Pse Katër Ligjet Shpirtërore nuk janë Biblike!
Një Kompilim të Argumentave për Broshurën Ungjillëzuese “Katër Ligjet Shpirtërore”
Katër Ligjet Shpirtërore është një broshurë shumë e përhapur ungjillëzuese në shumë vende të botës, përfshirë edhe Shqipërinë. Ajo u shkrua nga Bill Bright, themeluesi i Institutit Jeta e Re (IJR/CRU). Pavarësisht faktit që ajo është një broshurë shumë e përhapur dhe shumë e përdorur sot, nga dashuria, na duhet të japim paralajmërimin se ky lloj ungjillëzimi dhe kjo broshurë është në kundërshtim me Biblën, dhe pasojat që ajo ka sjellë në këtë jetë dhe në atë përjetshme janë shumë të mëdha. Qëllimi është që ne të braktisim këtë krishtërim modern amerikan dhe të gjitha inovacionet e tij dhe të përqafojmë krishtërimin e vjetër biblik historik. Ne duhet të kthehemi te shtigjet e vjetra, ne duhet të kthehemi te ungjilli i vjetër, te krishtërimi i vjetër. Ja disa argumente se pse shumë të krishterë janë kundër përdorimit të kësaj broshure:
Ligji i saj i parë thotë:
PERËNDIA TË DO DHE TË OFRON NJË PLAN TË MREKULLUESHËM PËR JETËN TËNDE.
Dashuria e Perëndisë
“Dhe ne njohëm dhe besuam dashurinë që Perëndia ka për ne. Perendia eshte dashuri; dhe ai qe qendron ne dashuri qendron ne Perendine dhe Perendia ne te.” (1 Gjonit 4:16).Plani i Perëndisë
(Jezui tha): “Por unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk” (që ajo të jetë e begatë dhe kuptimplote) (Gjoni 10:10).
Pse shumica e njerëzve nuk po e jetojnë këtë jetë me bollëk? Sepse…
Citimi i vargjeve nga Bibla në broshurë është një gjë e mirë por ka shumë rëndësi se si vargjet biblike citohen, në cfarë konteksti futen dhe kujt i drejtohen. Nëse shkojmë tek Bibla, e vërteta qëndron shumë ndryshe nga sa thotë ligji i parë. Ne nuk mund ti themi cdo personi “Perëndia të do”. Kjo është për dy arsye: Së pari, ne nuk mund të vendosim në vend të Perëndisë se kë do Ai. Dhe së dyti, Perëndia i urren të gjithë ata që kryejnë padrejtësi. Ja cfarë thotë Bibla:
Psalmi 5:5
“Ata që lëvdojnë vetveten, nuk do të mund të qëndrojnë para syve të tu; ti i urren të gjithë ata që kryejnë padrejtësi.”
Psalmi 11:5
“ZOTI vë në provë të drejtin; por shpirti i tij urren të pabesin dhe atë që do dhunën.”
Fjalët e Urta 15:9
“Rruga e të pabesit është një neveri për ZOTIN, por ai do atë që ndjek drejtësinë.”
Gjoni 3:36
“…Ai që nuk i bindet Birit, nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të.”
Efesianët 2:3
“…ishim prej natyre bij të zemërimit, si edhe të tjerët.”
Romakëve 2:5
“Sipas ashpërsisë sate dhe të zemrës së papenduar, po mbledh për veten tënde zemërim për ditën e zemërimit dhe të zbulesës së gjyqit të drejtë të Perëndisë.”
Në këto vargje, Bibla e thotë qartë dhe pastër se njerëzit që nuk janë të krishterë, pra jobesimtarët, janë nën zemërimin dhe urrejtjen e shenjtë të Perëndisë. Ky është realiteti në të cilën ata ndodhen.
Teologu i mirënjohur A. W. Pink thotë:
“Një nga bindjet më të përhapura të kohës sonë është se Perëndia i do të gjithë, dhe vetë fakti që kjo është kaq e popullarizuar në të gjitha shtresat e shoqërisë duhet të jetë e mjaftueshme për të zgjuar dyshimet e atyre që i nënshtrohen Fjalës të së Vërtetës. Dashuria e Perëndisë ndaj të gjitha krijesave të Tij është doktrina themelore dhe e preferuar e Universalistëve, Unitarianistëve, Theosofistëve, atyre të “shkencës së krishterë”, Russellistëve (Dëshmitarëve të Jehovait), etj. Pa marrë parasysh se si jeton një njeri — edhe nëse ai jeton në sfidë të hapur ndaj qiellit, pa asnjë kujdes për interesat e përjetshme të shpirtit të tij, aq më pak për lavdinë e Perëndisë, dhe vdes me një sharje në buzë — prapësëprapë, ne na thuhet se Perëndia e do atë.
Kaq gjerësisht është shpallur kjo doktrinë, dhe aq ngushëlluese është për zemrën që është në armiqësi me Perëndinë, saqë ne kemi pak shpresë se do të bindim shumë njerëz për gabimin e tyre. Se Perëndia i do të gjithë njerëzit është një bindje mjaft moderne. Shkrimet e etërve të kishës, të Reformatorëve apo të Puritanëve do të kërkoheshin më kot për një ide të tillë. Ndoshta i ndjeri Dwight L. Moody — i mahnitur nga libri i Henry Drummond “Gjëja më e madhe në botë (The Greatest Thing in the World)” — bëri më shumë se kushdo tjetër në shekullin e kaluar për ta popullarizuar këtë ide.
Ka qenë e zakonshme të thuhet se Perëndia e do mëkatarin, por urren mëkatin e tij. Por ky është një dallim pa kuptim. Çfarë ka në një mëkatar përveç mëkatit? A nuk është e vërtetë që “e gjithë koka e tij është e sëmurë” dhe “e gjithë zemra e tij lëngon”, dhe se “nga tabani i këmbës deri te koka nuk ka asgjë të shëndoshë”? (Isaia 1:5-6). A është e vërtetë që Perëndia e do personin që përçmon dhe refuzon Birin e Tij të bekuar? Perëndia është Dritë, po aq sa është Dashuri, dhe prandaj dashuria e Tij duhet të jetë një dashuri e shenjtë. T’i thuash atij që refuzon Krishtin se Perëndia e do, do të thotë që t’i mpish ndërgjegjen atij dhe njëkohësisht t’i japësh një ndjenjë sigurie në mëkatet e tij.
E vërteta është se dashuria e Perëndisë është një e vërtetë vetëm për shenjtorët, dhe ta paraqesësh atë, përpara armiqve të Perëndisë, është si të marrësh bukën e fëmijëve dhe t’ua hedhësh qenve. Duke rrezikuar të keqkuptohemi, le të themi, dhe do të dëshironim t’ja thoshim këtë çdo ungjilltari dhe predikuesi në vend, se sot ka shumë paraqitje të Krishtit para mëkatarëve (nga ata që janë të shëndoshë në besim), por shumë pak për tregimin ndaj mëkatarëve për nevojën e tyre për Krishtin; domethënë për gjendjen e tyre plotësisht të rrënuar dhe të humbur, për rrezikun e tyre të afërt dhe të tmerrshëm për të vuajtur zemërimin që po vjen, dhe për fajin e frikshëm që rëndon mbi ta përpara syve të Perëndisë. Të paraqesësh Krishtin para atyre që nuk u është treguar kurrë nevoja e tyre për Të, na duket se është njësoj si të hedhësh margaritarë para derrave.” “Sepse juve ju është dhënë hiri për Krishtin, jo vetëm që të besoni në Të, por edhe të vuani për Të.” (Filipianëve 1:29)
Gjithashtu, Ky ligj promovon ungjillin e rremë të prosperitetit. Kur mëkatarët e pashpëtuar dëgjojnë shprehjen “plan i mrekullueshëm për jetën tënde”, ata e kuptojnë “plan i mrekullueshëm” si diçka që lidhet me pasuri, shëndet dhe kënaqësi në këtë jetë; dhe kjo shkon kundër fjalëve të Jezusit që tha: “Në botë do të keni mundime” (Gjoni 16:33), dhe ato të apostullit Pal “të gjithë ata që duan të rrojnë me perëndishmëri në Krishtin Jezus do të përndiqen” (2 Timoteut 3:12).
Ungjilli duhet të fillojë me Atributet e Perëndisë. Ai duhet të fillojë me Shenjtërinë, Drejtësinë dhe Gjithëdijshmërinë e Tij. “I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti Perëndi, i Githëpushtetshmi, që ishte, që është dhe që vjen!” (Zbulesa 4:8b). “I shenjtë dhe i tmerrshëm është emri i Tij.” (Psalmeve 111:9b). “Perëndia është një gjykatës i drejtë dhe një Perëndi që zemërohet cdo ditë me keqbërësit. Në qoftë se keqbërësi nuk kthehet, ai do të mpreh shpatën e Tij: e ka shtrirë harkun e Tij dhe e ka përgatitur.” (Psalmeve 7:11-12)
—
Ligji i Dytë thotë:
NJERIU ËSHTË MËKATAR DHE I NDARË NGA PERËNDIA. PRANDAJ Al NUK MUND TË NJOHË DHE TË PËRJETOJË DASHURINË DHE PLANIN QË PERËNDIA KA PËR TË.
Njeriu është mëkatar “Të gjithë u bënë fajtorë dhe humbën madhështinë që u dha Perëndia” (Romakëve 3:23).
Njeriu u krijua që të ketë shoqëri me Perëndinë, por për shkak të egoizmit të tij ai zgjodhi të ndiqte rrugën e vet të pavarur dhe shoqëria me Perëndinë e Shenjte u ndërpre. Këtë mënyrë të jetës pa Perëndinë që tregon indiferencë dhe rebelim kundër Tij, Bibla e quan mëkat.Njeriu është i ndarë nga Perëndia
“Sepse paga e mëkatit është vdekja” (ndarje shpirtërore nga Perëndia) (Romakëve 6:23)Ky diagram tregon se Perëndia është i shenjtë ndërsa njeriu mëkatar. Një humnerë shumë e gjerë dhe e thellë i ndan ata të dy. Shigjetat ilustrojnë njeriun që vazhdimisht mundohet të arrijë Perëndinë dhe jetën me bollëk me përpjekjet e veta, përmes veprave të mira fesë a filozofisë.
Ligji i tretë shpjegon urën e vetme që bashkon njeriun me Perëndinë…
Ligji i dytë e përmënd fjalën mëkat, ndarje dhe rebelim por këto fjalë nuk do të thonë asgjë për mëkatarët krenarë dhe të vdekur shpirtërisht që mbështeten në drejtësinë dhe “mirësinë” e tyre. “Të gjithë gabojnë ose mëkatojnë” – thonë ata, pa pasur asnjë të kuptuar dhe asnjë njohuri se sa të ligj janë ata në të vërtetë në sytë e shjenjtë të Perëndisë së gjallë! Ky ligj nuk përmënd arsyet kryesore se pse njeriu është i ndarë nga Perëndia i Plotëfuqishëm, nuk e përball mëkatarin me ligjin e Perëndisë dhe nuk jep pasojat e tmerrshme e të përjetshme të mëkatit të tij. Pa ndodhur kjo, njerëzit gjithmonë do lajkatojnë vetveten, do mbështeten te vetëdrejtësia e tyre, dhe nuk do shohin nevojën për një Shpëtimtar. Ky ligj i dytë është një pëpjekje shumë e cekët dhe e cunguar për t’u shpjeguar të vdekurve shpirtërorë se sa mëkatarë ata janë. Si vallë mund të pendohet me të vërtetë një mëkatar kur kjo është gjithcka që ai dëgjon për gjendjen e vet. Si do i bindë Fryma e Shenjtë njerëzit për mëkat, nëse ne flasim për mëkatin kaq në mënyrë sipërfaqësore dhe të cekët?! Dhe të mos harrojmë që, mos-përmendja e agonisë dhe vuajtjeve të përjetshme në ferr, a nuk e zvogëlon gjithashtu vlerën e plotë kryqit dhe pakëson mirënjohjen e plotë që i takon Atij. Ndoshta jo gjithcka më poshtë mund të citohet në një broshurë ungjillëzimi, por ne duhet të kuptojmë se si qëndron realiteti dhe se si është mësimi biblik në këtë pikë.
Mëkatari ka nevojë të dëgjojë ligjin e Perëndisë dhe të shohë se sa mëkatari i madh është. Ai duhet të shohë se tek ai nuk ka asnjë gjë të mirë, se ai është totalisht i humbur, i vdekur dhe pa asnjë shpresë, se Zoti është shumë i ofenduar nga ai dhe se Zemërimi i Perëndisë po digjet kundër tij dhe është vetëm me anë të mëshirës së Tij që Ai nuk na ka shfarosur të gjithve nga faqja e dheut. Të gjithë njerëzit kanë lindur në këtë botë me një natyrë mëkatare armiqësore ndaj Zotit dhe totalisht të prirur për mëkat dhe ligësi. Cdo aspekt e qënies së njeriut është e korruptuar nga mëkati – duke përfshirë intelektin, emocionet, dëshirat, zemrat, motivet, dhe trupat tanë fizikë. Njeriut i mungon aftësia për të bërë ndonjë gjë që mund ta kënaqë Perëndinë dhe madje edhe aftësia për të ardhur tek Ai, sepse njeriu nga natyra e urren dritën e pastërtisë së Tij dhe do errësirën e kënaqësive të tija mëkatare. “Dhe gjyqi është ky: Drita erdhi në botë dhe njerëzit deshën errësirën më tepër se dritën, sepse veprat e tyre ishin të mbrapshta. Sepse kushdo që bën gjëra të mbrapshta e urren dritën dhe nuk vjen te drita, që të mos zbulohen veprat e tij.”(Gjoni 3:19-20). “Synimet e zemrës së njeriut janë të këqija qysh në fëmijërinë e tij”. (Zanafilla 8:21). Asnjë nuk mund ta pastrojë veten nga mëkati i tij “Kush mund të thotë: “Pastrova zemrën time, jam i pastruar nga mëkati im”? (Fjaleve te Urta 20:9). Zemra e njeriut është plot ligësi, nga ajo dalin të gjithatë këqijat dhe asnjë nuk mund ta njohë atë. “Zoti pa që ligësia e njerëzve ishte e madhe mbi tokë dhe që tërë synimet e mendimeve të zemrës së tyre nuk ishin gjë tjetër, vecëse e keqja në cdo kohë”. (Zanafilla 6:5) “Zemra gënjehet më tepër se cdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme; kush mund ta njohë atë?” (Jeremia 17:9) “Jezusi tha: …Sepse nga brenda, domethënë nga zemra e njeriut, dalin mendimet e mbrapshta, shkeljet e kurorës, kurvërimi, vrasjet, vjedhjet, lakmitë, ligësitë, mashtrimet, pafytyrësia, smira, blasfemia, kryelartësia, marrëzia. Gjithë këto të mbrapshta dalin nga brenda dhe e ndotin njeriun”. (Marku 7:21-23)
Ai duhet të kuptojë se ka shkelur Ligjin e shenjtë të Perëndisë. Se ai ka thyer urdhërmin e Tij më të madh. “Dhe Jezusi tha: Duaje Zotin, Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, dhe me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mëndjen tënde. Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi.” (Mateu 22:37,38) Ai nuk e ka vendosur Perëndinë të parin në gjithcka? Të parin në mendime, Të parin në kënaqësitë e tij? Gjithashtu, “Mos bëj dëshmi të rreme”.(pra, mos gënjej). (Eksodi 20:16). “Mos e përdor emrin e Zotit, të Perëndisë tënd, kot sepse Zoti nuk do të lërë të pandëshkuar atë që përdor kot emrin e tij”. (Eksodit 20:7). “Ndero atin dhe nënën tënde”.(Eksodi 20:12).
Për shkak të mëkatit, ai nuk do jetë me Perëndinë. “A nuk e dini se të padrejtët nuk do të trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë? Mos u gënjeni: As kurvarët, as idhujtarët, as shkelësit e kurorës, as të zhburrëruarit, as homoseksualët, as vjedhësit, as lakmuesit, as pijanecët, as shpifësit, as rrëmbyesit nuk do të trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë”. (1 Korintasve 6:9, 10). “Kurorëshkelja, kurvëria, papastërtia, shthurja, idhujtaria, magjia, armiqësia, grindja, xhelozia, zemërimi, rivaliteti, përcarjet, tarafet, smira, vrasjet, të dehurit, grykësia, dhe të tjera të ngjashme me to…ata që i bëjnë këto gjëra nuk do të trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë”. (Galatasve 5:19-21).
Perpjekjet e Liga fetare nuk mund ta heqin mëkatin e tij. “Edhe sikur të laheshe me sodë dhe të përdorje shumë sapun, paudhësia jote do tëlinte një njollë të pashlyeshme para meje” – thotë Zoti. (Jeremias 2:22). “A mundet një etiopias të ndryshojë lëkurën e tij o një tigër të këmbejë lëkurën me vijëza? Në të njëjtën mënyrë ju, që jeni mësuar të bëni të keqen, a do mund të bënit të mirën?” (Jeremia 13:23). “Jemi të gjithë si një gjë e papastër, dhe të gjitha veprat tona të drejtësisë (veprat e mira) janë si një rrobe e ndotur; po fishkemi të gjithë si një gjethe dhe paudhësitë tona na cojnë larg si era”. (Isaia 64:6). “C’është njeriu që ta konsiderojë veten të pastër, dhe i linduri nga një grua për të qënë i drejtë? Ja Perëndia nuk u zë besë as shenjtorëve të Tij dhe qiejt nuk janë të pastër në sytë e Tij; Aq më pak një qënie e neveritshme dhe e korruptuar, njeriu, që e pi paudhësinë sikur të ishte ujë!” (Jobi 15:14-16)
Faji i njeriut është sa malet gjigante, grumbull njëri mbi tjetrin, aq sa grumbulli rritet deri në qiell. Njeriu është krejtësisht i korruptuar, në çdo pjesë, në të gjitha aftësitë dhe parimet e natyrës së tij, në kuptimet dhe në vullnetet e tij, në të gjitha prirjet dhe ndjenjat. Koka dhe zemra e tij është krejtësisht e korruptuar; gjithë gjymtyrët e trupit të tij janë vetëm instrumente të mëkatit; të gjitha shqisat e tij, të parit, të dëgjuarit, të shijuarit, etj., janë vetëm priza dhe spina të mëkatit, kanale të korrupsionit. Në të nuk ka gjë tjetër, veç mëkat.
Në të ka ligësi të panumërta e pa masë. Ke shkelje të çdo urdhërese, me mendje, fjalë dhe vepër: një jetë plot mëkat. Ditë e net mbushur plot me mëkat, mëshira të keqpërdorura dhe shikime qortuese të përçmuara, mëshira dhe drejtësia, dhe gjithë hiret hyjnore të shkelura me këmbë. Dhe nderi i secilit person në Perëndinë Triun i nëpërkëmbur në baltë.
Atëherë, nëse një fjalë apo mendim mëkatar ka kaq shumë ligësi brenda, sa për të merituar shkatërrim të përjetshëm, sa fajtor është ai për kaq shumë mëkate? A nuk e meriton ai që të dëbohet përjetësisht?
Pasojat për një mëkat të vetëm do të sjellë ndëshkimin e përjetshëm në liqenin e zjarrtë. “Eshtë caktuar që njerëzit të vdesin vetëm një herë, dhe më pas vjen gjyqi”. (Hebrenjve 9:27) “Dhe tymi i mundimit te tyre ngjitet ne shekuj te shekujve” (Zbulesa 14:11) “Por frikacakët dhe të pabesët, dhe të neveritshmit dhe vrasësit, dhe kurvëruesit, dhe magjistarët, dhe idhujtarët, dhe gjithë gënjeshtarët, do të kenë pjesën e tyre në liqenin që digjet me zjarr dhe squfur, që është vdekja e dytë.” (Zbulesa 21:8). “Ashtu si mblidhet argjëndi, bronzi, hekuri, plumbi dhe kallaji në mes të furrës dhe mbi ta i fryjnë zjarrit për t’i shkrirë, kështu në zemërimin tim dhe në tërbimin tim do t’ju mbledh, do t’ju fus atje dhe do t’ju shkrij.” (Ezekieli 22:20). “Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e vet ata do të mbledhin nga mbretëria e tij gjithë skandalet dhe ata që bëjnë paudhësi, dhe do t’i hedhin në furrën e zjarrit. Atje do të ketë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh. (Mateu 13:41,42).
—
Ligji i Tretë thotë:
JEZU KRISHTI ËSHTË E VETMJA ZGJIDHJE E PERËNDISË PËR MËKATET E NJERIUT. PËRMES TIJ MUND TË NJOHËSH DHE TË PËRJETOSH DASHURINË QË KA PERËNDIA PËR TY DHE PLANIN QË AI KA PËR JETËN TËNDE.
Ai vdiq që të mos vdisnim ne
“Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne” (Romakëve 5:8).
Ai u ngjall nga të vdekurit
“Mesia [dmth. Krishti] vdiq për mëkatet tona, në përputhje me profecitë e Shkrimit të shenjtë, dhe u varros. Ditën e tretë, ai u ringjall nga të vdekurit, siç parathuhej në Shkrimin e shenjtë, dhe iu shfaq Pjetrit dhe pastaj tërë rrethit të apostujve. Më vonë e panë më shumë se pesëqind dishepuj; disa kanë vdekur. por shumica janë ende gjallë” (1 Korintasve 15:3 6).
Ai është rruga e vetme për te Perëndia
“Jezui u tha: ‘Unë jam rruga, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati veçse nëpërmjet meje’” (Gjoni 14:6)
Ky diagram ilustron urën e vetme që ndërtoi Perëndia mes Atij dhe njeriut duke dërguar Birin e Tij të vetëm, Jezu Krishtin, që të vdesë në kryq për ne për të paguar dënimin për mëkatet tona.
Nuk mjafton vetëm t’i dish këto tri ligje shpirtërore…
Po, Krishti është e vetmja zgjidhje për mëkatet e njeriut. Ai është Rruga e Vërteta dhe Jeta, por ku është këtu Dilema e Madhe e Biblës? Kush është ky Jezus? Kush ishte Ai? Pse është AI dhe vetëm Ai në gjendje të shpëtojë? Cfarë ndodhi me të vërtetë në kryq? Këto pyetje nuk ceken fare ose ceken shumë pak.
Dilema e madhe e Biblës është kjo: Si mund Perëndia të jetë i drejtë dhe të qëndrojë i drejtë, por në të njëjtën kohë të drejtësojë, të shpallë të drejtë, të pafajshëm dhe të falë mëkatarin/fajtorin? Nëse Zoti është i drejtë dhe i shenjtë dhe njeriu është shumë i lig dhe nën Zemërimin e drejtë të Tij, atëhere si mund të shpëtohet njeriu, si mund të pastrohet ai nga mëkatet e tij? Si mund Perëndia të jetë i drejtë dhe të qëndrojë i drejtë, dhe në të njëjtën kohë të drejtësojë, të shpallë të drejtë, të pafajshëm dhe të falë mëkatarin? Perëndia kërkon drejtësi dhe njeriu ka nevojë për falje.
Kjo është dilema e madhe, dhe kjo është arsyeja pse erdhi Jezu Krishti. Pse Zoti, Biri i Perëndisë, la qiellin, mori një trup njerëzor dhe erdhi në tokë.
Jezusi ishte Fjala që nga përjetësia. Perëndia që mori trup njerëzor dhe u bë mish. Ai që jetoi një jetë që cdo mëkatar duhej ta kishte jetuar, dhe që kur ishte në kryq, zuri vendin e njerëzve të tij, popullit të tij, dhe mori mëkatet e tyre mbi veten e vet dhe u dënua për to në vend të tyre. Kur ishte në kryq, gjithë zemërimi i Perëndisë që duhej të binte mbi popullin e Tij, ra mbi Krishtin. “I pëlqu Zotit ta rrihte dhe ta bënte të vuante” (Isaia 53:10). Ai vdiq dhe u Ringjall pas tre ditësh. Kështu drejtësia u vu në vend. Ky Shpëtimtar duhej të ishte plotësisht Perëndi dhe plotësisht njeri. Plotësisht Perëndi për të paguar për cdo mëkat të popullit të tij nga cdo komb, gjuhë dhe fis në gjithë historinë e njerëzimit, dhe plotësisht njeri për të përfaqësuar dhe zënë vendin e njeriut dhe për të paguar në vend të tij.
Gjithashtu, shprehja në këtë ligj të tretë “Ai vdiq që të mos vdisnim ne” dhe pastaj citon Romakët 5:8 nuk është e drejtë. Ky varg te Romakët u drejtohet besimtarëve, jo jobesimtarëve. “Krishti vdiq për ne” e ka fjalën për ne, të krishterët, kishën, popullin e tij, ata që kanë besuar në të. Ajo nuk mund t’i aplikohet kujtdo. Ti nuk mund të shkosh te jobesimtarët dhe ti thuash “Krishti vdiq për ne”, duke e bërë atë që të përfshijë besimtarë dhe jobesimtarë, delet dhe cjeptë bashkë. “Krishti vdiq për mëkatarë” dhe “Krishti vdiq për popullin e tij” janë shprehje të drejta dhe biblike.
—
Ligji i Katërt thotë:
NE DUHET PERSONALISHT TA PRANOJMË JEZU KRISHTlN Sl SHPËTIMTAR DHE ZOT E ATËHERË MUND TË NJOHIM DHE TË PËRJETOJMË DASHURINË QË PERËNDIA KA PËR NE DHE PLANIN QË Al KA PËR JETËN TONË.
…Jezu Krishtin e pranojmë me ftesë personale
[Krishti duke folur:] “Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush e dëgjon zërin tim dhe e hap derën, unë do të hyj tek ai.” (Zbulesa 3:20)Të pranojmë Jezuin do të thotë që nga rruga e mëkatit të kthehemi (pendohemi) tek Perëndia, ta ftojmë atë në jetën tonë që të na i falë mëkatet dhe që të na bëjë ashtu siç dëshiron Ai të jemi. Nuk mjafton që vetëm ta pranojmë intelektualisht që Jezui është Biri i Perëndisë dhe se Ai vdiq në kryq për ne; nuk mjafton as përjetimi emocional. Por duhet ta pranojmë Atë përmes besimit, si vepër të vullnetit personal. Këto dy rrathë paraqesin dy jetë të ndryshme…
…Perëndia ta njeh zemrën dhe më shumë se fjalët dëgjon atë që të thotë zemra. Besimin tënd mund ta shprehësh me një lutje si kjo:
“Zoti Jezu, kam nevojë për Ty. Faleminderit që ke dhënë jetën për mua në kryq. Unë e hap zemrën time dhe të pranoj si Shpëtimtarin dhe Zotin tim. Faleminderit që m’i fale mëkatet dhe që më dhe jetën e përjetshme. Ulu në fronin ejetës sime dhe udhëhiqe atë, Më ndihmo që të bëhem ashtu siç dëshiron Ti të jem.”
A shpreh kjo lutje dëshirën e zemrës tënde? Nëse po, në këtë çast mund të lutesh kështu dhe ashtu siç ka premtuar, Jezui do të hyjë në jetën tënde.
Zbulesa 3:20 nuk po flet po flet fare për shpëtimin. Krishti nuk po thotë që jobesimtarët duhet të hapin një derë që Krishti të hyjë në zemrën e tyre. Katër Ligjet Shpirtërore lënë jashtë njëmbëdhjetë fjalët e fundit të Zbulesës 3:20. Vargu i plotë thotë kështu:
“Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin tim dhe hap derën, do të hyj tek ai dhe do të ha darkë me të dhe ai me mua.”
Krishti po troket në derën e kishës, jo në zemrën e jobesimtarëve. Ai nuk po flet për shpëtimin. Ai tha se do të “ha darkë”, pra do të ketë bashkësi me një kishë (Zbulesa 3:14), që është një bashkësi njerëzish që tashmë janë të shpëtuar.
Pastaj, nuk ka asnjë derë në botë, asnjë zemër kokëforte, që mund ta pengonte Perëndinë të shpëtonte dikë që Ai synon ta shpëtojë.
Lutja e Shpëtimit nuk ndodhet në Bibël dhe nuk është përdorur në historinë e kishës. Ajo është një inovacion dhe shpikje e re njerëzore. Nuk ekziston asnjë formulë magjike apo lutje që një person mund ta recitojë për t’u shpëtuar. Në lutjen e shpëtimit, mëkatarit i thuhet të “ftojë” Krishtin në zemrën e tij. Por, Jezu Krishti nuk është në mëshirën e mëkatarit duke pritur të ftohet brenda. Përkundrazi, mëkatari është në mëshirën e Krishtit. Ne të gjithë jemi plotësisht në mëshirën e Perëndisë dhe të humbur e të dënuar, derisa Perëndia të na shpëtojë. Thirrja e Jezusit, e apostujve dhe e kishës historike ka qënë gjithmonë “pendohuni” dhe “besoni në Krishtin”, jo “pranoje Kristin në zemër si Shpëtimtar duke bërë këtë lutje dhe duke përsëritur pas meje”. Ti ungjillëzo biblikisht, pastaj lëre Perëndinë të bëjë punën e Tij.
Gjithashtu, shprehja “Jezusi do të hyjë në jetën tënde” apo “mirëseerdhe në familjen e Perëndisë” që thuhen pas bërjes së lutjes është një nga gjërat më të rrezikshme! Asnjë nuk e di nëse personi është kthyer me të vërtetë në besim apo jo. Frytet do ta tregojnë më vonë. Vetëm Perëndia e di nëse kthimi i tyre ishte i vërtetë. Tu thuash njerëzve që ata janë bërë të krishterë dhe janë në familjen e Perëndisë, kur kjo nuk ka ndodhur është një gënjeshtër e madhe dhe shumë e dëmshme!
Katër Ligjet Shpirtërore janë të pëlqyeshme dhe i bëjnë njerëzit që të bëjnë shpejt një lutje, që kështu të shpallen të shpëtuar, dhe kështu të llogariten në numrin e madh të njerëzve që “pranuan Krishtin” dhe që mbushin kishën/sallën. Por në një afat të gjatë, ungjilli i lavdishëm i Krishtit është sakatuar dhe i është hequr fuqia, njerëzit në mënyrë të rreme janë shpallur të krishterë, njerëzit imunizohen ndaj Krishtit dhe ungjillit të vërtetë, njerëzit zhgënjehen, hidhërohen dhe largohen kur nuk marrin atë jetën e mrekullueshme që u ishte premtuar, dhe pastaj në përjetësi, humbasin përgjithmonë.
Përfundimisht, Katër Ligjet Shpirtërore është një ungjill i zbutur, i cunguar, i qendërzuar tek njeriu dhe i pëlqyeshëm për mishin që mpin dhe qetëson ndërgjegjen e mëkatarit kur i thuhet se Perëndia e do, dhe e paraqet shpëtimin si dicka që mund të arrihet nga vetë fuqia e njeriut duke bërë një lutje të sinqertë, për të pasur më pas, një jetë të mrekullueshmë në tokë. Ky nuk është Ungjilli i Lavdishëm Biblik Historik! Rreziku i madh i këtij lloji ungjilli është se shumë njerëz të ndikuar emocionalisht nga muzika apo predikimi motivues, e bëjnë këtë lutje, dhe shpallen se janë të krishterë. Por në fakt, nuk ka pasur asnjëherë një vepër të mbinatyrshme të Perëndisë në zemrën e tyre. Pra, ata nuk janë të rilindur. Pra, ata shpallen nga ungjilltarët dhe predikuesit që janë të krishterë, ata vetë besojnë se janë të krishterë, dhe kështu me kalimin e kohës, përvetësojnë një formë të krishtërimit ose largohen fare nga ai, dhe në fund, në gjykimin e madh të Krishtit, fatkeqësisht, do të dëgjojnë fjalët e rënda të Zotit “Largoheni prej meje ju bërës paudhësish. Nuk ju kam njohur kurrë!” Pasojat e këtij ungjilli janë të përjetshme!
Tani, a mund të ketë përdorur Zoti elemente të vërteta të tij dhe në hirin e Tij, të ketë shpëtuar dikë. Po, kjo mund të ketë ndodhur. Por kjo nuk mund të shërbejë kurrësesi si justifikim për ta përdorur atë!
Nëse ti je i krishterë, dhe ke përdorur këtë ungjill të cunguar sipërfaqësor dhe i ke siguruar mëkatarët se janë të krishterë pasi bënë atë lutje, ti duhet të pendohesh. Ti mund të falesh nëse pendohesh për këtë dhe e braktis këtë metodë dhe organizatën jobiblike që e ka krijuar dhe e përdor atë. Largohu tani sa je në kohë! Gjykimi po afron! Nuk është kurrë vonë që të fillosh të jesh besnik ndaj Fjalës së Zotit dhe Krishtërimit të vërtetë biblik historik.
Puritani Tomas Watson tha: “Një zemër e pastër shmang dukjen e së keqes. “Hiqni dorë nga çdo pamje e ligë” (1 Thesalonikasve 5:22). Një zemër e pastër shmang atë që mund të interpretohet si e keqe. Ai që është besnik ndaj princit të tij jo vetëm që përmbahet nga përfshirja në tradhti, por gjithashtu shmang çdo gjë që duket si tradhti. Një zemër e hirshme është e kujdesshme ndaj asaj që duket si mëkat. Kur zonja e Jozefit i kapi rrobën dhe i tha: “Eja të shtrihesh me mua,” ai la rrobën në dorën e saj dhe iku prej saj (Zanafilla 39:12). Ai shmangu dukjen e së keqes. Ai nuk donte të shihej në shoqërinë e saj. Kështu, një zemër e pastër shmang gjithçka që mund të ngjallë dyshimin për mëkat… Një zemër e hirshme e di që Zoti është një Zot xheloz dhe nuk mund të durojë që populli i tij të jetë afër mëkatit. Prandaj, ai qëndron larg dhe nuk do as të afrohet pranë erës së infeksionit.”
—
“Perëndia i urdhëron njerëzit e Tij të ndahen edhe nga të krishterë që nuk ecin në bindje ndaj fjalës së Tij. Kisha e Korintit u urdhërua të nxirrte nga mesi i saj një person që kishte kryer kurvëri (megjithatë pas pendimit, pas një kohe, ky individ duhej të rikthehej dhe të rivendosej në kishë). E njëjta gjë vlen për ata që fillojnë të largohen nga doktrina e shëndoshë dhe të mësojnë një ungjill tjetër. Apostulli Gjon e bëri këtë shumë të qartë kur shkroi:
“Kushdo që shkel dhe nuk qëndron në doktrinën e Krishtit, nuk ka Perëndi; kush qëndron në doktrinën e Krishtit, ai ka edhe Atin, edhe Birin. Në qoftë se dikush vjen te ju dhe nuk sjell këtë doktrinë, mos e pranoni në shtëpi dhe mos e përshëndetni, sepse ai që e përshëndet, bëhet pjesëtar i veprave të tij të liga.” (2 Gjonit 1:9-11).
E tillë është rëndësia e doktrinës së vërtetë dhe e tillë është shkatërrueshmëria e gabimit, saqë duhen ndërmarrë hapa të fortë.”
E marrë nga artikulli për bashkëpunimin dhe aleancat. Lexoje atë të gjithë këtu: Fajësi Prej Shoqërimit! (A Duhet të Bëjmë Aleanca dhe të Bashkëpunojmë me Lëvizje, Organizata, Kisha dhe Individë Jobiblikë?)