Të Jetuarit si Një i Krishterë Beqar

Të Jetuarit si Një i Krishterë Beqar

Të Jetuarit si Një i Krishterë Beqar

Përkthyer nga The Standart Bearer (Pjesa 1)

Me gjithë theksin e rëndësishëm që i jepet martesës dhe familjes në kishë, ne nuk duhet të neglizhojmë ata që janë beqarë mes nesh. Sado e vërtetë që është se shumica prej nesh kanë thirrjen e Perëndisë dhe nevojën e vendosur në natyrën tonë për t’u martuar, jo të gjithë janë të martuar. Ka disa situata në të cilat të krishterët janë beqarë, qoftë nga zgjedhja e tyre, qoftë për shkak të rrethanave të provanisë së jetës së tyre. Ka nga ata që nuk mund të martohen për shkak të mënyrës së veçantë si i ka krijuar Zoti. Ka të tjerë që mbeten beqarë sepse Zoti nuk  sjell në jetën e tyre dikë që është i interesuar të martohet me ta. Ka nga ata që mbeten beqarë pas tradhtisë së bashkëshortit që i divorcon. Shumë mbeten vetëm pasi Zoti u merr bashkëshortin e dashur në lavdi. Duhet gjithashtu të pranojmë se ka nga ata që janë beqarë me zgjedhjen e tyre. Këta thjesht nuk kanë dëshirë të fortë për t’u martuar dhe janë plotësisht të kënaqur me jetën beqare.

Disa nga rrethanat e përmëndura më sipër mund të jenë shkak dhimbjeje dhe ankthi për ata që ndodhen në to. Për disa të rinj që nuk përjetojnë asnjëherë emocionin dhe gëzimin e njohjeve për martesë, mund të lindë një ndjenjë përjashtimi dhe refuzimi. Ata mund të zhvillojnë ndjenja shumë negative për veten, të zhyten në thellësitë e dëshpërimit e madje të hidhërohen e të zemërohen me Perëndinë. Ata shohin miqtë e tyre që martohen njëri pas tjetrit. Pasi këta miq martohen, edhe miqësitë e vjetra priren që të ndryshojnë, dhe koha për shoqëri dhe gëzim në këto miqësi bëhet gjithnjë e më e pakët. Ata që nuk janë të martuar ndihen edhe më të vetmuar. Në disa familje, kur vëllezërit apo motrat më të vegjël martohen, më të rriturit që mbeten të pamartuar mund të ndiejnë turp, hidhërim dhe zili. Prindërit ndonjëherë shqetësohen së tepërmi për fëmijët që nuk janë të martuar dhe mund të ushtrojnë presion të panevojshëm mbi ta që të martohen me çdo kusht.

Gjithnjë e më shumjë divorce po ndodhin, madje edhe brenda kishës. Divorci është shpesh një përvojë që të shkatërron jetën. Ai ndodh ndonjëherë midis të rinjve që kanë ende shumë vite përpara tyre. Disa prej tyre përjetuan atë që në fillim dukej si një martesë e lumtur dhe emocionuese, vetëm për ta parë atë të përfundojë tragjikisht në pikëllimin dhe ankthin e thellë të divorcit. Ata mund të dëshirojnë fort që të gjejnë një partner tjetër për të mbushur boshllëkun dhe për të kapërcyer dhimbjen dhe refuzimin e divorcit. Shpesh fëmijët duhet të rriten në një familje me një prind të vetëm, dhe kjo mund të jetë shumë e vështirë dhe dekurajuese. Beqarët e divorcuar shpesh dëshirojnë të gjejnë një baba apo nënë të mirë për fëmijët e tyre. Bota, në shumicën e rasteve, e nxit fort rimartesën pasi “pluhuri” i divorcit të jetë ulur. Ka kisha që predikojnë me zë të lartë se Perëndia nuk dëshiron që asnjë nga njerëzit e Tij të jetojë gjatë në pikëllim; se cdokush ka të drejtë që të jetë i lumtur, dhe se sigurisht Perëndia dëshiron që fëmijët e Tij të jenë të lumtur në jetë. Kishat tona besojnë se rimartesa pas divorcit, për sa kohë që bashkëshorti i parë është ende gjallë, është në kundërshtim me Fjalën e Perëndisë. Për të krishterët e divorcuar, të mbeturit beqarë mund të jetë shumë e vështirë dhe e shoqëruar me shumë tundime të mëdha.

Në kishë ka gjithashtu nga ata që duhet të jetojnë vetëm për një kohë të gjatë pas vdekjes së bashkëshortit. Këta persona përballen me ndryshime të mëdha në jetën e tyre. Nuk është e lehtë të kthehesh në një shtëpi të zbrazët. Nuk është e lehtë që të mbetesh pa një partner me të cilin të kesh bashkësi dhe miqësi, pa dikë me të cilin të diskutosh çështjet e mëdha të jetës apo që të japë këshillë, udhëzim dhe mbështetje në sprova dhe vështirësi. Thellësia e pikëllimit për disa të krishterë në këto rrethana është dëshmi e gëzimeve dhe bekimeve të mëdha që ata përjetuan në martesa të mira dhe besnike. Të mbeturit vetëm papritur mund të jetë pothuajse e padurueshme. Për disa mund të ketë ende mundësi që të shijojnë vite jete me një person tjetër të veçantë që Zoti sjell në jetën e tyre. Të tjerë, qoftë për shkak të moshës së thyer apo për arsye të tjera, nuk e konsiderojnë, ose nuk duhet ta konsiderojnë, krijimin e një martese tjetër.

Disa nga skenarët e mësipërm mund të çojnë në reagime dhe veprime mëkatare. Të rinjtë mund të bëhen të dëshpëruar dhe, në dëshpërimin e tyre, të hyjnë në një marrëdhënie me këdo që u del përpara, edhe pse një person i tillë mund të jetë një zgjedhje shumë e dobët për bashkëshort. Këto mund të përfundojnë shumë shpejt në telashe dhe ankth, sepse janë martuar me personin e gabuar. Është më mirë të mos martohesh fare sesa të jesh i martuar me një person të botës, të lig dhe të papërgjegjshëm. Një “zgjedhë e pabarabartë” në martesë jo vetëm që është e ndaluar nga Perëndia, por mund të jetë edhe shkak i konflikteve dhe ndarjeve të vazhdueshme në martesë dhe familje.

Të jesh beqar nuk është diçka për t’u dekurajuar apo për t’u turpëruar. Zoti ka qëllimin e Tij të mirë dhe të urtë për këtë në kishë. Apostulli i frymëzuar i Zotit na mëson ta nderojmë lart martesën; madje duke na mësuar te Efesianëve 5 se ajo është një shëmbëlltyrë e bukur e marrëdhënies midis Krishtit dhe kishës. Por po ky apostull, te 1 Korintasve 7, na mëson se “është mirë për njeriun të mos prekë grua”. Në këtë kapitull të Fjalës së Perëndisë, apostulli duket se i përgjigjet një pyetjeje nëse është e ligjshme dhe e shenjtë të mbeteshe beqar në jetë. Apostulli i Zotit na mëson se, për disa, jeta pa martesë mund të jetë e mirë. Pali pohon të drejtën e tij “për të pasur me vete një motër si grua” (shih 1 Kor. 9:5), por, me një zgjedhje të vetëdijshme dhe në urtësinë e dhënë nga Perëndia, ai vendosi të mbetet beqar gjatë gjithë jetës së tij. Madje ai thotë se do të dëshironte që të gjithë të ishin si ai. Ai e konsideronte beqarinë si një avantazh për shkak të thirrjes së veçantë të Perëndisë dhe rrethanave të pazakonta me të cilat ai do të përballej si misionar.

Zoti ynë Jezu Krisht ishte i pamartuar gjatë gjithë shërbesës së Tij tokësore. Sigurisht që kishte arsye për këtë. Arsyet më të thella lidheshin me veprën e Tij për të qënë Shpëtimtar i popullit të Tij. Nga ana tjetër, Jezusi u bë i ngjashëm me ne në çdo gjë. A mund të supozojmë se Ai kishte të njëjtën natyrë njerëzore për të cilën Perëndia tha në krijimin e njeriut: “nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm”? Cildao qoftë përgjigja për këtë pyetje, ata që e kanë të vështirë jetën si beqarë kanë një Kryeprift plot dhembshuri te i cili mund të shkojnë në lutje; Një që mund të ndiejë dobësitë tona dhe që u tundua në të gjitha si ne, por pa mëkatuar.

Është e rëndësishme të ruhet në kishë se është e mundur dhe e shenjtë që një person të mbetet beqar, qoftë për një pjesë të jetës, qoftë për të gjithë jetën. Perëndia u jep hir atyre që thirren për të jetuar në beqari. Ky hir e bën jetesën si i krishterë beqar të mundur. Askush që gjendet në këtë rrethanë jete nuk ka arsye të dëshpërohet apo të dekurajohet. Ata nuk duhet të mendojnë se nuk kanë thirrje apo rëndësi në kishë, apo në jetë, thjesht sepse nuk janë të martuar.

Anëtarët e kishës duhet t’i trajtojnë të krishterët beqarë me nder, respekt dhe dashuri. Ata duhet të kenë dhembshuri të thellë për problemet dhe sprovat e vecanta të atyre që janë beqarë.

Nuk ka arsye që dikush në kishë të përpiqet të rregullojë martesa për çdo person beqar. Edhe pse kjo mund të vijë nga qëllime të mira, mund të jetë shumë shqetësuese për disa që thjesht nuk kanë dëshirë të fortë për t’u martuar dhe janë plotësisht të kënaqur të mbeten beqarë për tërë jetën.

I gjithë diskutimi i mësipërm tregon nevojën që kisha dhe çdo pastor i saj të trajtojë herë pas here çështjet që lidhen me jetën e të krishterëve beqarë.

Në disa rrethana të jetës, të jetuarit si i beqar mund të jetë edhe një mundësi për një shërbim më të përkushtuar dhe të pandarë në mbretërinë e Krishtit. Të gjithë ne, qofshim të martuar apo beqarë, duhet ta bëjmë mbretërinë qendrën e jetës sonë.

Në artikullin tonë të ardhshëm do të diskutojmë disa pyetje praktike dhe shpirtërore që lidhen me jetën si një i krishterë beqar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes