Autoriteti i Babait dhe Zgjedhja e Bashkëshortit
Autoriteti prindëror, martesa e krishterë dhe kufijtë e autoritetit të babait
Çfarë duhet të bëjë një vajzë e krishterë kur ajo dëshiron të martohet me një djalë të krishterë por babai i saj është kundër?
Fjala e Perëndisë, Bibla, flet për prindërit si autoriteti që është vendosur nga Perëndia mbi fëmijët e tyre. Bijtë urdhërohen që të nderojnë etërit dhe nënat e tyre. Por nga ana tjetër, gjithashtu Shkrimi i shenjtë nuk mëson se preferenca personale e babait është e njëjtë me vullnetin e Perëndisë, as që autoriteti prindëror i jep babait një të drejtë të pakufizuar mbi martesën e një vajze të rritur.
Tradita historike protestante dhe e reformuar i mban të dy këto parime: një fëmijë u detyrohet prindërve nderim dhe bindje serioze, por vetë autoriteti prindëror mbetet nën autoritetin e Fjalës së Perëndisë dhe duhet të ushtrohet me drejtësi.
Mbajtja e këtyre të vërtetave bëhet tepër domethënëse në rastin kur një baba kundërshton martesën pa një arsye të mjaftueshme. Që të jepet një përgjigje e duhur për këtë cështje dhe që prindërit, vajzat dhe djemtë e rinj të kuptojnë vullnetin e Perëndisë dhe të marrin vendimin e duhur duhet të kihen parasysh këto të vërteta të renditura më poshtë:
1. Martesa krijon një familje të re
Themeli i saj gjendet në Bibël, te libri i Zanafillës:
Për këtë arsye burri do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij, dhe do të jenë një mish i vetëm.
Zanafilla 2:24
Krishti e përsërit këtë te Mateu 19:5–6.
Martesa nuk e shfuqizon urdhërimin e pestë që thotë “ndero atin dhe nënën tënde”. Një burrë dhe një grua të martuar duhet të vazhdojnë t’i nderojnë prindërit e tyre. Por martesa krijon një familje të re dhe një lidhje të veçantë besëlidhëse midis burrit dhe gruas.
2. Pëlqimi i Rebekës ka rëndësi
Zanafilla 24 na jep një nga shembujt më të qartë të Shkrimit të Shenjtë.
Shërbëtori i Abrahamit kishte ardhur te familja e Rebekës për të kërkuar një grua për Isakun. Të afërmit e saj u përfshinë në çështje dhe familja kishte autoritet dhe ndikim. Megjithatë, kur erdhi koha që ajo të largohej, ata e pyetën: «A do të shkosh me këtë njeri?» Rebeka u përgjigj: «Po, do të shkoj.» (Zanafilla 24:58)
Reformatori Protestant Francez Zhan Kalvin (1509–1564) vëren se Bethueli nuk e detyroi në mënyrë tiranike Rebekën, por ia la asaj zgjedhjen e lirë. Ai shkruan:
Me të vërtetë, në këtë çështje, autoriteti i prindërve duhet të jetë i shenjtë; por duhet ndjekur një rrugë e mesme, në mënyrë që palët e përfshira ta lidhin martesën me vullnetin e tyre dhe me pëlqim të ndërsjellë.[1]
Kalvini këtu mban dy të vërteta që nuk duhen ndarë:
Autoriteti i prindërve është i shenjtë. Por martesa kërkon pëlqimin e vullnetshëm të vetë palëve.
Nga ky shembull, Fjala e Perëndisë nuk na paraqet as individualizëm modern dhe as tirani atërore.
Familja e Rebekës kishte një rol në këtë proces, por edhe vetë Rebeka dha pëlqimin e saj.
3. Deklarata e Rrëfimit të Uestminsterit
Rrëfimi i Besimit i Uestminsterit, një nga standardet kryesore të kishave të reformuara, i formuluar ne vitet 1643–1653 thotë:
Është e ligjshme që të gjitha llojet e njerëzve të martohen, që janë në gjendje me gjykim të shëndoshë që të japin pëlqimin e tyre.[2]
I njëjti paragraf shton menjëherë:
Megjithatë, është detyrë e të krishterëve të martohen vetëm në Zotin.[2]
Këtu shpalosen dy parime themelore. Së pari, martesa kërkon pëlqimin e vetë personave që martohen. Së dyti, liria e krishterë nuk është e pakufizuar. Një i krishterë duhet të martohet vetëm «në Zotin».
Pra, pyetjet e para që një vajzë duhet të bëjë duhet të jenë: “A është kjo martesë e drejtë? A është ky djalë i krishterë? A është ai i përshtatshëm për detyrat e një burri? A ka ai dëshmi për një karakter të perëndishëm?
4. Autoriteti i babait
Një vajzë nuk duhet ta shpërfillë babanë e saj. Urdhërimi i pestë në Bibël thotë:
Ndero atin tënd dhe nënën tënde.
Eksodi 20:12
Besimi historik protestant i reformuar e ka marrë shumë seriozisht këtë urdhërim.
Teologu dhe pastori puritan anglez William Gouge (1575–1653), në veprën e tij ” Mbi Detyrat Familjare (Of Domestical Duties)”, argumenton gjerësisht se fëmijët duhet të marrin pëlqimin e prindërve për martesë. Ai shkruan:
Se fëmijët duhet të kenë pëlqimin e prindërve të tyre për martesën e tyre është, pa asnjë dyshim, e qartë.[3]
Gouge e konsideronte pëlqimin prindëror një detyrë serioze të krishterë, veçanërisht për sa kohë fëmijët mbeteshin nën qeverisjen prindërore. Prandaj, një vajzë e krishterë nuk duhet të shprehet: «Unë jam e rritur dhe babi nuk ke asgjë për të thënë për këtë.»
Në rast se babai i saj është kundër, ajo nuk duhet ta shpërfillë, por të mendojë thellë: Pse babi e kundërshton këtë martesë?
5. Kundërshtim prindëror mund të jetë i drejtë ose jo i drejtë
Kundërshtimi i një babai mund të bazohet në gjëra shumë të ndryshme. Kur një baba thotë: «Jam kundër kësaj martese sepse ky burrë është jobesimtar», «Jam kundër sepse ai ka një histori imoraliteti seksuale.» «Jam kundër sepse ai është i pandershëm, i dhunshëm, i varur nga një ves, i papërgjegjshëm ose i rrezikshëm shpirtërisht.» Këto janë gjëra që një vajzë e krishterë duhet t’i shqyrtojë me shumë seriozitet dhe t’i bindet autoritetit të babait që është vendosur nga Perëndia për të qënë mbrojtësi i saj.
Por nëse kundërshtimi i tij është: «Ai nuk është i pasur.», «Familja e tij nuk ka prestigjin që dua.», «Ai nuk është nga prejardhja që dua», «Ai nuk më pëlqen», «Do të martohesh me atë që zgjedh unë, sepse unë jam babai yt.» Atëherë situata është ndryshe. Autoriteti prindëror nuk e shndërron preferencën e tij personale në ligjin e Perëndisë.
6. William Perkins: kundërshtimi prindëror duhet të ketë arsye të drejta
Teologu dhe predikuesi puritan anglez William Perkins (1558–1602) mbronte fuqishëm autoritetin prindëror në martesë. Megjithatë, ai bën dallim midis gjykimit të shëndoshë të prindit dhe një refuzimi arbitrar.
Ai shkruan se prindërit duhet të japin ose të refuzojnë pëlqimin në bazë të:
shqyrtimit të mirë dhe të mençur
dhe:
gjykimit të vërtetë dhe të shëndoshë.[4]
Ai jep si shembull një baba që refuzon martesën e vajzës së tij me një burrë sepse burri i ardhshëm është arianist, pelagianist ose heretik tjetër. Në një rast të tillë, babai ka një arsye të ligjshme.
Por Perkins trajton edhe situatën e kundërt:
kur prindërit nuk pajtohen dhe nuk mund të japin ndonjë arsye të mundshme për këtë; martesa e kryer pa pëlqimin e tyre duhet të konfirmohet dhe të ratifikohet nga autoriteti i Magjistratit.[4]
7. Turretini e bën dallimin edhe më të qartë
Teologu Reformator Zvicerian Francis Turretin (1623–1687) e trajton drejtpërdrejt këtë çështje nën urdhërimin e pestë.
Pyetja e tij është:
A mund të çlirohen fëmijët nga pushteti i prindërve të tyre dhe të martohen pa pëlqimin e tyre?
Turretin bën dallim midis të miturve që mbeten nën autoritetin prindëror dhe atyre që kanë arritur moshën madhore dhe nuk janë më nën pushtetin prindëror.[5]
Pastaj ai trajton veçanërisht rastin kur prindërit refuzojnë një martesë të përshtatshme nga kokëfortësia.
Turretin shkruan:
Nuk bëhet fjalë për ndonjë kundërshtim të prindërve koprracë, të cilët, për shkak të kokëfortësisë së tyre, nuk pranojnë martesën e përshtatshme të fëmijëve dhe nuk mund të japin arsye të mjaftueshme për kundërshtimin e tyre…[5]
Pastaj thotë se në një rast të tillë fëmijët nuk janë:
të lidhur absolutisht me vullnetin e tyre
por duhet t’i drejtohen një autoriteti më të lartë, i cili mund të gjykojë nëse refuzimi prindëror është i drejtë apo i padrejtë.[5]
8. Luteri kundërshtoi si tiraninë prindërore, ashtu edhe rebelimin fëmijëror
Reformatori Protestant Gjerman Martin Luteri (1483–1546) e trajtoi drejtpërdrejt këtë çështje në shkrimin e tij të vitit 1524:
«Që prindërit të mos i detyrojnë dhe as t’i pengojnë fëmijët e tyre në martesë, dhe që fëmijët të mos fejohen kundër vullnetit të prindërve.»[6]
Vetë titulli tregon ekuilibrin e Luterit.
Ka dy rreziqe: Prindërit mund të veprojnë gabim. Një baba nuk duhet ta detyrojë në mënyrë tiranike fëmijën e tij në një martesë. Por edhe fëmijët mund të veprojnë gabim. Një fëmijë nuk duhet thjesht të fejohet kundër vullnetit të prindërve.
Kështu, Luteri njeh autoritetin prindëror, por edhe kufijtë e tij. Sipas tij, autoriteti prindëror ka një «qëllim dhe masë» të caktuar dhe nuk shtrihet deri në atë pikë sa t’i shkaktojë dëm fëmijës.[7]
9. William Gouge jep paralajmërimin e nevojshëm kundër martesës së detyruar
Teologu dhe pastori puritan anglez William Gouge (1575–1653) na jep një korrigjim të rëndësishëm ndaj çdo argumenti që mund të shkojë shumë larg në drejtimin e kundërt.
Ai argumenton se prindërit duhet të përfshihen në zgjedhjen e bashkëshortit. Megjithatë, edhe kur prindërit mendojnë se një martesë e caktuar është shumë e mirë, ai thotë shprehimisht:
Edhe nëse kjo martesë mund t’u duket e përshtatshme prindërve, ai nuk mund ta detyrojë fëmijën e tij për të.[8]
Ai i referohet pëlqimit të Rebekës dhe vazhdon duke thënë se prindërit mund të përdorin:
të gjitha mjetet e buta
për t’i bindur fëmijët e tyre, por nuk duhet t’i detyrojnë kundër vullnetit të tyre.
Pse? Sepse burri dhe gruaja duhet të jetojnë së bashku. Gouge i referohet drejtpërdrejt Zanafillës 2:24 dhe argumenton se, meqë lidhja më e afërt njerëzore është ajo midis burrit dhe gruas, ka:
arsye të madhe që në bashkimin e tyre të parë të ketë pëlqim të ndërsjelltë.[8]
10. Gouge pranon gjithashtu neglizhencën dhe kokëfortësinë prindërore
Trajtimi i Gouge bëhet edhe më interesant kur ai shqyrton prindërit që nuk kujdesen për martesën e përshtatshme të fëmijëve të tyre. Ai pyet se çfarë ndodh kur një prind është neglizhent. Fillimisht ai këmbëngul se neglizhenca prindërore nuk është në vetvete arsye që fëmija ta hedhë poshtë autoritetin prindëror. Por pastaj ai lejon fëmijën që t’u drejtohet të afërmve dhe miqve.
Dhe nëse prindi shton:
kokëfortësinë ndaj neglizhencës
dhe refuzon të dëgjojë edhe kërkesën e përulur të fëmijës, edhe ndërhyrjen e miqve, Gouge thotë se çështja mund t’i paraqitet magjistratit.
Ai shkruan se ajo që bën magjistrati në një rast të tillë është:
po aq garanci për fëmijën, sikur ta kishte bërë vetë prindi.[9]
Ai e zbaton të njëjtin parim edhe kur prindi është idhujtar, heretik ose ateist dhe refuzon një martesë të përshtatshme për arsye fetare.[9]
Pra, sipas Gouge, kur arsyet e prindit nuk janë të drejta, një autoritet tjetër i ligjshëm duhet të ndërhyjë.
11. Tradita e Reformuar e Gjenevës na jep një shembull praktik
Kisha e Reformuar në Gjenevë nuk i la këto çështje vetëm në teori. Rregulloret martesore të Gjenevës së Reformuar vendosën rregulla lidhur me pëlqimin prindëror dhe moshën në të cilën fëmijët mund të martoheshin. Sistemi i Gjenevës u jepte prindërve autoritet të konsiderueshëm mbi të miturit, por nuk e shndërroi autoritetin atëror në një veto të pakufizuar në çdo rrethanë.
Rregulloret trajtonin gjithashtu raste që përfshinin:
neglizhencën ose rreptësinë e tepruar të prindërve.[10]
Gjeneva ishte një qytet i reformuar, ku autoriteti familjar merrej shumë seriozisht. E megjithatë, pranohej se një prind mund ta ushtronte autoritetin e tij në mënyrë të tepruar.
12. Babai nuk mund të urdhërojë atë që Perëndia e ndalon
Le të themi se një baba e urdhëron vajzën e tij duke i thënë: «Martohu me një jobesimtar.»
A mund të bindet ajo vetëm sepse ai është babai i saj? Jo. Rrëfimi i Besimit të Westminsterit mëson shprehimisht se të krishterët duhet të martohen:
vetëm në Zotin.[2]
13. Një grua e krishterë nuk duhet të rebelohet
Edhe kur kundërshtimi i babait duket i pajustifikuar, ajo nuk duhet menjëherë të arratiset dhe të martohet pa folur me të. Nuk duhet ta fyejë atë. Nuk duhet të manipulojë të afërmit kundër tij. Nuk duhet ta përdorë djalin që do si mjet presioni.
Përgjigjja e saj duhet të jetë: «Babi, të respektoj dhe dua t’i kuptoj shqetësimet e tua. Të lutem, më thuaj konkretisht pse beson se ky burrë nuk do të ishte një bashkëshort i përshtatshëm për mua.». Ajo duhet të tregojë respekt ndaj tij dhe ti shqyrtojë mirë kundërshtimet e tij.
14. Roli i kishës
Nëse një baba dhe vajza e tij nuk mund ta zgjidhin mosmarrëveshjen, duhet të kërkojnë këshillë nga:
- pastori;
- pleqtë e kishës;
- të krishterë të martuar dhe të pjekur;
- të afërm të besueshëm;
- të krishterë që e njohin personalisht burrin e ardhshëm.
Çështja duhet të shqyrtohet hapur. Cili është kundërshtimi i babait? A janë arsyet biblike? A mbështetet në prova? A është i shëndoshë karakteri i burrit?
Si përfundim, parimet mund të përmblidhen kështu:
1. Vajza duhet ta nderojë babanë e saj.
2. Babai duhet të japë këshillë serioze.
3. Babai duhet ta ushtrojë autoritetin e tij për të mirën e vajzës së tij.
4. Vajza nuk duhet t’i shpërfillë kundërshtimet e ligjshme.
5. Martesa kërkon pëlqimin e vullnetshëm të palëve.
6. Një i krishterë duhet të martohet «në Zotin».
7. Preferenca personale nuk duhet ngatërruar me autoritetin hyjnor.
8. Një refuzim i paarsyeshëm duhet të shqyrtohet.
9. Mosmarrëveshjet serioze duhet të kërkojnë këshillën e të tjerëve dhe ndërhyrjen e autoritetit të ligjshëm.
10. Autoriteti përfundimtar është Perëndia.
Shënime:
[1] Zhan Kalvin, Commentary on Genesis, 24:57. Kalvini shkruan se Bethueli nuk e detyroi në mënyrë tiranike Rebekën, por ia la zgjedhjen e lirë, dhe më pas thotë: «autoriteti i prindërve duhet të jetë i shenjtë: por duhet ndjekur një rrugë e mesme, në mënyrë që palët e përfshira ta lidhin martesën me vullnetin e tyre dhe me pëlqim të ndërsjellë.» Shih John Calvin, Commentary on the First Book of Moses Called Genesis, përkth. John King, në Calvin’s Commentaries, vëll. 2 (Grand Rapids: Baker; ribotim nga botimi i Calvin Translation Society). Pasazhi gjendet te Zanafilla 24:57 dhe është gjithashtu i disponueshëm në tekstin e Calvin Translation Society. (ccel.org)
[2] Westminster Assembly, The Westminster Confession of Faith, 24.3, «Of Marriage and Divorce». Teksti standard thotë: «It is lawful for all sorts of people to marry, who are able with judgment to give their consent. Yet it is the duty of Christians to marry only in the Lord.» Shih tekstin e Rrëfimit të Westminsterit, kap. 24.3. (wts.edu)
[3] William Gouge, Of Domestical Duties (London, 1622), Treatise 5, §16, «Of parents’ consent to the marriage of their children». Gouge thotë: «That children ought to have their parents’ consent to their marriage is without all question evident.» (christianreader.app)
[4] William Perkins, Christian Oeconomie: or, A Short Survey of the Right Manner of Erecting and Ordering a Familie, According to the Scriptures (London, 1609), pjesa mbi martesën dhe çështjen e pëlqimit prindëror. Perkins e dallon gjykimin e shëndoshë prindëror nga refuzimi arbitrar. Ai thotë: «where the parents do dissent, and can yeeld no probable cause thereof; the mariage consummate without their consent, ought to be confirmed and ratified by the authoritie of the Magistrate.» (apuritansmind.com)
[5] Francis Turretin, Institutes of Elenctic Theology, përkth. George Musgrave Giger, red. James T. Dennison Jr. (Phillipsburg, NJ: P&R Publishing), vëll. 2, Topic XI, Question 16, §15, f. 108. Pyetja e Turretinit është: «May children withdraw themselves from the power of their parents and marry without their consent?» Në §15 ai i dallon fëmijët e rritur nga të miturit dhe flet për prindërit që «through sheer obstinacy» refuzojnë një martesë të përshtatshme pa arsye të mjaftueshme. Ai thotë se fëmijët nuk janë «not absolutely bound to their will», por duhet t’i drejtohen një autoriteti më të lartë për të gjykuar drejtësinë e refuzimit. (reformedbooksonline.com)
[6] Martin Luther, Das Eltern die Kinder zur Ehe nicht zwingen noch hyndern / Vnd dye kyn=der on der eltern wyllen sich nicht verloben sollen (1524). Vetë titulli trajton si detyrimin ose pengimin prindëror, ashtu edhe fejesën e fëmijëve kundër vullnetit të prindërve. (digi.ub.uni-heidelberg.de)
[7] Luther, Das Eltern die Kinder zur Ehe nicht zwingen noch hyndern, 1524, Luteri argumenton se autoriteti prindëror ka një «Ziel und Maß» («qëllim dhe masë») të caktuar dhe dënon babanë që e detyron fëmijën në martesë kur fëmija nuk jep pëlqimin. (digi.ub.uni-heidelberg.de)
[8] William Gouge, Of Domestical Duties, Treatise 6, §54, «Of parents’ care in providing fit marriages for their children». Gouge shkruan: «Though the match may seem meet in the parents’ eye, yet he may not force his child thereto», dhe i referohet pëlqimit të Rebekës. Ai thotë se prindërit mund të përdorin «all manner of fair means», por nuk duhet ta detyrojnë fëmijën kundër vullnetit të tij ose të saj. (christianreader.app)
[9] Gouge, Of Domestical Duties, Treatise 5, §18, «Of parents’ negligence in providing a fit match». Gouge trajton rastin kur një prind është neglizhent dhe pastaj bëhet kokëfortë, duke refuzuar kërkesën e fëmijës dhe ndërhyrjen e miqve. Ai thotë se në një rast të tillë çështja mund t’i paraqitet magjistratit dhe se ajo që bën magjistrati është «as good a warrant to the child as if the parent had done it». Ai e zbaton këtë parim edhe ndaj prindërve idhujtarë, heretikë ose ateistë që refuzojnë një martesë të përshtatshme për arsye fetare. (christianreader.app)
[10] Legjislacioni martesor i Gjenevës së Reformuar, shekulli XVI. Sistemi i reformuar i Gjenevës rregullonte pëlqimin prindëror dhe martesën, duke përfshirë rrethana në të cilat «negligence or excessive strictness» («neglizhenca ose rreptësia e tepruar») prindërore nuk mund të funksiononte si një pengesë e pakufizuar.
[11] Thomas Watson, A Body of Divinity (London, 1692), trajtimi i Urdhërimit të Pestë. Në botimin e Banner of Truth, A Body of Divinity (Edinburgh: Banner of Truth Trust, 1983), f. 293, Watson trajton detyrimin e fëmijëve për t’i dëgjuar këshillat prindërore në martesë dhe thotë se nëse prindërit e këshillojnë një fëmijë të martohet me «one that is impious or Popish», fëmija mund të ketë «a negative voice» dhe nuk ka nevojë ta ndjekë këtë këshillë, sepse të krishterët duhet të «marry in the Lord». (purelypresbyterian.com)
[12] Gouge, Of Domestical Duties, Treatise 5, §§19–20. Gouge dënon shprehimisht fëmijët që martohen fshehurazi ose në mënyrë rebele pa pëlqimin prindëror dhe i mbështet argumentet e tij te urdhërimi i pestë dhe natyra e autoritetit prindëror. (christianreader.app)