Ungjilli i Rremë i Tim Kellerit
Nga Dr. E.S. Williams (pjestar i kishës Tabernakulli Metropolitan, e njëjta kishë ku ishte pastor Spurgeon)
Përkthyer nga newcalvinist
Tim Keller është një nga shtyllat e lëvizjes së të ashtuquajturit “Neo-Kalvinizëm
(Kalvinizëm i Ri)”. Si pastori kryesor i “Redeemer Presbyterian Church” në Nju Jork, Keller pretendon se promovon krishterimin e reformuar. Ai ka shërbyer si Profesor Asistent i Teologjisë Praktike në Seminarin Teologjik Westminster, dhe konsiderohet nga shumë si një intelektual i madh i krishterë në modelin e C. S. Lewis. Ai ka reputacionin e një udhëheqësi të krishterë konservator me mendim të thellë—ekspert në apologjetikën e krishterë dhe i aftë në argumente që synojnë të demonstrojnë të vërtetën e krishterimit në një botë postmoderniste. Në një predikim mbi atë se kush është Jezusi, Tim Keller i ndihmon dëgjuesit e tij ta shohin Jezu Krishtin si “ekzistencialisht të kënaqshëm” dhe “intelektualisht të besueshëm”. Kisha e tij mban se: “Ungjilli është lajmi i mirë se përmes Krishtit fuqia e mbretërisë së Perëndisë ka hyrë në histori për të ripërtërirë tërë botën. Kur ne besojmë dhe mbështetemi në veprën dhe meritën e Jezusit (dhe jo tonën) për marrëdhënien tonë me Perëndinë, ajo fuqi e mbretërisë vjen mbi ne dhe fillon të veprojë përmes nesh.” [1]
Keller mori diplomën Master i Teologjisë (MDiv) nga Seminari Teologjik Gordon-Conwell në vitin 1975 dhe më pas fitoi doktoraturën në shërbesë (DMin) në Seminarin Teologjik Westminster në Filadelfia. Ai u shugurua si shërbyes në “Presbyterian Church in America” në fund të viteve 1970. Në vitin 1989 ai themeloi një kishë në lagjen Manhattan të qytetit të Nju Jorkut. Nën udhëheqjen e Keller, “Redeemer Presbyterian Church” është rritur dhe tani ka rreth 5,000 anëtarë. Keller ka mbjellë me sukses shumë kisha dhe Rrjeti Redeemer, që ndjek teologjinë dhe filozofinë e tij, përfshin rreth 150 bashkësi të shpërndara në SHBA dhe në vende të tjera.
Tim Keller është një nga themeluesit e “Koalicionit të Ungjillit (The Gospel Coalition)”. Ai është autor bestseller dhe folës i njohur në konferenca. Ai ka shkruar një numër librash, përfshirë “Arsye për Perëndinë (The Reason for God) (2008)”, “Perëndia Plangprishës (The Prodigal God) (2009)” dhe “Drejtësia Bujare (Generous Justice) (2010)”. Ai është kaq shumë i vlerësuar në qarqet ungjillore sa ishte folës kryesor në Kongresin e Tretë të Lozanës në “Ungjillëzimin e Botës (World Evangelization)” në Kejptaun në vitin 2010, e cila është ndoshta mbledhja më e madhe ndonjëherë e udhëheqësve ungjillorë. Ai ka folur në Asamblenë e Shërbesës Ungjillore në Londër—në vitin 2007 mbi “Çfarë është një Ungjillor?” dhe në vitin 2011 mbi “Predikimin që Lidhet”. Ai mbajti fjalimin përkujtimor për John Stott në SHBA.
Megjithë reputacionin dhe popullaritetin e madh të Kellerit ndër të krishterët ungjillorë, ne pohojmë se ai nuk shpall ungjillin historik të së vërtetës që iu dorëzua shenjtorëve një herë e përgjithmonë, por një ungjill të krijuar prej tij. Dy shembuj e demonstrojnë këtë pohim. I pari është paraqitja e Keller te “Forumi Veritas (The Veritas Forum)”, dhe i dyti është artikulli i tij “Dekonstruktimi i Besimeve të të Mposhturit: Të Cosh një Shekullar te Krishti (Deconstructing Defeater Beliefs: Leading the Secular to Christ)”.
Forumi Veritas organizon ngjarje universitare që angazhojnë studentë dhe pedagogë në diskutime mbi pyetjet më të vështira të jetës dhe rëndësinë e Jezu Krishtit për çdo fushë të jetës. Në gusht të vitit 2011, Tim Keller u ftua të trajtonte temën “Arsyeja për Perëndinë? Besimi në një Epokë Skepticizmi (The Reason for God? Belief in an Age of Skepticism”, duke u mbështetur në argumentet e librit të tij. I intervistuar nga gazetari i NBC-së Martin Bashir, Dr. Tim Keller paraqet arsye intelektualisht rigoroze pse besimi në Perëndi ka kuptim. Gjatë intervistës, atij i bëhen një sërë pyetjesh lidhur me faktin nëse Jezu Krishti është e vetmja rrugë për te Perëndia. Ju lutemi shihni videon, sepse ajo na tregon shumë për Tim Kellerin dhe ungjillin e mangët që ai shpall.
I turpëruar nga Ungjilli i së Vërtetës?
Në këtë intervistë çfarë shohim? Një teolog të madh që mbron ungjillin e së
vërtetës? Një gjigant intelektual që lufton për doktrinat e Biblës? Jo. Ajo që ne marrim është një pamje e Tim Keller-it të vërtetë, sepse ne nuk shohim më një gjigant intelektual, por një njeri të hutuar e të pasigurt që duket i pavullnetshëm ose i paaftë të luftojë për besimin e dorëzuar një herë e përgjithmonë te shenjtorët.
Përgjigjja e tij ndaj pyetjes, “A është Jezusi e vetmja rrugë për te Perëndia?”, është e paqartë, sepse ai thotë se mund t’i përgjigjet pyetjes mbi shpëtimin e përjetshëm vetëm “nëse Jezusi është ai që thotë se është”. Pse, ka ndonjë dyshim në mendjen e tij? Por kjo është cështja. Pikërisht këtu Kelleri mund të kishte cituar Shkrimin për ta bërë të qartë se Jezu Krishti është e vetmja rrugë për te Perëndia. Ai mund të kishte cituar fjalët e famshme të Jezusit te Gjoni 14:6 ose fjalët e apostullit Pjetër te Veprat 4:12. Por ai nuk citoi asnjërin pasazh, sepse, siç do të shohim, ungjilli i Kellerit nuk bazohet në Shkrim.
Kelleri thotë se të jesh i krishterë do të thotë që shpirti yt duhet “ta marrë Jezusin”. Çfarë do të thotë kjo? A është Jezusi një mall, si një sapun që mund ta “marrësh” nga rafti i supermarketit? Pastaj ai bën deklaratën e jashtëzakonshme përpara një audience të madhe se Perëndia mund të ketë një “derë të fshehtë” për jobesimtarët “për të cilën unë nuk jam informuar”. Ai hamendëson se Perëndia mund të ketë një rrugë sekrete për në qiell për ata që nuk pendohen dhe nuk besojnë në Krishtin.
Keller pohon se jobesimtarët janë “të mjerë” tani dhe se edhe pas një miliard vitesh do të jenë ende të mjerë. Pse? Sepse sipas Tim Kellerit, jobesimtarët “do të tkurren përjetësisht”. Por Shkrimi thotë se në Ditën e Gjykimit Krishti do të thotë: “Largohuni prej meje, të mallkuar, në zjarrin e përjetshëm të përgatitur për djallin dhe engjëjt e tij” (Mateu 25:41). Pra, jobesimtarët jo vetëm që do të jenë të mjerë, por do të hidhen në ferr me djallin dhe engjëjt e tij. Ky është mesazhi i Shkrimit.
Dhe tronditja përfundimtare—teologu i madh pranon se nuk e di çfarë ndodh me jobesimtarët që vdesin pa Krishtin. Ai thotë: “Nëse ata vdesin dhe nuk kanë Jezu Krishtin, unë nuk e di” çfarë ndodh me ta. Por si mund të thotë ai se nuk e di kur Shkrimi është i qartë? A është ai i turpëruar nga ungjilli? Shkrimi thotë: “Ai që beson në Birin ka jetë të përjetshme; por ai që nuk i bindet Birit nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të” (Gjoni 3:36). Rrëfimi i Besimit të Westminsterit (1647) thotë se në Gjykimin e Fundit: “Të pabesët, që nuk e njohin Perëndinë dhe nuk i binden ungjillit të Jezu Krishtit, do të hidhen në mundime të përjetshme dhe do të ndëshkohen me shkatërrim të përjetshëm larg pranisë së Zotit dhe nga lavdia e fuqisë së tij.”
Kjo intervistë na tregon shumë për Tim Kellerin. Vini re se ai nuk iu referua as edhe një herë Shkrimit. Dhe arsyeja është e qartë—ungjilli i Keller nuk bazohet tek Shkrimi. Përpara syve tanë një i ashtuquajtur gjigant intelektual është tkurrur në një pigmë teologjik. Ai u përball me detyrën e vështirë për ta bërë versionin e tij të mangët të ungjillit të duket si ungjilli i së vërtetës, të dorëzuar një herë përgjithmonë për shenjtorët. Por kjo është një detyrë e pamundur, madje edhe për Rev. Tim Keller-in e zgjuar.
Themeli i paqëndrueshëm i Kellerit
Në artikullin e tij “Dekonstrukimi i Besimeve të të Mposhturit: Të Cosh një Shekullar te Krishti (Deconstructing Defeater Beliefs: Leading the Secular to Christ)”, Kelleri përpiqet t’i tregojë Kishës llojet e argumenteve që duhen përdorur për ta bërë ungjillin tërheqës për një shoqëri postmoderne.[2] Artikulli bazohet kryesisht në idetë e filozofit Alvin Plantinga, i cili ishte profesor filozofie dhe drejtor i Qendrës së Filozofisë dhe Religjionit në Universitetin e Notre Dame nga 1982 deri në 2010. Edhe pse Plantinga pretendon të jetë protestant, ai e sheh me shumë simpati Kishën Katolike. Në vitin 1998 ai botoi reflektime mbi enciklikën e Gjon Palit II “Mbi Fenë dhe Arsyen”. Plantinga argumentoi se, ndonëse disa protestantë mund të mos jenë plotësisht dakord me gjithçka që Papa ka shkruar, “ata do (ose duhet) ta konsiderojnë si Papën ashtu edhe katolikët, në përgjithësi, si vëllezër dhe motra në Krishtin, dhe si aleatë të mrekullueshëm pikërisht në këto fusha të përgjigjes ndaj filozofisë bashkëkohore jo-të krishterë… ne nuk kemi nevojë të luftojmë njëri-tjetrin. Ne duhet të bëjmë kauzë të përbashkët me këta të krishterë…”[3]
Pra, artikulli i Keller-it bazohet në idetë e një filozofi që ka kaluar tre dekada duke punuar në një universitet katolik. Në mënyrë domethënëse, artikulli, i cili pretendon t’u tregojë të krishterëve se si duhet të mësohet ungjilli, nuk përdor Shkrimin dhe nuk ka fare referenca biblike — ungjilli i Keller-it bazohet në idetë e tij, jo në Shkrimin.
Për të zbuluar se se njerëzit nuk e besojnë ungjillin, Kelleri bëri një sondazh me jobesimtarë nën moshën 25 vjeç në Nju Jork. Një nga arsyet kryesore për mosbesimin, sipas sondazhit të Keller-it, është historia e të krishterëve, të cilët shihen si hipokritë. Sipas jobesimtarëve, Kisha e krishterë ka një histori të mbështetjes së padrejtësive, të shkatërrimit të kulturës dhe të shtypjes. Kelleri pranon se “ka pasur abuzime të tmerrshme. Por te profetët dhe te ungjijtë ne na jepen mjete për një kritikë shkatërruese të fesë moraliste. Studiuesit kanë treguar se kritika e Marksit dhe Niçes ndaj fesë u mbështet në idetë e profetëve. Kështu, pavarësisht abuzimeve të saj, krishterimi ofron ndoshta mjete më të mëdha se fetë e tjera për kritikën e vet.”[4]
Keller pranon se besimi i krishterë ka shkaktuar abuzime të tmerrshme që janë kritikuar me të drejtë nga Marksi dhe Niçe. Ai bën pohimin e pabesueshëm se Karl Marksi dhe Fridrih Niçe, në kritikën e tyre ndaj krishterimit, u mbështetën në idetë e profetëve të Dhiatës së Vjetër. Asgjë nuk mund të jetë më larg së vërtetës se kjo. Këta dy filozofë pa Perëndi, ishin të shtyrë nga një urrejtje e thellë ndaj Krishtit dhe të përkushtuar ndaj shkatërrimit të besimit të krishterë. Në të vërtetë, “Enciklopedia Britanike (Encyclopaedia Britannica)” e vlerëson kritikën e Niçes ndaj krishterimit si vijon: “Në thelb, akuza është gjithmonë e njëjtë: krishterimi lind nga dobësia, dështimi dhe smira dhe është armiku i arsyes dhe i ndershmërisë…” Në esenë e tij “I Çmenduri”, Niçe shpall vdekjen e Perëndisë dhe e fton lexuesin të dëgjojë zhurmën e varrmihësve që po varrosin kufomën e kalbur të Perëndisë. Dhe pasi shpall vdekjen e Perëndisë, Niçe pohon se njeriu çlirohet nga ligji moral i Perëndisë dhe është i lirë të prodhojë një kornizë morale sipas dëshirës së tij. Pohimi i Keller-it se kritika e Niçes ndaj krishterimit u bazua në idetë e profetëve është thellësisht mashtruese.
Kelleri kalon një pjesë të madhe të artikullit duke theksuar rëndësinë e bërjes së ungjillit të ndjeshëm ndaj kulturës. Ai pohon se rezistenca e njeriut ndaj Ungjillit është në thelb kulturore: “Çdo kulturë armiqësore ndaj krishterimit i përmbahet një grupi besimesh konsensuale ‘të arsyes së shëndoshë’ që automatikisht e bëjnë krishterimin të duket i pabesueshëm për njerëzit. Këto janë ato që filozofët i quajnë ‘besime e të të Mposhturit’… Krishterimi nuk besohet në një kulturë për arsye krejtësisht të kundërta nga ato për të cilat nuk besohet në një tjetër.” Ai thotë se “hamendësohet gjerësisht se krishterimi nuk mund të jetë i vërtetë për shkak të besimit kulturor se kultura amerikane, e bazuar në krishterim, është e padrejtë dhe e korruptuar.”[5] Nënkuptimi është se kultura amerikane i shtyn njerëzit të refuzojnë ungjillin e Krishtit.
Por Shkrimi nuk e përmend asnjëherë kulturën si arsye se pse njerëzit e refuzojnë dritën e ungjillit. Shkrimi thotë: “Dhe ky është gjykimi: drita erdhi në botë dhe njerëzit deshën errësirën më tepër se dritën, sepse veprat e tyre ishin të mbrapshta. Sepse kushdo që bën të keqen e urren dritën dhe nuk vjen te drita, që veprat e tij të mos zbulohen” (Gjoni 3:19–20). Zoti ynë Jezu Krisht u tha judenjve jobesimtarë: “Por, sepse unë them të vërtetën, ju nuk më besoni. Cili nga ju më bind për mëkat? Dhe nëse them të vërtetën, pse nuk më besoni? Ai që është prej Perëndisë i dëgjon fjalët e Perëndisë; prandaj ju nuk i dëgjoni, sepse nuk jeni prej Perëndisë” (Gjoni 8:45–47).
Ndarja e Ungjillit
Keller flet për dy pjesë në ndarjen e ungjillit. Aspekti negativ “do të thotë se duhet të tregosh, sipas vetë termave të kulturës (domethënë sipas përkufizimeve të saj për drejtësinë, racionalitetin, kuptimin), se kundërshtimet e saj ndaj krishterimit nuk qëndrojnë.” Aspekti pozitiv do të thotë “se duhet të tregosh, në përputhje me aspiratat, shpresat dhe bindjet (më të mira) të vetë kulturës, se kultura e saj nuk do të zgjidhet ose nuk do të ketë një ‘fund të lumtur’ jashtë Krishtit.”[6] Pra, në të menduarin e Keller-it, predikimi i ungjillit ka të bëjë mbi të gjitha me kuptimin e çështjeve kulturore. Njerëzve duhet t’u tregohet se aspiratat e tyre më të mira kulturore do të kenë një fund të lumtur në Krishtin. Por është vetëm Krishti i rremë i Keller-it që bën që kulturat të kenë një fund të lumtur. Krishti i Biblës i shndërron mëkatarët — jo një kulturë — në “një fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë, popull i fituar nga Perëndia, që të shpallni lavdinë e Atij që ju thirri nga terri në dritën e Tij të mrekullueshme; ju, që dikur nuk ishit një popull, kurse tani populli i Perëndisë; dikur të pamëshiruar, por tani të mëshiruar.” (1 Pjetri 2:9–10).
Qasja “sanduiç” e Keller-it për ndarjen e ungjillit
Kelleri mbron një qasje me tre faza në paraqitjen e ungjillit, të cilën ai e quan qasja “sanduiç”. “Së pari, ungjilli duhet të paraqitet shkurt, por aq gjallërisht dhe në mënyrë tërheqëse (dhe aq shumë i lidhur me narrativat bazike kulturore) sa dëgjuesi pothuajse të detyrohet të thotë: ‘Do të ishte e mrekullueshme sikur kjo të ishte e vërtetë, por nuk mund të jetë!’ Faza e dytë është të çmontohen kundërshtimet ndaj krishterimit dhe të tregohet pse ai mund të jetë i vërtetë. Faza e tretë është të paraqitet një shpjegim më i gjatë i personit dhe veprës së Krishtit.”[7]
Ideja që ungjilli duhet të bëhet aq shumë tërheqës sa ai të duket tepër i mirë për të qenë i vërtetë është në kundërshtim me Shkrimin. Shkrimi thotë se Kryqi i Krishtit është një skandal për botën mosbesuese. Zoti Jezus tha se ata që duan të jenë dishepujt e tij duhet të mohojnë vetveten, të marrin kryqin e tyre çdo ditë dhe t’u binden urdhërimeve të tij. Jeta e krishterë është e vështirë dhe e mundimshme; ata që ndjekin Krishtin do të urrehen nga bota dhe “të gjithë ata që duan të jetojnë me perëndishmëri në Krishtin Jezus do të përndiqen” (2 Timoteut 3:12). Përpara se ne të bëhemi ndjekës të Krishtit, ne duhet të llogarisim koston.
Kelleri dëshiron që ungjilli të bëhet aq shumë tërheqës sa të duket pothuajse tepër i mirë për të qenë i vërtetë. Por kjo është marrëzi e pastër, sepse kjo çon në dishepuj të rremë që vijnë te Krishti për atë që mund të përfitojnë prej tij. Ungjilli nuk është një mall që mund të tregtohet me fjalë të zgjuara dhe një paraqitje të gjallë. Apostulli Pal predikoi “ungjillin, jo me urtësi fjale, që kryqi i Krishtit të mos dalë i kotë. Sepse fjala e kryqit është marrëzi për ata që humbin, por për ne që shpëtohemi është fuqia e Perëndisë” (1 Korintasve 1:17–18). Fjala dhe predikimi i Palit “nuk u bënë me fjalë mbushamëndëse nga urtësia njerëzore, por në dëftim të Frymës dhe të fuqisë” (1 Korintasve 2:4).
Keller thotë se ungjilli duhet “të paraqitet në lidhje me narrativat bazike kulturore — Jezusi duhet të jetë përgjigjja ndaj pyetjeve që kultura po bën. Mos harroni — çdo paraqitje e ungjillit e paraqet Jezusin si përgjigje ndaj një grupi pyetjesh njerëzore-kulturore… çdo paraqitje e ungjillit duhet të mishërohet kulturalisht; ajo duhet të marrë si të mirëqenë një shqetësim kulturor mbizotërues… Krishterimi duhet të paraqitet si përgjigje ndaj pyetjeve dhe aspiratave kryesore të kulturës sonë.” Dhe Kelleri thotë se dy shqetësimet kryesore kulturore të njerëzve bashkëkohorë janë shqetësimi për lirinë personale dhe identitetin, si dhe shqetësimi për unitetin në diversitet.[8]
Pohimi i Keller-it se Jezu Krishti është përgjigjja ndaj pyetjeve dhe aspiratave kryesore të kulturës sonë e banalizon veprën dhe personin e Krishtit. Sipas Rrëfimit të Besimit të Westminster-it (1647): “Zoti Jezus, me bindjen e tij të përsosur dhe me flijimin e vetes së tij, të cilin e ofroi një herë përmes Frymës së përjetshme ndaj Perëndisë, e ka kënaqur plotësisht drejtësinë e Atit të tij dhe ka fituar jo vetëm pajtim, por edhe një trashëgimi të përjetshme në Mbretërinë e Qiellit për të gjithë ata që Ati ia ka dhënë.” Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë nga mëkati dhe nga zemërimi i Perëndisë kundër gjithë ligësisë sonë, sepse ai ka bërë paqe përmes gjakut të Kryqit të tij (Kolosianëve 1:20). Ai “e dha veten për ne, që të na shpengojë nga çdo paudhësi dhe të pastrojë për vete një popull të veçantë, të zellshëm për vepra të mira” (Titit 2:14).
Prezantimi i Ungjillit sipas Keller-it
Kelleri jep një shembull të një prezantimi të shkurtër të ungjillit.[9] Së pari, thotë Kelleri, duhet të shpjegojmë pse ne jemi këtu. “Perëndia krijoi një botë të mirë dhe të bukur, të mbushur me qenie që marrin pjesë në këtë jetë gëzimi dhe paqeje duke njohur, shërbyer dhe dashur Perëndinë dhe njëri-tjetrin.” Pastaj duhet të shpjegojmë se çfarë shkoi keq. “Në vend të kësaj, ne zgjodhëm të qendërzojmë jetën tonë te vetvetja dhe te ndjekja e gjërave, në vend që te Perëndia dhe te të tjerët. Kjo ka çuar në shpërbërjen e krijimit dhe në humbjen e paqes — brenda nesh, midis nesh dhe në vetë natyrën. Lufta, uria, varfëria, padrejtësia, racizmi… dhe vdekja janë të gjitha simptoma.” Këtu ne duhet të vërejmë se Keller përhap një pikëpamje të rreme për natyrën e rënë të njeriut dhe, për rrjedhojë, një kuptim të rremë për natyrën e mëkatit. Në një vlerësim të librit të Keller-it “Arsye për Perëndinë (The Reason for God) (2008)”, në të cilin ai promovon konceptin e evolucionit teist (shënim i përkthyesit: mësimi se Zoti e krijoi tokën në miliona vite, duke përdorur evolucionin, jo në gjashtë ditë), Lita Cosner thekson: “Është e qartë se pikëpamja e Keller-it për mëkatin është shtrembëruar nga bindjet e tij teistike evolucionare; në fakt, ai e identifikon ‘mëkatin fillestar’ jo si pasojë e mosbindjes së Adamit në Eden (siç bën Apostulli Pal te Romakëve 5), por si ‘krenaria dhe vetë-qendërzimi i lindur i njerëzimit’ ” (f. 167).[10]
Detyra tjetër në prezantimin e ungjillit, thotë Keller, është t’i përgjigjemi pyetjes: Çfarë e rregullon botën? “Por megjithëse Perëndia na humbi, ai vendosi të na fitojë përsëri. Ai hyri në histori në personin e Jezusit për t’u marrë me të gjitha shkaqet dhe pasojat e marrëdhënies sonë të thyer me të. Me jetën dhe vdekjen e tij flijuese ai shembëllen jetën që duhet të jetojmë dhe na shpëton nga jeta që kemi jetuar. Me ringjalljen e tij ai vërtetoi se kush ishte dhe na tregoi të ardhmen — trupa të rinj dhe një qiell të ri e një tokë të re plotësisht të ripërtërirë dhe të restauruar, në të cilën bota rikthehet në gëzim, drejtësi, paqe dhe lavdi të plotë.” Hapi përfundimtar, sipas Keller-it, është të shpjegohet si ne mund të jemi pjesë e rregullimit të botës. “Midis ardhjes së tij të parë për të na fituar dhe ardhjes së tij të fundit për të na restauruar, ne jetojmë me besim në të… Ai [Krishti] na vendos në një bashkësi të re njerëzish që jep një parashije të pjesshme, por reale, të shërimit të botës që Perëndia do të kryejë kur Jezusi të kthehet.”
Këtu janë të rëndësishme komentet e një ish-anëtari të Kishës Presbiteriane Redeemer në Nju Jork, Jonathan Cousar, i cili ndoqi kishën e Keller-it për gati 20 vjet dhe ka dëgjuar qindra predikime të tij. Cousar shkruan: “Unë shkova në kishën e Tim Keller-it për gati 20 vjet dhe në fakt u largova vetëm vitin e kaluar për shkak të shqetësimit tim në rritje se kisha dhe Tim ishin shumë më liberalë, teologjikisht dhe ideologjikisht, sesa kisha imagjinuar ndonjëherë.” Cousar vazhdon: “Për ta përmbledhur teologjinë e Keller-it sa më shkurt, Keller thotë: ‘qëllimi kryesor i shpëtimit është — ripërtëritja kulturore — ta bëjmë këtë botë një vend më të mirë’. Kjo deklaratë duhet të alarmojë çdo ungjillor të vërtetë ose të krishterë konservator. Dhe duhet të kuptohet se kjo deklaratë është qendrore për të gjitha mësimet e Keller-it.”[11]
Ungjilli i rremë i Keller-it
Ungjilli që Keller po i nxit të krishterët të predikojnë nuk është ungjilli i dorëzuar një herë përgjithmonë shenjtorëve, por një ungjill i rremë. Vini re fjalët që Kelleri i shmang në prezantmin e tij të ungjillit — mëkati, rebelimi, zemërimi i Perëndisë, gjykimi, shenjtëria, drejtësimi me anë të besimit, pendesa, e kështu me radhë. Kelleri e paraqet problemin e njerëzimit si zgjedhjen “për ta qendërzuar jetën tonë te vetvetja, dhe kjo ka rezultuar në humbjen e paqes — brenda nesh, midis nesh dhe në vetë natyrën.” Këtu ne shohim thellësinë e herezisë së Keller-it, sepse ungjilli i tij nuk mëson se njerëzimi është rebeluar kundër një Perëndie të shenjtë dhe është nën zemërimin dhe dënimin e një Perëndie të drejtë që është tepër i shenjtë për të parë mëkatin e njeriut. Ungjilli i Keller-it nuk mëson shthurjen e plotë të njeriut, as që mëkati është një fyerje kundër Perëndisë. “Kundër teje, vetëm kundër teje kam mëkatuar dhe kam bërë këtë të keqe përpara syve të tu” (Psalmi 51:4). Ungjilli i Keller-it nuk mëson se njeriu i parilindur është i vdekur në shkelje dhe mëkate dhe ecën “sipas princit të pushtetit të ajrit, frymës që vepron në bijtë e mosbindjes” (Efesianëve 2:2). Ungjilli i Keller-it nuk njeh asgjë për shenjtërinë e Perëndisë. Ungjilli i Keller-it nuk mëson se “zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli mbi çdo pabesi e padrejtësi të njerëzve, që mbysin të vërtetën në padrejtësi” (Romakëve 1:18).
Ungjilli i Keller-it mëson se “me jetën dhe vdekjen e tij flijuese ai [Krishti] shembëllen jetën që duhet të jetojmë dhe na shpëton nga jeta që kemi jetuar”. Pra, Jezusi që Keller ka shpikur është një Jezus që erdhi për të qenë një shembull, ai që na tregon si duhet të jetojmë. Shkrimi mëson se Jezusi është Qengji i Perëndisë që heq mëkatin e botës (Gjoni 1:29). Ai erdhi të vdiste në Kryqin e Kalvarit për mëkatet e popullit të tij. Ai erdhi të japë jetën e tij për mëkatarët. Ai erdhi të vdiste që ne të falemi dhe të pajtohemi me Perëndinë. Charles Wesley i përmblodhi këto të vërteta të ungjillit në himnin e tij të madh:
“Ai thyen fuqinë e mëkatit të shlyer, të burgosurin e bën të lirë;
Gjaku i tij mund ta pastrojë edhe më të ndyrin, gjaku i tij vlejti për mua.”
Keller mëson se qëllimi i jetës së krishterë është që ta rregullojë botën, që ta bëjë botën një vend më të mirë. Shkrimi mëson se qëllimi i jetës së krishterë është që ne të shndërrohemi sipas shëmbëlltyrës së Krishtit, të marrim gjithë armaturën e Perëndisë për të qëndruar kundër dredhive të djallit dhe të predikojmë ungjillin në të gjitha kombet. Krishti tha: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia” (Gjoni 14:15). “Dhe mos u përshtatni me këtë botë, por shndërrohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni se cili është vullneti i mirë, i pranueshëm dhe i përsosur i Perëndisë” (Romakëve 12:2).
Qëllimi i Perëndisë është të shpengojë për veten e tij një popull të shenjtë, një priftëri mbretërore, që do të jetojë përgjithmonë me Perëndinë dhe me Krishtin e tij në qiellin e ri dhe tokën e re. “Dhe pashë një qiell të ri dhe një dhe të ri; sepse qielli i parë dhe dheu i parë shkuan, dhe deti nuk është më. Dhe unë, Gjoni, pashë qytetin e shenjtë, Jerusalemin e ri, që zbriste nga Perëndia, prej qiellit, që ishte bërë gati si nuse e stolisur për burrin e saj. Dhe dëgjova një zë të madh prej qiellit, që thoshte: «Ja tabernakulli i Perëndisë me njerëzit! Dhe ai do të banojë me ta; edhe ata do të jenë populli i tij dhe vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta, Perëndi i tyre. Dhe Perëndia do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as britmë, as dhimbje nuk do të ketë më, sepse të parat shkuan».” (Zbulesa 21:1–4).
Përfundim
Tim Keller ka reputacionin e një udhëheqësi protestant të shëndoshë. Mësimet e tij përhapen gjerësisht përmes “Koalicionit të Ungjillit (The Gospel Coalition)”, Rrjetit Redeemer, Asamblesë së Shërbesës Ungjillore në MB dhe konferencave në mbarë botën. E vërteta është se Kelleri nuk i përmbahet doktrinave ortodokse të Kishës së krishterë. Ai përdor një qasje pseudo-intelektuale dhe filozofike për të përhapur një ungjill të krijuar nga njeriu. Ai po promovon një ungjill të rremë që është shumë larg së vërtetës biblike. Ju lutem shikoni artikujt e tjerë mbi Keller-in, që do të postohen së shpejti në këtë faqe interneti, për të kuptuar tërë thellësinë e mësimit të tij të rremë.
Do të shihni se ai është thellësisht ekumenik në qasje dhe simpatizon kauzën katolike. Madje, përkushtimi i tij ndaj katolicizmit është aq i madh sa që Kisha Presbiteriane Redeemer në New York angazhohet në praktika mistike katolike. Ai ka një pikëpamje kaq të ulët për Shkrimin saqë shkon përtej për të promovuar doktrinën e rreme të evolucionizmit teist. Ai është aq shumë i impresionuar nga ideja e psikologjisë humaniste saqë kisha e tij menaxhon një shërbim këshillimi me pagesë që integron teoritë psikologjike me Shkrimin. Ai është aq shumë i tërhequr nga mënyrat e botës saqë ai promovon një agjendë politike liberale. Dhe tragjedia e madhe e Tim Keller-it është se e gjithë kjo bëhet nën flamurin e Kalvinizmit të Reformuar.
Ju mund të mësoni më shumë për Dr. Tim Keller, Pastor Mark Driscoll dhe Pastor John Piper në librin “Neo-Kalvinistët (Kalvinistë e Rinj) The New Calvinists (2014)”, botuar nga “The Wakeman Trust” dhe “Shtëpia Botuese Belmont”. Libri është i disponueshëm në librarinë e kishës së Tabernakullit Metropolitan ose në Amazon.
Shikoni gjithashtu një seri artikujsh nga Dr. Paul M. Elliott i Shërbesës “Teaching the Word”.
Pjesa 1. Tim Keller: Një ndikues i rrezikshëm
http://www.teachingtheword.org/articles_view.asp?columnid=5449&articleid=77005
Pjesa 2. Ungjilli pa guxim i Tim Keller-it
http://www.teachingtheword.org/articles_view.asp?columnid=5449&articleid=77008
Pjesa 3. Ungjilli i rremë i Tim Keller-it: Ndryshimi i Metodës dhe Mesazhit
http://www.teachingtheword.org/apps/articles/web/articleid/77007/columnid/5449/default.asp
Pjesa 4. Ungjilli i rremë i Tim Keller-it: Një “Sanduiç” pa Bukën e Jetës
http://www.teachingtheword.org/apps/articles/web/articleid/77100/columnid/5449/default.asp
[1] http://www.redeemer.com/about_us/vision_and_values/core_values.html
[2] http://www.case.edu.au/images/uploads/03_pdfs/keller-deconstructing-defeater.pdf
[3] I njëjti, f.3
[4] I njëjti, f.6-7
[5] I njëjti, f.1
[6] I njëjti, f.2
[7] I njëjti, f.2-3
[8] I njëjti, f.3
[9] I njëjti, f.5
[10] http://creation.com/review-timothy-keller-reason-for-god
[11] http://freedomtorch.com/blogs/3/2762/tim-keller-and-social-justice