Triumfi Përmes Sprovave
Përkthyer nga The Standart Bearer
Duket shumë e bukur për të qenë e vërtetë: Triumf përmes sprovave.
Madje tingëllon edhe si kontradiktore.
Sprovat: kjo fjalë është e mbushur me peshë të rëndë:
—dhimbje, “O Perëndi, si mund ta duroj këtë? A nuk mund të bëjë dikush diçka për këtë?”
—mjerim, “Më lër të vdes; nuk mund të vazhdoj më.”
—frikë, “A është kancer? Sa kohë më ka mbetur, doktor? A do të kem shumë dhimbje?”
—trishtim, “Ai iku, oh, çfarë pikëllimi i hidhur!”
—vetmi, “Shtëpia kumbon nga heshtja. E dëgjoj zërin e saj, megjithatë ajo është larguar.”
—faj, “Unë e meritoj këtë; Perëndia po më ndëshkon.”
—hidhërim, “Pse, o Perëndi, pse, pse, pse?”
—shqetësim, “Si do t’ia dal ndonjëherë?”
—dyshim, “Nuk e di; thjesht nuk kam forcën e besimit. Si mund të jem fëmijë i Perëndisë nëse ndihem kështu?”
Kjo listë nuk është e plotë. Ju mund të shtoni edhe të tjera. Rruga e jetës është e mbushur me shumë sprova që mund të lindin në çdo çast. Apostulli i frymëzuar Pjetër na siguron për këtë: “duhet të trishtoheni në tundime (sprova) të ndryshme” (1 Pjetrit 1:6). Ti, lexues i dashur, i ke përjetuar këto sprova në shumë kohë dhe në shumë vende: në shtratin e sëmundjes në shtëpi, në dhomën sterile të spitalit, në sallën e ftohtë të mortit, në punë, pranë tryezës së kuzhinës, madje edhe gjatë netëve pa gjumë.
Njeriu nuk i shpëton lehtë sprovave. E megjithatë ne flasim për triumf. Kjo fjalë kumbon me fitore:
—gëzim, “Zoti ka qenë i mirë me ne; lëvduar qoftë emri i Tij i shenjtë.”
—paqe, “Gjithçka është në rregull; ne e dimë se Perëndia kujdeset.”
—siguri, “Unë jam një mëkatar, i shpëtuar me anë të hirit.”
—besim i patundur, “Ne nuk mbështetemi te njerëzit, por te Zoti.”
—qëllim, “Perëndia do të bëjë që të gjitha gjërat të punojnë për të mirën tonë, që ne t’i shërbejmë më mirë Atij.”
Këto dyja mund të tingëllojnë si kontradiktore, por nuk janë. Sprovat janë reale, por besimi na mundëson të triumfojmë mbi to. Nuk është se besimi sjell fitoren pavarësisht sprovës, sikur të jenë dy forca kundërshtare dhe besimi fiton mbi të. Jo, besimi na jep fitoren përmes sprovës. Domethënë, sprova bëhet shkak për fitore.
Pasazhi nga 1 Pjetrit 1:3–9 na ndihmon që ta kuptojmë këtë.
Arsyetimi i Frymës së Shenjtë është si vijon:
Së pari, ne jemi rilindur nga Perëndia për një trashëgimi: qiellin. “Qoftë bekuar Perëndia, Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, i cili sipas mëshirës së tij të madhe na rilindi për një shpresë të gjallë me anë të ngjalljes së Jezu Krishtit prej së vdekurish, për një trashëgim të paprishshëm, të panjollë dhe të pafishkur, që është ruajtur në qiejt për ju” (vargjet 3 dhe 4).
Së dyti, ne ruhemi nga fuqia e Perëndisë për ta arritur këtë trashëgimi: “që nga fuqia e Perëndisë me anë të besimit jeni të ruajtur, për shpëtimin që është gati për t’u zbuluar në kohën e fundit” (vargu 5).
Së treti, sprova nuk do të zgjasë përgjithmonë; ajo është për një kohë të shkurtër: “për pak kohë… duhet të trishtoheni në tundime të ndryshme” (vargu 6).
Së katërti, kjo periudhë e tanishme sprovash është e domosdoshme. Ajo nuk vjen rastësisht: “tani, në qoftë se duhet, për pak kohë… duhet të trishtoheni në tundime të ndryshme” (vargu 6).
Së pesti, kjo domosdoshmëri shihet në faktin se sprovat kontribuojnë që ne të ruhemi në fuqinë e Perëndisë për shpëtim. Perëndia i përdor këto sprova për të na forcuar: “që sprova e besimit tuaj, që është shumë më i çmuar nga ari që prishet, edhe pse sprovohet me zjarr, të dalë për lëvdim, nder e lavdi në zbulesën e Jezu Krishtit” (vargu 7).
Së fundi, përmes këtyre sprovave ne marrim fundin e shpëtimit tonë: “shpëtimin e shpirtrave” (vargu 9).
Të pajisur me këto njohuri shpirtërore, ne jemi në gjendje të triumfojmë mbi sprovat e jetës. Ne themi me apostullin Pjetër: “I bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht.” Ne gjithashtu “gëzohemi shumë”, edhe pse tani për një kohë jemi të pikëlluar nga tundime të ndryshme. Ky gëzim është në Zotin Jezus: “Të cilin, megjithëse ju nuk e keni parë, e doni, duke besuar në të, megjithëse tani nuk e shihni, dhe ngazëllehuni me hare të patregueshme dhe të lavdishme.”
Pesha e sprovës mposhtet nga triumfi i besimit.
Ndërsa ne shqyrtojmë bazën biblike për këtë triumf, le t’i flasë Zoti secilit prej nesh, që ky triumf të jetë i yni—qoftë kur po i përjetojmë këto sprova tani, qoftë kur duhet të jemi të përgatitur t’i përballojmë, kur Zoti e sheh të nevojshme t’i sjellë mbi ne.
“Mishi im dhe zemra ime mund të ligështohen,
Por Perëndia është kështjella e zemrës sime,
dhe pjesa ime në përjetësi.”
Psalmi 73