“Për tani shko dhe kur të kem kohë…”

Kohe

James Smith, “VONESA” 1865

“Por, ndërsa ai fliste për drejtësi dhe përmbajtje dhe për gjyqin e ardhshëm, Feliksi, shumë i trembur, u përgjigj: “Për tani shko dhe kur të kem kohë, do të dërgoj të të thërrasin.” Veprat e Apostujve 24:25

Ja ku është Feliksi, duke dëgjuar apostullin Pal. Ai është i vëmendshëm. Ai është i interesuar. Ai është i prekur. Ai trembet. Ai kupton diçka nga madhështia dhe solemniteti i përjetësisë. Ai ndien shqetësim, por jo aq të thellë sa duhet, dhe për këtë arsye thotë: “Për tani shko dhe kur të kem kohë, do të dërgoj të të thërrasin.” Ai nuk e refuzon, por e shtyn çështjen. Ai mendoi se do të vinte një kohë më e përshtatshme, por ajo kurrë nuk erdhi!

Feliksi tashmë ka pasur njëmijë e tetëqind vite në Ferr për t’i ardhur keq për marrëzinë e tij! Ai po keqardhet edhe në këtë çast, dhe do të keqardhet përgjithmonë!

Shumë të tjerë kanë imituar sjelljen e tij të marrë. Ata i thonë shërbëtorëve të Zotit: “Për tani shko dhe kur të kem kohë, do të dërgoj të të thërrasin!

Por ajo që ata me të vërtetë duan të thonë është: “Unë e dua mëkatin. Ai është pjesa ime. Ai është kënaqësia ime. Nuk mund të heq dorë prej tij tani. Vallëzimi, festa gazmore, zakonet e botës së tanishme, këto janë gjërat që më pëlqejnë. Unë nuk jam gati të ndahem prej tyre dhe të përqafoj ungjillin që ti predikon. Shko tani. Më mirë të mbetem siç jam, të paktën edhe pak më gjatë. Nuk dua të shpëtohem tani. Më vonë, kur të jem shumë i moshuar për të shijuar mëkatin, ose kur sëmundja të më ketë bërë shumë të dobët për të ndjekur kënaqësitë mishore. Atëherë, në atë kohë të përshtatshme, do të të thërras.”

Oh, mëkatar, mëkatar! A do ta përbuzësh ftesën e hirshme të Zotit? A do t’i mbyllësh veshët ndaj mesazhit të mëshirës?

A do të këmbëngulësh në mëkat, derisa të biesh në dëshpërim të zi?

A do të shkosh në Ferr, ndërsa je kaq afër portave të Qiellit?

A do të shkatërrohesh në mashtrimet e tua?

A nuk ke frikë nga Zoti?

A nuk ke tmerr nga mundimet e përjetshme?

A nuk ke dëshirë të shpëtosh nga zemërimi që po vjen?

Çfarë do të bësh në atë ditë të tmerrshme . . .
kur vdekja të të marrë,
kur Gjykatësi i drejtë të japë dënimin ndaj teje,
kur Satani të të kapë,
kur Ferri të hapet për të të përpirë, dhe
kur portat e humnerës së përjetshme të mbyllen mbi ty përgjithmonë?

Çfarë do të bësh?

Çfarë mund të bësh?

Tek kush do të vraposh për ndihmë?

Si do të shpëtosh? Si mund të shpëtosh?

Mjerë ti! atëherë, shpëtimi do të jetë i pamundur!

Atëherë dera e shpresës do të jetë mbyllur përgjithmonë!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes