Një Rikthim te Veshja Modeste
Nga Jeff Pollard
“Sepse u bletë me një çmim; Përlëvdoni Perëndinë, pra, me trupin tuaj dhe në frymën tuaj, që i përkasin Perëndisë.”
[1 Korintasve 6:20]
Praktika e Reformuar – Modestia dhe Veshja
Vicent Alsop vuri re: “Se brezi i tanishëm është i dehur në mënyrë të vajtueshme nga risitë, dhe po aq në mënyrë të trishtueshme, është degjeneruar nga serioziteti i kohëve të mëparshme; kjo as nuk mund të mohohet, as të fshihet, as të mbrohet dhe as, kam frikë, të reformohet… madje edhe ‘bijat e Sionit’ janë prekur nga kjo sëmundje epidemike.” Po kështu, një epidemi e jomodestisë po infekton kishat tona sot. Parimet, sipas të cilave shumica e rrobave të banjës dështojnë në testin e modestisë, duhet të zbatohen për çdo gjë që veshim. Ne duhet të kuptojmë se disa “mbulesa” nuk mbulojnë vërtet: veshjet e ngushta nxjerrin në pah “trupin poshtë tyre” në të njëjtën mënyrë sic bëjnë rrobat e banjës. Ndonëse neve nuk duhet të na vijë turp nga vetë trupi, sikur ai të ishte diçka e keqe, ne duhet ta mbulojmë atë siç duhet për të ruajtur dëlirësinë e mendjes dhe të frymës, veçanërisht në adhurimin e përbashkët të Perëndisë tonë të shenjtë.
Mbi të gjitha, ne burrat duhet të mësojmë se si të qeverisim zemrat dhe sytë tanë, si edhe t’u mësojmë grave dhe fëmijëve tanë parimet e duhura të modestisë. Edhe pse gratë janë më të ekspozuara ndaj tundimit për të veshur rroba luksoze ose sensuale, baballarët dhe bashkëshortët mbajnë përgjegjësinë përfundimtare për atë që veshin gratë në shtëpitë e tyre. Burrat dhe gratë e krishterë duhet ta studiojnë këtë çështje dhe të luten me zjarr për të, sepse ne me të vërtetë kemi nevojë për një rikthim te modestia biblike.
Pse vishemi kështu siç vishemi? John Bunyan e shtroi pyetjen kështu: “Pse duan ato të ecin me supet e zbuluara dhe me gjoksin e ekspozuar si një lopë me sisët jashtë? Pse ato duan të lyejnë fytyrat, të zgjasin qafat dhe t’u dorëzohen të gjitha formaliteteve ku i çon imagjinata e tyre krenare? A është kjo sepse ato duan të nderojnë Perëndinë? Sepse ato duan të zbukurojnë Ungjillin? Sepse ato duan të hijeshojnë dhe të bëjnë të bukur fenë në mënyrë që t’i bëjnë mëkatarët të dashurohen me shpëtimin e tyre? Jo, jo; përkundrazi është për të kënaqur epshet e tyre… Besoj gjithashtu se Satani ka tërhequr më shumë njerëz drejt mëkatit të papastërtisë përmes shfaqjes shkëlqyese të rrobave të bukura, sesa do të mund të kishte tërhequr pa to. Pyes veten se çfarë ishte dikur ajo që quhej veshja e një prostitute: sigurisht që nuk mund të ketë qënë më joshëse dhe tunduese se sa janë rrobat e shumë ‘besimtarëve’ sot.” E njëjta gjë mund të thuhet edhe sot, lexues i dashur. Shqyrto zemrën tënde. Pse ti vishesh ashtu siç vishesh?
Thirrja e satanistit është: “Bëj çfarë të duash, ky është i gjithë ligji.” Thirrja e viteve ’60 ishte: “Bëj gjënë tënde!” Thirrja e feministeve është: “Është trupi im dhe do të bëj çfarë të dua.” Thirrja e ungjillorëve modernë është: “Është liria ime dhe do të bëj çfarë të dua.” Megjithatë, deklarata e Shkrimit është kjo: “A nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë që është në ju, të cilin e keni nga Perëndia, dhe se nuk i përkitni vetvetes? Sepse u bletë me një çmim! Përlëvdoni Perëndinë, pra, me trupin tuaj dhe në frymën tuaj, që i përkasin Perëndisë” [1 Korintasve 6:19-20]. Nëse je i krishterë, ti nuk i përket vetes. E gjithë qenia jote, trupi dhe shpirti, është pronë e blerë e Jezu Krishtit; dhe çmimi i paguar për trupin tënd ishte thyerja e trupit të Tij: “Ky është trupi im, që është thyer për ju” [1 Korintasve 11:24; Mateu 26:26]. Trupi yt i përket Atij! Ai e shpengoi atë me gjakun e Tij të çmuar në kryqin e Kalvarit. Ne duhet të mendojmë se si e zbukurojmë këtë pronë të blerë me gjak.
Pa dyshim, disa do të thërrasin në këtë pikë: “Ahh! Por ky është legalizëm!” Nuk është legalizëm t’u bësh thirrje bijve të Perëndisë të mbulohen, sepse modestia është urdhërim i Shkrimit. Dëshira e zemrës së rilindur është të nderojë Zotin Jezus dhe të bëjë çdo gjë që i sjell Atij lavdi duke mbajtur urdhërimet e Tij. “Ai që ka urdhërimet e mia dhe i zbaton ato, ai më do… Ai që nuk më do, nuk i zbaton fjalët e mia” [Gjoni 14:21, 24]. Lavdia e Perëndisë dhe dashuria për Krishtin duhet të jenë motivet kryesore për çdo gjë që themi, bëjmë dhe mendojmë, gjë që përfshin edhe atë që veshim.
Unë ju kam dhënë Shkrimet dhe… shpresoj që këto [shkrime] t’ju kenë nxitur jo vetëm për të menduar, por edhe për dashuri dhe vepra të mira. Megjithatë, siç u përmend më sipër, nëse e shihni përkufizimin e modestisë të pasaktë ose përfundimet në këto [shkrime] jo biblike, atëherë luftoni dhe lutuni derisa Zoti t’ju japë diçka më të mirë. Por lutuni! Për dashurinë e Krishtit, lutuni! Nuk është kurrë legalizëm t’u bësh thirrje bijve të Perëndisë t’i binden Atij sipas Fjalës së Tij!
Lutuni duke medituar mbi qëllimin e përjetshëm të Perëndisë së Plotfuqishëm: “Sepse ata që i ka njohur që më parë, edhe i ka paracaktuar që të jenë njësoj me shëmbëllimin e Birit të Tij” [Romakëve 8:29]. Kjo tokë, i gjithë ky univers i tërë ekziston për një arsye të vetme: Perëndia i hirit kishte për qëllim të shpëtonte popullin e Tij nga mëkatet e tyre dhe t’i bënte si Biri i Tij i shenjtë, Jezu Krishti. Ai derdhi gjakun e Tij në Kryqin e Kalvarit për të paguar borxhin e mëkateve të popullit të Tij. Vetëm përmes besimit tek Ai, mëkatet e tyre falen përjetësisht. Krishti i shpëton, i pastron dhe i bën si Vetja e Tij. Dhe si është Ai? “I shenjtë, i pafaj, i papërlyer, i ndarë nga mëkatarët” [Hebrenjve 7:26].
Atëherë, si duhet ta qeverisim veten sic duhet në lidhje me këtë çështje të vështirë? Le të shqyrtojmë këto parime:
- Lavdia e Perëndisë duhet të jetë qëllimi ynë kryesor—“përlëvdoni Perëndinë në trupin tuaj” [1 Korintasve 6:20]; “cdo gjë që të bëni… ti bëni në emër të Zotit Jezus” [Kolosianëve 3:17].
- Dashuria për Krishtin duhet të jetë motivi ynë: “Ne e duam Atë sepse Ai na deshi i pari” [1 Gjoni 4:19].
- Kujtesa se ne jemi tempulli i Frymës së Shenjtë dhe se nuk i përkasim vetvetes duhet të jetë korrigjuesi ynë: “Trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë që është në ju… dhe ju nuk i përkitni vetvetes.” [1 Korintasve 6:19].
- Dashuria për të tjerët, ruajtja e pastërtisë tek ata dhe tek ne, dhe dëshira për të mos i shtyrë ata drejt epshit duhet të jetë synimi ynë: “Dashuria nuk i bën keq të afërmit; dashuria, pra, është përmbushja e ligjit” [Romakëve 13:10].
Perëndia i mëshirës na dhëntë pendim aty ku kemi mëkatuar në këtë çështje. Jini të ndershëm me veten dhe me Perëndinë tuaj, lexues i dashur. A e keni marrë ndonjëherë seriozisht këtë çështje? A keni kërkuar me zjarr nga Zoti si duhet të vishet një fëmijë i shenjtë i Perëndisë? Nëse jo, ju nxis ta bëni këtë me gjithë zemrën time. Pendohuni për çdo gjë të botës që gjeni në zemrat tuaja. Pendohuni nëse visheni për sytë e njerëzve dhe jo për lavdinë e Perëndisë.
Sot, shumë njerëz po shpallin përsëri me guxim Ungjillin e hirit sovran të Perëndisë; në shumë vende po shpallet qartë e vërteta e lavdishme e shpëtimit vetëm me anë të besimit, vetëm përmes Krishtit. Këto të vërteta të mrekullueshme dhe transformuese duhet të prodhojnë një popull të shenjtë, të përulur dhe modest, që dallon nga kjo botë e humbur dhe që po vdes. Prandaj, lutja ime e zjarrtë është që të duam me gjithë zemër Jezu Krishtin dhe njëri-tjetrin, të përpiqemi së bashku për unitetin e besimit dhe të jetojmë jetë që madhërojnë hirin shpëtues të Shpenguesit tonë të bekuar.
Le të jetojmë me maturi, drejtësi dhe perëndishmëri në këtë botë të tanishme [Titit 2:11-14]; dhe mos i mohofshim kurrë këto të vërteta të çmuara që i duam, duke u kapur pas formave dhe modave të kësaj bote të ligë dhe lakuriqësisë së saj mëkatare. Le të përlëvdojmë Perëndinë në trupat tanë dhe në frymërat tona, që i përkasin Atij [1 Korintasve 6:20]. Dhe për lavdinë e Perëndisë dhe për dashurinë e Zotit Jezu Krisht, le të kthehemi te modestia e krishterë.