; dhe nëse ato nuk janë, problemi nuk është dëshira jote për të shqyrtuar pemët individuale, por nevoja jote për ta bërë këtë përpara se të gjykosh për ekzistencën e pyllit.
- Teleologjike: ushtrimi i kryesimit nga gratë shkel projektimin e krijimit, sepse Adami u formua i pari dhe pastaj Eva (krh. 1 Timoteut 2:13). Kështu, ndalimet ndaj grave për të ushtruar kryesim në familje dhe në kisha nuk janë kufizime arbitrare mbi sfera të veçanta, por thjesht dy raste të një parimi më të gjerë teleologjik.
- A fortiori: kombet përbëhen nga grupe familjesh. Nëse një grua nuk duhet të ushtrojë kryesim mbi një familje (1 Pjetrit 3:5–6), aq më shumë ajo nuk duhet të ushtrojë kryesim mbi shumë familje.
- Ekzegjetike: Shkrimi e përshkruan sundimin e grave mbi një komb si një mallkim, të ngjashëm me humbjen përballë fëmijëve (Isaia 3:12, 4). Një mallkim është një përmbysje e rendit të synuar nga Perëndia, si gjykim ndaj rebelimit kundër tij (krh. Romakëve 1:18).
- Induktive: grave nuk u lejohet të ushtrojnë kryesim në asamblenë e besimtarëve (1 Timoteut 2:12). Asambleja është një mbretëri dhe një komb (p.sh. 1 Pjetrit 2:9). Prandaj, gratë nuk duhet të ushtrojnë kryesim në mbretëri ose kombe në përgjithësi.
- Misionare: Izraeli, dhe tani kisha, janë modelet e Perëndisë për një shoqëri të rregulluar drejt (Ligji i Përtërirë 4:6–8; Psalmi 19:7; Mateu 5–7 etj.). Kjo është arsyeja se pse ne jemi urdhëruar që të mësojmë të gjitha kombet të konformohen me këtë model (Mateu 28:18–20). Kështu, të krishterët duhet t’u predikojnë të gjitha kombeve që të refuzojnë gratë si krerë shteti.
Ju mund të shihni një lloj përparimi në këto argumente individuale. Ato përmblidhen në një rast më të madh. Kjo ndodh sepse këtu ka një këndvështrim shpengues-historik. Projektimi i Perëndisë për mbretërinë në përgjithësi shpaloset përmes themelimit të vetë mbretërisë së tij në Shkrim. Ai është një Atë-Mbret, dhe për këtë arsye njerëzit që ai kërkon të përfaqësojnë sundimin e tij janë burrat. Kjo është e vërtetë për Mbretin më të madh në fronin e tij mbi shtëpinë e atit të tij, deri te i varfëri më i ulët në kolltukun e tij mbi shtëpinë e vet (Efesianëve 3:14–15).