J. R. Miller (1840–1912)
Pastor Presbiterian i Reformuar dhe një nga autorët më të lexuar të shkrimeve devocionale të krishtera në fund të shek. të 19-të dhe fillim të shek. të 20-të. Ai është i njohur për shkrimet e tij të ngrohta dhe baritore, të cilat përqendrohen në jetën praktike të krishterë, rritjen shpirtërore dhe jetën familjare.
Një nga detyrat më të vështira të jetës së krishterë është të durojmë padrejtësitë me durim dhe ëmbëlsi. Megjithatë, shumë njerëz duhet ta mësojnë këtë mësim. Nuk ka njeri që të mos ketë vuajtur ndonjëherë padrejtësisht. Forca duhet të jetë e butë, por ka burra të fortë që e përdorin forcën e tyre brutalisht. Ka njerëz që kanë pushtet dhe e ushtrojnë atë në mënyrë tiranike. Drejtësia nuk është një cilësi e përhapur ndër njerëzit. Ka shumë që gjykohen gabimisht ose keqkuptohen. Ka nga ata që për mirësinë e tyre marrin si shpërblim ligësi. Ka nga ata që për sakrificën dhe dashurinë e tyre marrin mosmirënjohje dhe shpërfillje. Ka burra të mirë që vuajnë për shkak të mirësisë së tyre.
Shumë nga mësimet e Mësuesit tonë kanë të bëjnë me këtë përvojë. Një nga Lumturitë flet për lumturinë e zemërbutëve, atyre që durojnë padrejtësitë me durim pa u ankuar. Një tjetër flet për lumturinë e atyre që përndiqen për hir të drejtësisë. Në një mësim tjetër, Mësuesi na porosit që të kthejmë faqen tjetër ndaj atij që na godet, të duam armiqtë tanë dhe të lutemi për ata që na përndjekin. Mësimi i faljes së fyerjeve dhe padrejtësive që na bëhen, përsëritet herë pas here, dhe për t’i dhënë edhe më shumë rëndësi, lidhet me faljen Hyjnore që Perëndia na jep neve, në mënyrë që të mos mund t’i kërkojmë Perëndisë të na falë, pa u zotuar vetë të falim ata që mëkatojnë kundër nesh.
Të gjitha mësimet e Zotit tonë, Ai vetë i jetoi, duke i ilustruar ato në vetë bindjen e Tij. Ne themi se duam të jemi si Krishti, të jetojmë siç jetoi Ai. Kur ne fillojmë të mendojmë se çfarë do të thotë kjo, do të kuptojmë se një pjesë e madhe e jetës së Krishtit ishte të duronte padrejtësinë. Ai nuk ishte kurrë i mirëpritur në këtë botë. “Ai erdhi te të vetët, dhe të vetët nuk e pranuan.” Ai ishte dashuria e Perëndisë e mishëruar, që erdhi ndër njerëz me mëshirë dhe dhurata qiellore, vetëm për të marrë mbrapsht refuzim dhe që dera t’i mbyllet në fytyrë. Armiqësia u thellua me kalimin e ditëve, derisa në fund u gozhdua në kryq! Prapësëprapë, ne e dimë që Mësuesi ynë i duroi të gjitha këto padrejtësi dhe lëndime. Gjatë gjyqit të Tij, megjithëse i’u bënë akuza të rreme, Ai heshti, pa dhënë asnjë përgjigje ndaj tyre. Në kryq, në mes të agonisë, Ai nuk lëshoi mallkime ndaj armiqve të Tij, as britma dhimbjeje, por një lutje dashurie: “Atë, fali, sepse nuk dinë çfarë bëjnë.”
Nuk pati asnjë çast në gjithë jetën e Zotit tonë ku të kishte edhe më të voglin hidhërim në zemrën e Tij. Asnjë ndjenjë hakmarrjeje nuk zuri kurrë vend në zemrën e Tij. Përgjigjja e Tij ndaj gjithë ligësisë, armiqësisë, komplotimeve, mohimeve, tradhtisë, dhe gjithë mizorisë, akuzave brutale dhe padrejtësive të tmerrshme që i’u bënë, ishte DASHURIA. Kështu duhet të jetë edhe qëndrimi ynë: të durojmë me dashuri çdo gjë të padrejtë, të ligë e të keqe që na bëhet nga të tjerët. Ne duhet të kemi dashuri në zemrat tona përmes të gjitha këtyre.
Një udhëtues veror tregon për një burim uji të ëmbël si asnjë tjetër burim që rridhte nga kodrat me diell. Ai e gjeti atë pranë detit kur vala ishte tërhequr. Më pas deti u ngrit, dhe e mbuloi burimin e vogël me ujërat e tij të kripura, duke e fshehur nga sytë dhe duke e mbështjellë në një mbulesë ujërash të hidhura. Por kur vala u tërhoq përsëri, burimi vazhdonte të rridhte ujin e tij të ëmbël, pa asnjë shije kripësie të detit. Një burim i tillë duhet të jetë edhe dashuria në zemrën tona. Megjithëse mbi ne mund të derdhen valë ligësie dhe padrejtësie, sado mizorisht të na trajtojë bota, dhe sado padrejtësi apo keqdashje mund të na duhet të durojmë prej të tjerëve, burimi i dashurisë në gjoksin tonë nuk duhet të mbajë asnjë shenjë hidhërimi, por duhet të jetë gjithmonë i ëmbël.
Bota nuk mund të na bëjë keq nëse jetojmë kështu. Gjërat që na lëndojnë dhe plagosin jetën tonë janë hidhërimi, mosfalja, ndjenjat e ashpra dhe dëshira për hakmarrje. Njerëzit mund të na rrahin derisa të na thyhen kockat, por nëse dashuria nuk shuhet nga zemra jonë gjatë gjithë kësaj kohe, atëherë kemi kaluar përmes vuajtjes pa u dëmtuar, pa asnjë shenjë plagësh mbi ne. Një shkrues duke folur për një mike të tij që u lëndua rëndë në një aksident, thotë se ajo grua do t’i mbetet shenjë plage për të gjithë jetën, por më pas flet për durimin e mrekullueshëm në vuajtjen e saj dhe për paqen e Perëndisë që nuk u largua për asnjë çast nga zemra e saj. Bota mund të lëndojë trupat tanë, por nëse vuajmë siç vuajti Krishti, nuk do të ketë asnjë shenjë plagësh në jetën tonë të brendshme.
Ne mund të mësojmë nga Mësuesi ynë se si të durojmë padrejtësitë në një mënyrë që të mos lëndohemi prej tyre. “Kur vuante, nuk kërcënonte, por ia dorëzoi atij që gjykon drejtësisht.” Ai nuk mori në duart e veta hakmarrjen për padrejtësitë. Ai kishte fuqi dhe mund të kishte thërritur legjione engjëjsh për të luftuar për Të, por Ai nuk ngriti as edhe gishtin për t’u mbrojtur. Kur Pilati i foli për pushtetin që kishte për ta kryqëzuar ose për ta liruar, Jezusi tha: “Nuk do të kishe asnjë pushtet kundër Meje, nëse nuk do të të ishte dhënë nga lart.” Perëndia mund të ndërtojë një mur graniti rreth nesh, nëse Ai dëshiron, që asnjë armik të mos na prekë. Ai mund të na mbrojë që asnjë fuqi në tokë të mos na bëjë dëm. Ai mund të na çlirojë nga çdo armik. Kështu që, kur vuajmë padrejtësi nga të tjerët, ne duhet të kujtojmë se Perëndia mund ta kishte penguar. Ai mund të mos e lejonte dorën të na prekte. Ai mund të kishte urdhëruar që asnjë dëm të mos na ndodhte.
Kjo padrejtësi që po vuan, çfarëdo që të jetë, vjen nga Perëndia. Diçka që Ai e lejon të të ndodhë. Nuk është një aksident, nuk është një rastësi, as diçka jashtë kontrollit hyjnor. Në natyrë, asnjë pikë uji te valët më të egra të detit nuk largohet kurrë nga freri i sundimit të Perëndisë. Perëndia mbretëron kudo, në gjërat e vogla dhe në të mëdha.
E njëjta gjë është e vërtetë për ngjarjet, për veprimet e njerëzve, ashtu si edhe për materien. Dora e Perëndisë është në gjithçka. Dikush mund të të shtypë, të të trajtojë padrejtësisht. Perëndia e lejon këtë, dhe kjo do të thotë se nga ajo vuajtje do të dalë një e mirë, një bekim. Mund të jetë një e mirë për ty vetë. Ajo që të cilën je thirrur për të duruar mund të jetë për të të bërë më të mirë, më të shenjtë, më të pasur në karakter, më të butë në shpirt, më të durueshëm. Është e mirë të mendojmë për këtë kur dikush na ka bërë keq. Ne mund t’ia lëmë Perëndisë çështjen e së keqes që na është bërë, sepse ajo është kundër Tij shumë më tepër sesa kundër nesh, dhe Ai do të gjykojë drejt. Shqetësimi ynë i vetëm duhet të jetë që të marrim mësimin ose të mirën që ajo përvojë sjell për ne.
Ose, vuajtja që duhet të durojmë, mund të jetë për hir të të tjerëve. Perëndia lejoi krimin e tmerrshëm kundër Birit të Tij për të mirën e botës. Shpengimi i njerëzve doli prej saj. Kur Ai na lejon të vuajmë për hir të drejtësisë, ne në një masë të vogël ndajmë në vuajtjet e Krishtit, dhe nga to do të vijë një e mirë për botën. Pali flet për “t’u kryqëzuar me Krishtin”. Kur dikush na ka trajtuar keq dhe padrejtësisht, është një ngushëllim të mendojmë se, të paktën, në një mënyrë të vogël, ne po kryqëzohemi bashkë me Krishtin dhe se nga kjo vuajtje e jona një bekim dhe pasurim do të vijë për botën.
Ne e kemi frikë vuajtjen në çdo formë. Ne na duket diçka e keqe që sjell vetëm dëm. Megjithatë, e vërteta është se shumë nga bekimet më të mira dhe më të shenjta të Perëndisë vijnë tek ne nën petkun e dhimbjes. Veçanërisht, ne kemi frikë vuajtjen që na sjell ligësia ose mizoria e njerëzve. Ne nuk e duam atë. Por asnjë përvojë tjetër nuk na sjell kaq ngushtë në bashkësi me Krishtin, sepse gjithçka që Ai vuajti ishte e padrejtë, dhe nga ato vuajtje të patreguara kanë ardhur të gjitha shpresat, gëzimet dhe bekimet e jetës sonë.
Kur do të ndërtohej një ndërtesë madhështore, një artist u lut që të lejohej të bënte një nga dyert. Nëse kjo nuk mund t’i lehjohej, ai kërkoi të paktën që t’i jepej një panel i vogël i njërës derë. Nëse edhe kjo i mohohej, ai lutej të paktën t’i jepej nderi të mbante penelat e artistit që do të bënte veprën. Nëse një pjesë kaq e vogël në një vepër tokësore vlerësohet një nder i madh, sa më i lartë është nderi për të marrë edhe pjesën më të vogël me Krishtin në veprën e madhe për shpengimin e njerëzve! Çdo njeri që duron cdo padrejtësi me durim e ëmbëlsi, me dashuri dhe besim, është duke punuar bashkë me Krishtin për shpëtimin e botës.












