Çfarë Nuk Shkon me “Lutjen e Shpëtimit”?

Lutjen e Shpetimit

Çfarë Nuk Shkon me “Lutjen e Shpëtimit”?

“Dhe tagrambledhësi rrinte nga larg dhe as që guxonte që t’i conte sytë drejt qiellit, por rrihte kraharorin e vet duke thënë: O Perëndi, ji i mëshirshëm ndaj meje mëkatarit.” – Luka 18:13

Nuk ka asgjë të gabuar me Lutjen E MËSIPËRME. Askush nuk i tha atij njeriu që ta thoshte atë. Askush nuk i tha atij se duke e thënë atë, ai do të merrte shpëtim apo diçka nga Perëndia. Me sa duket, Perëndia tashmë e kishte përulur atë njeri dhe i kishte treguar gjendjen e tij mëkatare dhe nevojën për mëshirën e Perëndisë.

Por çfarë të themi për “lutjen e shpëtimit” tipike që shumë shpirtra të humbur nxiten që ta thonë në mënyrë që të shpëtohen? Merrni për shembull këtë lutje që mund të gjendet në faqen e fundit të miliona traktateve që shpërndahen nga një shërbesë e caktuar traktatesh:

I dashur Perëndi, unë jam mëkatar dhe kam nevojë për falje. Unë besoj se Jezu Krishti derdhi gjakun e tij të çmuar dhe vdiq për mëkatin tim. Jam i gatshëm të largohem nga mëkati. Tani e ftoj Krishtin të hyjë në zemrën dhe jetën time si Shpëtimtari im personal.

 

Personit që e thotë këtë lutje i thuhet se nëse e bëri atë dhe e kishte seriozisht, atëherë ai është i shpëtuar. Por a funksionon vërtet shpëtimi në këtë mënyrë?

“Njeriu shikon pamjen, kurse ZOTI shikon zemrën.” (1 Samuelit 16:7)

Si mundet që ndonjë qenie njerëzore të bëjë ndonjë deklaratë të prerë për gjendjen e shpirtit të një personi? Çdokush mund të përsërisë çfarëdo fjalësh që dëshiron, pa pasur asnjë ndryshim të përhershëm në zemrën e tij. Shpëtimi kërkon një veprim të Perëndisë:

“Do t’ju jap një zemër të re dhe do të shtie brenda jush një frymë të re; do të heq nga mishi juaj zemrën prej guri dhe do t’ju jap zemër prej mishi.” (Ezekieli 36:26)

Perëndia Fryma e Shenjtë duhet ta bindë një person për mëkatin e tij dhe për nevojën e shpëtimit — NGA FERRI — nga ndëshkimi i përjetshëm që ai meriton për mëkatet e tij, dhe jo për qëllime prosperiteti apo përfitimi personal. Gjithashtu, ti mund të “besosh” çfarë të duash për Jezusin, por kjo nuk të bën të shpëtuar:

“Ti beson se ka vetëm një Perëndi; Mirë bën; edhe demonët besojnë dhe dridhen.” (Jakobi 2:19)

Ajo që ti beson për Jezusin është sigurisht një tregues nëse je apo jo i shpëtuar, por nuk është ajo që të bën të shpëtuar.

Një qen mund të lehë shumë, por lehja nuk e bën atë qen. Perëndia e bëri atë qen. Po kështu, nëse një person shkon përreth duke thënë se beson se është Napoleon Bonaparti, kjo nuk e bën atë Napoleoni; kjo thjesht tregon se ai mendon se është Napoleoni. Thelbi është ky: ne nuk e marrim shpëtimin duke bërë ndonjë gjë, përfshirë edhe duke thënë ndonjë gjë. Nuk ekziston asnjë formulë magjike apo lutje që një person mund ta recitojë për t’u shpëtuar. Ne të gjithë jemi plotësisht në mëshirën e Perëndisë dhe të humbur e të dënuar, derisa dhe nëse Ai vendos, thjesht sipas kënaqësisë së vullnetit të Tij, që të na shpëtojë.

“Sikurse na zgjodhi në të përpara themelimit të botës, që të jemi të shenjtë dhe të patëmetë përpara tij në dashuri; duke na paracaktuar për birësim për veten e tij me anë të Jezu Krishtit, sipas pëlqimit të vullnetit të vet.” (Efesianëve 1:4-5)

Pastaj përgjegjësia bie mbi Perëndinë që të dërgojë një predikues (ose disa predikues) të Ungjillit te mëkatari që Ai do të shpëtojë.

“Sepse kushdo, që do ta thërrasë emrin e Zotit, do të shpëtohet. Si do ta thërrasin, pra, atë, të cilit nuk i besuan? Dhe si do të besojnë tek ai për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të dëgjojnë, pa predikues? Dhe si do të predikojnë, pa qënë dërguar?” (Romakëve 10:13-15)

A vure re diçka në këtë pasazh nga Romakëve kapitulli 10? Aty thuhet se duhet të besosh në Zotin përpara se të thërrasësh Zotin. Dhe vetëm Perëndia mund t’u japë sy të verbërve për të parë, veshë të shurdhërve për të dëgjuar dhe jobesimtarëve për të besuar.

“Shpëtimi i përket Zotit.” (Jona 2:9)

Së fundi, ne dëshirojmë të theksojmë se në lutjen e shpëtimit, mëkatarit i thuhet të “ftojë” Krishtin në zemrën e tij. Megjithatë, Jezu Krishti nuk është në mëshirën e mëkatarit duke pritur të ftohet brenda. Përkundrazi, mëkatari është në mëshirën e Krishtit.

“Jo me anë të veprave të drejta, që ne bëmë, por sipas mëshirës së tij, me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes së Frymës së Shenjtë.” (Titi 3:5)

 

Burimi: https://comingintheclouds.org/christian-resources/evangelism/sinners-prayer/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes