Lufta “Në Raste të Drejta dhe të Domosdoshme”

Lufta

Lufta “Në Raste të Drejta dhe të Domosdoshme”

Nga Jim Fitzgerald, 2018

Në dritën e ngjarjeve të fundit në lajme lidhur me tërheqjen tonë ushtarake nga Siria dhe Afganistani, si edhe me letrën e dorëheqjes së Sekretarit të Mbrojtjes Jim Mattis, pyes veten nëse do të ishte e dobishme që të ri-lexonim kapitullin 23 të Rrëfimit të Besimit të Westminster-it, i cili përshkruan marrëdhënien e të krishterit me Magjistratin Civil (Shtetin).

Ndërsa e rilexoja këtë kapitull, vura re se ai nuk ishte thjesht informues, por transformues. Me interes të veçantë është paragrafi i dytë:

Është e ligjshme për të krishterët që të pranojnë dhe të ushtrojnë detyrën e një magjistrati, kur ata thirren në të; gjatë drejtimit të së cilës, ashtu siç duhet të mbajnë veçanërisht përshpirtshmërinë, drejtësinë dhe paqen, sipas ligjeve të shëndosha të çdo shteti; po ashtu, për këtë qëllim, tani nën Besëlidhjen e Re, mund të bëjnë luftë në mënyrë të ligjshme, në raste të drejta dhe të domosdoshme.

 

Nga ky paragraf bëhen të dukshme disa gjëra. Së pari, një i krishterë mund të shërbejë si magjistrat civil (në qeveri). Së dyti, kur një i krishterë bëhet magjistrat civil, ai duhet t’i ushtrojë detyrat në një mënyrë të përshpirtshme, të drejtë dhe paqësore. Së treti, një magjistrat i krishterë mund të bëjë luftë ligjërisht… në raste të drejta dhe të domosdoshme.

Është pikërisht fraza e fundit e pikës së tretë që mendoj se shpesh anashkalohet, domethënë se lufta mund të bëhet “në raste të drejta dhe të domosdoshme.”

Nga një këndvështrim konfesional (rrëfyes), luftërat e fundit të Amerikës në Lindjen e Mesme ngrenë pyetjet: A janë ato të drejta? Dhe a janë të domosdoshme?

Nga këto pyetje pasojnë të tjera: Si e përcaktojmë nëse një luftë është e drejtë? Çfarë e kualifikon luftën si një domosdoshmëri?

Fatmirësisht, ekziston një histori e gjatë e teorisë së “Luftës së Drejtë” që na ndihmon t’i përgjigjemi këtyre pyetjeve, e cila përfshin mendimtarë të mëdhenj si Ciceroni, Agustini, Akuina dhe Kalvini.

Megjithatë, A. A. Hodge na ofron një përgjigje shumë më të shkurtër për këto pyetje, e cila mbështetet fort në traditën e “luftës së drejtë”. Në komentarin e tij mbi Rrëfimin e Besimit të Westminster-it, Hodge deklaron se, që një luftë të jetë vërtet e drejtë, “jo vetëm që është e nevojshme që armiku ynë të synojë të na bëjë keq, por gjithashtu, e keqja që ai synon duhet të kërcënojë drejtpërdrejt ose tërthorazi jetën kombëtare.” Prandaj, Hodge mbron qëndrimin se një shkak i drejtë për luftë duhet të jetë rreptësisht i natyrës mbrojtëse.

Hodge argumenton se duke përfshirë fjalën ‘e domosdoshme’, hartuesit e Rrëfimit kishin për qëllim: “Që lufta të jetë mjeti i vetëm për ta shmangur atë (kërcënimin).” “Edhe në këtë rast,” vazhdon ai, “çdo mjet tjetër për të siguruar drejtësinë dhe për të ruajtur sigurinë kombëtare duhet të shterohet përpara se t’i drejtohemi këtij mjeti të fundit.”

Nga interpretimi i Hodge mbi Rrëfimin e Westminster-it, mund të nxirret përfundimi se luftërat e fundit në Lindjen e Mesme nuk ishin as të drejta, as të domosdoshme. Ato nuk ishin luftëra mbrojtëse si përgjigje ndaj një agresioni real që përbënte një kërcënim të vërtetë për jetën tonë kombëtare, por ishin luftëra parandaluese që u përpoqën ta parandalonin kërcënimin përpara se ai të bëhej konkret.

Kalvini, dhe tradita e “luftës së drejtë” para tij, argumentuan me ashpërsi kundër luftërave të tilla parandaluese.

[Ajo] zakonisht konsiderohet si mënyra më e mirë e masës paraprake; kështu vetëm këto luftëra që për sigurinë e tyre, nëse rasti e kërkon, lëndojnë të tjerët, llogariten si të kujdesshme. Nga ky burim marrin shkas pothuajse të gjitha luftërat, sepse ndërsa çdo princ i druhet fqinjit të vet, kjo frikë e mbush aq shumë me ankth atë, sa ai nuk heziton ta mbulojë tokën me gjak njerëzor.

 

Për Kalvinin, mundësia e thjeshtë e një kërcënimi ndaj sigurisë kombëtare nuk është një bazë e mjaftueshme për agresion.

Por kjo është një lloj dinakërie e ligë (sado që mund të jetë lustruar me emrin e bukur të largpamësisë), të mundojmë të tjerët padrejtësisht për sigurinë tonë. Unë kam frikë nga ky apo ai person sepse ai ka mjetet për të më lënduar dhe unë jam i pasigurt për qëndrimin e tij ndaj meje. Prandaj, që unë të jem i mbrojtur nga lëndimi, unë do të përpiqem me çdo mjet të mundshëm që ta shtyp atë… Nëse në këtë mënyrë gjithësecili i shkon pas mosbesimit të vet, ndërsa secili do të kurdiste për t’u bërë ndonjë dëm armiqve të tij të mundshëm, padrejtësitë nuk do të kishin fund… Sepse sapo ne të kemi vendosur një herë për të siguruar për përfitimin, qetësinë ose sigurinë tonë, ne nuk e bëjmë pyetjen nëse po veprojmë drejt apo gabim.

Komentari i Kalvinit, Eksodi 1:9.

Shihni Matthew Tuininga-n për më shumë mbi Kalvinin dhe luftën parandaluese.

 

Vërtet, bërja e luftërave parandaluese e ka mbuluar tokën me gjak. Dhe të krishterët në Amerikë duhet të kuptojnë se dhënia e zërit dhe e votës sonë në mbështetje të këtyre luftërave të padrejta ka kontribuar në çkristianizimin (heqjen e krishtërimit) e këtyre tokave. Për më tepër, qindra mijëra civilë janë torturuar, vrarë brutalisht ose janë shpërngulur nga shtëpitë e tyre, pjesërisht sepse qeveria jonë është e fiksuar me ndryshimin e regjimeve në Lindjen e Mesme. Ne duhet të pyesim veten nëse këto regjime janë vërtet kërcënimi ekzistencial që pretendohet se janë, apo janë vetëm kërcënime të mundshme. Nëse është kjo e dyta, atëherë ne i kemi munduar të tjerët padrejtësisht nga frika për sigurinë tonë. Kalvini ka të drejtë: Nëse ne vazhdojmë në këtë rrugë, padrejtësitë nuk do të kenë fund.

Lidhur me këtë çështje, është e vështirë të shohësh se si ne që vijmë nga një sfond presbiterian dhe i reformuar, mund ta konsiderojmë veten Konfesionalë (Rrëfyes) dhe Kalvinistë, e megjithatë të injorojmë teorinë e “luftës së drejtë”. Përqafimi i luftës parandaluese, dhe dënimi i tërheqjes nga luftërat e padrejta, nuk është as konfesional (rrëfyes) dhe as kalvinist.

Sigurisht, tërheqja jonë nga këto luftëra mund të jetë e kushtueshme dhe ka shumë gjasa që të sjellë edhe trazime të mëtejshme ndaj të tjerëve. Ajo ndoshta mund të çojë në agresion kundër kurdëve nga turqit, ose kundër disa qytetarëve afganë nga talebanët. Prandaj, tërheqja e trupave duhet të bëhet në mënyrë të përgjegjshme dhe duhet të përdoren të gjitha përpjekjet diplomatike për të siguruar që Turqia të mos veprojë me agresion kundër kurdëve dhe që talebanët të mos hakmerren ndaj qytetarëve pro-amerikanë të Afganistanit. Megjithatë, një agresion i tillë, nëse do të ndodhte, është fryti i pemës së helmuar të agresionit fillestar të padrejtë nga ata që janë të varur pas ndryshimit të regjimeve. Tërheqja e përgjegjshme është e vetmja mundësi e drejtë.

Ndoshta tërheqja e trupave nga Siria dhe Afganistani, si edhe dorëheqja e Sekretarit Mattis, është një shenjë se epoka e luftërave të padrejta dhe të panevojshme po i vjen fundi. Mund të shpresojmë dhe të lutemi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes