Kompromisi Në Kohët Tona

Kompromisi

Kompromisi Në Kohët Tona
Nga J. C. Philpot (1802–1869)
[cituar nga Gospel Standard Reviews, vëllimi 2]

Kompromentuesit nuk duan t’i bien borisë ose të japin alarmin.

Tani, a nuk është kjo pikërisht gjuha e kohës sonë, thelbi i dhjetëra librave dhe trakteve, dhe thirrja e qindra foltoreve popullore? A duhet, pra, të habitemi që shkruesit tanë të dashur dhe predikuesit tanë të butë, të shtruar dhe të ëmbël, me këto pikëpamje, kanë kaq shumë frikë t’u shkaktojnë dhimbje lexuesve e tyre të ndjeshëm dhe dëgjuesve të tyre zemërbutë, saqë, në vend që t’i bien borisë në Sion dhe të japin alarmin në malin e shenjtë, ata këndojnë më mirë një ninullë të përhershme? Ata mendojnë se asgjë nuk është më e keqe apo më alarmante për njerëzit sesa të nxjerrësh para syve të tyre një shpatë të zhveshur. Dhe vetë ideja e nguljes së saj thellë në ndërgjegjen e ndonjë prej dëgjuesve të tyre të devotshëm dhe të respektuar, i mbush ata me të njëjtën ndjeshmëri femërore të gjakut dhe vuajtjes, siç ne mund të supozojmë se ndien një rekrut kur për herë të parë vendos bajonetën dhe niset drejt sulmit. Shkrues dhe predikues të tillë janë po aq me ndjeshmëri drithëruese ndaj lotëve të vuajtjes në fytyrat e të krishterëve sa çdo nënë, djali i dashur i së cilës bie dhe lëndohet.

Një rrugë më e lehtë paraqitet

Shqetësimi i thellë i ndërgjegjes, frika e tmerrshme nga zemërimi që po vjen, bindjet e fuqishme për mëkatin, heqja dorë nga çdo shpresë ose ngushëllim që nuk vjen drejtpërdrejt nga Zoti, dyshimet, frikërat dhe skllavëria nën mallkimin e ligjit dhe zemërimin e frikshëm të të Plotfuqishmit — përvoja të tilla dhe të ngjashme sot pothuajse kudo janë lënë mënjanë si gjëra të panevojshme për lindjen e re; dhe një rrugë më e lehtë paraqitet si po aq e sigurt dhe shumë më e rehatshme.

Por, sado e besueshme që të duket në teori, dhe sado e pëlqyeshme që të jetë për mishin — veçanërisht kur ajo zbukurohet me gjuhë elokuente dhe e përforcohet me thirrje të forta ndaj ndjenjave natyrore — çfarë është gjithë ky predikim dhe shkrim i butë dhe i ëmbël, përveçse bërja e po asaj gjëje që Perëndia e ka dënuar aq fort në Fjalën e Tij të shenjtë? Ai dëshmon kundër atyre profetëve që profetizojnë gjëra të lëmuara, që shpallin mashtrime; që nuk e njohin rrugën e Zotit dhe që nuk kanë ecur në këshillën e Tij, por “profetizojnë një pamje të rremë, një parashikim të kotë dhe mashtrimin e zemrës së tyre.” (Jeremia 14:14) Po kështu profeti Ezekiel dënon profetët e rremë të kohës së tij, njëri prej të cilëve ndërtoi një mur dhe të tjerët e lyen me llaç që nuk mban. Ai dëshmon kundër atyre grave të marra që qepin rripa për çdo kyc; dhe ai deklaron se cili është efekti i gjithë këtij predikimi të lëmuar: “E keni bengosur zemrën e të drejtit me gënjeshtra, kur unë nuk e brengosja, dhe keni forcuar duart e të pabesit, që të mos shmanget nga rruga e tij e keqe për të mbetur në jetë.” (Ezekieli 13:10, 18, 22)

Shenja e shërbëtorëve të rremë

Nuk ka shenjë më të madhe të shërbëtorëve të rremë të dhënë në Fjalën e së vërtetës sesa shërimi sipërfaqësor i plagës së bijës së popullit të Perëndisë, duke thënë: “Paqe, paqe,” kur nuk ka paqe. (Jeremia 8:11) Nëse e lexojmë me kujdes librin e Jeremias, ne do të shohim se mëkati i madh dhe mashtrimi kryesor i të gjithë profetëve të rremë, që mbinë me dhjetëra gjatë periudhës së shërbesës së tij, ishte t’i ndërtonin njerëzit mbi një shpresë të rreme; t’i siguronin ata se nuk kishin arsye që të frikësoheshin nga gjykimet e Perëndisë, sepse Zoti nuk do të zbatonte kundër tyre atë që kishte kërcënuar. Kështu, ata i ngurtësuan njerëzit në mëkat dhe mosbindje, i larguan nga pendesa dhe nga braktisja e mëkateve të tyre, i shtynë që të përçmonin gjykimet e Perëndisë dhe i ndërtuan ata mbi një besim të rremë se, meqënëse ishin populli i Perëndisë nga një rrëfim i jashtëm, ishin gjithashtu të Tij edhe nga hiri i rilindjes. Kështu, ata morën vetë doktrinën se Perëndia ka një popull të veçantë, të cilin Ai e do dhe nuk do ta braktisë kurrë, dhe e abuzuan atë për të ndërtuar një popull fetar të paperëndishëm mbi themelin e dashurisë dhe besnikërisë së Perëndisë ndaj të zgjedhurve të Tij.

Efekti i mësimit të rremë

Nëse sytë tanë do të ishin plotësisht të hapur për të parë efektin e mësimit të rremë të kohës sonë, ne do ta shihnim atë po aq çnderues ndaj Perëndisë dhe të mbushur me pasoja po aq të tmerrshme. Ne do të shihnim qindra njerëz që bëjnë vetëm një rrëfim të vdekur fetar, por pa u hedhur kurrë në ndërgjegjen e tyre një themel pendese ndaj Perëndisë. Ne do të shihnim se si mëkati bëhet një gjë e vogël, zemërimi i frikshëm i të Plotfuqishmit kundër tij dhe indinjata e Tij e tmerrshme ndaj shkelësve anashkalohet si gjë pa rëndësi. Ne do të shihnim shtegun e ngushtë dhe të drejtë të zgjerohej në të gjitha drejtimet; premtimet dhe ftesat të shkëputeshin nga lidhja e tyre; të vërtetat dalluese të ungjillit të shtypeshin dhe të përziheshin me gabimet më të rënda; urdhërimet e Fjalës të çvendoseshin dhe të shtrembëroheshin; dhe zbulesa e qartë e mendjes dhe vullnetit të Perëndisë në Besëlidhjen e Re, të zbutur dhe të përshtatur me arsyetimin e mendjes njerëzore dhe vetëdrejtësinë krenare të njeriut. Dhe kjo duhet të ndodhë; sepse Fjala e hirit është një tërësi kaq e qëndrueshme dhe harmonike sa që, nëse ajo nuk mbahet nga mësimi i Frymës në dorën e një besimi të gjallë, çdo përpjekje për ta interpretuar përfundon në rrëmujë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes