A Është Televizori Me Të Vërtetë Kaq i Keq?

Televizori

Nga Dr. Joel R. Beeke.

Ne po jetojmë në një botë të sëmurë nga mëkati, moralisht të degjeneruar dhe të çmendur pas kënaqësisë. Shoqëria jonë kërkon pandërprerë argëtim, zbavitje dhe kalime kohe në një nivel gjithnjë e më të lartë.

Cili është qëllimi i këtij shpirti “të argëtimit të pandërprerë”? – Ta mbajë njeriun modern të zënë dhe të lumtur.

Në njëfarë kuptimi, argëtimi ia arrin qëllimit të vet. Ai i mban me mijëra e miliona njerëz të zënë.

Vetë fjalët e tregojnë këtë fakt. Fjala zbavitje (amusement) vjen fillimisht nga frëngjishtja dhe fjalë për fjalë do të thotë “të vështrosh ngultas që të pengosh të menduarin.” Fjala kalim kohe (pastime) flet vetë për veten. Ajo do të thotë “të vrasësh” ose “të harxhosh” kohën si një gjë me pak vlerë; të kalosh kohën. Rrënja e fjalës argëtim (entertainment) do të thotë “të shpërqendrosh”. Pra nënkupton diçka që na largon ose na shpërqendron nga bota reale e përditshme.

Me fjalë të tjera, argëtimet, zbavitjet, kalimet e kohës janë gjëra që na mbajnë të zënë, të zënë duke shmangur realitetet e jetës dhe të së vërtetës ashtu siç janë shkruar në Fjalën e Shenjtë të Perëndisë. Ato na mbajnë të zënë duke shmangur të menduarit për përjetësinë, ferrin, parajsën, mëkatin, Zotin, Krishtin, shpëtimin, vetveten, dhe sidomos nevojën tonë për një zemër të re.

Por nëse argëtimi ia del në qëllimin e parë, që ta bëjë njeriun të zënë, ai mjerisht dështon në të dytin: ta bëjë atë lumturisht të zënë. Kurrë nuk ka pasur kaq shumë shqetësim, pakënaqësi dhe po, mjerim, pavarësisht miliona njerëzve që e zhytin veten e tyre në argëtimet moderne. Me të gjithë lirinë nga varfëria, me bollëkun e madh të mundësive në çdo fushë të jetës, dhe me përthithjen e pandërprerë të argëtimit, asnjë epokë tjetër nuk ka qenë kaq e palumtur sa njeriu modern.

Argëtimi nuk mund të japë kurrë mjaft! Gjithmonë lë pas një boshllëk. Sa më shumë që e praktikon dhe mbështetesh tek ai, aq më bosh ai bëhet.

Ai e ka kthyer shoqërinë tonë në një objekt mëshire, sepse ne jemi viktimat e vetë sistemit tonë. Shoqëria bën një rreth të plotë: nga etja për kënaqësi, në çmenduri për kënaqësi, e më pas në mërzitje nga kënaqësia.

Por e dini çfarë është edhe më keq? Jo vetëm bota, por edhe kisha ka filluar të rrëshqasë poshtë në shpatin e rrezikshëm të argëtimit, i cili mund të përfundojë vetëm në mëkat dhe pasoja shkatërrimtare.

Satani nuk ndalet vetëm tek kishat liberale. Ai vjen edhe ndër ne. Ne që besojmë se e vërteta ende predikohet ndër ne, që e dimë mirë se Fjala e Zotit thotë “Hiqni dorë nga çdo dukje e së keqes,” që lexojmë vazhdimisht “Mos ki perëndi të tjerë përpara Meje”, edhe ne po bëhemi viktima të perëndisë idhujtar të argëtimit.

Hap pas hapi, disa po fillojnë të kërkojnë gjëra të reja (brenda kishës dhe jashtë saj) me të cilat ta mbajnë veten të zënë e të argëtuar. Hap pas hapi, mesazhi i thjeshtë dhe i vjetër i ungjillit, me theksin e tij në domosdoshmërinë e kthimit, po i jepet gjithnjë e më pak rëndësi. Gjithnjë e më pak kohë po kalohet duke u lutur së bashku si familje, duke lexuar libra të krishterë me fëmijët, duke biseduar në rrethin familjar për çështje shpirtërore.

A nuk jemi të gjithë fajtorë? A nuk dështojmë të gjithë të përjetojmë realitetin e rëndësisë së jetës, vdekjes, ditës së gjykimit dhe përjetësisë? Ne sot kemi një shoqëri të pakujdesshme dhe plot të qeshura, por në Bibël nuk lexoni kurrë që Jezusi ta ketë marrë jetën lehtë. Përkundrazi, duke i’u referuar sidomos ditëve tona, Ai tha: “Rrini zgjuar dhe lutuni, po ju them përsëri: rrini zgjuar!”

Por nga natyra ne nuk rrimë zgjuar. Nga natyra, pyetja jonë është: “Sa larg mund të shkoj pa mëkatuar?” në vend të “Sa larg mund të iki nga mëkati dhe të shmang edhe dukjen e së keqes?”

Në zemrën dhe qendrën e këtij shpirti modern të argëtimit qëndron TELEVIZORI. Kjo është një e vërtetë e dukshme. Televizorët ndodhen në 97% të shtëpive amerikane, dhe 91% e gjithë kohës televizive i kushtohet vetëm qëllimit të argëtimit. Varësia nga argëtimi dhe varësia nga televizioni nuk mund të ndahen.

Shoqëria jonë është bërë TELE–LIZUAR. Në një mbrëmje kur gratë nuk dalin nga shtëpia, 95 prej tyre nga 100 e kalojnë duke parë TV, dhe 85% e burrave bëjnë të njëjtën gjë. Ndër adoleshentët, 80% ndjekin shembullin e prindërve, dhe 75% e fëmijëve e kalojnë mbrëmjen duke thithur mëkatin që shfaqet në TV.

Ka njerëz që nuk besojnë se televizioni bëhet një objekt skllavërie në shtëpi, dhe për këtë arsye ne duhet të shqyrtojmë fuqinë e tij në shtëpi atje ku ai lejohet. Dua t’ju tregoj me fakte të thjeshta se një zotërues televizori zakonisht bëhet i varur prej tij në tre drejtime:
(A) NË KOHË,
(B) NË MËKAT,
(C) NË KONTROLL.

(A) KOHË. Shikuesi mesatar i TV kalon 5 orë e gjysmë në ditë përpara ekranit. Kur një person i zakonshëm mbush gjashtëdhjetë e pesë vjeç, ai do të ketë kaluar katërmbëdhjetë vite të jetës duke parë TV (krahasuar me një vit në kishë, shkollë të së dielës dhe katekizëm, nëse shkon rregullisht). Në SHBA, fëmijët 3–5 vjeç kalojnë 54 orë çdo javë përpara televizorit, që është 64% e kohës që janë zgjuar. Kur një maturant 17-vjeçar merr diplomën, ai ka kaluar 11,000 orë në shkollë, por 22,000 orë përpara televizorit. Çdo herë që një i rritur ulet të shikojë TV, ai/ajo kalon mesatarisht 3 orë e gjysmë përpara se ta fikë. Fëmijët qëndrojnë “ngjitur” me TV për rreth 2 orë e gjysmë çdo herë. Përveç gjumit, mesatarisht amerikani do të kalojë më shumë kohë në jetë përpara televizorit sesa në çdo gjë tjetër, po, madje më shumë se në punë. A nuk kemi pra një shoqëri të tele–lizuar në raport me kohën tonë të çmuar, të dhënë nga Perëndia?

(B) MËKATITV është një përmbytje mëkati. Ai i mpin shikuesit e tij ndaj të dhjetë urdhërimeve.

Urdhërimi i parë: Çdo gjë që e vendosim mbi Perëndinë bëhet një idhull. Njeriu modern është bërë i varur duke vendosur TV përpara Perëndisë.

Urdhërimi i dytë: Edhe nëse jo fizikisht, në praktikë TV është bërë një “figurë e gdhendur” në zemrat e shumicës së shikuesve të tij.

Urdhërimi i tretë: TV i bën dëgjuesit e tij të mësohen me përdorimin kot të emrit të Zotit. Fjalët e këqija dhe blasfemia përdoren aq shpesh sa ato bëhen dicka e zakonshme dhe jo shqetësuese. Pak shikues e kuptojnë faktin se çdo herë që shikojnë dhe dëgjojnë me vullnet të tillë gjëra, të gjitha këto mëkate u numërohen edhe atyre si pjesëmarrës të vetëdijshëm.

Urdhërimi i katërt: Edhe Dita e Shabatit nuk është aq e shenjtë sa për ta mbajtur TV të fikur. Dhe edhe kur ajo pakicë e vogël e bën këtë për hir të ndërgjegjes, dëshira për të parë atë mbetet brenda edhe në Ditën e Zotit.

Urdhërimi i pestë: TV bën gjithçka tjetër, por jo të nderojë babanë dhe nënën. Ai e degradon vazhdimisht atësinë dhe amësinë, dhe madje shpeshherë lavdëron mosbindjen e fëmijëve. Jeta familjare, respekti për autoritetin dhe bindja ndaj qeverisë shkelen vazhdimisht nga programi në program.

Urdhërimi i gjashtë: Në vend të “mos vrit,” një studim arriti në përfundimin se deri në moshën katërmbëdhjetë vjeç, një fëmijë ka parë të paktën 18,000 sulme të dhunshme dhe vrasje para syve të tij. Një tjetër studim konfirmoi se fëmija i zakonshëm midis moshës pesë dhe trembëdhjetë vjeç përthith çdo vit rreth 1,300 vrasje, në mënyrë që dhuna, sulmet dhe vrasjet nuk përcjellin më mesazhin e mëkatit apo të pasojave të tij. Vrasjet, urrejtja, veprimet dhe fjalët e dhunshme marrin rolin e sjelljes normale. Programi i zakonshëm për fëmijë përmban tridhjetë e tetë akte dhune në orë (programet për të rritur: njëzet). Një gjyqtar në qytetin e Nju Jorkut, që e kaloi jetën në gjykata duke gjykuar kriminelë të mitur dhe të rinj, ka thënë hapur se ata që e kanë hetuar çështjen e dinë se televizioni është një ndër shkaqet kryesore të krimit. Një gjyqtar tjetër ka thënë: “Prindër, një orë televizion mund t’u mësojë fëmijëve tuaj më shumë për krimin, rebelimin, guximin e pacipë dhe seksin sesa ju mund të kundërveproni për muaj të tërë.”

Problemi me dhunën në televizor është se ajo nuk tregon pasojat e vërteta të dhunës. Faji që mbetet mbrapa në shpirtin e vrasësit, familja e pikëlluar, fëmijët jetimë, spitalet e mbushura dhe varrezat e zymta nuk paraqiten. Sidomos në programet për fëmijë, dhuna shpesh është krejtësisht joreale. Heronjtë e tyre shtypen apo shpërthejnë në copa, dhe pas pak çastesh shfaqen sërish pa asnjë lëndim. Televizori paraqet dhunë të rreme, të stolisur dhe të lavdëruar, në vend që të tregojë dhunën e vërtetë me të gjitha pasojat e saj të shëmtuara dhe afatgjata. A është për t’u çuditur atëherë që kanë ndodhur mijëra tragjedi në mbarë vendin, kur fëmijët “kanë luajtur televizor bashkë”?

Urdhërimi i shtatë. Si mund të qëndrojë i pastër shikuesi i televizorit në lidhje me urdhërimin e shtatë, kur shtatë nga tetë skena seksuale që shfaqen në TV ndodhin midis personave që nuk janë të martuar? Si mund të qëndrojë i pastër kur ai shikon mesatarisht tre herë në orë sjellje të pahijshme seksuale midis të rriturve të pamartuar? Si mund të mbetet ai i moralshëm, kur pafund situata, biseda, veshje të pahijshme, veprime dhe sjellje i tregojnë një version të rremë e të ekzaltuar të mëkatit kundër urdhërimit të shtatë, sikur të ishte diçka e pranueshme e madje e dëshirueshme?

Urdhërimi i tetë. A mund të gjendet një orë që të kalojë pa u shfaqur në ekran aktorë që paturpësisht vjedhin përpara audiencës së tyre? Nuk është aspak për t’u habitur që mijëra vjedhje në jetën reale janë frymëzuar nga skenat dhe “heronjtë” televizivë.

Urdhërimi i nëntë. Gënjeshtra ndaj të afërmit paraqitet si sjellje normale, e pranueshme, dhe madje formë sjelllje e pritshme në shfaqjet televizive.

Urdhërimi i dhjetë. Lakmia është bërë një fjalë e dëshirueshme për shikuesit e Televizorit. Ata kujtohen vazhdimisht, përmes reklamave, për një lumë luksi të pafundëm, pa të cilin – u thuhet – nuk do jenë të lumtur. Gjithmonë ka diçka që “ata duhet ta kenë,” por që nuk e kanë. As vetë programet nuk janë përjashtim. Për një burrë që të lakmojë gruan e tjetrit (ose anasjelltas) është tema qendrore e të tëra shfaqjeve.

Që nga fillimi e deri në fund, televizioni përlëvdon mëkatin. Në TV, e vetmja gjë që quhet “mëkat” është morali. Televizioni duartroket mëkatin, e miraton atë dhe i detyron shikuesit ta minimizojnë përmes dhjetëra mijëra përsëritjeve të pafundme. Përsëri e përsëri, jeta tradicionale familjare përçmohet si e vjetruar; atësia zëvendësohet me heroizëm nëpërmjet rrugëve të mëkatit; amësia hidhet poshtë si poshtëruese; bindja e fëmijëve tallet si tepër e mërzitshme për të qenë argëtuese.

Televizioni është kthyer në një katalog mëkatesh, dhe të gjitha studimet tregojnë se po bëhet më keq. Ai është bërë klasa mësimore e djallit. Djalli është aq i mençur sa të hedhë aty-këtu gjithashtu edhe pak fe, dhe në ndonjë rast edhe pak moral, për të qetësuar ndërgjegjet që të mos e refuzojnë. A nuk është televizioni ai që krijon një shoqëri “televarëse” ndaj mëkatit, kur ushqen epshin, përmbys moralin, paraqet papastërtinë si dashuri, vrasjen si emocion, lakuriqësinë dhe pahijshmërinë si bukuri, dhe përpiqet të legjitimojë çdo lloj mëkati kundër çdo urdhërimi të Perëndisë?

 

(C) KONTROLL. Këtu varësia bëhet edhe më serioze. Mijëra grindje familjare ndodhin rregullisht sepse nuk mund të arrihet marrëveshje se cilin program të zhyten. Në shtëpitë amerikane, 35% e kohës së ngrënies kalohet para televizorit. Çdo natë, mijëra prindër e dinë që programet që do të transmetohen janë demoralizuese dhe të dëmshme për fëmijët e tyre, por ata vetë janë aq të etur për të përthithur mëkatin që përmbajnë, saqë shpesh i lejojnë edhe fëmijët t’i shikojnë, duke mos pasur forcë për ta kontrolluar këtë gjë.

Njerëzit që thonë se mund ta kontrollojnë televizorin zakonisht flasin në mënyrë idealiste, jo realiste:

(1) Zemrat tona natyrshëm e duan mëkatin, veshët tanë dëgjojnë për mëkatin, sytë tanë kërkojnë mëkatin. Ky është pikërisht problemi me televizorin. Nuk është kutia vetë problemi, por zemrat tona. TV tregon atë që zemra e njeriut dëshiron të shohë. Ne tashmë kemi mjaft “televizorë” brenda zemrave tona, pa pasur nevojë të blejmë edhe një për shtëpinë. Janë “zemrat tona televizive” që priren drejt aparatit televiziv. Ne nuk jemi më të mirë se shikuesi i televizorit – përkundrazi. Ne dëshirojmë të përulemi aq shumë sa të rrëfejmë se nuk do t’i besonim vetë zemrës sonë me një mjet të tillë.

(2) Kush është në gjendje të shmangë mëkatin që shfaqet para syve të tij në çdo moment, qoftë përmes programit që po shikon apo përmes reklamave?

(3) A është me të vërtetë i aftë të “kontrollojë” televizorin një person që ka pasur një aparat për ca kohë dhe, si pasojë, është mpirë ndaj shumë mëkateve?

Njeriu nuk e kontrollon televizorin. Televizori e kontrollon atë. Vetëm një studim nga shumë të tjerë e provon këtë pikë. Rreth katër vite më parë, në St. Catharines të Ontarios, titujt e gazetave lexonin: 500 dollarë për të hequr dorë nga televizori. Artikulli tregonte për një studim të bërë në Detroit, që kishte për qëllim të zbulonte në çfarë shkalle njerëzit kontrollohen nga televizori. Në mënyrë shkencore, u përzgjodhën 250 familje nga etni dhe shtresa të ndryshme shoqërore, për t’u ofruar 500 dollarë nëse do të jetonin pa televizor për një muaj. Pas tridhjetë ditësh, ata mund ta sillnin atë sërish në shtëpi dhe të merrnin 500 dollarët falas. Nga 250 familje, vetëm pesëdhjetë pranuan ta bënin këtë provë. Sa familje arritën ta përballonin gjithë muajin? Tetë! Dyzet e dy familjet e tjera hoqën dorë nga shpërblimi gjatë muajit. Një familje e mori televizorin përsëri në ditën e 29-të. Të tetë familjet që ia dolën u intervistuan gjerësisht. Të gjitha thanë se jeta e tyre familjare ishte afruar shumë më tepër pa televizor. Gjashtë baballarë thanë se për herë të parë kishin filluar të njihnin fëmijët e tyre. Njëri prej tyre tha: “Në ditën kur hoqa televizorin, ishte dita e parë që në njëzet e pesë vite askush nuk u vra në dhomën tonë të ndenjjes, asnjë sirenë nuk ulëriti, asnjë e shtënë nuk u dëgjua, asnjë gaz i rremë nuk na tregoi kur të qeshnim, dhe askush nuk e goditi tjetrin.” Dhe cili ishte rezultati përfundimtar për këto tetë familje, nga të cilat shtatë pranuan se jeta e tyre familjare ishte bërë dukshëm më e lumtur pa televizor? Rreshti i fundit i artikullit thoshte:
“Të tetë familjet e morën televizorin përsëri në shtëpi.”

Tele-varësi. Të dish që të dëmton më shumë sesa të sjell dobi, dhe megjithatë ta mbash — kjo është skllavëri.

Mik i dashur, unë të nxis me gjithë zemër që të heqësh dorë nga televizori sot, për këto arsye:

(1) Është kundër Fjalës së Perëndisë. Te Psalmi 119, Zoti na urdhëron të largojmë sytë tanë nga kotësia. E gjithë Bibla flet kundër televizionit për shkak të listës së pafundme të të këqijave që ai përmban.

(2) Mëkatshmëria e televizionit dëmton shpirtin tënd. Çdo studim laik apo fetar ka treguar efektet e tij të përgjithshme shkatërruese. Meqënëse ti e di që ne jemi bij të rënë të Adamit dhe Evës, të prirur për korrupsion dhe rrëshqitje në mëkat, pse duhet të ushqesh natyrën tënde të prishur me edhe më shumë ndyrësi përmes këtij mjeti mëkati?

(3) Studimet mbi televizionin tregojnë gjithashtu se ai pengon thesarin hyjnor të jetës dhe bashkësisë familjare. Kjo vetëm do të mjaftonte për ta hequr menjëherë nga shtëpia.

(4) Duke mbajtur televizorin, ti po shkel mbi ndërgjegjen tënde dhe po lufton kundër saj.

(5) Ti po shpërdoron kohën e çmuar që Perëndia ta ka dhënë dhe për të cilën një ditë do të japësh llogari. A nuk do të ishte shumë më mirë që këtë kohë të shikimit të televizorit ta përdorje për të lexuar Shkrimin e Shenjtë, libra të mirë, apo për të dëgjuar predikime të dobishme?

Bëj një të mirë vetes: për hir të Fjalës së Perëndisë, për hir të kishës, për hir të shpirtit tënd, për hir të familjes tënde, për hir të ndërgjegjes tënde, hiqe televizorin sot. Bëje përgjithmonë, përpara se të bëhesh skllavi i tij për gjithë jetën.

Së fundi, le të bëhet kjo lutja e secilit prej nesh bashkë me Davidin:

“Nuk do të vë para syve të mi asgjë të keqe. Kthe sytë e mi që të mos shoh kotësi.”

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes